PD nuk propozon asnjë datë por është dakord me atë që do të dekretoj Presidenti

Erion Habilaj November 6, 2012 11:30

PD nuk propozon asnjë datë por është dakord me atë që do të dekretoj Presidenti

PS-LSI te Nishani: Zgjedhjet, më 23 qershor 2013

Dueli i madh mes partive politike për të fituar zgjedhjet do të zhvillohet më 23 qershor 2013. Nga konsultimet e presidentit me partitë kanë ardhur propozimet që të jetë java e parafundit e qershorit të vitit të ardhshëm. PS dhe LSI kanë deklaruar në takim me Nishanin të njëjtin qëndrim, ndërsa Patozi s’ka pasur asnjë kundërshti me çdo datë që do të dekretonte Kreu i Shtetit.

 

Negociata për datën e zgjedhjeve

Gjatë ditës së djeshme Presidenti nisi konsultimet me partitë parlamentare, për përcaktimin e datës së zgjedhjeve. Kreu i Grupit Parlamentar demokrat, Astrit Patozi nuk propozoi asnjë datë tek Presidenti Nishani duke deklaruar se  PD është e hapur për çdo datë që do të vendoset. Ndërsa homologu i tij socialist Gramoz Ruçi propozoi pikërisht 23 qershorin, duke kërkuar nga Presidenti që ta dekretojë atë sa më shpejt, me qëllim që të fillojnë përgatitjet për zgjedhjet. Presidenti Nishani u takua edhe me kryetarin e grupit parlamentar të LSI, Lefter Koka, të PR, Fatmir Mediu si dhe atë të PBDNJ Vangjel Dule. Takimi me PDIU përmbyll fazën e konsultimeve të presidentit dhe për caktimin e datës së zgjedhjeve. Krerët e partive të vogla parlamentare kanë rënë dakord me propozimin ODIHR. Drejtuesit e këtij misioni, kërkuan 23 qershorin, pasi një javë më vonë, ishte e pamundur që vëzhguesit e tyre të jenë të pranishëm në Shqipëri. Kodi zgjedhor parashikon dy periudha për zhvillimin e zgjedhjeve, në mars-qershor dhe në shtator-nëntor. Sipas nenit 8 të ligjit zgjedhor: “Zgjedhjet e përgjithshme për Kuvendin apo për njësitë e qeverisjes vendore zhvillohen njëherësh në të gjithë territorin e vendit brenda periudhës që shtrihet nga 15 marsi deri më 30 qershor, ose nga 15 shtatori deri më 30 nëntor”.

 

23 qershor

Është data e propozuar nga partitë për tu mbajtur zgjedhjet e vitit të ardhshëm. Gramoz Ruçi, Lefter Koka, Vangjel Dule dhe Shpëtim Idrizi ishin në një mendje për të njëjtën datë.

 

PD nuk propozoi asnjë datë për zgjedhjet por ishte dakord me cdo datë që do të dekretoj presidenti Nishani. Pritet që në fillim të dhjetorit kreu i Shtetit të dekretoj datën 23 qershor 2013.

 

Oketa: Përjashtimi i FRD-së, ogur i keq për zgjedhjet

E vetmja parti parlamentare që nuk ishte ftuar në takim, ishte Fryma e Re Demokratike, që u krijua këtë vit dhe që përfaqësohet në Kuvend nga Gazmend Oketa. Deputeti i FRD ka deklaruar se bie alibia e Presidencës se FRD nuk ka qenë parti në zgjedhjet e 2009. Sipas tij, edhe PDIU nuk ka marr pjesë në zgjedhjet e 2009, pasi është krijuar në 17 shkurt të 2011. Oketa tha se është hera e parë që presidenti refuzon një parti politike. “Presidenti nuk po konsultohet për zgjedhjet e vitit 2009, po të vitit 2013, dhe në praktikën e mëparshme presidenciale gjithmonë kanë qenë pjesë e konsultimit aktorët evident politik, përfshi dhe forcat e reja krijuara mes legjislaturave parlamentare. Ftesa e drejt për drejtë e presidentit për një parti politike si PDIU rrëzon alibinë e Presidentit. PDIU nuk ka konkurruar në zgjedhjet e vitit 2009 po në 17 shkurt 2011 nga deputete që ishin me sigël të tjera në zgjedhjet e vitit 2009. Sot është hera e parë që presidenti refuzon një parti politike”, deklaroi Oketa. Ai shprehu vullnetin e FRD-së për të kaluar pengesa të tilla, duke deklaruar se me programin politikw, kjo parti do të çlirojë politikwn nga pengjet e së kaluarës.

 

Nishani takon Sequi, në fokus 3 kriteret e BE

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani priti dje në një takim Kreun e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë, Ambasadorin Ettore Sequi. Të dy bashkëbiseduesit shkëmbyen mendime në lidhje me plotësimin e rekomandimeve të mbetura të Komisionit Evropian për marrjen e statusit të vendit kandidat nga Shqipëria dhe përpjekjet institucionale për mbështetjen e procesit politik që do të garantonte konsensusin e nevojshëm për arritjen e këtij objektivi. Ambasadori Sequi u shpreh se Komisioni Evropian inkurajon politikën shqiptare që të plotësojë kriteret e kërkuara në mënyrë që të krijohet hapësira e nevojshme për të punuar me vendet anëtare të Bashkimit Evropian në mbështetjen e kandidaturës së Shqipërisë. Gjithashtu, zoti Sequi garantoi angazhimin e tij institucional dhe të Zyrës së Komisionit Evropian në Tiranë për vazhdimin e përpjekjeve në mbështetje të Shqipërisë. Nga ana e tij, Presidenti Nishani u shpreh se ndjehet shumë i shqetësuar për situatën e krijuar në vend, e cila mund të bëhet shkak që Shqipëria të mos fitojë statusin e vendit kandidat, por shprehu bindjen se klasa politike do të dijë të ngrihet mbi interesat partiake. Kreu i Shtetit siguroi se do të vazhdojë nxitjen e bashkëpunimit politik nëpërmjet garantimit të pavarësisë së institucioneve kushtetuese dhe mbështetjes së dialogut politik mes palëve.

 

Idrizi: Bashkimi i shqiptarëve nuk duhet të jetë tabu

Kryetari i Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi, bëri dje thirrje për bashkimin e të gjithë shqiptarëve rreth çështjeve të mëdha të kombit tonë si bashkimi kombëtar dhe çështja çame. Në Aktivitetin Qendror të Diasporës Shqiptare në Gjenevë të Zvicrës, Idrizi tha se bashkimi kombëtar nuk duhet të jetë tabu dhe se të gjithë duhet të bashkohemi rreth çështjes kombëtare. Në një takim me pjesëmarrjen e mbi 8 mijë shqiptarëve të diasporës, duke folur në emër të shqiptarëve të Çamërisë, Idrizi vlerësoi rolin e aleates më të madhe të Shqipërisë dhe shqiptarëve, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e cila, sipas tij, i ka dhënë kombit tonë të drejtat që i janë mohuar. Idrizi deklaroi se Shqipëria do të bëhet në momentin që nuk do t’i mungojnë dy krahët e shqiponjës, Kosova dhe Çamëria, si pjesë e pandashme e kombit tonë.

Erion Habilaj November 6, 2012 11:30
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*