PD: Padrejtësia vazhdon, 20 mijë maturantë të braktisur pas fazës së parë

September 21, 2016 12:46

PD: Padrejtësia vazhdon, 20 mijë maturantë të braktisur pas fazës së parë

Kreu i Departamentit të Arsimit në Partinë Demokratike, Luciano Boci deklaroi se “rreth 20 mijë maturantë janë sot edhe një herë të braktisur nga Edi Rama”.

“Pas përfundimit të fazës së parë, mijëra maturantë me rezultate të shkëlqyera janë në pritje të tepricave, sepse kështu iu tek një ditë Edi Ramës dhe Linditës së tij. Të tradhtuar, të lënduar, të nëpërkëmbur, edhe pse për 3 vite studiuan dhe shumë prej tyre morën rezultatet maksimale, me mesatare mbi 9. Do aplikojnë përsëri në raundin e dytë, u thotë qeveria, me 10 preferenca të tjera, që t’i mashtrojë përsëri nga e para. Fakti që në raundin e parë u regjistruan vetëm 23% e maturantëve, dëshmon se modeli ka dështuar, ministria ka dështuar, Rama ka dështuar. Nuk ka as meritë, as ekselencë e as preferencë. Rregullat e ndryshuara në fund të procesit të maturës hodhën në erë çdo investim të maturantëve dhe familjeve të tyre”, tha Boçi.

“Qeveria shkeli me këmbë dhe vazhdon të shkelë mbi mundin, djersën, investimin dhe talentin e maturanteve. Maturantët sot nuk duan thjesht një diplomë, apo një të drejtë studimi çfarëdo. Ata kërkojnë të ndërtojnë të ardhmen e tyre, ashtu siç e kanë projektuar vetë. Dikujt që ka ëndërruar të bëhet jurist, apo mjek dhe ka punuar e ka marrë rezultatet maksimale në 3 vitet e gjimnazit, nuk mundet t’i thotë sot qeveria mos u mërzit se ka kuota tek gjeografia, apo puna sociale. Kjo ndërhyrje brutale dhe shkatërrimtare e qeverisë është e papranueshme. Partia Demokratike kërkon dhe një herë me forcë rikthimin e meritës dhe të preferencës. Ne jemi në krah të maturantëve dhe të gatshëm të japim të gjithë mbështetjen tonë për çdo rast padrejtësie. Ne i bëjmë thirrje dhe i inkurajojmë maturantët të rezistojnë e të kërkojnë deri në fund të drejtën e tyre. Ajo është e drejta e tyre e merituar, e fituar me mund e talent, dhe nuk mund të nëpërkëmbet e as të tjetërsohet nga asnjë qeveri“, shtoi Boçi.

September 21, 2016 12:46
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*