“Bomba” e Patozit: Çfarë po ndodh? Basha ju ul në gjunjë Metës, por u hodh në krah të Ramës

July 26, 2017 19:29

“Bomba” e Patozit: Çfarë po ndodh? Basha ju ul në gjunjë Metës, por u hodh në krah të Ramës

Deputeti aktual Astrit Patozi, një nga zërat më të ashpër të Lulzim Bashës nuk i kursen sulmet në drejtim të kreut të ri të PD-së. Me anë të një mesazhi në faqen e tij të ‘Facebook’-ut Patozi pohoi se Basha është në provë dhe jo opozita.

MESAZHI I PATOZIT

ËSHTË LULZIM BASHA NË PROVË, JO OPOZITA
Dëgjova sot Lulzim Bashën të merrte ne dorë skeptrin e opozitës dhe të përcaktonte kushtet, që duhet të plotësonte dikush për t’u pranuar të luftonte me qeverinë nën flamurin e tij.
Dhe mendova se sa të fyer duhet të jenë ndjerë ata burra dhe gra, me qindra mijëra kudo në Shqipëri, të cilët kanë zgjedhur të jenë kundërshtarë me Edi Ramën dhe me Partinë Socialiste në katër vitet e ardhshme.

Nuk ka asnjë kategori opozitari sot në Shqipëri që të pranojë Lulzim Bashën për juri të vlerësimit të aktivitetit të tij dhe kjo nuk ka të bëjë me asnjë paragjykim për të. Kryesisht për meritë të tij, Partia Demokratike ka humbur shumë nga pesha e saj specifike në parlament e kudo, ndonëse ende në numra ajo mbetet si forca më e madhe e opozitës edhe sot.
Por nganjëherë numrat nuk të ndihmojnë, sepse në politikë shpesh marrin më shumë vlerë kauzat dhe morali.

Lulzim Basha është sot, që po flasim, politikani më i kompromentuar në Tiranë, i cili akuzohet nga të gjitha anët për një pazar të mbyllur dhe okult me Edi Ramën. Edhe në mos qoftë ashtu, siç flitet gjerësisht, marrëveshja e 18 majit ishte e tillë që fundosi përdundimisht shpresat e Partisë Demokratike, por edhe të çdo partie dhe fluksi që sot është në opozitë, për një rezultat pozitiv në zgjedhjet e 25 qershorit.

Ndaj edhe Lulzim Basha sot nuk është në borxh deri në fyt vetëm me demokratët, të cilët i çoi me duart e veta në kasaphanën e Edi Ramës, por edhe me të tjerët. Dhe në këto rrethana, ai mund të jetë njeriu i fundit që mund të përcaktojë rregullat e opozitës, e aq më pak të klasifikojë se cilët janë ose jo kundërshtarët e qeverisë.
Askush sot në Shqipëri nuk ka ndonjë detyrim të provojë opozitarizmin e vet përballë Lulzim Bashës, ndërkohë që ky i fundit është në provë para gjithkujt, nëse do ta ketë seriozisht apo jo betejën me Partinë Socialiste, ashtu siç ka premtuar në shtator.

Njoh me qindra dhe mijëra demokratë, mosbesimi i të cilëve ndaj kryetarit të saposhkrirë ka shkuar aq larg, sa e kam vështirë të gjej një “trimëri” të tij që mund t’ua rikthente prapë.
Nëse e ka fjalën edhe për LSI-në, Lulzim Basha duhet të shprehet se çfarë ka ndryshuar tek ai, që një javë para 18 majit vajti e iu ul në gjunjë Ilir Metës (tek ai takimi i famshëm, që nuk u mbajt dot i fshehtë) dhe pastaj u hodh në krahët e

Ramës, duke identifikuar partinë e presidentit si shënjestrën kryesore të fushatës. E mbi të gjitha çfarë rrethanash kanë ndryshuar dhe çfarë garancish ka tani që këtij “fjalëmbajturit” të çadrës së lirisë nuk do t’i dalë diçka tjetër në të ardhmen që ta joshë njësoj si më 18 maj? Kjo është një pyetje që me siguri ia bëjnë vetes të gjithë ato forca politike, që kanë vendosur me vullnetin e tyre apo kanë qenë të detyruara të pranojnë opozitën me Edi Ramën. Dhe, sipas meje, janë në të drejtë të Zotit që ta bëjnë.

