Pensioni i invaliditetit, si të veproni kur ju mungon Libreza e punës

October 31, 2019 10:18

Pensioni i invaliditetit, si të veproni kur ju mungon Libreza e punës

Pranvera Kola

Sikundër ndodh me përfitimet e pleqërisë dhe ato familjare, edhe për pensionet e invaliditetit mungesa e librezës së punës, apo kontributeve, nuk penalizon dhënien e përfitimeve të reja.

Ekspertët e sigurimeve shoqërore bëjnë me dije se për lidhjen e përfitimeve të reja të invaliditetit, personat që nuk kanë dy librezat përkatëse, duhet të dorëzojnë një sërë dokumentesh të tjera shtesë. Konkretisht bëhet fjalë për këto dokumente: vërtetim page sipas së cilës konfirmohet derdhja e kontributeve për vitet 1994-2011 dhe që mund të sigurohet nga drejtoria rajonale e sigurimeve shoqërore.

Po ashtu duhet të dorëzoni edhe vërtetimin e pagës që konfirmon kontributet e dredhura nga viti 2012, e deri në lindjen e të drejtës së përfitimit. Pjesë e dokumenteve shtesë që duhen në këtë rast janë edhe vërtetimi i pagesës së papunësisë që mund të tërhiqet nga Zyra e Punës, vendimi i gjykatës për njohje vjetërsie në punë, mandati  i pagesës për kontributet që mund të ketë derdhur në mënyrë vullnetare vetë personi, vërtetimi i pagesës kalimtare si ushtarak që lëshohet nga qendra e punës, si dhe vërtetimi nga Qendra e punës për periudhat e punës të kryera. Këto dokumente shtesë duhet t’i bashkëngjiten dosjes së detyrueshme që shoqëron kërkesën për daljen në pension invaliditeti sipas kushteve të përfitimit.

Llojet e invaliditetit dhe kushtet e përfitimit

Me pension invaliditeti mund të trajtohet çdo person që bëhet i paaftë për çdo veprimtari ekonomike dhe ka gjymtime të forta e dëmtime fizike (duke përfshirë verbimin). Në vartësi të shkallës së humbjes të aftësisë për punë, invaliditeti klasifikohet në tri grupe: “Invaliditet i pjesshëm, kur personi i siguruar humbet aftësinë për punë në profesionin apo punën e tij të fundit, por mund të kryejë punë të tjera sipas përcaktimit të vendimit të KMCAP-it,
invaliditet i plotë, kur personi i siguruar bëhet i paaftë për çdo punë, si dhe invaliditet i plotë në kushtet e nevojës për kujdestari. Periudha minimale e sigurimit për pension invaliditeti është sa 3/4 e diferencës së moshës së personit të siguruar në kohën që bëhet i paaftë dhe moshës 20 vjeç dhe në 5 vitet e fundit para lindjes së të drejtës të ketë së paku 12 muaj sigurim shoqëror. Personi, që është në kushtet e invaliditetit të plotë, por që nuk plotëson periudhën minimale të sigurimit, ka të drejtë për pension invaliditeti të reduktuar, në masën që rezulton nga raporti i periudhës së tij të sigurimit me periudhën e duhur për pension të plotë invaliditeti.

Kalimi në pension pleqërie

Sipas kushteve të përcaktuara në ligjin e sigurimeve shoqërore, personi që përfiton pension për invaliditet, kur plotëson moshën, ka të drejtë të kërkojë pension pleqërie, nëse ky do të jetë më i favorshëm për të. Shuma e pensionit të invaliditetit të plotë llogaritet në të njëjtën mënyrë si pensioni i pleqërisë. Shuma e përgjithshme e pensionit të plotë të invaliditetit nuk mund të jetë më e vogël se 75 për qind e pagës minimale neto në shkallë vendi. Përfituesit e këtij pensioni kanë të drejtë që të sigurojnë edhe të ardhura shtesë në rastet kur kanë fëmijë në ngarkim, apo kur kanë nevojë dhe ka nevojë për një kujdesje të vazhdueshme nga një person tjetër.

Përfitimet e reduktuara

Pensioni i invaliditetit i reduktuar mund të përfitohet nëse aplikuesi përmbush këto tre kushte: “Kur personi ka humbur plotësisht aftësinë për punë, jo për shkak të një aksidenti në punë apo  sëmundjes profesionale, kur personi nuk ka plotësuar periudhën minimale të sigurimit, e cila është në varësi të raportit të periudhës të sigurimit faktike me periudhën e sigurimit që i duhet për pensionin reduktuar të invaliditetit, si dhe kur e drejta për të përfituar pension të reduktuar invaliditeti fillon pas mbarimit të periudhës 6-mujore të trajtimit me raport mjekësor për paaftësi të përkohshme në punë”. Vlerësimi nga KMCAP duhet të bëhet në muajin e pestë ose të gjashtë, para përfundimit të kësaj periudhe. Masa e pensionit të invaliditetit të reduktuar llogaritet duke shumëzuar masën e llogaritur të invaliditetit të plotë me koeficientin që rezulton nga raporti i periudhës së tij të sigurimit me periudhën e duhur për pension të plotë invaliditet.

