Pasuria domethënëse e politikanëve të Kosovës

September 30, 2019 16:10

Pasuria domethënëse e politikanëve të Kosovës

Shqiptarët e Kosovës do t’i drejtohen kutive të votimit, të dielën e 6 tetorit, për të zgjedhur qeverinë dhe kryeministrin e shtatë që nga shpallja e pavarësisë në vitin 2008.

Fushata dhjetë ditore ka hyrë në ditën e saj të katërt, gjatë së cilës kandidatët për kryeministër, Ramush Haradinaj, Kadri Veseli, Albin Kurti, Vjosa Osmani dhe Fatmir Limaj po zotohen të sjellin ndryshime “tektonike” në Kosovë.

Por, më shumë sesa tek premtimet e fushatës, opinioni publik në Kosovë është përqendruar tek vetë kandidatët për kryeministër, përfshi pasuritë e tyre. Për shumë, kpasuria e tyre nuk është vetëm sensacioni i fushatës elektorale, por edhe në një tregues i fuqishëm për besueshmërinë e kandidatëve.

Nisma e ndërmarrë nga shoqëria civile në Kosovë dhe nga mediat, ka zbuluar  se kandidatët për kryeministër të Kosovës, si shumë figura të njohura publike, rezultojnë të kenë “mbajtur të fshehtë” nga syri i publikut pasuri miliona euroshe. Disa video, investigime dhe artikuj tregojnë se pasuria e ministrave në largim si dhe e 120 deputetëve të Parlamentit të Kosovës, përfshirë edhe kandidatët në garë, vlerësohet të kapë vlerën e 300 milionë eurove.

Të dhënat janë publikuar nga Agjencia Kundër Korrupsionit në Kosovë, bazuar në deklarimet e pasurisë, por ekspertët në Kosovë janë të bindur se pasuria e vërtete e politikanëve të Kosovës mund të jetë më e lartë. Pasuria e tyre e madhe, duket se po shërben edhe si një kambanë alarmi për korrupsionin dhe manovrimet me fondet qeveritare, ndërkohë që qytetarët e Kosovës vazhdojnë të jetë ndër më të varfrit në Europë.

Më i pasuri nga të gjithë zyrtarët publikë në Kosovë është ministri i Jashtëm Behgjet Pacolli, i cili ka më shumë pasuri se të gjithë politikanët e Kosovës së bashku. Ai ka deklaruar mbi 203 milionë euro prona të paluajtshme jashtë Kosovës, mbi 10.5 milionë euro pasuri, duke përfshirë këtu një avion dhe disa vetura, rreth 500 milionë euro aksione në biznese të ndryshme, kryesisht jashtë vendit, si dhe rreth 5 milionë euro para të gatshme në bankë. Pasuria e përgjithshme e Pacollit del të jetë rreth 720 milionë euro. Por pas tij nuk mbetet as Kadri Veseli, Albin Kurti, Ramush Haradinaj, Fatmir Limaj, Vjosa Osmani si dhe presidenti Hashim Thaci.

Pasuria e Ramush Haradinaj

Në bazë të të dhënave në formularët e deklarimit të pasurisë, kryeministri në detyrë i Kosovës nuk është aspak i varfër. Ai ka deklaruar dy vila, një shtëpi pushimi, tokë, disa makina dhe qindra mijëra euro para të gatshme.

Haradinaj posedon një vilë me vlerë prej 300 mijë eurosh, të cilën e ka lëshuar me qira, një shtëpi tjetër me vlerë 200 mijë euro dhe një shtëpi pushimi me vlerë 70 mijë euro.

Po ashtu, Haradinaj ka deklaruar se ka në pronësi edhe një truall që kushton mbi 27 mijë euro. Si pasuri të përbashkët, ai e ka deklaruar shtëpinë e të atit, Kullën, që sipas tij kushton 270 mijë euro, dhe një tokë kodrinore në vlerë 75 mijë euro.

Haradinaj gjithashtu ka deklaruar makinën e bashkëshortes, e cila ka një kosto prej 8 mijë eurosh. Të ardhurat vjetore të tij e kapin shifrën e 100 mijë eurove. Haradinaj merr mbi 73 mijë euro nga qiraja, 32 mijë euro të tjera nga paga mujore si kryeministër, dhe 2 mijë e 700 euro pension invalidor.

Edhe bashkëshortja e kryeministrit po del se fiton goxha të ardhura. Anita Haradinaj merr rreth 8 mijë euro nga RTK-ja, 12 mijë euro nga kompania Elsig dhe 12 mijë euro të tjera nga Agjencia e marketingut “Vibe”.

Në deklarimin e pasurisë, Haradinaj thotë se ka edhe disa borxhe. Ai e ka një kredi në vlerë prej 133 mijë euro, të cilën e ka marrë për blerjen e shtëpisë dhe që pritet ta shlyejë në vitin 2031, si dhe një edhe obligim tatimor në vlerë mbi 14 mijë euro.

Pasuria e Kadri Veselit

Kryetari në largim i Kuvendit të Kosovës është përfolur vazhdimisht si një nga politikanët më të pasur në Kosovë. Ai ka hyrë në këto zgjedhje me premtimin për të luftuar korrupsionin, por është akuzuar vazhdimisht për përfshirje në afera të mëdha korruptive.

Në Agjencinë Kundër Korrupsionit, Kadri Veseli ka deklaruar se posedon një banesë në emër të bashkëshortes së tij, me vlerë prej 97.000 eurosh dhe një lokal me sipërfaqe prej 270 metrash katrorë, vlerën e së cilës nuk e ka deklaruar.

Veseli gjithashtu ka deklaruar se posedon një shtëpi prej 350 metrash katrorë të trashëguar nga prindërit e tij, si dhe tokë në mal prej dhjetëra hektarësh po ashtu e trashëguar. Kreu i PDK-së merr një pagë vjetore prej 33 mijë e 870 euro si kryetar i Kuvendit e po ashtu rreth 5 mijë euro shtesë si deputet.

Bashkëshortja e tij, Violeta, merr pagë vjetore prej 3.420 eurosh si profesoreshë në gjimnazin “Sami Frashëri” dhe 17 mijë e 640 euro nga kompania “Kobit PC”.

Veseli po ashtu ka deklaruar një veturë të tipit “Jeep”, që kap vlerën e 16 mijë e 300 euro dhe para të kursyera në dy banka së bashku me gruan e tij, me vlerë prej mbi 6 mijë eurosh.

Ai ka deklaruar se zotëron edhe 12 mijë e 367 euro para cash, ndërsa bashkëshortja e tij 2 mijë e 665 euro.

Pasuria e Vjosa Osmanit

Ajo është kandidatja e parë femër për kryeministre në Kosovë dhe duket se ka një pasuri të majme nga bashkëshorti i saj.

Gjatë kohës që ishte deputete, kandidatja e LDK-së kishte deklaruar në formularët e Agjencinë Kundër Korrupsionit se zotëronte një banesë me vlerë prej 40 mijë eurosh, e cila sipas saj është ende e papërfunduar.

Osmani ka edhe dy shtëpi, njëra në vlerë prej 190 mijë eurosh dhe tjetra në vlerë prej 125 mijë eurosh, në pronësi të bashkëshortit të saj.

Në llogarinë e saj bankare, Osmani thotë se ka 42 mijë euro, ndërkohë që në një llogari kursimesh ka 6 mijë euro.

Ajo merr jo vetëm pagën si deputete nga Kuvendi i Kosovës, por edhe pagën si pedagoge nga Universiteti i Prishtinës.

Pasuria e Albin Kurtit

Kandidati i Vetëvendosjes për kryeministër duket se ka ngjallur gjithnjë mister kur bie fjala tek pasuria që zotëron.

Në formularët e deklarimi, Kurti thotë se zotëron një apartament prej 67 metrash katror në vlerë prej 400 mijë eurosh në Oslo të Norvegjisë, i cili është në pronësi të bashkëshortes së tij. Ai ka thënë se apartamenti është blerë në vitin 2018 nga bashkëshortja.

Të ardhura vjetore Kurti ka deklaruar pagën e deputetit 19,189 euro, ndërkohë që paga vjetore e bashkëshortes së tij në Oslo arrin në 42.240 euro.

Para të kursyera Kurti ka deklaruar 10 mijë euro të cilat po ashtu janë në llogarinë bankare të bashkëshortes së tij. Kjo e fundit ka në llogarinë e saj bankare 85 mijë euro.

Kreu i Vetëvendosjes nuk ka deklaruar asnjë pronë të paluajtshme në pronësi të veten.

Pasuria e Fatmir Limajt

Nga ana tjetër, edhe kandidati i koalicioni NISMA-PSD duket të ketë një pasuri të majme.

Lideri i partisë Nisma ka në pronësi të tijën, shtëpi, banesa dhe disa hektarë tokë. Ai zotëron një vile me sipërfaqe rreth 68 metra katrorë, në vlerën e 70 mijë eurove, një vilë tjetër prej 300 metrash katrorë në vlerën e 250 mijë eurove si dhe disa hektarë tokë, pasuri familjare në vlerën e 500 mijë eurove.

Si pagë vjetore si depuetë, ai merr rreth 16 mijë e 524 euro në vit. Ndërkohë që bashkëshortja e tij, e cila punon në një ndërmarrje merr një pagë mujore modeste në vlerën e 450 eurove.

Limaj ka edhe një kredi në vlerën e 40 mijë eurove. Edhe pse nuk ka të deklaruar asnjë veturë në pronësi të tijën, kreu i Nismës raportohet të ketë disa makina.

Pasuria e Hashim Thaçit

Kreu i Shtetit të Kosovës ka tërhequr po ashtu vëmendje me pasurinë e tij, e cila, sipas medieve në Prishtinë, i tejkalon shifrat e deklaruara në formularët e Agjencisë kundër Korrupsionit.

Presidenti ka deklaruar se ka mbi 10 mijë euro në dy llogari kursimi në banka dhe se merr një pagë vjetore prej 33 mijë e 282 euro. Ai ka deklaruar mbi një mijë euro në emër të bashkëshortes dhe 13 mijë e 500 euro në emër të djalit të tij, Endritit.

Ai tregon se ka një shtëpi që kap vlerën e 350 mijë eurove për të cilën ka thënë se nuk e ka paguar ende, një shtëpi në fshat me vlerë 80 mijë euro si dhe 7 hektarë tokë po ashtu në fshat, në vlerën e 180 mijë eurove.

Thaçi ka deklaruar edhe një veturë e markës Audi Q5 në emër të gruas së tij në vlerë 15 mijë euro, e cila po ashtu merr pagë vjetore prej 19 mijë e 200 eurosh nga Universiteti i Mitrovicës, ku jep prej vitesh mësim./ Si

e.ll./dita

September 30, 2019 16:10
Komento

3 Komente

  1. Arben September 30, 16:20

    ORE NE ALLBANEZET KEMI SHUME TE FORTA LIDHJET FAMILJARE, JO SE ESHTE KRITER GJYKIMI, POR DUHET TE DEKLAROJNE TE ARDHURAT EDHE MOTRAT, VELLEZERIT, KUNETERIT, PRINDERIT, QE TE MUND TE KRIJOHET NJE IDE.

    E PAMUNDUR TE ME MBUSHET MENDJA, SE HASHIM THACI E RAMUSH HAJRADINAJ KANE
    QE PAK PASURI????!!!!!

    Reply to this comment
  2. kris 1 September 30, 16:25

    Po pasuria e politikaneve Te shqiperise?

    Reply to this comment
  3. Ilir September 30, 17:54

    Ec Kurtit dhe Osmanit ,
    Ti gezoni o kosokare krimbat e gjizes.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim