Pena dhe Shpata…

July 1, 2018 12:12

Pena dhe Shpata…

 

(Si një baladë-Ribotohet me disa ndryshime)

Vullnetin e Perëndisë,

dot me çelës nuk e mbyll,

kur Ajo të jep një shpatë,

s’mund ta mbash vetëm në mill!

 

Mos mendoni-o të gjorë,

se në Botë veç lulja vyshket,

po s’e mbajtët shpesh në dorë,

edhe shpata do të ndryshket!

 

Se dhe pena është një shpatë,

kur ngjizet me të vërtetën,

nga Zoti-këtë dhuratë,

unë e pata për gjithë jetën.

 

Sepse jeta është e gjatë,

plot beteja të mëdha,

gjithkush duhet të luftojë,

me ato armë që ka!

 

Po dhe pena do guxim,

guximin e shpatëtarit,

do kurajë e zemërim,

ballë për ballë kundërshtarit!

 

Edhe penën-edhe shpatën,

ka përdorur njerëzia,

po Bota-kështu përpara,

ka ecur nga dituria!

 

Edhe penën-edhe shpatën,

nëpër pritat që ka jeta,

po Bota-kështu përpara,

ka ecur nga e vërteta!.

 

Çfarë ju jep Zoti për luftën,

të gjithë në dorë t’i mbani,

sepse historinë e pyllit,

nuk e bën vetëm luani!

 

Se çfarë ndodh në të vërtetë,

historia na tregon,

shpesh atë që bën një këngë,

s’e bën dot një Divizion!

 

Gjithmonë në ballë të kohës,

do jetë kënga e poetëve,

se beteja për Lirinë,

do vazhdojë në jetë të jetëve!

 

Dhe Ai që sheh nga larg,

besoj fatin ma ka shkruar,

të vdes mbi të fundmin varg,

akoma të pambaruar!

 

Kjo është vdekja që unë dua,

se gjithë jeta do t’ja vlejë,

të thonë brezat për mua:

“E dha frymën në betejë!”

 

Arben Duka

July 1, 2018 12:12