Përfitimi i pjesshëm

Ndërkohë që çdo person i siguruar, merr pension për invaliditet të pjesshëm, kur ka plotësuar periudhën minimale të sigurimit dhe kur për çdo arsye, përveç aksidentit në punë dhe sëmundjes profesionale, bëhet i paaftë të kryejë punën e fundit, por mund të punojë në kushte të veçanta pune. Shkalla e invaliditetit dhe puna që do të kryejë i siguruari, përcaktohet nga Komisioni Mjekësor i Caktimit të Aftësisë për Punë (KMCAP). Pensioni i invaliditetit të pjesshëm është sa 50 për qind e pensionit të plotë të invaliditetit. Ai llogaritet në të njëjtën mënyrë si pensioni i plotë i invaliditetit.

Dokumentacioni shtesë kur mungon Librezës e Punës, apo e Kontributeve

  • Vërtetim page, sipas së cilës është derdhur kontribut që nga viti 1994 deri në vitin 2011, lëshohet nga DRSSH.
  • Vërtetim page, sipas së cilës është derdhur kontribut që nga viti 2012 deri në momentin e lënies së punës, mund të merret nga Portali e-Albania, ose DRSSH.
  • Vërtetim i pagesës së papunësisë (asistencë) që sigurohet nga Zyra e Punës.
  • Vendim gjykate për njohje vjetërsie në punë që lëshohet nga Gjykata.
  • Mandat-pagesat për derdhjen e kontributeve. Sigurohet nga vetë personi
  • Vërtetim për Pagesën kalimtare si ushtarak, mund të merret nga Qendra e Punës.
  • Vërtetim për periudhat e punës, që mund të tërhiqet nga Qendra e Punës.

Dosja e plotë e pensionit të invaliditetit duhet të përfshijë:

  • Kërkesën për përfitim.
  • Kartë identiteti.
  • Certifikatë familjare.
  • Librezë pune.
  • Vërtetim page, sipas së cilës është derdhur kontribut që nga viti 1994 deri në momentin e lënies së punës.
  • Mandat-pagesat për derdhjen e kontributeve.
  • Librezë kontributesh.
  • Vërtetim për periudhën e Shërbimit të Detyrueshëm Ushtarak.
  • Certifikatë martese (e detyrueshme vetëm për femrat).
  • Vërtetim i pagesës së papunësisë (asistencë).
  • Diploma e shkollës së lartë.
  • Vendim gjykate për njohje vjetërsie në punë.
  • Vërtetim për faktin e dënimit për motive politike dhe kohën e vuajtjes së tij.
  • Dëshmi penaliteti, vërtetim i gjendjes gjyqësore.
  • Vërtetim për Pagesën kalimtare (si ushtarak).
  • Vërtetim për ushtrim të aktivitetit privat.
  • Vërtetim për pagesën e energjisë elektrike.
  • Deklaratë për kompensimin e energjisë.
  • Vërtetim nga qendra e fundit e punës.
  • Vërtetim nga gjendja civile, në rastet e ndryshimit të gjeneraliteteve.
  • Deklaratë për vitet e punës.
  • Fletë Drejtimi për KMCAP.
  • Fletë Dalje Spitali.
  • Ekzaminime të veçanta.
  • Analiza mjekësore.
  • Proces Verbal i Aksidentit në Punë.
  • Vërtetim për pagesën e paaftësisë së përkohshme.
  • Vërtetim nga Prokuroria (për fillim procedimi penal në rast të një aksidenti në punë për shkak të detyrës).
  • Vërtetim për llojin e punës (për invaliditetin e pjesshëm)

 

Dokumentet shtesë për pension suplementar shtetëror

  • Kartë Identiteti.
  • Certifikatë familjare.
  • Vërtetim i vjetërsisë në shërbim/detyrë/funksion.
  • Vërtetim i pagës referuese të detyrës/funksionit.
  • Fotokopje e Librezës së punës.
  • Dëshmi penaliteti.

 

Dokumentet shtesë për pension suplementar si ish-ushtarak

  • Kartë Identiteti.
  • Certifikatë familjare.

 

October 31, 2019 10:18
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*