PD nuk i ka humbur votat e djathta as në ditë të këqija

Sami Neza November 23, 2012 16:37

PD nuk i ka humbur votat e djathta as në ditë të këqija

Cilat janë shtresat shoqërore që do të rivotojnë PD-në për zgjedhjet e vitit 2013? A do të jenë ish-pronarët dhe ish të përndjekurit si shtylla kryesore e elektoratit të partisë së Berishës?

 

Partia Demokratike është parti e madhe dhe si e tillë nuk është e lidhur fort me një shtresë të caktuar por mbështetja për të është e shpërndarë në të gjitha shtresat shoqërore. Qeveritë e saj vazhdojnë t’i përmbahen parimit të shpallur në vitin 1992 “e mira më e madhe shumicës”, çfarë e mban të lidhur pas nevojave të elektoratit të gjerë pa iu dedikuar posaçërisht kauzave që përmbledhin interesa të grupeve të vogla. Ju pyesni veçanërisht për ish-pronarët dhe ish-të përndjekurit. Në Shqipëri nuk janë grupe të vogla. Të përndjekurit përfshinin rreth 100 mijë vetë ose ndryshe më shumë se 3 për qind e popullsisë ndërsa njerëzit të cenuar në prona ishin edhe më shumë. Ndërkohë secili prej këtyre grupeve përfaqëson modele ideologjike apo kauza që përfshijnë grupe më të mëdha sa ata vetë, siç janë liberalizmi, të drejtat e pronës etj, të cilat janë në bazë të programit të Partisë Demokratike.

 

Kundërshtarët politikë të PD-së po përpiqen të atakojnë PD në këtë pjesë të elektoratit, jo aq shumë për vota por për sistemin e vlerave mbi të cilat ajo funksionon siç janë ato të të përndjekurve politikë dhe ish-pronarëve. Moment i tillë ishte greva e një grupi të vogël të të përndjekurve mbajtur pak javë më parë në Tiranë. Më është dukur vazhdimisht një sforcim i madh i këtyre grevistëve dhe atyre që i frymëzuan ata për të bërë të diktueshme votat e kësaj shtrese në zgjedhjet e ardhshme. Të përndjekurit janë mbështetur nga qeveritë e djathta dhe brenda vitit 2017 do të përfundojë edhe kompensimi i plotë, kërkesa kryesore e tyre. Ndërsa për ish-pronarët, PD është ende në borxh kjo falë edhe një ligji agrar që doli në vitin 1991, ligji 7501, kur PD nuk e kishte shumicën. Por pavarësisht kësaj një pjesë e pronarëve kanë arritur të marrin tokat e lira dhe një pjesë tjetër janë përfshirë në një proces kompensimi. Çështja e pronarëve të vjetër të tokave dhe pasurive të tjera është e ndërlikuar dhe ndryshe nga shumë vende lindore që kanë qenë realiste në një proces të tillë duke premtuar kthimin vetëm në një përqindje të caktuar të këtyre pronave, në Shqipëri qeveritë e njëpasnjëshme janë përpjekur për kthimin e plotë të tyre dhe në mungesë të kthimit, kompensimin e plotë. PD nuk humbet vota nga këto dy shtresa. Nuk i ka humbur asnjëherë, edhe në ditët më të këqija të saj.

Sami Neza November 23, 2012 16:37
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*