Pëllumb Xhufi: Zbrazëtia që la patriarku Brokaj nuk do mund të mbushet më

September 15, 2020 13:57

Pëllumb Xhufi: Zbrazëtia që la patriarku Brokaj nuk do mund të mbushet më

Akademik Pëllumb Xhufi

Na prishi disa plane Prof. Sabit Brokaj me ikjen e tij të papritur. Të hënën, ditën e kobit, e kishte lënë të pinte kafen e mëngjesit me Dautin e me Yllin. Më tej, me Fatosin e me mua do shkonte tek Ndrea për të parë se si e priste mjaltin specialisti i rigjetur i bujqësisë. Këtë javë, me Sokolin e të tjerët do bënim vizitën e radhës tek Thartori, në Vilë Bashtovë. E të gjithë bashkë, si çdo vit, do mblidheshim në 16 shtator në Pezë.

Nuk qe e thënë!

Pa të, këto plane bien. Ai burrë trupvogël por zëplotë mbushte një hapësirë gjigante në shoqërinë tonë, ishte patriarku ynë e zbrazëtia që la nuk do mund të mbushet më.

Por përtej këtyre planeve tona të vogla, mundohem të përfytyroj se çdo të thotë ikja e Prof. Brokajt për familjen e tij të mrekullueshme. Për miqtë e shokët e panumërt. Dhe më kap trishtimi. Përpiqem të kuptoj se si e la zemra, pikërisht zemra, Profesorin që ka ekzaminuar e shëruar zemrat e të tjerëve. Kurrë nuk na kishte folur për probleme shëndetësore që eventualisht e shqetësonin, nuk dinim të vuante nga ndonjë sëmundje, aq më pak nga zemra. Por të gjithë ne miqtë e tij e dinim mirë se zemra e Prof. Brokaj ishte e mbingarkuar, e mbushur plot me dhimbje njerëzore. I  vuante si të tijat dhimbjet e të tjerëve.

Me një formim solid, këmbëngulës e skrupuloz i pashoq, arriti majat e shkencës mjekësore. Mbeti deri në fund përfaqësuesi par excellence i mjekësisë humane e refuzoi t’i bashkohej rendjes pas një mjekësie për “të përzgjedhurit”. I vuante me një intensitet çjerrës sëmundjet e kësaj shoqërisë sonë hallemadhe e të dëshpëruar. Mendjehapur e vizionar, u angazhua në reformimin e së majtës shqiptare e transformimin e saj në një të majtë evropiane. U mundua të bëjë të tijën, me ç’mundi. U përfshi në politikë me këtë synim prej idealisti rilindas.

Si ministër i shëndetësisë më 1991 u përpoq të pengonte rrokopujën që po merrte sistemi shëndetësor.  Si ministër i mbrojtjes, më 1997-1998 luftoi të rimëkëmbë ushtrinë e rrënuar nga marrëzia e të marrëve. Për sa kohë e lanë të drejtonte atë dikaster, nuk lejoi të nënshkruheshin marrëveshje e protokolle në dëm të interesit kombëtar. Ishin të tjerë ata që u hapën rrugë   marrëveshjeve për varrezat, për tkurrjen e hapësirave detare, për çarmatimet disfatiste e korruptive…  Si deputet i Kuvendit  nuk u pa asnjëherë të merrte pjesë në shfaqjet meskine të tij. Vetën fjalë të mençura e të matura me fokus të  veçantë probleme therëse të vendit.

Asnjëherë nuk zhgënjeu. Gjithmonë i përgatitur, gjithnjë bindës, gjithnjë referencial për ata që donin të dëgjonin e të kuptonin. U duartrokit si rrallëkush nga deputetët e shumicës dhe nga ata të opozitës kur, i zhgënjyer në shpresat e aspiratat e tij, u tërhoq nga jeta parlamentare (2008). U tërhoq me një fjalim, që do mbahet mend për shumë kohë për peshën e rëndë të mesazhit e për sinqeritetin e tij. Pak ditë para se të largohej na kishte udhëzuar, ne grupin parlamentar të LSI, të votonim kundër projekt-ligjit “Mbi liberalizimin e tregtisë së armëve” të paraqitur nga PD. Na shpjegoi përsenë. “Është një ligj mafioz”, tha. Në fjalën e tij të rreptë paralajmëroi mynxyrën që po vinte. Megjithëse grupi ynë i vogël parlamentar votoi kundër, nuk mundëm  të pengojmë kalimin e atij ligji vrastar. Si gjithnjë, shumica dumbabiste i vajti pas qorrazi kreut të saj. Atij ligji ia pamë sherrin, kur pas ndonjë muaji, Gërdeci i Shqipërisë na rikujtoi Hiroshimën e Japonisë.

Prof. Brokaj iu rikthye me kohë të plotë profesionit të tij të dashur të mjekut. U largua nga pallatet e politikës aktive, por mbeti gjithnjë një qytetar i angazhuar. Nuk iu nda atyre, që me neveri i quante “vagabondët e politikës”. Gazetarët i drejtoheshin gjithmonë atij, sa herë që donin të dëgjonin një fjalë të mençur, të guximshme e të drejtpërdrejtë. Edhe për ne, miqtë e tij, takimet me të ishin një rast i mirë për davaritur dyshimet e pasiguritë tona. Ai e gjente gjithnjë zgjidhjen, e gjente modelin, në mos nga përvoja e tij e jashtëzakonshme e jetës, nga jeta  e personazheve, të cilët ai i kishte njohur në faqet e qindra e mijëra librave të historisë, të politikës, të memuaristikës e të letërsisë, që i përpinte me kuriozitetin dhe nepsin e një adoleshenti.

Do gënjeja po të thoja se Prof. Sabit Brokaj nderohej e respektohej nga të gjithë. Jo, nuk mungonin edhe ata që e druanin dhe e urrenin: politikanë arrivistë të paskrupullt, hileqarë e hipokritë, i gjithë soji e sorollopi i grabitësve të gjësë publike, i të paditurve, i  shtirakëve që kërkojnë t’i ngjiten karrierës duke u lëpirë. Ata, Sabiti ynë i konsideronte një rrezik kombëtar e me ta  ishte i rreptë si një Zeus në tallaz. Atyre nuk ua donte buzëqeshjen, nuk ua donte miqësinë. “I kanë bërë keq vendit”, thoshte duke përmbledhur në pesë fjalë kuintesencën e kredos së tij qytetare.

September 15, 2020 13:57
Komento

2 Komente

  1. n/a September 15, 14:23

    Po t’i kishit bere nje test Covid, ndoshta do ta kuptonit, me gjase, pse e la papritur zemra.

    Reply to this comment
  2. Niku September 16, 02:08

    z. Xhufi, natyrisht ju jeni në krahun pozitiv në Shqipëri, por pjesmarrja e juaj dhe e të tjerëve në LSI, ju ul vlerat. Ju u shkëputët nga LSI-ja atëhere kur kjo parti u bë paterica e formimit të qeverisë Berisha. Kryetari I partisë tuaj, Ilir Meta, është një nga personazhet më negative të Shqipërisë. Pra kjo është periudha e errët e jetës tuaj, dhe do të bësh mirë që t’a përmendësh sa më pak.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim

Njoftim