PD, noti i vështirë i kësaj vere

Habjon Hasani - Mero Baze June 29, 2013 13:18

PD, noti i vështirë i kësaj vere

Sikur të mos mjaftonte  njoftimi për tërheqjen nga gara për kreun e PD-së i Jozefina Topallit dhe Ridvan Bodes, dita e djeshme u kurorëzua me një poezi artistiko-politike që thuajse-ministri i Brendshëm Flamur Noka i kushtoi eprorit të tij, kryeministrit në detyrë, Sali Berisha. Duket se është e vështirë të ndash aksionin politik me vajtimin patetik në këto orë të nxehta në PD. Figurat kryesore po nxitojnë të bëjnë të qarta pozicionet e tyre ndërsa “pesha më të lehta” po pështjellojnë situatën edhe më shumë me “krijime letrare” dhe vajtime kushtuar liderit  (i cili  në fakt është ende gjallë dhe shëndosh e mirë).

Dorëheqja e Berishës nga posti i kryetarit ngre shumë pikëpyetje në kushtet kur hija e tij ndihet në çdo skutë të partisë e kur procesi për zgjedhjen e pasardhësit zhvillohet në një klimë të nderë të humbjes totale. Nisur nga ky habitat i ri i krijuar në PD, gazeta “DITA” është përpjekur që përtej klimës mbizotëruese emocionale që ka përfshirë këtë parti, të nxjerrë në pah tiparet e asaj që sapo ka nisur aty: Procesi i ri-kryetarëzimit.  Burimet e kontaktuara janë kryesisht aktivistë dhe zyrtarë të PD-së dhe forumeve të saj, të cilët natyrisht s’mund të ofrojnë një informacion ekzakt në lidhje me ekuilibrat e forcës së krijuar aktualisht në PD (procesi sapo ka nisur), por mund të shërbejnë si sensorë në përpjekjen për të kuptuar se çfarë po ndodh me PD-në pas humbjes së zgjedhjeve dhe dorëheqjes së Berishës.

 

Topalli-Bode

Megjithëse humbja e zgjedhjeve ishte një rezultat që PD-ja e dinte mirë nga sondazhet e brendshme, kjo humbje në shifra plebishitare i zuri në befasi krerët e PD-së. Një humbje e paprecedentë e këtyre përmasave ka bërë që të dështojë me turp gjithë garda berishiane e ministrave dhe figurave të larta të partisë, duke kushtëzuar dhe ngushtuar kështu rrethin e personave që gëzojnë ende pozita për të pretenduar kreun.  Jozefina Topalli dhe Ridvan Bode shpallën dje dorëheqjen nga ambicia për kreun e partisë.

E para, zonja Topalli, shihej si kandidate tejet e kuotuar dhe e mundshme për pasimin e Berishës, por pas 23 qershorit, dorëheqja e saj nuk është se ka surprizuar demokratët.  Për shkak të katastrofës elektorale në Shkodër (madje dhe akuzave për orientim fetar të konjukturës), Topalli e ndjen se nuk ka më as forcën dhe as peshën për të përmbushur ambicien e saj për të kapur kreun. Reagimeve të militantëve dhe të një pjese të partisë në Shkodër si Ramiz Çobaj dhe Gjok Uldedaj,  u janë shtuar këtu edhe sulmet në faqen e saj në “Facebook” dhe në ambientet rreth PD-se. Disa prej tyre janë tejet agresive ditët e fundit.

Ridvan Bode megjithëse numri dy në parti, për nga pozicioni duket se nuk ka forcë të marrë në dorë drejtimin si lider. Shumëkush në PD mendon se për këtë i mungon edhe statura. Ndërkohë që me dorëheqjen e djeshme përjashtoi veten nga gara edhe me qëllim që të ketë shansin që si Sekretar i Përgjithshëm, të drejtojë procesin zgjedhor për kryetarin e ri.

 

