Pensioni i pjesshëm, vjetërsia e punës që kërkohet sipas viteve

Pranvera Kola August 14, 2015 16:00

Pensioni i pjesshëm, vjetërsia e punës që kërkohet sipas viteve

Për llojet e tjera të përfitimeve të lindura deri në 31 dhjetor të vitit të shkuar do ruhet e njëjta skemë llogaritjeje, pa u prekur nga ndryshime të moshës së daljes në pension apo vjetërsisë së kërkuar sipas çdo lloj përfitimi. Nëse vërehet që për këto kategori, standardi minimal i jetesës nuk arrihet nga pensioni, (për pensionistët me datë fillimi deri më 31 dhjetor të vitit të shkuar), atëherë Këshilli i Ministrave ka të drejtë të vendosë një shtesë të ardhurash në formë kompensimi

***

Zbatimi i ndryshimeve të bëra në skemën e pensioneve, të cilat kanë hyrë në fuqi që nga 1 janari i këtij viti nuk ndikojnë në ndryshimin e masës së përfitimeve të lëshuara gjatë viteve të shkuara. Efektet e këtyre ndryshimeve shtrihen vetëm mbi pensionet, e drejta e të cilave lind pas kësaj date. Autoritetet e sigurimeve bëjnë me dije se nuk do të aplikohet më ndarja e përfitimeve të pjesshme mujore për personat e rinj që plotësojnë kushtet e daljes në pension nga janari i 2015-ës, e në vijim. Kjo pasi skema e re që ka nisur të aplikohet prej muajsh të tërë, përcakton se nuk do të ketë më përfitime të pjesshme. Por, pavarësisht këtyre ndryshimeve të bëra, skema nuk prek përfitimet e pjesshme me datë fillimi para 2015-ës. Ndarja e trajtimeve për këto kategori do të vijojë në të njëjtat kushte, sa i takon moshës së kërkuar dhe vjetërsisë kontributive. Pensioni i pjesshëm jepet në raport me vjetërsinë në punë, që kërkohet në vitin përkatës. Në tabelën bashkangjitur shkrimit gjendet e detajuar mosha e marrjes së përfitimeve të pjesshme sipas viteve përkatëse, si dhe vjetërsia e punës e kërkuar e detajuar në mënyrë të specifikuar për burrat dhe për gratë. Krahas specifikimeve të bëra mbi kriterin moshë, vjetërsia kontributive e kërkuar për pensionet e pjesshme deri në dhjetor të 2014-ës, ishte 15 vite. Pensioni i pjesshëm për përfitimet e lindura para këtij viti, llogaritet si pjesë e pensionit të plotë. Ky pension llogaritet duke shumëzuar pensionin e plotë me vitet e sigurimit dhe duke bërë pjesëtimin me 35. Për efekt llogaritjeje, edhe pensioni i pjesshëm llogaritet njëlloj si pensioni i plotë i pleqërisë. Masa e pensionit të pjesshëm korrigjohet me raportin midis viteve të punës që ka pensionisti pjesëtuar me 35 vite aq sa kërkon ligji. Për llojet e tjera të përfitimeve të lindura deri në 31 dhjetor të vitit të shkuar do ruhet e njëjta skemë llogaritje, pa u prekur nga ndryshime të moshës së daljes në pension apo vjetërsisë së kërkuar sipas çdo lloj përfitimi. Nëse vërehet që për këto kategori, standardi minimal i jetesës nuk arrihet nga pensioni, (për pensionistët me datë fillimi deri më 31 dhjetor të vitit të shkuar), atëherë Këshilli i Ministrave ka të drejtë të vendosë një shtesë të ardhurash në formë kompensimi të plotë me specifikimet përkatëse sipas secilës kategori. Në ndryshimet ligjore të bëra, detajohet se edhe pensionet e caktuara në bazë të ligjit nr. 4976, datë 29.6.1972, “Për pensionet e anëtarëve të kooperativave bujqësore të Republikës Popullore të Shqipërisë”, me të gjitha ndryshimet e tij të mëvonshme, quhen të mirëqena dhe nuk janë objekt i ndonjë ndryshimi, me përjashtim të indeksimit dhe kompensimit që përcaktohen me vendime të posaçme të qeverisë.

