Për Akademinë e Shkencave dhe kërkimin shkencor

Nelson R. Çabej September 3, 2016 13:02

Për Akademinë e Shkencave dhe kërkimin shkencor

Diskutimet e kohëve të fundit për formën më të përshtatshme të organizimit të Akademisë së Shkencave dhe kërkimit shkencor në Shqipëri janë polarizuar në dy qëndrime rivalizuese e në dukje të papajtueshme:
1. Të ruajmë formën fillestare të organizimit të Akademisë së Shkencave dhe
2. Ta ndryshojmë edhe një herë formën ekzistuese të saj.

Diskutimet janë mbizotëruar nga pasionet dhe argumentet bindëse nga të dyja palët kanë qenë të pamjaftueshme. Por, sado të polarizuara, mendimet e të dyja palëve, për fat të mirë, pajtohen në diçka thelbësore, në faktin se të dyja pranojnë haptazi se kërkimi shkencor në Shqipëri është në një gjëndje të mjerë dhe në krizë serioze. Kjo pikëtakimi mund të shërbejë si një emërues i përbashkët për të arritur në një marrëveshje lidhur me masat që duhen marë për kapërcimin e krizës dhe rimëkëmbjen.

Por, ndërkohë që të dyja palët pranojnë varfërimin dhe nivelin e ulët të kërkimit shkencor aktualisht, ato qëndrojnë në dy polet të kundërta kur vjen puna për të nxjerrrë shkaqet e kësaj gjendjeje dhe masat e nevojshme për përmirësimin e saj. Nga njera anë janë shumica e deklaruar, që e gjejnë shkakun e kësaj gjëndje në tre riorganizimet që i janë bërë Akademisë pas viteve 90-të dhe besojnë se struktura fillestare e saj e kishte kaluar provën e jetës dhe ishte treguar efikase, edhe në kushtet e vështira të sistemit politik të mëparshëm, andaj duhet rikthyer te ajo formë. Nga ana tjetër, janë ata që ngulin këmbë në ndryshimin e mëtejshem të sistemit të sotëm të kërkimit shkencor, ku peshën më të madhe duhet ta kenë universitetet dhe veprimtaria e Akademisë të kufizohet në nxitjen e kërkimit shkencor vetëm në fushën e albanologjisë.

Shqipëria për rrethanat e njohura politiko-historike dhe kulturore doli si shtet i pavarur, ndonëse i cunguar rëndë, në vitin 1912, për të rënë shumë shpejt nën pushtimin e trupave të huaja (austriake, greke, franceze dhe italiane) gjatë luftës I Botërore. Pa mbushur 20 vjet pavarësie nominale, pas një regjimi jetëshkurtër republikan dhe monarkisë së Ahmet Zogut, Shqipëria u gjënd prapë nën pushtime të huaja për 5 vjet gjatë luftës II Botërore. Pas saj, Shqipëria provoi një periudhë relativisht të gjatë pavarësie nën regjimin komunist që, siç dihet, implodoi, ose u rëzua së brëndëshmi, si pasojë e dështimit ekonomik të sistemit.

Në vitin 1972 u krijua Akademia e Shkencave me 16 institute dhe qendra kërkimore. Si Akademi e re pati të edhe meta, që u përcaktuan jo vetëm nga tradita relativisht e re në fushën e shkencave natyrore dhe inxhinierike, por edhe nga kufizimet tematike dhe ngurtësia interpretative e imponuar në fushën e shkencave shoqërore. Megjithatë, për hir të së vërtetës, duhet të mos harojmë suksesin e saj madhor: pas viteve 60-të, për herë të parë në histori, Shqipëria doli si qendra botërore e studimeve albanologjike dhe sot askush nuk mund të parashikojë se kur Shqipëria mund të bëhet përsëri e tillë.

