Me rastin e 100-vjetorit të Luftës së Vlorës/ Një epope që u ngjit me vonesë në piedestal

June 10, 2020 16:23

Me rastin e 100-vjetorit të Luftës së Vlorës/ Një epope që u ngjit me vonesë në piedestal

Sot mund të pohohet me plot bindje se studimet sasiore për Luftën e Vlorës janë në një nivel që lejon të kalohet nga përshkrimi faktologjik i ngjarjes në analiza e përfundime krahasimore. Historianë ose jo që janë marrë me studimin e Luftës së Vlorës ose që kanë dhënë vlerësime për të, gjithnjë shqiptarë, brenda dhe jashtë kufijve të Shqipërisë, mund të ndahen në dy grupe: në ata që e kanë trajtuar e cilësuar atë si një ngjarje të madhe historike kombëtare që rivendosi pavarësinë dhe sovranitetin e vendit dhe integritetin e tij territorial dhe në ata që e mohojnë atë si vlerë kombëtare

Prof. Paskal Milo

(Vijon nga numri i kaluar)

Në vjeshtën e vitit 1920, pas Luftës së Vlorës e nën ndikimin e saj interesi për Shqipërinë e për zhvillimet e saj filloi të rritej. Por ishte e parakohshme për kancelaritë evropiane që të mendohej për një rinjohje të drejtëpërdrejtë të pavarësisë e të sovranitetit të Shqipërisë pa dizainuar edhe njëherë tjetër interesat e përparësitë e tyre në raport me këtë vend. Diplomacia tradicionale evropiane e ekuilibrave dhe e ndarjes së sferave të influencës vazhdonte të ishte sunduese.

Në këto rrethana qeveria e Sulejman Delvinës provoi të veprojë sipas skenarit të drejtëpërdrejtë të njohjes përmes një akti ndërkombëtar kolektiv. Ajo ishte në dijeni dhe shfrytëzoi faktin që në nëntor 1920 në Gjenevë, do të mblidhej seanca e parë plenare e Asamblesë së Përgjithshme të Lidhjes së Kombeve, një organizatë ndërkombëtare për paqe e siguri botërore krijuar nga Konferenca e Paqes në Paris në prill 1920. Në tetor të këtij viti, vetëm një muaj pasi janë larguar përfundimisht forcat italiane nga Vlora, qeveria shqiptare bëri zyrtarisht kërkesën për anëtarësim në Lidhjen e Kombeve dhe dërgoi në Gjenevë një delegacion me në krye Fan Nolin. Pranimi i Shqipërisë në këtë organizatë të sapo krijuar ndërkombëtare është një temë studimi që i është kushtuar vëmëndje dhe që është trajtuar. Këtu mjafton të thuhet se pas një kalvari jo të pakët diskutimesh, hezitimesh e kthesash në dukje të çuditshme por edhe të shpjegueshme, në 17 dhjetor 1920 Asamblea e Përgjithshme e Lidhjes së Kombeve vendosi ta pranojë Shqipërinë si anëtare të saj.

Pranimi në këtë organizatë ndërkombëtare me të drejtë është cilësuar si një njohje kolektive e shtetit të pavarur shqiptar. Ishte një arritje por jo gjithçka, sepse Fuqitë e Mëdha evropiane e veçanërisht Italia nuk donin të hiqnin dorë përfundimisht nga skemat e stereotipet e diplomacisë së fshehtë.Donin të arrinin një kompromis që nga njëra anë të rikonfirmohej sovraniteti dhe tërësia territoriale e Shqipërisë, që iu imponua nga vullneti luftarak mbarëshqiptar në 1920 dhe nga ana tjetër të legjitimonin interesat strategjike italiane në këtë vënd në raport me Fuqitë e tjera të Mëdha e vëndet fqinje. Ky kompromis u trupëzua me vendimet që mori Konferenca e Ambasadorëve të Fuqive të Mëdha në 9 nëntor 1921 në Paris.  

Me këto vendime u përmbyll procesi i rinjohjes së plotë të pavarësisë e të sovranitetit të Shqipërisë pas Luftës së Parë Botërore  ku kontributi dhe meritat e Luftës Kombëtare të Vlorës janë të jashtëzakonshme dhe historike.

