PD: Pjerin Ndreu ndërhyri për të liruar trafikantin Tuci

April 20, 2016 13:45

PD: Pjerin Ndreu ndërhyri për të liruar trafikantin Tuci

Partia Demokratike doli në një konferencë për shtyp për të denoncuar atë që e quajti një rast të rëndë të pabarazisë para ligjit.

Sipas kreut të Departamentit të Sigurisë, Enkelejd Alibeaj, vëllai i kryebashkiakut të Fushë-Arrësit është ndaluar nga policia, por më pas është liruar me ndërhyrjen e deputetit Pjerin Ndreu.

“Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmë, që tregon pabarazinë para ligjit, që tregon se nëse je i afërt me pushtetin ke lehtësi, favore dhe del menjëherë nga komisariati.

Dje rreth orës 19.00 në Fushë-Arrës, është ndaluar me forca operacionale, vëllai i kryetarit të Bashkisë, Albert Tuci, person me precedent penal, i dënuar për trafik ndërkombëtar droge me 7 vite burg.

Policia e Fushë-Arrësit nuk ka pasur dijeni, është shmangur nga ky aksion, për shkak të njohjeve dhe lidhjeve që i dyshuari ka në këtë Bashki.

Pasi është mbajtur disa orë më pas në komisariatin e Pukës, Tuci ka fituar lirinë, me ndërhyrjen e deputetit Pjerin Ndreu.

Dhe pas kësaj, një festë e madhe është zhvilluar në lokalin në qendër të Fushe-Arrësit, me dolli pa fund për deputetin Ndreu i cili i hoqi prangat të dyshuarit, vëllait të kryetarit të Bashkisë.

Partia Demokratike e konsideron këtë ndërhyrje të paligjshme të deputetit Ndreu, si dëshmi e dy standardeve, e favorizimit të njerëzve në pushtet.

Ligji nuk vepron ndaj mikut të deputetit, ndaj vëllait të kryetarit të Bashkisë.

Ky ndalim i ligjit para njerëzve të lidhur me pushtetin dhe me deputetët e Edi Ramës, është në fakt oligarkia.

Çdo qytetar pa njohje, pa lidhje, do të ishte mbajtur në burg e do të ishte dënuar, qoftë edhe për një tullë të vënë pa leje.

Ndërsa njeriu i deputetit të Ramës, edhe pse i dyshuar për vepra të rënda, edhe pse i ndaluar me forca speciale, fiton menjëherë lirinë pas ndërhyrjes së oligarkëve.

Partia Demokratike i kërkon prokurorisë të hetojë rastin, e të nxjerrë para përgjegjësisë deputetin e Edi Ramës dhe ata që urdhëruan lirimin e të dyshuarit, vëllait të kryetarit të Bashkisë së Fushë-Arrësit,” tha Alibeaj.

April 20, 2016 13:45
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*