Ne shqiptarët kemi treguar një prirje të tepëruar për të marrrë qëndrime skajore dhe kjo nuk është shenjë pjekurie. Nxitimi dhe mungesa e maturisë, ideja se historia e Shqipërisë fillon “me mua” ose “me regjimin tim” kanë qenë një sëmundje kronike e mendimit dhe veprimit në politikën e shtetit shqiptar. Harrohet se shqiptarët kanë ekzistuar, mbijetuar dhe evoluar për mijëvjeçarë si popull e komb, e për periudha të shkurtra, edhe si shtet, edhe para pavarësisë së 1912-ës, në formën e shteteve ose principatave të pavarura që nga mbretëritë ilire dhe epirote mbi dymijë vjet më parë, duke vazhduar në shekullin XII me principatën e Arbrit, me mbretëritë (despotatet) shqiptare të Epirit në shekujt XIV-XV, me shtetin e Skënderbeut, e madje edhe me shtetin përkohësisht të pavarur të Ali Pashë Tepelenës.

Ashtu si populli dhe kombi shqiptar, edhe shkenca jonë kombëtare nuk fillon as “me mua”, as “me regjimin tim”. Ajo i ka rrënjët thellë në historinë e popullit tonë, për të mos shkuar më tej, me Marin Barletin e Marin Beçikemin, Frang Bardhin e Pjetër Bogdanin, Hasan Tahsinin dhe Sami Frashërin, Karl Gegën, Fan Nolin, Rifat Frashërin e Bilal Golemin, deri te Eqrem Çabeu dhe Aleks Buda. Si në të gjitha fushat e kulturës, edhe në fushën shkencës, ne kemi një traditë kombëtare që duhet ta vlerësojmë, ta ruajmë e ta zhvillojmë më tej. Vazhdimi i traditës kombëtare në shkencë e në çdo fushë tjetër të kulturës është shënjë pjekurije dhe kusht i rëndësishëm i suksesit shkencor, ekonomik e politik të çdo vëndi. Në këtë kuptim, nënvlerësimi, dhe mosshfrytëzimi që buron prej tij, i sukseseve të mëparshme është një barrierë që i vihet shkencës që duam të zhvillojmë.
Ruajtja e traditës nuk do të thotë mohim i nevojës së ndryshimeve, duke përfshirë ndryshime në formën e organizimit të kërkimit shkencor. Koha, zhvillimet e reja në shkencë e teknologji mund të kërkojnë riorganizime. Por, nevoja për riorganizim të sistemit të kërkimeve shkencore duhet të dalë së brëndëshmi, nga vetë kërkuesit, nga institucionet ku është kompetenca shkencore, të cilat duhet të identifikojnë qartë arsyet që e bëjnë riorganizimin të domosdoshëm.

Vendimtar në zgjedhjen e formës së organizimit duhet të jenë specifika e gjendjes aktuale të kërkimit, tradita dhe prirjet kombëtare dhe ndërkombëtare të zhvillimit në shkencë.

Ndryshimi thelbësor midis dy pikëpamjeve rivalizuese ka të bëjë me çështjen në se Akademia duhet ta ruaj apo jo funksionin e mëparshëm si strukturë qëndrore për nxitjen, organizmin dhe bashkëveprimin e kërkimit shkencor në Shqipëri. E shtruar në një formë tjetër, çështja është në se duhet të ketë, apo jo, një institucion qendror të drejtimit në nivel shkencor për nxitjen, orientimin dhe organizimin e kërkimit shkencor. A duhet Akademia të drejtoje tërë punën shkencore apo duhet të reduktohet në një qendër të kërkimeve albanologjike, që po përpiqet thjesht të mbijetojë?
Përkrahësit e ndryshimeve kanë gjetur mbështetjen administrative për të kryer 3 ristrukturime brenda një periudhe prej vetëm 23 vjetësh dhe pranohet njëzëri nga të dyja palët e përfshira në këtë diskutim se këto ristrukturime kanë përfunduar me dështime dhe trauma të njëpasnjëshme për Akademinë dhe kërkimin shkencor.