Olldashi

Shumëkush në PD, mendon sot se Sokol Olldashi do kishte rastin e artë nëse zgjedhjet do kishin shkuar ndryshe ne qarkun e Fierit.  Raportohet se në 48 orët e fundit ai ka nisur një seri takimesh me persona që njihen si të “tarafit të tij”. Këto takime dhe këto organizime janë bërë faqebotës dhe zyrtarë të ndryshëm në PD mendojnë se Olldashi mund të ketë marrë nga Berisha garancinë për një garë të rregullt dhe pa truke.  Sidoqoftë njohës të tij mendojnë se ai ka një minus të madh që lidhet me sjelljen dhe komunikimin e tij politik me strukturat. “Simbol i arrogancës” e kanë etiketuar disa, “Një Nano i dytë, me  batuta , cinizëm dhe me një puro ndezur në dorë”, – e etiketojnë disa të tjerë. Mendohet se Olldashi kontrollon një grup të ngushtë njerëzish të cilët nga ana e tyre janë të përçmuar në mjediset e PD-së. “Janë kryesisht çuna dhe goca pa miq dhe pa shokë, mbi të gjitha pa shtyllë kurrizore. Është e vështirë që ata të bindin njerëz të tjerë veç vetes së tyre për Sokolin. Rasti ideal i izolimit të tij me një grusht njerëzish antipatikë konkretizohet dhe në marrëdhënien e tij me kryetarin e PD-së në Fier, Ferdinand Muratin.  Ka gjithë PD-në e Fierit kundër Ferdinand Murati, por e mbështet Sokoli, e për pasojë vala e pakënaqësisë është drejtuar dhe ndaj Sokolit. Shumëkush mendon se janë marrëdhëniet e interesit që kanë bërë Sokolin t’i imponohet Fierit me një kryetar të tillë”, – tha dje për DITA-n një drejtues i lartë i PD-së.

 

Basha

“Berishërisht korrekt”, ky duket se është statusi aktual i Lulzim Bashës aktualisht. Mbështetja e heshtur që ai ka nga vajza e kryeministrit Argita Malltezi, kalimi në dispozicion të promovimit të tij orët e fundit të të gjithë “gardës së analistëve të djathtë” si dhe sjellja e Berishës kohët e fundit ndaj tij duket se e kanë bërë Bashën, realisht fituesin ende të pashpallur të garës që pritet të zhvillohet këtë verë.  Lulzim Basha u përfshi hapur në fushatën e PD-së në Tiranë, ndonëse Tirana përbënte gjithashtu një kështjellë ku PD humbi thellë. Por ai është mjaftueshëm i distancuar nga përgjegjësia direkte e rezultatit sa për të qenë më i nxitur se të tjerët për kapjen e kreut të partisë.

Zyrtarë të PD-së thonë se ai ka humbur pikë edhe në dy vjetët e fundit me administrimin e Bashkisë së Tiranës. Por ai mbetet aktualisht kandidati kryesor kryesisht për dy arsye. E para, sepse duket si “i përzgjedhuri” . E dyta, sepse është më pak arrogant se të tjerët. “Pra e thënë ndryshe edhe pse nuk i mbaron punë askujt të paktën u buzëqesh të gjithëve”, – komentoi një burim brenda PD i konsultuar nga DITA. Nëse gara për kryetarin e ri do të zhvillohet sipas parimit “një anëtar një votë” Basha mendohet të jetë më i avantazhuar se Olldashi, pasi është garë masive dhe Basha është mjeshtër i përdorimit të medieve, disa prej të cilave (përfshirë edhe gazeta që në publik u pëlqen të etiketohen si “të majta”) janë totalisht nën kontrollin e pushtetit të tij bashkiak.

Por Olldashi mund të rezultojë dominues nëse përzgjedhja do të vijë nga forumet, ai konsiderohet ekspert i kulisave dhe një kongres delegatësh do e bënte favorit.

 

Selami

Pasi përfundoi konferencën për shtyp ku dha dorëheqjen, Sali Berisha zhvilloi një takim kokë më kokë për rreth një orë me Eduard Selamin. Ky takim ka ngjallur shumë diskutime në radhët e strukturave të PD-së, duke bërë që në këto qarqe të qarkullojnë dhe “legjenda urbane” mbi planet Berisha-Selami.  Disa mendojnë se Berisha është duke lozur fort bllofin me Lulëzim Bashën pasi realisht ai “mund t’ua mbyllë gojën të gjithëve” duke projektuar Eduart Selamin për kryetar të PD-së. Duket si një plan që ka pak gjasa të ndodhë, pasi Selami, ndonëse i afruar, nuk ka pasur kohën e nevojshme të japë ndonjë provë, ndërsa Lulzim Basha është një investim afatgjatë dhe i sprovuar i “Doktorit”. E megjithatë në radhët e mbështetësve dhe të strukturave të PD-së emri i Selamit ka nisur të qarkullojë si i vetmi “kandidat rigoroz” përballë Bashës,  për ti dhënë një natyrë vërtetësie dhe jo farse garës. “Selami ka pak lidhje me realitetin shqiptar, për të mos thënë që është “out” fare, por ka disa pika mbi të cilat ka një artikulim publik mbi të në këto momente tek skalioni i dytë dhe i tretë i PD-së. 1. Nuk është i konsumuar dhe mbi të nuk rëndon asnjë akuzë korrupsioni. 2 Ka një sjellje shumë të butë dhe nuk shfaq arrogancë. 3. Nuk ka asnjë përgjegjësi për humbjen e 23 qershorit. Nëse gjithë të tjerët quhen pjesë e humbjes ky përjashtohet për shkak të faktit se sapo ka ardhur. 4 Ka historinë me vete në raport me memorien e partisë. Ish-kryetar i PD-së dhe themelues i saj”, tha dje një tjetër zyrtar i kësaj partie.