 

Njohja e periudhave të caktuara si vjetërsi pune për efekt pensioni

Autoritetet e sigurimeve shoqërore sqarojnë se të gjitha periudhat e punësimit para hyrjes në fuqi të ndryshimeve të bëra në ligj, të njohura si vjetërsi pune,  e që janë të vlefshme për sistemin e sigurimit shoqëror të kaluar, do të quhen si periudha sigurimi edhe për përfitimet e reja që lindin nga një janari i këtij viti. “Periudhat në të cilat nuk është punuar, por të njohura si vjetërsi pune për sigurimet shoqërore përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji, gjithashtu do të njihen si periudha të sigurimit edhe për këtë ligj. Koha pas hyrjes në fuqi të këtij ligji njihet si periudhë e sigurimit shoqëror vetëm kur është derdhur kontribut sipas përcaktimeve të bëra për secilën kategori përfitimesh. Periudha e kryerjes së studimeve në shkollën e lartë me shkëputje nga puna për gruan, duke filluar nga data 01.09.2000 dhe deri më 31.12.2032, pavarësisht nga vendi se ku janë kryer studimet dhe për jo më shumë se 6 vjet, njihet gjithashtu si periudhë sigurimi vetëm për efekt pensioni pleqërie. Në kuptim të këtij neni, viti shkollor është me 12 muaj. Në këtë rast, kontributet përballohen nga Buxheti i Shtetit, në kohën kur merret vendim për caktimin e pensionit’, detajohet në ligj.

 

 

Ruajtja e të drejtave të fituara më parë

Ligji i 2015-ës, përcakton se personat, që marrin përfitime afatshkurtra për paaftësi, barrëlindje, sigurim papunësie, etj, me datë fillimi përpara datës 31.12.2014, përfshirë edhe këtë datë, do ta përfitojnë atë në masën dhe kriteret e përcaktuara në dispozitat që kanë qenë në fuqi deri në atë datë. Ndërsa personat që deri në mbyllje të dhjetorit të vitit të shkuar merrnin pension pleqërie, pension të parakohshëm, pension familjar, pension për vjetërsi shërbimi, pension për vjetërsi shërbimi në raste të veçanta, do të vazhdojnë të tërheqin pensionin e tyre. E njëjta gjë do të zbatohet edhe për shtesat e dhëna për pjesëmarrjen në luftën kundër pushtuesve nazifashistë.  E njëjta skemë do të aplikohet edhe për pensionet e invaliditeti të caktuara para dhjetorit të 2014-ës. Kjo kategori do të vazhdojë të marrë pensionin pa u ndikuar nga ndryshimet e bëra në ligjin e ri, me përjashtim të rastit kur, pas një rivlerësimi të gjendjes shëndetësore, ligji i ri rezulton me kushte më të favorshme. Ndryshimet sa i takon moshës së daljes në pension dhe vjetërsisë së punës aplikohen vetëm mbi përfitimet e reja që lindin duke nisur nga 1 janari i këtij viti, e në vijim. Ndërkohë që objekt i skemës së rritjeve dhe indeksimeve do të jenë të gjitha llojet e përfitimeve që mbështet skema e sigurimeve shoqërore, pavarësisht kohës së përfitimit apo llogaritjeve të bëra në vite. Duke nisur nga viti i ardhshëm kushtet e përfitimit do të pësojnë ndryshime, ku parashikohet rritje e moshës dhe vjetërsisë kontributive të kërkuar për përfituesit e grupuar në të tria kategoritë. Personi i siguruar, i cili ka plotësuar kushtet për pension pleqërie, merr shtesë në masën 0,5 për qind të pensionit për çdo muaj që shtyn datën e daljes në pension dhe vazhdon të paguajë kontribute. Përfituesi i pensionit të pleqërisë, që ndërpret pensionin, vazhdon të punojë dhe paguan kontribute, merr shtesë mbi pension në masën 0,5 për qind për çdo muaj ndërprerjeje. Kjo shtesë llogaritet mbi atë masë pensioni që rezulton pas rritjeve dhe indeksimit që ka pësuar pensioni gjatë kohës së ndërprerjes.

 

Ndryshimet në periudha sigurimi e moshë për nënat me shumë fëmijë

Nënat që kanë lindur 6 ose më shumë fëmijë, të cilët janë rritur më shumë se 8 vjeç, marrin

pensionin e pleqërisë, kur kanë plotësuar moshën 55 vjeç dhe kanë vjetërsi në punë sipas viteve përkatëse, të cilat i gjeni të detajuara në tabelën bashkangjitur shkrimit. Në rastet kur si vjetërsi pune, sipas kësaj tabele, kërkohet të njihet edhe vjetërsia si ish-anëtar i kooperativës bujqësore, dhe data e fillimit të pensionit është nga data 01.01.2015 e në vazhdim, masa e pensionit llogaritet sipas kushteve të përcaktuara mbi përfitimet e plota mujore. Skema përcakton se pensioni I plotë mujor I pleqërisë përbëhet nga një shumë bazë dhe nga një shtesë. Shuma bazë llogaritet si raport i periudhës së sigurimit që ka realizuar personi, me periudhën e sigurimit të kërkuar, shumëzuar me pensionin social. Shtesa do të jetë 1 për qind për vit sigurimi shumëzuar me bazën mesatare të vlerësuar që personat e siguruar kanë arritur nëpërmjet kontributeve. Megjithatë, shuma e përgjithshme e pensionit nuk mund të jetë më e vogël se pensioni social.

 

Pranvera Kola August 14, 2015 16:00
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim

Njoftim