PE voton pro ndëshkimit të Hungarisë, Polonia “mburoja” e Viktor Orban

September 12, 2018 14:00

PE voton pro ndëshkimit të Hungarisë, Polonia “mburoja” e Viktor Orban

 

Parlamenti Europian votoi sot me shumicë për të nisur procedurën ndëshkuese të BE kundër Hungarisë për shkak të shkeljes së rregullave të demokracisë dhe shtetit ligjor.

Me 448 vota pro, 197 kundër dhe 48 abstenime, mocioni i miratuar në seancën plenare të Strasburgut, shënon të dytën herë që legjislatura evropiane vepron me të tilla akte shumë të ashpra normative, teksa një procedurë e ngjashme ishte ndjekur nga Komisioni Evropian kundër Polonisë në dhjetor 2017.

Mocioni i votuar këtë të mërkurë do t’u kalojë krerëve të 28 vendeve anëtare të Bashkimit Europian për të marrë vendimin përfundimtar dhe në fazën pasardhëse duhet që të votohet unanimisht për të pezulluar të drejtën e votës për Hungarinë dhe nisjen e sanksioneve.

Por një lëvizje e tillë që do të rëndonte pozitat e vendit të drejtuar nga Viktor Orban, pritet të bllokohet nga Polonia.

Edhe pse akuzat janë të forta, kryeministri hungarez u mbrojt dhe premtoi se nuk do të dorëzohet, teksa në sallën e Parlamentit Europian mbërriti 12 minuta vonesë.

“Ju merrni përgjegjësi të madhe, kur doni t’i vini vulën një vendi dhe doni të përjashtoni një popull”, tha ai, duke pretenduar se Hungaria po dënohet sepse nuk do që të ketë emigrantë.

Ndërkohë po të shohësh listën e akuzave ajo duket tepër e gjatë, me qeverinë hungareze që akuzohet se ka shkelur në mënyrë sistematike të drejtat e njeriut, të drejtat e pakicave, lirinë e shkencës, ka vepruar kundër tolerancës dhe solidaritetit.

Deputetët europianë kërkuan një proces sipas “Artikullit 7” të Pakteve të BE-së dhe Këshillit të Ministrave iu kërkua të përcaktonte sa është rrezikuar shteti i së drejtës në Hungari dhe të merrte masa për këtë.

Hungarisë mund t’i hiqet e drejta e votës në BE, nëse Orban vazhdon të mos dëgjojë, ndërsa këtë hap drastik, një proces sipas “Artikullit 7”, Parlamenti Europian nuk e kishte ndërmarrë asnjëherë më parë.

a.s/dita

September 12, 2018 14:00
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*