***

Për të gjitha këto arsye, Lufta e Vlorës ka një vend nderi në historinë tonë kombëtare. Për rëndësinë që ka dhe për rolin që ka luajtur në përcaktimin e fateve të kombit për këtë Luftë është shkruar e janë bërë vlerësime të kahmotshme dhe bashkëkohore,  janë shkruar kujtime ose janë lënë gjurmë të shkruara nga disa luftëtarë drejtues e pjesëmarrës të saj, janë botuar jetëshkrime udhëheqësish, heronjsh e dëshmorësh, është prodhuar prozë e poezi, si dhe krijimtari popullore. Historiografia si shkencë e ka bërë objekt studimi të saj relativisht vonë. Pas Luftës së Dytë Botërore, sprova e parë modeste në trajtimin e temës së Luftës së Vlorës i takon Aleks Budës me një artikull të botuar në gazetën kryesore të kohës “Zëri i Popullit”  në 11 gusht 1951. Përpjekja e parë studimore me pretendime shkencore për Luftën e Vlorës u bë nga Kristo Frashëri në vitin 1954. Por këto ishin veç hapa të para studimore që patën përveç kontributeve fillestare edhe mangësi në shfrytëzimin e dokumentacionit arkivor, veçanërisht atij të huaj, kryesisht italian si dhe qasje metodologjike të ndikuara nga modeli sovjetik i analizës së faktorëve socialë në ngjarjet historike. Por gjithsesi e rëndësishme ishte se Lufta e Vlorës u vendos në fokusin e studimeve historike duke filluar nga gjysma e dytë e viteve 50-të të shekullit të kaluar kur edhe filloi botimi i dokumentacionit arkivor rreth saj dhe kohës kur u zhvillua ajo.

Krijimi i institucioneve shkencore dhe të arsimit të lartë brenda vendit ndihmoi në grumbullimin dhe sistemimin dokumentar të fakteve dhe ngjarjeve rreth Luftës së Vlorës. Një punë e tillë krijoi infrastrukturën e nevojshme për shkrimin e historisë dhe për një analizë më objektive dhe më shkencore të saj. Por me gjithë arritjet jo të pakta të historiografisë shqiptare brenda vendit në trajtimin e saj, duhet pohuar se kornizat ideologjike të kohës dhe metedologjia përjashtimore e mohuese për ngjarje e kontribute të veprimtarëve të veçantë në to, nuk e rrokën në të gjitha dimensionet reale vëndin dhe rolin e kësaj Lufte. Edhe një apo dy botime të kryera jashtë vëndit në vitet 60-të të shekullit të kaluar nga autorë shqiptarë në emigracion, të çliruara nga morsa e censurës me gjithë arritjet e tyre nuk e kapën nivelin e një trajtese të mirëfilltë shkencore, qoftë edhe për dy arsye: mungesën e dokumentacionit arkivor dhe të profesionalizmit si historianë.

Sot mund të pohohet me plot bindje se studimet sasiore për Luftën e Vlorës janë në një nivel që lejon të kalohet nga përshkrimi faktologjik i ngjarjes në analiza e përfundime krahasimore. Një sprovë në këtë drejtim do të ishte analiza dhe studimi krahasues i vlerësimeve që kanë dhënë autorë të ndryshëm shqiptarë për vëndin dhe rolin e Luftës së Vlorës në historinë tonë kombëtare.

Historianë ose jo që janë marrë me studimin e Luftës së Vlorës ose që kanë dhënë vlerësime për të, gjithnjë shqiptarë, brenda dhe jashtë kufijve të Shqipërisë, mund të ndahen në dy grupe: në ata që e kanë trajtuar e cilësuar atë si një ngjarje të madhe historike kombëtare që rivendosi pavarësinë dhe sovranitetin e vendit dhe integritetin e tij territorial dhe në ata që e mohojnë atë si vlerë kombëtare. Të parët janë shumica e studiuesve, të dytët përfaqësohen me disa emra të përveçëm në historinë e letrave shqipe e të politikës shqiptare si Eqrem Vlora, Myfit Libohova, Fejzi Alizoti, Mustafa Kruja, Gjergj Fishta, etj.

