Pensionet si kozmetikë zgjedhore

Nga EDLIRA SHEHU December 19, 2012 00:04

Pensionet si kozmetikë zgjedhore

Meqenëse jemi në një vit elektoral dhe parashikimi i buxhetit të shtetit për vitin 2013 nuk kishte si të linte jashtë një target grup të rëndësishëm, atë të pensionistëve. Në buxhetin e miratuar vetëm pak ditë më parë nga votat e mazhorancës, kjo rritje pensionesh u fol në masën e 4 deri 5 për qind, duke e konsideruar si një arritje për vitin 2013, normalisht e pa thënë asnjëherë sa është vlera në lekë e rritjes reale.

Është e nevojshme të shpjegojmë sa shkon kjo rritje pensioni dhe sa i ndikon një pensionisti në rritjen e mirëqënies së tij. Rritja në vlerë reale e parashikuar dhe që pritet t’i ketë efektet e saj pas muajit maj të vitit 2013 është 500 leke për pensionet e qytetit dhe 300 lekë për pensionet e fshatit.

Një pyetje është a quhet kjo vërtet rritje? A është ekonomikisht një term korrekt, për një përqindje të tillë? Ata që merren me ekonomi, e kanë të qartë që kjo gjë ka emër tjetër, por është e kotë të futesh në ndërlikime termash, në kushtet e propagandës dhe demagogjisë pa fre e pa kufi të kohëve të fundit.

Pyetja tjetër që mund të jetë më e kuptueshme për njerëzit e thjeshtë është: Sa mund të shërbejë kjo rritje pensionesh për të blerë produktet bazë jetike, me një shportë produktesh të pabëra ende publike nga INSTAT? Edhe pse qeveria nuk e ka njohur ende detyrimin ligjor për llogaritjen, shpalljen dhe garantimin e minimumit jetik, rritja e pensioneve nuk e përballon rritjen e kostos së jetesës për pensionistët.

Nëse krahasojmë ritmet e rritjes së pensioneve me ritmet e rritjes së çmimeve të disa mallrave të shportës të deklaruara deri tani, rezulton se mirëqenia e pensionistëve është ulur të paktën tri herë në krahasim me vitin 2008. Rritja e çmimeve të produkteve jetike është rritur deri në tre fish të tyre që nga viti 2008. Ky trefish i rritjes së kostots së jetesës, as që krahasohet me “rritjen” e pensioneve. Kjo e fundit, përballë shtrenjtimeve të dallueshme për të gjithë, është në vlera qesharake.

E thënë më thjesht, thërrimet që u jepen pensionistëve në vlerë reale parash mbeten në kuadrin e retorikës politike shoqëruar me psikoeuforinë e njohur të kryeministrit, pasi rritja reale është fare e pandjeshme në raport me treguesit e tjerë ekonomikë.

 

 

Skema e dështuar: 84.4 miliardë lekë duhen për Pensionet, vetëm 51.3 miliardë janë Kontributet

 

A do të sjellë reformë në pensione viti 2013? Apo do të mbetemi me skemën e vitit 1993? Do të thoshte kosto politike edhe për një qeveri të përgjegjshme dhe transparente, përfytyroni, ç’bëhet në kushtet e një qeverie të papërgjegjshme me shpenzimet dhe të errët si pusi me informacionin që duhet të ndajë me publikun..

 

E thënë “trashë”: Paratë që duhen për të paguar pensionet dhe ato që janë kontribute në Sigurime për pensionet, duhet të ishin të barabarta. Kjo e bën skemën funksionale. Por si është aktualisht raporti: Pensione-Kontribute?

Këtë vit buxheti për  pensionet është 84.4 miliardë lekë, nga të cilat vetëm 51.3 miliardë lekë janë të ardhura nga Kontributet. Plot 33.1 miliardë lekë të tjera merren nga buxheti i shtetit, dmth nga taksat e tjera të shqiptarëve (duke krahasuar  treguesit e  ketij viti dhe  të vitit të ardhshëm vëmë re një rritje  prej  4.4 miliardë lekësh)

Kjo diferencë, ky deficit që rritet nga viti në vit për shkak të rritjes së numrit të pensionistëve, po tensionon buxhetin duke e bërë emergjente reformën. Politikisht, reforma në sistemin e pensioneve duhet të bëhet përmes një formule të përkrahur nga të gjitha palët. Ky ka qenë mendimi i përfaqësuesve  të Bankës Botërore për Shqipërinë.

Pra, skema e pensioneve mund të konsiderohet tashmë një dështim. Këtë e dinë të gjithë, pavarësisht se vërteta kurrë nuk thuhet hapur për shkak të qëllimeve elektorale. Skema e sigurimeve shoqërore nuk ka ndryshuar që nga viti 1993. Reforma, sipas pikënisjeve paraprake mund të fillojë që nga një rritje e lehtë e moshës së pensionit deri në reformimin total të skemës.

