Pensionet suplementare, lista e 923 përfituesve të rinj

January 15, 2020 13:40

Pensionet suplementare, lista e 923 përfituesve të rinj

Organet e sigurimeve shoqërore kanë përfunduar llogaritjen e shtesës që do të përfitojnë mbi pensionin 923 persona, të cilët kanë punuar në miniera në nëntokë, industrinë e naftës dhe të gazit, si dhe në metalurgji. Autoritetet e Institutit të Sigurimeve Shoqërore kanë konfirmuar gjatë ditës së djeshme listën e re të personave të cilëve u është llogaritur shtesa ndërmjet datave 8 janar deri në 14 janar.

Përfituesit që janë pjesë e listës së detajuar në vijim të shkrimit duhet të paraqiten pranë arkave përkatëse për të marrë shtesën që ju takon nga zbatimi i ligjit 29/2019 për trajtimet suplementare.

Sipas të dhënave të konfirmuara nga nisja e procesit, e deri ditën e djeshme, rezulton të kenë siguruar shtesën mbi pension, rreth 6600 persona që kanë punuar në këto subjekte të përcaktuara. Ndërkohë që procesi i llogaritjes po vijon me ritme të shpejta. “Nga specialistët e sigurimeve shoqërore po punohet me kapacitet të plotë për mbylljen sa më të shpejtë të këtij procesi dhe gjithkush të marrë atë që i takon.

Përfitimi, sipas përcaktimeve në ligjin Nr. 29/2019, jepet me kërkesën e të interesuarit, i cili e paraqet atë pranë agjencisë së sigurimeve shoqërore të vendbanimit të tij, ose pranë sporteleve të shërbimit në ato bashki ku ndodhet vendbanimi i përhershëm i personit, së bashku me dokumentacionin përkatës, sipas përcaktimeve të vendimit të Këshillit të Ministrave dhe rregulloreve të ISSH-së”, konfirmojnë autoritetet e Institutit të Sigurimeve Shoqërore”.

Pension për shkak të profesionit kanë të drejtë që ta përfitojnë ish-punonjësit, të cilët kanë kryer procese pune në miniera në nëntokë; trajtimi me përfitime përpara moshës dhe kushteve të përcaktuara në dispozitat e ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, do të vazhdojë të bëhet sipas përcaktimeve në dispozitat e ligjit nr. 150/2014, “Për pensionet e punonjësve që kanë punuar në miniera, në nëntokë” dhe akteve nënligjore të dala në zbatim të tij. Të drejtën e marrjes së këtij lloj përfitimi e gëzojnë edhe të gjithë ish-punonjësit, të cilët kanë punuar në industrinë e naftës e të gazit, në profesione e punë të përcaktuara në pasqyrën nr. 1, “Punë, që hyjnë në kategorinë e parë”.

Po ashtu kanë të drejtë që të marrin pension për shkak të profesionit edhe ish-punonjësit, të cilët kanë punuar në industrinë e naftës e të gazit, në profesione e punë të përcaktuara në pasqyrën nr. 2, “Punë, që hyjnë në kategorinë e dytë, dhe personeli inxhiniero-teknik, që ka punuar në ndërmarrjet e sistemit të naftës, sipas listës së miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave. Kategoria tjetër që trajtohet me pensione të kësaj kategorie janë edhe ish-punonjësit, të cilët kanë punuar në metalurgji në profesione, punë dhe ndërmarrje, sipas përcaktimeve në krerët III, VIII e XII, të pasqyrës nr. 1, të vendimit përkatës të Këshillit të Ministrave, “Për ndarjen e punëve në kategori për efekt pensioni”.

Ndërsa shtesë mbi pensionin e pleqërisë dhe mbi pensionin e invaliditetit,mund të përfitojnë: ish-punonjësit, sipas përcaktimeve në ligjin për trajtimet suplementare, të cilët kanë përfituar pension pleqërie ose do të plotësojnë kushtet për të përfituar pension pleqërie, sipas ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar. Shtesën mbi pension e përfitojnë të gjithë personat që kanë jo më pak se 6 vite në profesionet dhe punët e përcaktuara në këtë ligj; Gjithashtu shtesën mbi pension e përfitojnë edhe personat që marrin pension sipas ligjit nr. 150/2014 “Për pensionet e punonjësve që kanë punuar në miniera në nëntokë”, kur data e lindjes së të drejtës për pension është deri më 31.12.2014.

KLIKO: Lista e re

January 15, 2020 13:40
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*