PD: Inkriminimi i adminsitratës, i vetmi sukses i dyshes Rama-Meta

September 5, 2014 14:32

PD: Inkriminimi i adminsitratës, i vetmi sukses i dyshes Rama-Meta

Inkriminimi i administratës është i vetmi sukses i dyshes Rama –Meta në vitin e parë të legjislaturës sipas Partisë Demokratike.

Në një deklaratë për media të kësaj partie theksohet se kjo qeveri e nisi vitin e dytë të legjislaturës pa asnjë reflektim për kapjen e shtetit nga krimi dhe për vendosjen e zyrave nën kontrollin e të dënuarve për vepra të rënda penale.

“Edi Rama dhe Ilir Meta lanë pas vitin e parë të legjislaturës me një rekord të papërsëritshëm të inkriminimit të administratës. Për një vit, ata ia dolën të ndanin pushtetin në të gjitha nivelet me përfaqësuesit e botës së krimit. 

Rama dhe Meta krijuan modelin e përmbysur, anti-modelin më saktë, duke bërë deputet të dënuarin për trafik prostitucioni dhe rrëmbim personi, duke emëruar drejtorë zyrash e shefa shërbimesh në pikat kyçe, trafikantë drogë të kapur me sasi të mëdha lëndësh narkotike, apo të dënuar deri në 16 vite burg. 

Në Vlorë promovuan personin e arrestuar në Itali për organizimin e rrëmbimit të fëmijës. Nuk është hiçmëpak kriminal caktimi në krye të këshillit të qarkut të Korçës, të gruas që çoi në vetëvrasje një punonjëse që shërbente prej 24 vitesh. 

Në një vit legjislaturë, inkriminimi ka qenë i vetmi sukses i dyshes Rama-Meta. Ata e nisën vitin e dytë të legjislaturës pa asnjë reflektim për kapjen e shtetit nga krimi dhe për vendosjen e zyrave nën kontrollin e të dënuarve për vepra të rënda penale”, thuhet në deklaratën për media.

Më tej theksohet se Partia Demokratike do të vazhdojë çdo ditë të denoncojë e të bëjë transparencë për emërimet kriminale të Edi Ramës e Ilir Metës.

“Ata mund të heshtin, e të emërojnë të tjerë banditë, por qytetarët nuk do të lihen të errësirën që do oligarkia. Ne nuk do të lejojmë që bashkë me oligarkinë, Edi Rama të instalojë dhe standardin e inkriminimit. Shqiptarët meritojnë të përfaqësohen dhe të shërbehen nga më të zotët e më të ndershmit, jo nga kriminelët e banditët”,  thuhet në deklaratën e PD-së.

September 5, 2014 14:32
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*