Për AMSHC-në, AKTI-n dhe shoqërinë civile

Nga Kastriot Frashëri* October 22, 2013 15:16

Për AMSHC-në, AKTI-n dhe shoqërinë civile

Publiku, me siguri nuk i njeh ende, madje shumë prej lexuesve ndoshta nuk u kanë dëgjuar as emrin. Pse? Sepse e tillë, e dobët dhe thuajse anonime, ka qenë performanca e tyre. Bëhet fjalë për dy agjenci të rëndësishme qeveritare: Agjencia për Mbështetjen e Shoqërisë Civile (AMSHC) dhe Agjencia për Kërkimin, Teknologjinë dhe Inovacionin (AKTI).

Për AMSHC-në jam shprehur edhe më parë, por, për fat të keq, askush nga ish-kabineti qeveritar nuk ka reaguar. Kjo agjenci, jo vetëm nuk e ka përmbushur qëllimin për të cilin është krijuar, por si nga përbërja e saj, si nga mënyra klienteliste se si i ka financuar projektet, mund të quhet totalisht e dështuar. Është tashmë domosdoshmëri riformatimi i saj sa më parë të jetë e mundur, për të krijuar nëpërmjet saj, një performancë më të mire dhe shuëm të dëshiruar të shoqërisë civile.

Personalisht, kam qenë një nga të parët kontestues që në momentin e themelimit të kësaj agjencie. Kam qenë kritik me mënyrën sesi u përzgjodhën anëtarët e bordit të kësaj agjencie, të cilët, asnjëherë në jetën e tyre, nuk kanë përfaqësuar shoqërinë civile reale.

Për fat të keq akuzat e mia u vërtetuan më pas: anëtarët e saj, dëshmuan se ishin thjesht pjesë e klaneve të pushtetit. Kjo agjenci e rëndësishme ka mbetur anonime sepse është bërë një strehë për individë të caktuar që të marrin një rrogë apo për disa të tjerë që të kenë mundësi të ofrojnë favore për individë apo organizata të caktuara.

Arsyet e mosfunksionimit të saj lidhen edhe me mungesën e integritetit të anëtarëve të bordit të përzgjedhur nga shoqëria civile, i cili përcakton edhe performancën e këtij institucioni. Si rrjedhim, nisur edhe nga veprimtaria e kësaj agjencie të bërë publike në faqen e saj të internetit, nuk është e vështirë të konstatosh një aparencë të ulët, përsa i përket projekteve dhe organizatave të përzgjedhura nga kjo agjenci.

Konkretisht lista e OJF-ve, të mbështetura financiarisht nga AMSHC janë të parëndësishme, të dorës së dytë, pa ndonjë ndikim në jetën social-politike të vendit. Nuk ka asnjë provë që kjo agjenci të ketë mbështetur apo t’u ketë bërë thirrje organizatave të shoqërisë civile, të cilat kanë dëshmuar se kanë ndikim real tek publiku dhe kanë qenë promotore në mbrojtje të interesave dhe hapësirës publike, në bërjen e politikave dhe strategjive kombëtare për çështje të zhvillimit të vendit.

Ju ftoj të shikoni vendimin e fundit të Bordit Mbikëqyrës të AMSHC-së, të mbledhur, më 02 Prill 2013. Aty njihesh jo vetëm me 61 projektet e shpallura fituese, por edhe me shumën prej 55.405.000 milionë lekë të akorduar për këto organizata. Emrat apo identitetin e tyre vështirë t’i gjesh edhe po të kërkosh në skajin fundor të Arktikut të akullt, por ama i gjen me shumicë në skemën e financimit të borderove të Mira Meksit dhe Rudi Bobratit.