Askush nuk ka qënë në gjëndje të artikulojë bindshëm përse duhet të bëhet një ristrukturim i katërt në një kohë kaq të shkurtër. Argumenti kryesor që është parashtruar për nevojën e ristrukturimit ose të reduktimit të Akademisë së Shkencave është përvoja e disa vëndeve të zhvilluara. Por, marrja ose transplantimi i organizimit shkencor të njerit apo tjetrit vend, duke u nisur vetëm nga fakti që ai vend është i përparuar, është një afrim i rrezikshëm në këtë çështje dhe askush nuk mund të garantojë që nuk do të shpjerë në një dështim të katërt e në varfërim, deri ku s’mban më, të kërkimit shkencor.

Së pari, sepse përvojat e huaja janë të shumta dhe shpesh kontradiktore me njera tjetrën, dhe kjo e bën thuajse të pamundur zgjedhjen e modelit më të mire dhe më të përshtatshëm për Shqipërinë.
Së dyti, sepse zgjedhja e sistemit të huaj përgjithësisht influencohet nga sistemi me të cilin janë njohur vendim-marrësit.

Ata që kërkojnë një ristrukturim të katërt thonë se kërkimi shkencor duhet t’u lihet kryesisht universiteteve (kjo tanimë në Shqipëri është bërë dhe rezultatet kanë qenë negative përtej çdo parashikimi) ashtu siç ndodh në SHBA, Francë dhe Gjermani.

Shëmbulli i SHBA është pak ose aspak i rekomandueshëm për Shqipërinë. Në SHBA një numër shumë i madh universitetesh private, por edhe shtëtërore, kanë fonde që i tejkalojnë shumëfish shpenzimet e përgjithshme që bën Shqipëria për kërkim e zhvillim. Universiteti Harvard, p.sh., ka një buxhet 7 herë më të madh se tërë BUXHETI SHTETËROR i Shqipërisë. Për SHBA ai sistem i decentralizuar është optimali sepse ka si avantazh të madh konkurencën midis universiteteve në kërkime, duke u lejuar edhe luksin e kryerjes së kërkimeve paralele. Një sistem i tillë i decentralizuar i kërkimit, as që mund të merret parasysh fare për shkak të fondeve jashtëzakonisht të pakta të Shqipërisë.

Është e vërtetë se në Francë Akademia e Shkencave ka më shumë rol në drejtimin, organizimin dhe komunikimin në shkallë kombëtare e ndërkombëtare se sa në kërkimin shkencor si i tillë, por të mos harrojmë se ajo është strukturë e përbashkët e tërë shkencave, natyrore, inxhinierike dhe shoqërore. Dhe më e rëndësishmja është se edhe në Francë pjesa më e madhe e kërkimeve dhe ato të nivelit më të lartë kryhen jo në universitete, por në institute/qendra kërkimore nën drejtimin e një strukturë të centralizuar jouniversitare, që është CNRS (Centre national de la recherche scientifique), me 10 institute shumëdisiplinare, që përfshijnë 11 mijë njësi kërkimi dhe shërbimi dhe kryejnë kërkime në të gjitha fushat e njohurisë njerëzore me një personel prej 33 mijë vetësh nga të cilët mbi 11 mijë kërkues dhe mbi 13 mijë inxhinierë (me 20 nobelistë në gjirin e saj) e me një fond prej 4 miliard dollarë, thuajse sa i gjithë buxheti shtetëror i Shqipërisë.

Në Gjermani qysh prej më se një shekulli ekzistojnë të paktën dy struktura të centralizuara jashtëuniversitare, të financuara nga burime botore (publike), Shoqata Max Planck (Max Planck Gesellschaft) (vazhduese e drejtpërdrejtë pas Luftës së Dytë Botërore e Shoqatës Kaiser Wilhelm, themeluar në vitin 1911) me 91 institute kërkimore dhe rreth 18 mijë kërkues, që kryejnë kërkime fundamentale në të gjitha disiplinat e shkencave të natyrës, inxhinierike dhe shoqërore, me një buxhet vjetor prej ~4 miliard dollarësh dhe Shoqata Fraunhofer si përplotësuese e Shoqatës Max Planck në nivelin e kërkimit të aplikuar me mbi 40 institute dhe stacione kërkimore dhe me një buxhet prej afro 3 miliard dollarë.