Përtej tentativës për të pasqyruar klimën dhe frymën e cila mbizotëron aktualisht në PD dhe në konjukturën e saj, humbja e thellë dhe vakuumi i rëndë që lë dorëheqja e Berishës, duket se e ka kthyer garën për kryetarin në një garë për të gjetur “këngëtarin” që do të këndojë në folenë e qyqes. Ka për të qenë një verë e vështirë për PD-në. Dhe mbetet për t’u parë nëse Doktori do ta thyejë edhe këtë verë rekordin e tij të përvitshëm të notit.

 

Poezia e Flamurit për Berishën në FB

Dashuria e Flamur Nokës ndaj kryeministrit në detyrë, Sali Berisha, duket se do të jetë e përjetshme. Së paku kjo kuptohet nga një poezi që Ministri i Brendshëm ka  postuar në faqen e tij të rrjetit social për Sali Berishën. Shkruan Noka ndër të tjera:  “Lider që solli demokracinë në vend, Lider që rriti cilësinë e jetesës së shqiptarëve, Lider që ngriti ndjeshëm turizmin shqiptar, Lider QË U TRADHTUA NGA TË MIRAT QË I BËRI KËTIJ POPULLI, Lider që kurrë nuk do të harrohet, Lider si Ty nuk vjen me Sali Berisha, Ne ty të duam. Ti je lideri ynë”.

 

 

Mosnjohja reale e zgjedhjeve nga Familja

Nga Mero Baze

Sali Berisha ka pranuar formalisht rezultatin e zgjedhjeve, por nuk ka pranuar ta njohë atë si një votë kundër pushtetit të Familjes së tij në Partinë Demokratike dhe me tej. Mbledhja e djeshme e Kryesisë së Partisë Demokratike, kur ai u pa publikisht të administrojë procesin e zgjedhjes së pasardhësit të tij, në një proces tërësisht të mbyllur, pa ide, pa garë dhe pa një reflektim serioz për votën e shqiptarëve kundër tij, dëshmon qartë se Berisha kërkon të garantojë kontrollin mbi partinë para se të shpërthejnë debatet për përgjegjësinë e tij në këtë humbje.

Nga aq sa u shpall dje, gjërat janë shumë të qarta: Berisha do mbështetet formalisht në anën organizative tek grupi parlamentar i mbushur me shokët e fëmijëve të tij, dhe njerëzit të cilëve Berisha u ka bërë nder duke i futur në lista. Kjo skemë mbyll garën dhe procedurën e zgjedhjes duke çuar në krye të Partisë Demokratike Lulëzim Bashën.

Nuk jam shumë i shqetësuar për fatin e keq që pret opozitën duke pasur në krye të saj një njeri peng, i cili shkon aty të mbrohet politikisht nga burgu për vjedhje dhe vrasje, por për vendosmërinë e Sali Berishës për të injoruar votën e shqiptarëve më 23 qershor dhe për të mbajtur peng Partinë Demokratike në shërbim të Familjes së tij.

Duke dirigjuar pa garë dhe pa reflektim serioz garën fallco për kreun e opozitës shqiptare, Sali Berisha dhe njerëzit e inkriminuar rrotull tij, po duan ta përdorin opozitën e ardhshme shqiptare jo si një institucion kombëtar që të mbrojë të drejtën e shqiptarëve për mirëqeverisje dhe luftë kundër korrupsionit, por si një mburojë për të ruajtur politikisht pasuritë e tyre dhe begraundin kriminal që Familja në pushtet prodhoi në këto tetë vite qeverisje.

Sali Berisha nuk do t’ia dijë fare që populli opozitar ka nevojë për një lider të ri opozite, të lirë dhe dinjitoz për të mos u kapur peng nga pushteti, dhe po vrapon të emërojë në krye të saj një dordolec që e komandon shumica e re me një të shkelur të syrit. Për ta bërë më ironike gjithë filozofinë e tij mbi këtë proces, ai kërkon që procedura formale të mbështetet mbi grupin parlamentar, i cili është tabela e qitjes mbi të cilën populli shqiptar qëlloi politikisht për të zbuar politikanin Sali Berisha.