Vëreni pak shumat e financimeve: Të 61 përfituesit janë përzgjedhur kështu: 7 OJF shpërblehen me nga 1.000.000 lekë secila; 4 OJF shpërblehen me nga 900.000 lekë secila; 10 OJF shpërblehen me nga 800.000 lekë secila; 8 OJF shpërblehen me nga 720.000 lekë secila; 3 OJF shpërblehen me nga 700.000 lekë secila; 3 OJF shpërblehen me nga 540.000 dhe 450.000 lekë secila; 4 OJF shpërblehen me nga 360.000 lekë secila; duke vijuar me të tjera shuma që variojnë nga 630.000, 810.000, 400.000, 2.700.000 dhe 1.350.00 lekë me të cilat janë shpërblyer nga 2 OJF.

Kjo skemë shpërblimi, duket qartë se, është hartuar nga një dorë e vetme. Asnjë teori probabiliteti nuk do ta pranonte këtë rastësi. Dhe ajo ndodh për të disatën herë në AMSHC tone.

Është e qartë se në këto projekte të partneritetit dhe bashkëpunimit me AMSHC, mungojnë emrat e shumë OJF të njohura të cilat kanë si objekt të veprimtarisë së tyre minimizimin e problemeve sociale, të mjedisit, institute të ndryshme kërkimore, përfshi këtu edhe institutin që drejtoj, që merren me studimin e çështjeve të brendshme të cilat kanë vazhduar linjën e tyre të bojkotit ndaj kësaj agjencie për të mos u përzier në politikat e saj klienteliste. Por është për të ardhur keq që 1 miliardë lekë fonde në vit, të destinuara për shoqërinë civile nga buxheti i shtetit, të mos shkojnë aty ku realisht është nevoja.

Është qesharake pastaj kur kreu i saj e mbush Raportin Vjetor të Veprimtarisë së AMSHC për vitin 2012 me… intervistat e veta në media (!). Të tipit: AN “ENGLISHMAN” IN TIRANA; Folloë Rudin; Në mikrofonin e BBC; Me mision në Kosovë; etj, etj. Marrina ‘gazetaresh’ prej atyre që gazetarinë e kuptojnë si talent për të thurrur lavde. Duket habi por nga 18 faqe që përmban ky raport zyrtar, në 7 faqe Rudi Bobrati ynë përpiqet të magjepsë me supermacinë e tij jo vetëm atë Bord të cilin përshkrova më sipër, por edhe atë që e katapultoi në këtë post.

Vijmë te pyetja thelbësore: A mundet që kjo agjenci të jetë efikase? E kam thënë edhe më parë dhe po e ripërsëris: Duhet të bëhet urgjentisht rikompozimi i saj, të ndërpritet mandati i anëtarëve dhe qeveria të gjejë një mënyrë tjetër për të shpëndarë këto fonde. Nëpërmjet legjislacionit të klasifikohen llojet e organizatave në kombëtare e lokale, të veçohen sipas natyrës dhe misionit të tyre, duke i kaluar në përgjegjësi administrative, sipas ministrive përkatëse.

 

*****

 

Edhe veprimtaria e Agjencisë për Kërkimin, Teknologjinë dhe Inovacionin (AKTI) e drejtuar nga Ylli Pango, është në të njëjtat ujëra. Nuk kam asgjë personale me zotin Pango. Kam kontestuar qëndrimin e tij despotik qysh në kohën e drejtimit të MTKRS. Atij që njihet si “fenomeni Pango” i kam paraprirë nëpërmjet një editoriali të botuar në disa gazeta rreth 3-4 muaj përpara sesa kamerat të zbulonin bëmat e tij. Fjalët lapidare të Nitzsche: “të vërtetat që fshihen kthehen në katastrofa” janë fiks për rastin e tij.

Por për çudinë tonë nuk ndodhi asgjë, ish-kryeministri Berisha, pas gjithë “aventurave” të Yllit, përfshirë ato të “kërkimit” në psikologji dhe “suksesit” me mbërthecka, e emëroi atë në krye të AKTI-t.