Kështu si në Francë (CNRS) dhe Gjermani (Max Planck Gesellschaft dhe Fraunhofer Gesellschaft), kërkimi shkencor i të gjitha niveleve kryhet më shumë nga struktura të centralizuara kërkimore jomësimdhënëse, që mbahen kryesisht me fonde botore, që, pavarësisht nga emri, afërsisht kryejnë funksionet e akademive të vëndeve të tjera si Austria, Çekia, Hungaria, Kroacia, Polonia etj. Duhet të mbajmë parasysh edhe faktin se këto vëndet e fundit kanë kushte ekonomiko-shoqërore dhe kulturore më të ngjashme me ato të Shqipërisë se sa vëndet e mëdha europiane dhe SHBA. Burimet e kufizuara financiare imponojnë përqëndrimin në një qendër të vetme dhe jo decentralizimin e kërkimit në Shqipëri.

Struktura e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë ka qënë për një kohë të gjatë e ngjashme me atë të Austrisë (me 30 institute kërkimore), një vënd shumë i zhvilluar, siç shihet edhe nga fakti që ende sot është shteti me numërin më të madh të nobelistëve për frymë të popullsisë. Në Shqipëri janë kryer tre ristrukturime të saj dhe të gjithë pranojnë se ato kanë shpënë në keqsime të njëpasnjëshme në vënd të përmirësimit të gjëndjes në Akademi, duke shënuar rënie të njëpasnjëshme në nivelin, volumin dhe rezultatet e kërkimit. Me tre ristrukturime dështake pas vitit 1992, duket qartë se kapitali argumentues për një ristrukturim të katërt ka shteruar.

Përvoja negative e riorganizimeve të Akademisë është një argument i fortë empirik në të mirë të drejtimit të parë, që kërkon, sigurisht me ndryshimet që përcakton momenti historik, kthimin në organizimin fillestar si formë që ka kaluar me sukses një provë thuajse 20-vjeçare, duke e bërë Shqipërinë, për herë të parë në historinë e saj, qendrën botërore të albanologjisë, çka është në kontrast me dështimin e pranuar njëzëri të 23 vjetëve të akademisë së riorganizuar.

Ajo që ka me të vërtetë nevojë sistemi i kërkimeve në Shqipëri, nuk është një përmbysje proletkultiste në strukturën e kërkimit shkencor dhe të Akademisë. Le ta shohim në sy të vërtetën, sepse sjellja prej struci që fut kokën në rërë nuk ndihmon. Të gjithë e dinë ç’kërkohet mbi të gjitha për mbarëvajtjen e punës dhe rikthimin në gjëndje normale të Akademisë:

1. Depolitizimi realisht i thellë i saj për ta kthyer atë në një institucion të pastër shkencor APOLITIK, i mbrojtur nga ndikimet partiake, dhe plotësisht i pavarur nga strukturat politike dhe ideologjike. Militantët politikë mund të jenë të vlefshëm kudo tjetër, por kurrsesi në Akademi.
2. Shtimi i fondeve për kërkimin shkencor e teknologjik. Fondet e caktuara për kërkimin shkencor në Shqipëri janë të pakta. Shqipëria shpenzon për kërkim e zhvillim rreth 0.18 përqind të prodhimit të përgjithshëm kombëtar, që, për frymë të popullsisë, është 13 herë më pak se Sllovenia, 2 here më pak se Bosnjë-Hercegovina, Maqedonia dhe Mali i Zi, por 14 herë më pak se Gjermania (2.85 perqind të prodhimit kombëtar) dhe SHBA (2.74% ), 11 herë më pak se Europa e Bashkuar (1.94%), 23 herë më pak se Korea e jugut (4.292%) dhe Izraeli (4. 109%). Nga shpenzimet për kërkim e zhvillim ne lëmë prapa vetëm disa vënde të botës së tretë (Filipinet, Bahrein, Kazakistanin dhe Algjerinë).

