Pashaj: Dy gënjeshtrat e Berishës për çështjen kombëtare

Redaksia Online January 28, 2013 16:10

Pashaj: Dy gënjeshtrat e Berishës për çështjen kombëtare

AK reagon për hapjen e zyrës për mbrojtjen e komunitetit serb në Libofshë të Fierit. Përmes një deklarate për shtyp të sekretarit të Përgjithshëm, Myslim Pashaj, AK e denoncon këtë veprim si një akt provokativ sipas metodave “millosheviçiane”. Gjithashtu, AK shprehet se ky veprim nxjerr në pah edhe dy gënjeshtra të kryeministrit për çështjen kombëtare.

“Aleanca Kuq e Zi u rikujton bashkëkombësve tanë, se shtetasi Berisha gënjeu publikisht për dy çështje madhore me karakter kombëtar:

  1. Deklaroi se do të mbrojë shqiptarët nga Preveza në Preshevë, në 64 mijë km2 nga “Albanofobia e fqinjëve”.
  2. Deklaroi se menjëherë pas vandalizmit të xhandarmërisë së zezë serbe në trevat etnike shqiptare në Luginën e Preshevës do të rishikonte marrëdhëniet me shtetin e Serbisë”, tha Pashaj.

Sipas tij, Berisha hesht sepse është i kapur nga interesa të thella antikombëtare.

“Aleanca Kuq e Zi denoncon publikisht,  se as interesat dhe të drejtat e shqiptarëve nga Preveza në Preshevë nuk po mbrohen, por as marrëdhëniet me shtetin e Serbisë nuk u rishikuan nga Sali Berisha i Regjimit. Pse ai po hesht? Në të vërtetë ai nuk hesht, por punon në skuta ogurzeza, sepse është i kapur nga interesa të thella antikombëtare”, tha ai.

Në emër të AK-së, Pashaj thekson se nuk është kundër të drejtave të pakicave dhe etnive kulturore në vendin tonë, por e cilëson hapjen e zyrës në Libofshë si një provokim të hapur të politikave millosheviçiane që ndjek Serbia.

“Jemi dëshmitarë të çeljes së Zyrës për Mbrojtjen e Komunitetit Serb në qytetin e Fierit, i cili në të vërtetë është një bashkësi me origjinë boshnjake dhe jo serbe. Ata nuk janë autoktonë, sikundër janë shqiptarët etnikë në Luginën e Preshevës. Në Libofshë e rrethinë nuk ka bashkësi serbe, por etni boshnjake emigratore, e shndërruar në fenë islame. Ne nuk jemi kundër të drejtave të pakicave dhe etnive kulturore në vendin tonë. Në asnjë mënyrë JO. Aleanca Kuq e Zi nuk ka cenuar askënd dhe asnjë prej të drejtave të këtyre komuniteteve, por çelja e zyrës për mbrojtjen e të ashtuquajturit komunitetet serb në qytetin e Fierit është një provokim i hapur i politikave model millosheviçian të Serbisë së sotme. Në këto kushte dite pas dite Sali Berisha i Regjimit po i shpërfill interesat kombëtare, mashtron dhe manipulon me çështjen e bashkimit kombëtar dhe çuditërisht përkujdeset në mënyrë të paskrupullt për të hapur Zyra gjithnjë të dyshimta për të ashtuquajturat bashkësi serbe si një operacion antikombëtar dhe proserb. Për të gjitha këto vepra, Sali Berisha i Regjimit do të përgjigjet”, përfundoi Pashaj.

 

Redaksia Online January 28, 2013 16:10
Komento

1 Koment

  1. mentari January 28, 18:51

    mire o myslym
    ti po demaskon vetem dy nga moria e genjeshtrave te saliut
    lajm eshte nese ka ndonje rast qe saliu nuk genjen

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim