Pentagoni: Rritet kostoja e luftës kundër ISIS

October 28, 2014 13:45

Pentagoni: Rritet kostoja e luftës kundër ISIS

Lufta kundër xhihadistëve të Shtetit Islamik në Irak dhe në Siri i ka shkaktuar SHBA-së një shpenzim që kalon 1.1 miliardë dollarë, sipas të dhënave të publikuara dje nga Komando Qendrore e Forcave të Armatosura të Shteteve të Bashkuara.

Vlerësimi mbulon periudhën nga mesi i qershorit, kur Uashingtoni filloi të dërgojë ekspertë ushtarakë në Irak për të ndihmuar trupat lokale dhe mbrojtur qytetarët amerikanë që janë në vend deri sot. Sipas raportit 62 milionë dollarë janë shpenzuar në sulmet ajrore të kryera në kuadër të operacioneve të marinës amerikane ashtu edhe në hedhjen e raketave me rreze të gjatë Tomahawk.

Në total flota përdori 185 raketa që u përdorën për të sulmuar grupin Khorasan. Anëtarët e kësaj organizate, sipas funksionarëve amerikanë, planifikuan të bënin një sulm terrorist në territorin amerikan. Nga ana tjetër pilotët e forcave ajrore përdorën rreth 1000 raketa dhe bomba. Sipas vlerësimeve të përgjithshme, që prej qershorit, Pentagoni shpenzon çdo ditë në Siri dhe në Irak rreth 10 milionë dollarë, shifër që rritet me intensifikimin e sulmeve.

Megjithatë shumë vetë vënë në pikëpyetje efikasitetin e strategjisë perëndimore për t’i dhënë fund lëvizjeve xhihadiste. Milicët kurdë pohojnë se këto bombardime kanë pasur një impakt minimal në momentin e zmbrapsjes së pozicioneve terroriste, ndërkohë që vetë Pentagoni ka pranuar në disa raste që gjasat që bombardimet të arrijnë të dobësojnë grupin xhihadist në mënyrë të konsiderueshme janë të pakta.

Në deklaratën e publikuar të hënën nga “CentCom” thuhej gjithashtu se në Irak, SHBA-të dhe vendet e tjera partnere kanë ndërmarrë 7 sulme ajrore, përfshi 3 pranë zonës së digës së Mosulit, të cilat goditën një njësi të vogël luftëtarësh të Shtetit Islamik. Të tjerat kanë qenë në zonat pranë Fallujah, Bayji dhe Zumarit.“Një sulm ajror në Juglindje të Fallujah goditi një njësi të madhe të SI, ashtu sikurse dhe një ndërtesë dhe një mjet”, bëri të ditur “CentCom”.

Në Bayji, sulmet goditën luftëtarë të Shtetit Islamik, përfshi një njësi të vogël dhe një pajisje ndihmëse shpërthimi. Ndërsa në Zumar, sulmet goditën një njësi të vogël dhe shkatërruan 2 ndërtesa që shfrytëzoheshin prej militantëve.

October 28, 2014 13:45
Komento

1 Koment

Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*