Kthimi në formën fillestare të Akademisë së Shkencave nuk do t’i pengojë pedagogët dhe punonjësit shkencorë të universiteteve të mirren me kërkime shkencore, si teorike edhe eksperimentale dhe shëmbujt për këtë nuk kanë munguar. Kërkime shkencore (madje kërkime të një niveli të lartë në fushën e albanologjisë) në Shqipëri janë kryer si para dhe pas themelimit të Akademisë nga pedagogët e universitetit dhe shkollave të tjera të larta. Ngritja e Akademisë, nuk i pengoi pedagogët dhe punonjësit e universitetit të Tiranës, të Institutit të Lartë Bujqësor dhe qendrave e stacioneve kërkimore jashtë sistemit të Akademisë së Shkencave të vazhdonin kërkimin e të krijonin. Kjo mund dhe duhet të ndodhë edhe sot.

Nelson R. Çabej September 3, 2016 13:02
Komento

9 Komente

  1. Stef Staku September 3, 16:39

    Artikull i dobët. Në USA keni NASA institucioni kombetar i kërkimit shkencor.

    Reply to this comment
    • Tomori September 3, 18:33

      NASA jane inicialet e agjensise amerikane per studimin e hapesires ( National Aeronautics and Space Administration ).,
      Ajo nuk eshte akademi shkencash por nje agjensi ngushtesisht e specializur per fluturimet kozmike.
      NASA nuk kryen kerkime ne asnje shkence te natyres (fizike, kimi, biologji, gjeologji, mjekesi) as ne ato inxhinierike as ne shkencat shoqerore.
      SHBA kane nje Akademi te Shkencave me funksione shume te reduktuara, por qe nxjerr nje reviste shume te mire shkencore cdo dy jave, Journal of the National Academy of Sciences.

      Reply to this comment
  2. Brandon September 3, 18:05

    Edi Rama duhet ta beje prioritet te qeverise se tij rimekembjen e shkences shqiptare, qe Berisha e shpuri me te vertete ne nivelin zero.
    Kjo eshte nje detyre serioze me rendesi jo thjesht per dinjitetin kombetar, por ne radhe te pare per te perballuar sulmet malinje te shkences se politizuar te fqinjve armiqesore.
    Per Edi Ramen ky eshte nje shans i rralle per te lene nje gjurme te pashlyeshme ne historine tone kombetare.

    Reply to this comment
  3. Raimond vlonjati September 3, 18:44

    E para jane parate , qe Akademia te kete nje fond te mjaftueshem per te bere kerkime shkencore dhe simpoziume shkencore

    Dhe e dyta , qe ne fakt esht e para , duhet qe Kryesia e Akademise te krijoje nje Plan pune per gjith vitin ku te caktohen temat shkencore qe do trajtojn Ajademijey dhe simpoziumet ku do referohen keto tema …
    Dhe ket plan vjetor bashke me koston ne leke qe kerkon ky plan ja paraqet Qeverise shqiptare ne fillim te virit
    Qeveria e shqyrton me specialistet e saj dhe i jep fondet per zbatinin e atij plani vjetor

    Pra gjerat behen me plan , qe edhe parate qe do jape qeveria te dihen ku do vene dhe me kalimin e kohes pastaj krijohet nje eksperience pune ne ket drejtim edhe per qeverine edhe per Akademine

    Dmth gjith problemi esht tek Planifikimi & Paraja

    Porse per kete , duhet qe nje kryesi e Akademise te beje takim me Kryeministrin , pasi me oare akademiket te kene biseduar me njeri tjetrin per ceshtjen se si te shfrytezohen fondet qe do ti jetkohen Kryeminisyrit