Por Lulzim Basha ka edhe një arsye tjetër pse nuk mund të gafurret dhe nuk mund të nxitojë sot të luajë rolin e korifeut të opozitës. Sepse ai sapo ka dalë nga një palë zgjedhjesh të neveritshme në Partinë Demokratike, të cilat, sikur të mos mjaftonte që ishin farsë, por edhe i manipuloi.
Dhe tani që mbushja e kutive të votimit u provua, Lulzim Basha u detyrohet të gjithë demokratëve, si atyre që refuzuan farsën, por edhe të tjerëve që e votuan. Të parëve se u mohoi garën, kurse të dytëve se u tall keq me votën e tyre.

Ndaj mos e merrni serozisht Lulzim Bashën! Ai thjesht po ngutet të paraqitet me shpejtësi si drejtuesi i fronti antiqeveritar, a thua se kjo është një dekoratë, nga ato që kanë shpërndarë pa doganë presidentët tanë.
Kryetari falso i një partie, qoftë kjo edhe më e madhja në shifra, nuk mund të jetë kurrë lideri real i opozitës. Sepse opozita është shpirt dhe frymëzim, përballje dhe vendosmëri, tolerancë dhe mençuri, bashkim dhe mirëkuptim, koncepte këto, që nuk kanë asnjë lidhje me Lulzim Bashën.

July 26, 2017 19:29
Komento

4 Komente

  1. uskania July 26, 21:44

    Me KALIN E RADIKALIZMIT ky Patozi nuk ka asnjë përkrahje. Ky nuk thotë ssnjë fjalë për Shqipërinë, PËR REFORMAT, sigurisht në parlament me forcat e tjera politike. Ky koqja nuk e kupton se Basha ra, sepse u tregua radikal anarshist. Çfar thotë Patozi për Berishën? Asgjë. Me një fjalë, ky është PALLOSH.

    Reply to this comment
  2. Drini July 27, 06:51

    Ne Shqiperine demografike nuk ka patur kurr pozite opozite or Patos drania por vetem pazare interesash te nje klani qe mendojne e perfitojne vetem per familjet e tyre e fabriken qe i prodhoi e i mban nen garancira si kjo e Bashes jo vetem per mos ndeshkim por qe te jete gjithnje ne krye te lojrave te pista qe sot kane groposur kete vend e keta njerez!Edhe kjo e jotja sot eshte nje pjese e ketij lloji siç ishte edhe ajo zhurme e “toto Likes”per te mos u marr kerkush me bemat e tij drejt rruges presidenciale me tone e fjalor aspak te denje per nje kryetar shteti!Tashme lumi ka shkuar ne shtratin e vet ,gjithçka qe kercenonte me lloj lloj fyerrjesh e zhargoni rruge ka rene e treshja Meta,Rama,Lul kane gjetur gjuhen e per kater vjete do te lene Astrit Patozet e radhes qe te lehin per kaer vjete e Shqiperia do te rilengoje si edhe me pare nen hyqmin e ketyre vagabondave !Mjer ky popull qe ka humbur ç’do sens e shprese te jetuari me nje stres te perditeshem qe se le per asnje moment te ribashkohet per te rigjetur vlerat e saj por si rruge ka gjetur braktisjen sa me te shpejte te kesaj “toke te mallkuar”te ozurpuar nga derra qe tani po gryejne edhe token!

    Reply to this comment
  3. PapaPiu July 27, 08:42

    Gjera te pergjithshme asgje konkrete pervec inatit personal si Patozi si Lulezimi nuk pijne uje me ! PD u tha ! Berishizmi u terr ! Germadha PD !

    Reply to this comment
  4. syri March 25, 13:41

    Patosi ka qene vetem nje gur shahu per Berishen! Nen hijen e lisit te madh nuk mbijne peme te medha! Sala i hoqi te gjithe mendjet e ndritura te PD! Kush ngeli ishin servilet dhe sherbetoret berishiane! Saliu si enveri,komuniste te dy ,mbajten vetem Pali Miskat dhe Patozet! Prandoaj partia e punes u shkermoq shume shpejt dhe pd ngordhi se bashku me Salen!

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*