Peleshi: Përzgjedhja si zv.kryeministër, vlerësim i madh

Redaksia Online August 1, 2013 08:27

Peleshi: Përzgjedhja si zv.kryeministër, vlerësim i madh

I emëruar dje zv.kryeministër në qeverinë e re, kryebashkiaku i Korçës, Niko Peleshi, thotë se përzgjedhja në ekipin e Ramës është një vlerësim shumë i madh për të. Në një intervistë për GSH, Peleshi thotë se do të japë dorëheqjen nga posti i kryetarit të Bashkisë së Korçës, mandati i të cilit i mbetet peng.

“Për mua personalisht padyshim që është një vlerësim i madh, por dua ta lexoj më tepër se kaq, si një vlerësim që në fakt i bëhet punës që shumë administratorë në të gjithë Shqipërinë bëjnë në nivelin lokal. Pra, në fund fare qeveria është një tërësi lokalitetesh dhe puna mes faktorëve lokalë të zgjedhur dhe të mandatuar drejtpërdrejt nga qytetarët shqiptarë është një punë e cila është në fakt ajo ç’ka qytetarët prekin përditë, janë shërbimet, janë hapësirat publike që administrohen nga ata. Përzgjedhjen në këtë pozicion të rëndësishëm unë e shikoj edhe si një vlerësim që kryeministri i Shqipërisë i bën pikërisht kësaj shtrese shumë të madhe të kontributorëve të zhvillimit të Shqipërisë”.

Peleshi shprehet se i vjen keq që nuk mund të përfundojë mandatin që i kanë dhënë qytetarët korçarë, por shpreh bindjen se Korça ka kapacitetet intelektuale për të zgjedhur drejtues të mirë, që do të gjejnë mbështetjen e qeverisë.

“Ligji kam përshtypjen që e kondicionon dorëheqjen, por gjithsesi edhe nëse nuk do të ishte ligji, praktikisht do të ishte e vështirë, madje e pamundur që të administrohen të dyja, kështu që do të duhet që ne të futemi në zgjedhje të parakohshme. Më vjen keq që më duhet të ndërpres një mandat që ka buruar nga vota e popullit, por jam i bindur që Korça ka potencialet, ka kapacitetet intelektuale për të zgjedhur drejtues kaq të mirë, i cili do ta ketë më të lehtë punën, sepse po punon me një qeveri të vullnetshme dhe me një vëmendje më të veçantë për Korçën, pse jo”, thotë ai.

 

Redaksia Online August 1, 2013 08:27
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*