Pazaret e drogës pas vrasjes së Likajt

August 28, 2014 09:26

Pazaret e drogës pas vrasjes së Likajt

Zbardhet e kaluara e 27-vjeçarit që u ekzekutua në rrethana misterioze në malin e Shashicës mbrëmjen e së martës në Vlorë. Daniel Likaj sapo ishte liruar nga burgu, pasi ishte arrestuar në vitin 2010 gjatë operacionin “Lindja e Diellit”, ku u godit një rrjet i madh trafikantësh ndërkombëtarë të drogave, nga Shqipëria në drejtim të Italisë, Greqisë, apo Belgjikës. Pista kryesore e grupit hetimor, e deklaruar dje, janë pazaret e prishura të drogës. Por një tjetër variant që po verifikohet mund të jetë edhe dyshimi i autorëve tek viktima se mund t’i kishte tradhtuar gjatë hetimeve të organizatës për të përfituar dënim të ulët.

 

Misteri
Pas sinjalizimit nga dy shokët e viktimës që ishin dëshmitar në momentin kur ndodhi ekzekutimi mbi fshatin Lapardha ku edhe banonin, policia e Vlorës mbërriti menjëherë në vendin e ngjarjes dhe nisi hetimet. Në pyetje janë marrë të afërm të viktimës dhe dy shokë të tij që kanë qenë dëshmitarë të ngjarjes. Ngjarja e rëndë mbeti mister deri ditën e djeshme, kur u zbardh edhe dosja penale e 27-vjeçarit, që ngriti edhe pistën e parë zyrtare nga policia. Familjarët i thanë hetuesve se Likaj nuk kishte konflikte apo probleme hakmarrjeje. Trupi i tij u gjet në rrugën dytësore të fshatit Lapardha. Kurse shokët e shoqëruar dëshmuan se po ktheheshin nga mali i Shashicës kur u dolën para 3 persona të armatosur me automatikë dhe pasi debatuan ashpër me 27-vjeçarin, e ekzekutuan. Ndaj tyre nuk kryen asnjë veprim kërcënues dhe u larguan me vrap. Ky debat mes palëve shtyu agjentët për të kryer kërkime dhe u zbulua se Likaj sapo ishte liruar nga burgu për trafik droge.

 

Dosja

Daniel Likaj është arrestuar më 19 shkurt 2010, pas operacionit të koduar “Lindja e diellit”, i kryer nga policitë e 4 vendeve të ndryshme, përfshi edhe Shqipërinë, për goditjen e një organizate të madhe të trafikut të drogës. Operacioni u krye në Shqipëri, Itali, Greqi dhe Belgjikë. Në 25 fletë-arreste të ekzekutuara, pesë prej tyre ishin në Shqipëri dhe njëri ishte viktima Daniel Likaj. Faktet e këtij hetimi i përkisnin periudhës kohore 2005-2007. Hetimet nisën që në vitin 2005, pasi u zbuluan 274 kg marijuanë në Otranto. Pas gjetjes së vazhdueshme të sasive të konsiderueshme të drogës, hetuesit arritën të ndërtojnë hartën e trafikimit, të udhëhequr nga shqiptarët. Gjatë periudhës së hetimeve u sekuestruan 1 ton e 300 kg marijuanë, si dhe 10 kg heroinë. Blutë e Vlorës nuk konfirmuan mbrëmë nëse ngjarja e djeshme ka lidhje me hesapet e vjetra të viktimës për trafikun e drogës. Pas hetimit dhe gjykimit ai është dënuar, por pas 4 vitesh burgimi është liruar. Dy shokët e Likajt thanë se nuk i kishin parë ndonjëherë ekzekutorët më parë dhe ishin fytyra të panjohura.

August 28, 2014 09:26
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*