Pikërisht ai grup parlamentar, i cili ishte simboli i votës popullore anti-Berishë, tani do të jetë simbol i dështimit të ri të opozitës dhe kthimit të saj në një bunker për të mbrojtur Familjen Berisha nga e shkuara e saj.

Sali Berisha është i qartë se ministrat që ka pasur tetë vjet në pushtet, nuk i bëjnë dot rezistencë në këtë proces, pasi i ka lënë të vjedhin dhe ua ka blerë me kohë heshtjen. Dhe dinjitetin. Ata, edhe pse shajnë nga mëngjesi në darkë Berishën që ua ndërpreu ëndrrën e pushtetit, nuk kanë ndërmend të bëjnë betejë, pasi Berisha do t’u lëshonte çakejtë e tij në shpinë për t’i damkosur si hajdutë. Me këtë rast Pollo, Ruli, Imami, Olldashi, Bode dhe çdokush tjetër që ka ndonjë peshë në PD, janë të kënaqur të mos u përmendin aferat korruptive dhe të ikin të shijojnë të ardhurat nga pushteti.

Të tjerët, që janë shokë të djalit dhe vajzës së tij, një tufë njerëzish pa kontribute politike, pa personalitet dhe aftësi për të qenë njerëz politikë, janë skalioni mbi të cilën do mbështetet në procedurën formale. Të tjerët që ka larguar nga PD-ja gjatë këtyre viteve, ose që janë mënjanuar në listën e fundit pikërisht për shkak të këtij projekti të Familjes Berisha, as që do të thirren as në mbledhje të Këshillit Kombëtar. E gjitha çfarë do të ndodhë është që Lulëzim Basha do të shpallet kryetar i kësaj partie, para se në këtë parti të reflektohet për shkaqet reale të humbjes dhe të rithemelohet mbi bazën e rregullave të qarta të lojës, garës së hapur dhe rimbledhjes të gjithë vlerave të së djathtës brenda saj.

Kjo do të jetë fitorja e dytë e madhe e shumicës së re në pushtet, por një fitore e hidhur. Ata do të qeverisin pa opozitë, me një kukull të marrë peng nga e kaluara e tij, nga dosje të pagjykuara të mbyllura me procedurë, që mund të rihapen duke shtuar një fletë të re në to, dhe mbi të gjitha nga një njeri, i cili nuk zgjidhet aty se përfaqëson Partinë Demokratike dhe interesat e saj, por si një garant i vënies në dispozicion të PD-së për Familjen.

Siç shihet qartë, kjo nuk është as garë dhe as debat, por një ceremoni e hapjes së zarfit të trashëgimisë, ku Sali Berisha i dhuron karrigen e kryetarit të PD-së një njeriu, i cili nuk ka fuqi të jetë njeri i lirë. Me këtë akt, ai poshtëron të ardhmen e tij politike dhe inkriminon gjithë opozitën si një institucion politik, e cila në vend që të përballojë pushtetin e ri, duhet të përballojë problemet e kryetarit të saj, që ka vjedhur dhe nuk është dënuar që ka vrarë dhe nuk është hetuar, dhe që po zgjidhet pa u votuar.

Kjo është mosnjohja reale e zgjedhjeve të 23 qershorit nga Familja, që po ikën nga pushteti duke mos pranuar të njohë arsyen përse shqiptarët ndëshkuan Sali Berishën, pasi më shumë se për të ardhmen e opozitës, tani ata po mendojnë se si të përdorin opozitën për të garantuar të ardhmen e saj.

Ata nuk janë të shqetësuar se me këtë akt opozita nuk vjen kurrë në pushtet. Atyre nuk u duhet më pushteti, por garancia që pushteti nuk do t’i prekë. Nëse ka ndonjë demokrat skeptik, le të kujtojë ç’ka bërë Fatos Nano pas 2005 deri më sot, për të mbajtur Berishën dhe për të lënë partinë e tij rrugëve që të amnistohej. Këtë po bën dhe Familja.

Habjon Hasani - Mero Baze June 29, 2013 13:18
Komento

9 Komente

  1. beni June 29, 08:16

    Berishes kete vere i bi te notoje ne Govaten ku lahen shtytkat e dikurshme te bebeve te porsalindur,se per te thyer rekord te ri ne det e lan fuqite,eshte mire te shkoje nga deti i kuq,qe uji ta mbaje persiper edhe pa notuar,per arsye te kripes!
    Po ku di not ky lloi trapi,vetm medjet e bene notar e kaluar notarit!
    Ku mesoj notin,ne plevicen e lopve ne vicidol?
    Ai nuk din te barese,kuptohet qe ka zbrit nga mali,njelloj si ai katundari i kosoves Haradinaj!

