Penalizimi i evazionit fiskal, mundësi tolerimi për ata që tregojnë abuzimet

September 18, 2015 16:02

Penalizimi i evazionit fiskal, mundësi tolerimi për ata që tregojnë abuzimet

Me ashpërsimin e masave anti-evazion dhe forcimin e kontrolleve, qeveria ka vendosur që në heshtje të hapë një dritare shpëtimi për ato biznese të cilat kanë mëkate nga e shkuara.

Në draftin e ri të procedurave tatimore, që Këshilli i Ministrave ka dërguar në kuvend, ka një nen i cili amniston bizneset nga ndjekja penale për evazionin që kanë kryer në të kaluarën nëse vetëdeklarojnë taksat e fshehura dhe i paguajnë ato menjeherë.

Më konkretisht, neni 21 i draftit sanksionon se administrata fiskale nuk do të bëj kallëzim penal ndaj tatimpaguesve, të cilët me vullnetin e tyre deklarojnë dhe për pasojë korrigjojnë një deklaratë tatimore të plotësuar qëllimisht gabim, pavarësisht periudhës që i përket kjo deklaratë. Korrigjimi nënkupton që këto biznese do të paguajnë menjeherë edhe detyrimin tatimor përkatës, të cilin kanë fshehur.  Por drafti sanksionon se nga kjo falje nuk do të përfitojnë ato ndërmarrje apo kompani, shkeljet e të cilave janë zbuluar më parë nga tatimet.

Operacioni antievazion mund të vërë në një situatë të vështirë ligjore shumë biznese pasi kontrollet dhe forcimi i rregullit nxjerrin në sipërfaqe evazionin që ato kanë kryer në të kaluarën. Ligjet në fuqi detyrojnë që ndaj këtyre bizneseve të fillonte automatikisht ndjekja penale, raporton TCH.

Në këtë situatë autoritetet duket se kanë vendosur që të hapin një valvul shkarkimi, si mundësia e fundit për ndërmarrjet me probleme të mbartura nga e shkuara që të rregullojnë llogaritë me shtetin. Me ligjet në fuqi, bizneset kanë deri në 1 vit kohë për të korrigjuar deklaratat tatimore. Drafti i ri i jep mundësinë t’i korrigjojnë pavarësisht vitit kur është bërë deklarimi i rremë.

Sipas ekspertëve të Ministrisë së Financave ky është një nen, i cili në një farë mënyrë balancon ashpërsimin e masave fiskale ndaj evazionit që parashikohet në draftin e ri, pasi i jep mundësi bizneseve që të nisin një kapitull të ri në marrëdhëniet me administratën, duke qënë në rregull me ligjin.  

September 18, 2015 16:02
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*