“PD me karakteristika oligarkike dhe despotike”

Shenasi Rama November 9, 2012 15:13

“PD me karakteristika oligarkike dhe despotike”

Shenasi Rama është ndër figurat më të rëndësishme që udhëhoqi Lëvizjen Studentore të Dhjetorit ‘90. Ai së bashku me një grup intelektualësh ishin në krye të demonstratës për rrëzimin e diktaturës.

 

A është e djathtë Partia Demokratike?

Partitë politike të djathta zakonisht punojnë në bazë të një ideologjie e cila pranon si të mirëqenë pabarazinë shoqërore, dhe synon të mbrojë në politikë të drejtat e një grupi të veçantë për të kontrolluar shtetin dhe burimet e tij. Tregu i lirë, legjitimimi i hierarkisë (oligarkisë), mbështetja në identitetin kulturor-fetar dhe përpjekja sistematike për të vënë shtetin dhe shoqërinë në shërbim të këtij grupi sundues, që është një pakicë e dallueshme janë gjithashtu karakteristika të së djathtës tradicionale dhe të qendrës. Por PD nuk ka një karakter të djathtë. PD lindi një shprehje e revoltës popullore kundër një sistemi që shitej si popullor por që ishte thellësisht oligarkik. I një shteti që ishte tërësisht kundër identiteteve tradicionale fetare dhe që e kishte zhveshur njeriun nga vlerat morale. Shteti ishte një shtet që e kishte imponuar barazinë ekstreme por duke i varfëruar njerëzit në ekstrem.

 

Prandaj forma e saj fillestare ishte e një fronti të gjerë popullor, kundër një shteti totalitar dhe kundër ekonomisë së centralizuar, por gjithsesi një parti populiste. Mirëpo, me kohë PD u mbështet tek një koalicion i gjerë popullor që nuk kishte as pasurinë, as legjitimitetin, as prirjen ideologjike dhe as ndjesinë e thellë të hierarkisë shoqërore. PD ishte një parti individësh, dhe me kohë u bë partia e një njeriu, synimi i të cilit është që të mbijetojë dhe të mbesë në pushtet. Ky individ është Sali Berisha. PD u bë një makinë elektorale që u përdor nga Berisha për të mbledhur votat dhe për të marrë pushtetin ose për të mbijetuar vetë. Si një parti e tillë elektorale, PD nuk ka asnjë vlerë ideologjike, program ideologjik të djathtë, (përveç deklarimeve boshe kundër komunizmit), shtetin e përdor për të mbështetur klientët dhe militantët, që punësohen në shtet për një kafshate buke e një rroge, dhe nuk ka rrënjë në vlerat kulturore dhe kombëtare të shqiptarëve.

 

 

Aleancat që bën PD janë thjesht në shërbim të Berishës, dhe jo të kushtëzuara nga programi dhe ideologjia. Politikat shoqërore që ndiqen janë të kushtëzuara nga interesat e momentit. Nuk u mbështet tek tradita, nuk u mbështet tek kultura e popullit dhe me kohë mori karakteristika të pastra oligarkike dhe despotike. Lëkundjet ideologjike qe ka shfaqur, deklarimet për politika të caktuara e me radhë e paraqesin PD-në si një makinë elektorale, parti të një njeriu. Nga nje përshkrim i tillë shihet se PD nuk është një parti e djathtë. Ajo nuk ka vlera përcaktuese të mbështetura në identitet apo në një ideologji të caktuar, nuk ka respekt për shtetin dhe traditën, nuk ka konsistencë në politikat ekonomike dhe shoqëroe, dhe në të gjithë zgjidhjet që bën, mban parasysh vetëm e vetëm interesat e ngushta të Sali Berishës dhe të klanit që e mbështet dhe për interesat e të cilit Sali Berisha është në politikë.

Shenasi Rama November 9, 2012 15:13
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*