    Reply to this comment
  2. Gramoz June 29, 14:18

    dava qenesh c mereni me ta ..shikoni dhe degjoni kur te zgjedhin nje xhelat tjeter se c fare demokracie ,,ka ne ate lukuni ujqerish ..do ckyen me njeri tjetrin e do lene nam ..ata qe te gjithe jane njeres pa principe ata nuk reformohen kure ..nese vendoset drejtesia ,e te sundoje shteti ligjor ,me garanci te pplote ata kure nuk do vine ne pushtet…ata kane vetem nje moto ,hani pini dhe rembeni,,,,rama neqofte se fut drejtesine neshinat e nje drejtesie per drejtesi e ka te fituar betejen me te gjithe ,e kunderta hienat dhe cakenjte nuk do e lene qe ky ta ndertoje vendin tone..puna emire e rames eshte var per ta ..zoti te dhente mend rama se opzitaret do ti kesh aq kriminele sa nuk do te shkoje ne mend kure ata jane humbes dhe s kane c humbin me…ata jane njeres pa palce kurizore .ata kane nje parim anti kombetar …[ika une pas meje u befte qameti ]kujdes kujdes

    Reply to this comment
  3. Euro Maloku June 29, 16:57

    Rishikoni edhe nje here pas fushates se si duken
    ATA QE KENDONIN DIKUR…Tani me siguri kercejne

    Reply to this comment
  4. landi June 29, 17:48

    jam shum dakort me shkrimin e meros.
    por mos kujtoni se keta qe edhen ne pushtet jane me te ndershem.
    po te jen te tille,pse nuk e arrestojne berishen,ti rihapin gjyqin ilir metes ku e mori vesh gjith bota se volli haptazi.
    te mira

    Reply to this comment
  5. mergim tari June 29, 18:05

    Jo Noti,
    Mos genjeni, Saliu NUK DI NOT.
    Saliut i qendron koka mbi uje ose se nuk shkon thelle, ose i vene salvaxhente brenda ne breke, te by***tha.

    Reply to this comment
  6. Mark.uk June 29, 20:03

    Mundohen ti qajn hallin disa bark thate Berishes qe I ka kaluar te gjitha.Ne kohen e komunizmit pervec se ka marr graden professor doctor ishe edhe sekretar byroje si doctor ne bllok aq te lakmuar nga te gjith.Mbas 90 u vu ne krye te levizjes stuntore u be kryetar I te pares parti qe rrezoj rregjimin e urryer komunist .President dy legjislatura.Kryeminister per dy mandate.Vitet e tij kan pasur vetem rritje.Edhe perendorit ma te medha e kan pasur nje fund.As ne gjyse Edi Rama nuk e con mandatin.Kerkoj ta marrin me dhune nuk ja arriti ,e mori me para duke bler ata bark thate qe vlera e tyre eshte 5000 leke.

    Reply to this comment
  7. fat man June 29, 21:40

    I uroj Z. Kriminel te mbaje premtimin e thene qe, sivjet do te thyej rekordin e qendrimit ne uje duke kaluar me not qeni, ashtu sic eshte vete, nga Saranda ne Korfuz.. Ky notar shpellar dhe nga vendi ku behen gorrica dhe thana per pekmez, te kete kujdes ne det se ndodhemi ne sezonin e ngjalave dhe mos i huj ndonje ngjale, te mos krijoj panik por te vazhdije notin e qenit se edhe ngjala e Edvin Rames.

    Reply to this comment
  8. fulgeri June 29, 22:00

    mero baze pasi arriti te kontribuoje per rrezimin e berishes..tani ka nje mision tjeter..te krijoje percarje brenda demokrateve..duket qarte qe po e trembin levizjet e fundit te berishes..e fillon sulmet ndaj pd..por harron qe futet ne hasmeri me demokratet

    Reply to this comment
  9. Pavarësia June 30, 22:32

    Projekti për të qenë Luli kryetar i PD.-ke është hartuar në Beograd. Saliu do të përpiqet me të gjitha mënyrat që i kanë mbetur, për ta zbatuar… Rreziqet për Shqipërinë ende janë të pranishëm. Këkohet vigjilencë e lartë e të gjithë qytetarëve të Shqipërisë e më gjerë.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Click here to cancel reply.

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*