Pensionet mund të tërhiqen edhe në bankë, ja si duhet të veproni

May 26, 2017 11:06

Pensionet mund të tërhiqen edhe në bankë, ja si duhet të veproni

Pranvera Kola – DITA

Përveç zyrave të postës, pensionistët do mund të tërheqin përfitimet e tyre mujore edhe nëpërmjet bankave të nivelit të dytë.

Shërbimi për këtë kategori nuk do të shoqërohet me asnjë kosto shtesë. Konfirmimi është bërë gjatë ditës së djeshme nga kreu i Institutit të Sigurimeve Shoqërore, Astrit Hado, gjatë nënshkrimit të marrëveshjes për kalimin e ndarjes së pensioneve edhe në bankën e nivelit të dytë Credins.

Drejtori Hado ka bërë me dije se mjafton marrja e kërkesës pranë ISSH-së për të lejuar më pas tërheqjen e pensionit pranë sporteleve të bankës.

Aplikimi i kësaj teknologjie që do të përdoret në çdo qytetet të vendit do të sjellë një sërë lehtësish për ata qytetarë që zgjedhin t’i tërheqin pensionet në sportelet e bankave, të cilat nisin që nga shkurtimi i afateve për kalimin e pagesave në bankë, si dhe lehtësia të tjera.

Pagesat e komisioneve dhe transferuat në çdo rast do të mbulohen nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore, çka do të thotë se pensionistët nuk do të paguajnë asnjë tarifë për tërheqjen e pensionit në bankë. Gjithashtu, edhe mbajtja e llogarisë, si dhe të gjitha veprimet që do të bëhen brenda llogarisë nga kjo kategori do të jenë pa asnjë kosto shtesë.

“Nëpërmjet kësaj marrëveshjeje jemi duke rritur cilësinë e shërbimeve ndaj pensionistëve, duke lehtësuar procedurat burokratike të shkëmbimit të informacionit dhe dokumentacionit mes dy institucioneve tona, dhe siç thashë në fillim me fokus cilësinë e rritjes së shërbimit të pensionistëve dhe njëkohësisht rritjen e kontrollit të pagesave dhe garantimin e fondit të pensioneve që Instituti I Sigurimeve Shoqërore menaxhon”, vuri në dukje Hado

Kushtet për pensionet e reja
Autoritetet e sigurimeve shoqërore theksojnë se personat që janë në prag të plotësimit të moshës së daljes në pension, duhet që të dorëzojnë pranë organeve përgjegjëse të sigurimeve shoqërore të vendbanimit të tyre kërkesën për përfitim pensioni, së bashku me dokumentacionin përkatës. Kjo në mënyrë që mos të vonohet dalja në pension për shkak të verifikimeve të kushteve të përfitimit që do të bëjnë organet përgjegjëse të sigurimeve shoqërore.

Pensioni mujor i pleqërisë përbëhet nga një shumë bazë dhe nga një shtesë. Sipas ligjit të sigurimeve shoqërore, shuma bazë llogaritet si raport i periudhës së sigurimit që ka realizuar aplikuesi për pension, me periudhën e sigurimit të kërkuar, shumëzuar me pensionin social.

Ndërsa shtesa do të jetë 1 për qind për vit sigurimi shumëzuar me bazën mesatare të vlerësuar që personat e siguruar kanë arritur nëpërmjet kontributeve. Por, në çdo rast shuma e përgjithshme e pensionit nuk mund të jetë më e vogël se pensioni social.

Formula konkrete se si llogaritet pensioni është: Pensioni i pleqërisë= Pension Social shumëzuar për vjetërsi kontributive të realizuar +1/100 shumëzuar me vitet e sigurimit dhe me bazën e vlerësuar. Aplikuesi i siguruar ka të drejtë të marrë pension pleqërie në kushtet e kategorisë së parë, ose të dytë, pasi ka plotësuar në këto kategori jo më pak se 3/4 e viteve të sigurimit. Ndërsa personi që ka plotësuar vitet e sigurimit, nga të cilat jo më pak se 1/2 ka punuar në nëntokë, ka të drejtë të marrë pension në kushtet e kategorisë së parë.

Dalja në pension e nënave me shumë fëmijë
Nënat me shumë fëmijë që kanë periudha sigurimi, kanë të drejtën e përfitimit të pensionit të plotë të pleqërisë kur plotësojnë këto kritere: “kanë arritur moshën 55 vjeç, kanë 30 vjet periudhë sigurimi, janë tërhequr nga veprimtaria ekonomike, si dhe kur kanë lindur 6 a më shumë fëmijë, të cilët janë të rritur mbi 8 vjeç”.

Edhe në këto raste masa e pensionit të pleqërisë si nënë me shumë fëmijë nga një shumë bazë dhe nga një shtesë.

Shuma bazë llogaritet si raport i periudhës së sigurimit, që ka realizuar personi, me periudhën e sigurimit të kërkuar, 30 vite sigurimi, shumëzuar me pensionin social.

Shtesa do të jetë 1 për qind për vit sigurimi shumëzuar me bazën mesatare të vlerësuar që personat e siguruar kanë arritur nëpërmjet kontributeve, gjatë gjithë historisë së kontributeve. Edhe ky lloj pensioni nuk mund të ketë shumë të përgjithshme më të vogël se masa e caktuar për pensionin social.

May 26, 2017 11:06
Komento

2 Komente

  1. optimizem per vendin May 26, 11:19

    Nuk e kuptoj kete qe pensioni mund te merret dhe ne banke dhe percakton banken ky personi i administrates shtetit. Une e di se çdo qytetar leket e tij ngado qe i vijne mund ti adresoje ne banke ne çdo kohe, duke pasur nje karte banke dhe nje comte banke ne te. Banken se ku do ti çoje e zgjedh qytetari dhe jo shteti. Shkon ne sigurimet apo zyren e pensioneve dhe ben nje marreveshje duke u dhene comte-in e bankes dhe fund. Ata jane te detyruar qe çdo muaj ta percjellin pensionin ne ate banke, pastaj eshte puna e pensionistit se çdo te beje me parate dhe banken. Aaa, ne qoftese e beni per kujtese, eshte tjeter gje.

    Reply to this comment
  2. Shqiptari January 13, 03:20

    per sa kohe I mban arka e kursimit leket per pensionistet qe jetojne jashte shtetit?cili eshte ligji apo rregulli?kemi degjuar qe eshte 2 vjet.eshte e vertete ?.ne qofte se keni mundesi na dergoni ndonje website ku mund ti shikojme rregullat .faleminderit .

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*