Mirëpo ndërmarrja e një reforme të thellë në sistemin e pensioneve në këto momente të një krize ku parashikimet janë të pamundura, do të thoshte kosto politike edhe për një qeveri të përgjegjshme dhe transparente, përfytyroni, ç’bëhet në kushtet e një qeverie të papërgjegjshme me shpenzimet dhe të errët si pusi me informacionin që duhet të ndajë me publikun..

“Por ndërhyrjet mund të aplikohen”, – ka lënë të nënkuptohet më herët përfaqësuesja e BB-së, Lvovksi. Në përgjigje të saj, Ministria e Financave nëpërmjet zyrtarëve është shprehur se pikat ku duhet të synojë reforma e pensioneve është zvogëlimi i deficitit, që aktualisht rëndon buxhetin e shtetit, dhe nxitja e qytetarëve për të bërë pjesë në skemën e kontributeve.

Banka Botërore pritet të konsultojë me qeverinë shqiptare projektin për reformën e pensioneve shqiptare këtë fundvit. Ndërsa gjatë fillimit të vitit që vjen, kjo reformë (tashmë shumë e rëndësishme për financat publike) nuk ka gjasa të kryhet, për shkak të zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare.

 

Pensionet si kozmetikë zgjedhore

Rritja prej 4-5 përqind e pensioneve shtetërore, parashikuar në Buxhetin e Shtetit për vitin 2013 është kozmetikë e pastër zgjedhore. Në korrik 2012, kohë kur u rritën pensionet e fshatit me 5 përqind, paratë shtesë në dorë që morën të 280 mijë pensionistët në fshat ishin rreth 373 lekë të reja në muaj. Ato nuk dalin as për blerjen e një pakete ilaçi zemre Enap me 20 tableta. Pensionistëve në qytet pensionet ju rritën 4 përqind, ose 445 lekë në muaj.

Nëse rendisim shtrenjtimin e ilaçeve në tërësi, nga futja e TVSH-së prej 10 përqind dhe nëse bëjmë një llogari të thjeshtë që çdo pensionisti i duhen mesatarisht rreth 30-50 mijë lekë të vjetra ilaçe në muaj, i bie që e gjithë shtesa është ngrënë vetëm nga rritja e çmimeve të barnave. Pensionistët ngelen të zbuluar nga rritja e çmimeve të mallrave ushqimore të përditshme, si vaji, gjalpi, mishi, mielli e me rradhë.

Ata janë shtresa më e gjerë e shoqërisë dhe kanë të drejtë të jenë shtresa më e pakënaqur e popullsisë shqiptare me politikën e sotme të qeverisë.

Politikat populiste të rritjes së pensioneve e rritën varësinë e skemës nga buxheti i shtetit, ndërsa masat për të rritur të ardhurat nga kontributet e pensioneve krijuan probleme të tjera në lidhje me efiçiencen e krahut të punës.

Dhe nga ana tjetër Qeveria ashpërsoi më tej kushtet që duhen plotësuar për përfitimin e një pensioni të plotë, rriti moshën e pensionit dhe vitet minimale të punës, si dhe ndërmori masa drastike për t’i detyruar të punësuarit të paguajnë më shumë.

Sigurimet Shoqërore sipas sistemit që zbaton Shqipëria sot, në të gjithë botën kritikohen si një mekanizëm që transferon paratë nga të varfrit te të pasurit, për shkak se të varfrit jetojnë më pak dhe me moshën aktuale të daljes në pension prej 65 vjetësh, shumica e tyre nuk përfitojnë asgjë nga kontributet e paguara.

Sistemi i sigurimeve shoqërore shqiptare financohet sot në masën rreth 40 për qind nga buxheti i shtetit. Pensionet që do të duhet t’u shlyhen pensionistëve të sotëm (së bashku me shtesat kozmetike) përbëjnë borxh publik në të gjitha të dhënat, me përjashtim të emrit. Mospranimi i falimentimit të sistemit krijon iluzionin e një borxhi publik të ulët. Refuzimi i qeverisë për të pranuar realitetin bën që edhe brezi i ardhshëm i pensionistëve të dalë i humbur nga skema, ashtu si prindërit e tyre. Për këtë arsye, asnjë shqiptar i punësuar nuk ka një interes real të marrë pjesë në skemë dhe të derdhë kontribute. Në mungesë të interesit të njerëzve, besimi i qeverise se mund t’i mbledhë kontributet me dhunë është vetëm dhe thjesht iluzioni i rradhës. Ose ndoshta edhe më keq, vetëmashtrimi apo mashtrimi i rradhës.

 

 

 

Nga EDLIRA SHEHU December 19, 2012 00:04
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Sondazh

A ËSHTË EDI RAMA I MAJTË?

Shiko rezultatin