Gjykimi që grupi i dytë i ka bërë Luftës së Vlorës është nisur nga pozitat dhe lidhjet e tyre të njohura italofile të kohës por edhe të mëvonshme. Është e dokumentuar se Myfit Libohova, Fejzi Alizoti dhe Mustafa Kruja u përpoqën të pengojnë zhvillimin e punimeve të Kongresit të Lushnjës si anëtarë të qeverisë së Durrësit e në bashkëpunim me komandën ushtarake italiane të vendosur në Vlorë.Po këtë qëndrim në thelb ata mbajtën edhe ndaj Luftës së Vlorës, veç nuk e kundërshtuan hapur e me veprime konkrete.

Eqrem bej Vlora ka qënë dhe mbeti edhe më vonë kur i hodhi në letër mendimet e qëndrimet e tij, njeriu më konseguent në mohimin e vlerave kombëtare të Luftës së Vlorës.Ai e ka cilësuar atë si “një marëzi e kulluar”, si një kryengritje që “ishte baraz me vetëvrasjen e gjithë popullit”. Eqrem bej Vlora krahas mjaft vlerave, ishte mësuar e pretendonte t’a vinte vehten në qëndër të ngjarjeve, por është ndër rastet e ralla, për Luftën e Vlorës që ai e përjashton vehten me bindje.Kjo nuk është e lidhur vetëm me profilin e tij të njohur proitalian dhe me shoqërinë e miqësinë e tij me komandantin e përgjithshëm të forcave italiane të dislokuara në Vlorë, Setimo Piaçentini, as edhe me rivalitetet provinciale të kohës të “dyerve të mëdha” për të qënë të parët e për t’u dëgjuar mbi të gjithë e për gjithçka. Ishte shumë më tepër. Eqrem beu, Luftën e Vlorës siç e pohon edhe vetë e çvesh nga karakteri kombëtar i saj, e interpreton si një luftë me karakter social, një luftë që nuk ishte e tij, por e udhëheqësve të saj që i cilëson si intrigantë “që nxisin njerëzit kundër meje dhe kundër italianëve”.Duke argumentuar më tej hendekun social që e ndante atë dhe klasën e tij nga udhëheqja e Luftës së Vlorës, ai nënvizon se ata ishin “përfaqësuesit e shtresës së mesme, kaq shumë të përçmuar prej mejeLufta që ata bënin ishte “lufta e tyre”, ishte beteja për pozitën e tyre shoqërore, për pronat, për gratë e fëmijët e tyre, për nderin e mbijetesën e tyre, një përpjekje për jetë a vdekje.

Nëse në grupin politik shqiptar proitalian të kohës që nuk e mbështetën ose e kundërshtuan Luftën e Vlorës, diktuan interesat politike, në rastin e Gjergj Fishtës përveç tyre ndikoi edhe përkatësia fetare, besimi katolik. Në mes politikanëve të atyre viteve pati emra të njohur të besimit katolik si Luigj Gurakuqi, apo hierarkë fetarë katolikë si Luigj Bumçi, Shtjefën Gjeçovi e të tjerë që respektin dhe bindjen për fenë e tyre katolike nuk e ndanë nga lufta për pavarësi, sovranitet dhe integritet kombëtar.Përkundrazi, Gjergj Fishta në ditët kur zhvillohej Lufta e Vlorës këshillonte se “e vetmja mretni që ka me pishtuar Shqipnin asht Italia… Interesi i krishtërimit në Shqipni asht me nji bashkim me Itali e duhet që të kërkohet ky bashkim”.

Grupi i parë i politikanëve, historianëve e studjuesve që e kanë mbështetur frymën dhe veprën kombëtare të Luftës së Vlorës, bashkohen në vlerësimin e përgjithshëm të saj por kanë dallime për vëndin, rolin dhe rëndësinë e saj përgjatë historisë kombëtare. Dy prej tyre si Ali Këlcyra e Ago Agaj e trajtojnë Luftën e Vlorës si ngjarjen më të rëndësishme të historisë kombëtare pas epokës së Skënderbeut.Fatos Arapi u bashkohet atyre duke shtuar edhe Lidhjen Shqiptare të Prizrenit.Dimensionin krahasues të Luftës së Vlorës, pjesëmarrësi i saj i shquar Halim Xhelo e zgjeron më tej, jashtë kufijve iliro-arbërorë kur shkruan se “në pati Greqia e moçme një Spartë e një Thermopilë, Shqipëria e re ka një Labëri e Qafat e Koçiut”. Po i njëjti vlerësim vjen edhe nga bashkëpjesëmarrësi tjetër në këtë Luftë, kryetari i bashkisë së Vlorës në atë kohë dhe poeti popullor Ali Asllani me vargjet e tij:”Vlorë e sotme, Spartë e Vjetër/ Shqipëri e s’ka më tepër”.

