Pastrimi i parave, TI: Qeveritë po dështojnë, mes tyre dhe Shqipëria

October 17, 2019 21:13

Pastrimi i parave, TI: Qeveritë po dështojnë, mes tyre dhe Shqipëria

Organizata Ndërkombëtare Transparency International, shprehu sot në një raport, se qeveritë po dështojnë të trajtojnë pastrimin e parave dhe mashtrimet ndërkombëtare me taksa, meqë policia nuk i ka mjetet e duhura për të gjetur pronarët e kompanive të dyshuara për veprimtari kriminale.

Një analizë e vlerësimeve të bëra nga Rregullatori botëror kundër pastrimit të parave ‘Forca për Veprimtaritë Financiare’ (FATF) tregon se ky dështim është i lidhur fort me mbështetjen në të dhënat e mbajtura nga bankat.

Transparency International thekson se FATF-ja duhet të kërkojë që vendet të krijojnë regjistra qendrorë të pronarëve të vërtetë të kompanive dhe ato të dhëna të jenë publike, në mënyrë që të lejojnë verifikimin më të mirë të informacionit.

Në raport thuhet se FATF-ja kërkon nga qeveritë që autoritetet të jenë në gjendje të zbulojnë shpejt se kush janë pronarët e vërtetë ose “përfituesit” e kompanive të regjistruara në territorin e tyre.

Nga 83 vende të vlerësuara nga FATF-ja që nga viti 2014, vetëm një (Trinidad dhe Tobago) ka vepruar në pajtim të plotë me këtë kërkesë. Asnjë vend nuk konsiderohet të jetë “shumë efektiv” në këtë fushë.

Autorja e studimit, Maira Martini, eksperte e organizatës Transparency International tha se “fondet mund të transferohen në sekonda nëpër llogaritë e korporatave bankare ndërsa identifikimi i pronarëve të kompanive të përfshira në korrupsionin tejkufitar, mund t’u marrë autoriteteve më shumë se një vit”.

Ajo thekson se pothuajse pa përjashtim, të ashtuquajturat “kompanitë shell” shfaqen ne qendër të rasteve të mëdha të korrupsionit, pastrimit të parave dhe evazionit fiskal.

Një kompani “shell” apo kompani “fantazmë”, nuk zotëron asgjë por figuron si biznes i ligjshëm që shfrytëzohet për të fshehur veprimtaritë e kompanive të tjera.

Në vitin 2016, më shumë se 140 zyrtarë publikë ishin duke përdorur më shumë se 214 mijë njësi për të fshehur pronësinë.

Në mesin e vendeve të përfshira në raport është edhe Shqipëria, “ku nuk ka kërkesë që të gjithë personat juridikë të kenë një llogari bankare. Nëse një person juridik nuk ka hyrë në marrëdhënie me një entitet raportues, atëherë nuk ka dispozita të tjera ligjore për të siguruar që autoritetet përgjegjëse të kenë qasje në informacionin e saktë dhe më të ri mbi pronësisë”, thuhet në raport i cili u referohet vlerësimeve të vitit të kaluar të Këshillit të Evropës mbi masat që ka marrë Shqipëria për të luftuar pastrimin e parave dhe financimin e aktiviteteve terroriste.

j.l./ dita

October 17, 2019 21:13
Komento

1 Koment

  1. Tori October 17, 21:33

    Vetem per Shqiperine mos thoni se behet pastrim parash sepse shteti yne i ka hapur lufteketyre gjerave.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim