Paskal Milo kundër ligjit për mbetjet: Fshihen interesa të dyshimta

October 3, 2016 10:18

Paskal Milo kundër ligjit për mbetjet: Fshihen interesa të dyshimta

Kreu i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo, ka dalë publikisht kundër ligjit për importin e plehrave dhe në mbrojtje protestave të shoqërisë civile.

Në një intervistë për gazetën “Shekulli” ai gjithashtu thekson se kjo që ka bërë Edi Rama, mund të ketë dhe pasoja të rënda në zgjedhjet e ardhshme pasi ligjin e rivotuar nga maxhoranca e majtë në Kuvend e quan të nxituar dhe të nxitur nga interesa të dyshimta që cenojnë interesin kombëtar dhe atë të qytetarëve. Gjithashtu Milo shprehet se nuk ka besim se maxhoranca mund të reflektojë, pasi duket qartë se ajo këtë ligji prej ditësh po e mbron me forcë dhe propagandë të jashtëzakonshme.

Pjesë nga intervista e Paskal Milos

Si e gjykoni ju rikthimin e ligjit për importin e mbetjeve nga qeveria “Rama”, e cila tre vite më parë e kishte anuluar atë?

Unë e kam ndjekur me vëmendje të gjithë debatin që është zhvilluar këto kohët e fundit për miratimin e ligjit “Për Mbetjet”, siç është pagëzuar tani ligji i vjetër. Përjashto debatin e mirëfilltë që bëhet në Parlament, unë bashkohem me shqetësimin qytetar që është shprehur me kaq forcë ditët e fundit. Këtu nuk është fjala për njerëz që nuk janë të informuar e as për njerëz që nuk i kuptojnë proceset. Do të ishte naivitet për të mos thënë diçka më tepër që pushteti të akuzojë përfaqësues të shoqërisë civile dhe mbrojtës tashmë të konfirmuar të mjedisit dhe specialistë.

Për mua ka një mungesë transparence në veprimet e qeverisë me këtë ligj dhe kjo mungesë transparence ka bërë që në mendjen e qytetarëve, nuk dua të flas për reagimin e opozitës, por të njerëzve të thjeshtë ka një shqetësim. Qeveria nxitoi ta votonte këtë ligj pa sqaruar qytetarët, pa bërë një punë të kujdesshme për t’i bindur për të kundërtën e asaj për të cilët ata kanë dalë në protestë. Pra, kjo ngarkon me shumë përgjegjësi qeverinë, e cila për më tepër duhej të argumentonte se çfarë ka ndryshuar në këto tre vjet që u desh sjellja sërish e një ligji, të cilin kur ajo ishte në opozitë e kundërshtoi fuqishëm dhe sa erdhi në pushtet e anuloi. Pra argumentet se diçka ka ndryshuar, se janë krijuar rrethana të reja nuk kanë bazë të fuqishme për të argumentuar se ky ligj është i dobishëm.

Para së gjithash, duhet sqaruar se për kë u bë ky ligj, u bë për të ruajtur mjedisin, apo për të plotësuar interesat e një grupi të caktuar apo industrie të caktuar prapa të cilës qëndrojnë njerëz. Cilët janë këta që qëndrojnë prapa industrisë së riciklimit të mbetjeve? Ai i di opinioni publik çfarë përfaqësojnë ata? Po ata që do t’i sjellin për të pastruar mbetjet e tyre, hauret e tyre, cilët janë? Qeveria para se të ndërmerrte këtë nismë të dyshimtë dhe të shpejtë duhej që të sqaronte opinionin publik shqiptar, jo me ato argumentet që duket që janë më tepër propagandë, por t’i sqaronte për problemet thelbësore, çfarë ka ndryshuar, pse është i dobishëm, kush qëndron mbrapa dhe cilat janë përfitimet. Kjo nuk duhet të bëhej në formën e një propagande blitzkrieg¬u, por me durim dhe të sqaroheshin njerëzit.

Fakti që u nxituan kaq shumë për ta miratuar sa më shpejt ligjin tregon se ka diçka që i ka nxitur të veprojnë kështu. Nuk janë thjesht ato shifrat që jepen se kaq do jenë përfitimet për një vit, se do shpëtojmë industrinë nga falimenti e tij.

Ju thoni që pas kësaj qëndrojnë njerëz të dyshimtë?

Prapavijat e interesave ekonomike dhe fitimprurëse nuk kam si t’i di, por këtu fshihen shumë gjëra jo vetëm në këtë rast por në shumë të tjera kur ndërmerren nisma ligjvënëse. Shpeshherë ato merren jo për interesin kombëtar, por për interesin e grupimeve dhe qarqeve të ngushta që shohin vetëm interesat e tyre dhe jo të shoqërisë.

