Lefter Koka ‘garant’ i BD! Firma e tij regjistroi kandidatët në KQZ

May 18, 2019 14:57

Lefter Koka ‘garant’ i BD! Firma e tij regjistroi kandidatët në KQZ

Në përgjigje të akuzave të partisë Demokratike, se kandidatët e partisë “Bindja Demokratike” për zgjedhjet e 30 qershorit, janë regjistruar bazuar në një vendim fals, pasi nuk mbështeten në mandat deputeti në të paktën 6 muajt e fundit, ka ardhur edhe reagimi i kreut të partisë më të re opozitare, Astrit Patozi.

Përmes një statusi në Facebook, Patozi ka publikuar edhe një dokument sipas të cilit, jo vetëm deputeti Andi Përmeti, por edhe Lefter Koka i ka dhënë firmën për të garuar dhe kandiduar në zgjedhjet e 30 qershorit në të gjithë Shqipërinë.

“Sqarojmë publikun se BINDJA DEMOKRATIKE mbështetet jo nga një, por nga firmat e dy deputetëve për të garuar dhe kandiduar në gjithë Shqiërinë. Ata janë zotërinjtë Lefter Koka dhe Andi Përmeti, dhe për këtë ekziston e gjithë praktika e depozituar në KQZ”, shprehet ai.

Postimi i plotë i Astrit Patozit

ASGJË NUK E NDALON BINDJEN DEMOKRATIKE TE GAROJË MË 30 QERSHOR

E vetmja gjë që e mban në këmbë për të mos ikur me vrap, si tek protesta e fundit, partinë e vetëdjegur të Lulzim Bashës është urrejtja dhe meraku që ka për BINDJEN DEMOKRATIKE. Në fakt, ne ua kuptojmë hallin, por nuk i ndihmojmë dot.

E vetmja punë që ata bëjnë qysh nga data e krijimit të forcës sonë politike është që të na ndjekin dhe përgjojnë, për çdo fjalë që themi dhe çdo veprim që bëjmë, por ne nuk shqetësohemi fare nga kjo. Përkundrazi, e konsiderojmë si reklamë falas për një parti të re.

Sot paskan shpikur që kandidatët tanë qenkan të paligjshëm, sepse nuk u mbështeskan nga një mandat deputeti në të paktën 6 muajt e fundit.

Sqarojmë publikun se BINDJA DEMOKRATIKE mbështetet jo nga një, por nga firmat e dy deputetëve për të garuar dhe kandiduar në gjithë Shqiërinë. Ata janë zotërinjtë Lefter Koka dhe Andi Përmeti, dhe për këtë ekziston e gjithë praktika e depozituar në KQZ. Më poshtë, fotokopja e shkresës së protokolluar.

Por përgjuesit tanë të palodhur bëjnë sikur nuk e kanë parë këtë dhe flasin për paligjshmëri.

Dhe që ta mbledhin mendjen një herë e mirë e mos të lodhen kot, duke u përpjekur çdo ditë të na kapin në gabim, po u themi sot se BINDJA DEMOKRATIKE i ka kapur të gjitha afatet dhe detyrimet ligjore për të konkurruar në 26 bashki me kandidatë për kryetar dhe në rreth 55 të tilla për lista këshilli. Madje në shumë raste ne kemi pasur edhe firmat e qytetarëve të disa bashkive, përvec atyre të deputetëve, të cilat ishin kriter i mjaftueshëm, sipas ligjit.

Si përfundim, i ftojmë që të qetësohen ata që kanë zgjedhur të na ndjekin ne, e të mos hyjnë vetë në zgjedhje. Ata nuk do të na pengojnë dot kurrë që ne të marrim pjesë dhe të garojmë në procesin e pandalshëm të 30 qershorit.

o.j/dita

May 18, 2019 14:57
Komento

1 Koment

  1. Fatmir Lohja May 18, 18:19

    BD -ja nuk e ndihmon dot PD-ne diten me diell.Naten dergon autoveturat ne prokurori per PD-ne.Ec e merre vesh kete parti!?

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*