    Reply to this comment
    • Nivica September 3, 20:56

      Paraja eshte e treta.
      E para eshte pregatitja shkencore, qe do te thote po ta shkruaj anglisht me qe na shkruan nga Amerika te shkoje “the right person in the right place” e jo te vene krushqit e nipat e mbesat e politikaneve, qe pastaj e bejne akademine vend pellumbash, sic e kane bere.,
      I dyti eshte pasioni
      E treta eshte paraja (ne kohen e tij, Shaban Demiraj beri Gramatiken Historike 2000 faqesh me 50 dollare ne muaj roge). .
      Antaret e Akademise kane nga rogat me te mira ne Shqiperi, por me shume nxjerrin punime ata qe nuk paguhen fare per keto pune se sa “akademiket” tane.

      Reply to this comment
  4. Saliu September 3, 20:09

    Do te duhet kohe e gjate te riparohen demet qe i shkaktoi Saliu kesaj Akademi.

    Reply to this comment
  5. Demosi September 3, 20:24

    Po ne kohen e Aleks Budes pse kishte prodhimtari shkencore te madhe?
    Sa te medha ishin rogat ne ate kohe?

    Reply to this comment
  6. Sharlatani September 3, 23:35

    Eshte e veshtire te gjesh qofte dhe nje fjali te logjikshme ne kete artikull. Per pasoje eshte e veshtire te japesh nje vleresim apo koment serioz per opinionin e paraqitur nga autori. Megjithate, duke e konsideruar artikullin ne teresi si nje fyerje te inteligjences se cdo lexuesi, nuk mund te rri pa i kujtuar zotit Cabej disa fakte.
    1. Qellimi i Akademive te Shkencave ne te gjitha vendet e qyteteruara ka qene dhe mbetet per te vleresuar e promovuar individe te suksesshem ne fushen e shkences ne vendet perkatese, si dhe nje forum per shkembim mendimesh ne rrethet shkencore.
    2. Kerkimi shkencor kerkon fonde te medha e mund te zhvillohet vetem ne vende me ekonomi te fuqishme. Ne Shqiperi nuk mund as te flitet per kerkim shkencor sepse fondet e nevojshme as kane ekzituar e as do te ekzistojne, ne rastin me te mire, per dekada.
    3, Kerkimi shkencor duhet te kryhet ne universitete dhe institucione shkencore te pavarura, private ose shteterore. Mendimi i zotit Cabej, se shteti duhet te dirigjoje kerkimin shkencor nepermjet institucioneve si Akademia e Shkencave apo dhe ministrite eshte i gabuar. Shembulli me i mire per t`u ndjekur eshte ai i Shteteve te Bashkuara, te cilin autori me sa duket nuk e ka per zemer. Eshte e tepert te kujtojme cili eshte vendi pararoje ne fushen e kerkimit shkencor, sporteve, muzikes e kinematografise ndonese nuk ka as ministri apo komitet shkencash, as ministri kulture e as ministri sportesh.

    Reply to this comment
  7. Guri September 5, 15:22

    Para vitit 1990 në Shqipëri kishim shumë institute kërkimore shkencore, në të gjitha fushat. Ato financoheshin nga ministritë përkatëse (Instituti i Kërkimeve të Naftës dhe Gazit financohej nga Ministria e I ndustrise, Instituti kërkimor i Orizit dhe ai i Misrit nga Ministria e Bujqësisë etj.). Pas vitit 1992, me urdhër të Beogradit, të gjitha institutet kerkimore shkencore u mbyllën nga Sali serbi. Mendoj të kthehemi atje ku ishim, sepse ajo i sherben Shqiperise. Te rihapen edhe nje here institutet e dikurshme!!! Akademia e Shkencave dhe universitetet të vazhdojnë si në kohen e regjimin komunist. Nuk ka nevoje per shpikje dhe riorganizime.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*