Një mendim të veçantë, thuajse të përafërt kanë dy emra të njohur të historiografisë shqiptare të paktën për Luftën e Vlorës, Mid’hat Frashëri dhe Arben Puto. Ata vendosin shenjën e barazimit për nga rëndësia e saj me shpalljen e pavarësisë kombëtare në vitin 1912. Lumo Skëndo duke kaluar brigjeve të Vlorës në një ditë tetori 1922 do të shënonte: “… njëzeta kurorëzon dymbëdhjetën.Njëzeta e fortë, më trime se e pushtetshme, e merr dymbëdhjetën e nxjerr nga gjëmbat dhe greminat, e ngre në këmbë dhe i thotë: Ec, Dymbëdhjeta solli famë në këtë Vlorë.Njëzeta nderoi Vlorën.Vlora nderoi njëzetën”.

Arben Puto është më i kursyer në frazë dhe në emocione por arrin në një përfundim që provokon debat shkencor kur shkruan se “nga pikëpamja e rëndësisë dhe e pasojave, si Kongresi i Lushjës, ashtu edhe Lufta e Vlorës mund të barazohen me Shpalljen e Pavarësisë në nëntor të vitit 1912”. Profesori i nderuar e relativizon shenjën e barazisë midis të dy ngjarjeve kur përdor fjalën “mund” dhe lë të hapur terrenin e diskursit e të analizës më të thelluar shkencore rreth tyre.

Thuajse të gjithë historianët dhe studjuesit janë të një mendimi se Kongresi i Lushnjës dhe Lufta e Vlorës janë dy ngjarje që plotësojnë njëra tjetrën dhe që shkrihen në një aksion politiko-luftarak të vetëm për të rivendosur pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të mohuar, të nëpërkëmbur e të shkelur.Kjo është teza sunduese e historiografisë shqiptare.Këtë pikëpamje kanë mbrojtur dhe argumentuar historianët Aleks Buda, Stefanaq Pollo, Kristo Frashëri, Arben Puto dhe sidomos historiani që thuajse gjatë gjithë jetës së tij shkencore u angazhua ndër të tjera posaçërisht në studimin e Luftës së Vlorës, Prof. Muin Çami. Pasues i tij pa drojtje për nga përkushtimi, thellësia e kërkimeve dhe për më tepër nga numuri i botimeve për Luftën e Vlorës mbetet Prof. Bardhosh Gaçe.

Në vijim të kontributeve të tyre, historiografia aktuale shqiptare në përgjithësi vazhdon të lëvrojë e të thellojë studimet për këtë ngjarje shumë të rëndësishme historike.

 

———

FUND

Botuar në DITA. Ndalohet ribotimi i plotë ose i pjesshëm pa lejen me shkrim të redaksisë dhe pa citimin korrekt e të dukshëm të burimit

 

June 10, 2020 16:23
Komento

4 Komente

  1. Arben June 10, 19:58

    Me rastin e 100 vjetorit mbahen ende të fshehur udhëheqësit e luftës

    Reply to this comment
  2. Gjergj Frasheri June 10, 21:33

    I nderuar Zoti Paskal, nuk e gjej dot fillin – Përse m’ë bëjnë për të qeshur Përpëlitjet tuaja për “Ripërgjithësime” (apo për “Rivlerësime”) mbi Veprën Historike që e kanë përkufizuar më së miri si profesionistë Historianët tanë Kombëtarë. Duket qesharake për shembull, që për t’u shfaqur si historian kompetent i Historisë së Skënderbeut (për të cilin nuk iu njeh kush), paraqisni “zbulimin” tuaj, se Nëna e Skënderbeut ishte sërbe – “zbulim”, të cilin e paraqisni me guximin e një megalomani të papërgjegjshëm.