Nëse presidenti nuk e dekreton ligjin, a është një mundësi që të reflektojë maxhoranca?

Nuk besoj që maxhoranca mund të reflektoj. Mënyra se si po e mbron ajo këtë ligj tregon se është e vendosur që edhe nëse e kthen Presidenti i Republikës, ajo do ta rikthejë në fuqi duke e rivotuar. Do të ishte mirë që ajo të mos nxitohej, do të ishte mirë që të reflektohej dhe t’i nënshtrohej një debati publik sa më të gjerë. Nuk është gabim dhe as mëkat të korrigjohesh, pasi sheh një reagim goxha të fortë, për të cilin nuk duhet akuzuar thjesht opozita se po shfrytëzon rastin.

Nëse rivotohet sërish ky ligj në Kuvend, shoqëria civile është shprehur se do të rikthejë referendumin, por në Kushtetutë kjo është një e drejtë e kufizuar?

Kushtetuta ka kufizime sa i përket referendumeve, i ka të përcaktuara edhe afatet dhe do ta quaja të vështirë që të vihej në lëvizje mekanizmi kushtetues në këtë rast. Ajo çfarë duhet bërë është reflektimi i shoqërisë shqiptare për mënyrën se si po qeveriset dhe se si do zhvillohen zgjedhjet në qershorin e vitit të ardhshëm.

A do të ketë kosto ky ligj për maxhorancën në zgjedhjet e ardhshme?

Nëse ndërgjegjja qytetare qëndron në nivelin e protestës dhe të reflektimit siç po qëndron për importin e mbetjeve, shpresoj që po, por nëse ndërgjegjja qytetare, shoqëria civile e sidomos të rinjtë kur të vijnë zgjedhjet do ta harrojnë këtë çështje, siç janë harruar mjaft të tjera më para, atëherë nuk ka zgjidhje. Duhet që politika të mësojë se qytetarët nuk harrojnë. Deri tani nuk e kemi parë këtë reagim popullor me votë, ashtu siç po e shohim me protesta. Duhet që qytetarët të jenë të ndjeshëm për çdo gjë që shkon kundër interesave të tyre. Qytetarë janë edhe politikanët, të cilët mund të harrojnë për një moment se ligji që është miratuar ka qenë në kundërshtim me interesat qytetarëve.

Qytetarët mund të joshen nga premtimet elektorale, harrojnë dhe shkojnë hedhin votën në mënyrë tradicionale atje ku e kanë hedhur më parë. Politika te ne nuk ka imazh qytetari, por imazh tregtari, madje një tregtari të keq që premton, mashtron dhe gënjen për hir të fitimit. Dhe ai që mashtron, në këtë rast politika, qytetarin, padyshim që është përgjegjësi kryesor. Por, jo më pak janë përgjegjës qytetarët, të cilët kur venë në kutitë e votimit, harrojnë, vihen në rresht dhe votojnë për shkak të traditës pavarësisht se kanë paguar taks të rëndë për shumë gjëra për të cilat nuk kanë qenë dakord ndër vite.

A do ta mbështesni ju shoqërinë civile gjatë protestave ditët e ardhshme, d.m.th në kuptimin fizik?

Ajo është gjëja më e thjeshtë që mund të bëhet. Prezenca nuk flet aq sa flet mendimi, se sa flet rreshtimi, reagimi dhe fjala. Të gjithë njerëzit publikë duhet të shprehen pavarësisht se dikujt i pëlqen apo jo, për më tepër për një çështje që politika nuk ka pse të ndërhyjë. Kjo është një çështje që i takon të gjithëve, që e prekim të gjithë në jetën e përditshme, që ka të bëjë me familjen, me fëmijët dhe të ardhmen e tyre. Pra është një çështje qytetare, mbi të gjitha problemet e tjera që mund të ketë politika dhe që mund t’i përfaqësojë ajo.

October 3, 2016 10:18
Komento

3 Komente

  1. As October 3, 11:46

    Paskali e ka gabim per faktin se ka nje ndryshim thelbesor midis te qenit historian dhe atij industrialist.
    Paskali flet dhe shkruan vetem nga hoteli i tij ne Palase
    Paskali si historian duhet te kuptoje se zhvillimi i Shqiperise nuk mund te sigurohet vetem nga turizmi dy mujor por nga zhvillimi fuqishem i industrise se lehte ku futet dhe perpunimi i mbetjeve teknollogjike.

    Reply to this comment
  2. corape kuqi October 3, 17:55

    Pajtohem

    Reply to this comment
  3. Adih October 4, 00:44

    Keni me se te drejte Z Milo ..Respekte ..

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*