    Nuk kam menduar se do të dëgjoja ndonjëherë, se Lufta e Vlorës paska qenë “rrotë më rrotë për nga vlera historike” me Shpalljen e Pavarësisë më 28 Nëntor 1912. Sepse parasëgjithash nuk ka njësi metrike apo lloj peshoreje që të merrni të drejtën për të bërë këtë lloj krahasimi, sepse nuk bëni gjë tjetër veçse ulni vlerat origjinale dhe unikale të secilit fakt historik më vete.

    Ajo që m’ë ka sjellë bindjen për sa më sipër, është një shkrimi juaj me titull “Lufta nacional-çlirimtare më e suksesshmja e kombit shqiptar, në disa tipare më e rëndësishme se ajo e Skënderbeut”(Balkanweb 2019.11.06). Hajde peshore hajde! Po ku ka kandar që të peshojë se kush do të rëndonte më shumë – lufta e një populli që i vuri gjoksin për 25 vjet me rradhë pothuajse i vetëm, Perandorisë më të Madhe Botërore të shek. 15, me një luftë ku më pak se gjysma e këtij populli iu bashkua si një kompani armatës botërore çlirimtare të udhëhequr nga SHBA-ja, Rusia dhe Anglia kundër Gjermanisë, njëra e ndodhur në mesjetë dhe tjetra në shek. 20! Po kujt i duhen këto krahasime prej bejtexhiu popullor? Pushtetit që të ka prodhuar? Apo kërkon të impresionosh katunarët që janë anëtarësuar në Partinë tënde për të marrë disa vota, që ato t’ia dhurosh së fundi pushtetit, me shpresë se do të bëjë përsëri Ministër të Jashtëm të Shqipërisë, etj…?

    Sipas kësaj logjike historike qesharake që përdorni, del se “Lufta kundër Covid-it” e dy muajve të fundit do të rezultojë më e rëndësishme dhe më e suksesshme se Lufta Nacional Çlirimtare, sepse njëra prodhoi luftë civile, ndërsa tjetra nuk prodhoi luftë civile, etj… etj…. .

    Këto “iluzione brilante me peshore bejtexhiu” fatmirësisht i kam kategorizuar tashmë si “historia paskaluçio”, me qëllim që të dallohen si krijime origjinale të paletës së bejteve historike ndaj Veprës Historike Kombëtare të Historianëve.

    Suksese i nderuar! Është koha kur Politika kërkon të bëjë drekë me turli me Vlerat historike të Përjetshme Kombëtare!

    Reply to this comment
  3. dardan I June 10, 22:32

    Prof. Dr. Paskal Milo perkufizon: “Thuajse të gjithë historianët dhe studjuesit janë të një mendimi se Kongresi i Lushnjës dhe Lufta e Vlorës janë dy ngjarje që plotësojnë njëra tjetrën dhe që shkrihen në një aksion politiko-luftarak të vetëm për të rivendosur pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të mohuar, të nëpërkëmbur e të shkelur. Kjo është teza sunduese e historiografisë shqiptare.”

    Me vjen keq te shprehem se kjo eshte nje gjysem teze shkencore e historiografise shqiptare.

    Teza e plote sipas studiuesve pa tituj e grada eshte: “Kongresi Kombetar i Lushnjes, Lufta Clirimtare e Vlores dhe aksioni patriotik i Avni Rustemit me vrasjen e tradhtarit te popullit dhe atdheut te shqiptareve, Esat Pashe Toptanit bene te mundur rikonfirmimin e Shteti te Pavarur Shqiptar, sipas vendimit te Konferences se Ambasadoreve te Fuqive te Medha te Europes, me 29 Korrik 1913.”

    Reply to this comment
  4. demo June 11, 07:28

    Semundja Kronike e Historiografise komuniste,eshte GJYKIMI I HISTORISE .
    PERMBLEDHJET, KONKLUZIONET
    Frazat e pergjithshme,Shabllon,
    Analiza Ideo-Klasore.
    Keta nuk merren me Shkrimin e Historise sipas fakteve dhe dokumentave.
    Prandaj jane ca pupace te fryre.megalomane.
    Prandaj bota qe nga 1944 nuk i ka ne hesap fare.
    Ne shkrimin e Historise me ngjarje nga Shqiperia,i vetmi historian shqiptar qe citohet ne bote,mbetet Noli.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim

Njoftim