Misioni kryesor i Agjencisë së Kërkimit, Teknologjisë dhe Inovacionit është të vlerësojë, financojë, monitorojë dhe administrojë programet dhe projektet në fushën e shkencës, teknologjisë dhe Inovacionit në Shqipëri. Por deri më sot, megjithëse me buxhet rreth 600.000 milionë leke, nuk kemi dëgjuar që kjo Agjenci të ketë financuar ndonjë projekt të dukshëm dhe kaq të nevojshëm në sektorë të ndryshëm të shërbimeve publike.

Pa përmendur pastaj që sipas qëllimit të saj themeltar, AKTI duhej të ishte shtrirë edhe në fushën e Biznesit të Vogël dhe të Mesëm si dhe në transferimin, modernizimin dhe rinovimin e teknologjive të tyre.

Nuk është e vërtetë që nuk ak patur fonde. Përkundrazi, qeveria nga buxheti i shtetit ka akorduar fonde të konsiderueshme për programet kombëtare të kërkimit dhe të zhvillimit; Për infrastrukturën e kërkimit; për qendrat e ekselencës në kërkim; për transferimin e teknologjisë dhe inovacionin; fondi për kërkuesit e rinj; për programin Brain Gain, etjMe të drejtë lind pyetja: çfarë ka financuar atëhere AKTI deri më sot, përveç udhëtimeve pafund jashtë vendit të z.Pango me pretendimin e “pjesëmarrjes në konferenca ndërkombëtare”?

Do të shtoja se pranë kësaj agjencie janë ngritur dhe funksionojnë dy drejtori: Drejtoria e Programeve Kombëtare dhe Drejtoria e Programeve Ndërkombëtare. A mund të më thotë kush dhe lexuesi i nderuar ta gjykojë vetë, nëse ka degjuar të flitet për ndonjë program, projekt apo nismë konkrete si në aspektin e brendshëm ashtu edhe në atë të jashtëm për të pasuruar apo themeluar një shërbim apo disiplinë të caktuar të shkencës së munguar në Shqipëri?

Pse këta njerëz në krye të këtyre institucioneve? – mund të pyesë me të drejtë publiku. Ndodh shpesh herë, sidomos në vendet me demokraci jofunksionale që pushteti apo individët që kanë marrë mandate për të qeverisur të mos i duan apo afrojnë njerëzit e ndershëm dhe me integritet profesional dhe shoqëror, sepse nuk mund t’i manipulojnë dot për interesat e tyre egoiste.

Por Shqipëria ka të tjerë; nga ata që nuk e kanë shkuar jetën duke rendur pas ndonjë lideri, apo duke iu servilosur për të fituar poste. Njerëz, të cilëve nuk u ka munguar kurrë vullneti, puna, idetë dhe aftësitë profesionale; njerëz që nuk kanë heshtur teksa shihnin të rritej çdo ditë e më shumë një pushtet tribal, ku edhe disa nga ministrat e tij edhe pse pa asnjë pikë merite, apo kontributi shoqëror, nën bekimin shefit të tyre, i kthyen institucionet në “banka personale”.

Shpesh herë përgjatë këtyre viteve, si një person i angazhuar publikisht, i kam pyetur disa prej anëtarëve të ish-kabinetit qeveritar, se si mundet të pranojë vetë PD-ja, të ketë 8 vjet për ministër një “Majlindë” që sfilonte me bizhu, çanta dhe makina lux-i, një “Aldo”, një “Lulkë”, një “Kolloz” apo një… Por teksa heshtnin, shihja pafuqinë e tyre ndaj pushtetit feudal. Disa muaj përpara zgjedhjeve në Parlament, në seancën dëgjimore si një kandidat i pavarur për kreun e KQZ, u sugjerova deputetëve të lexojnë librin “Përse dështojnë kombet” për të kuptuar fundin e udhëheqësit të pangopur me pushtetin.

Në këtë kontekst, e kam theksuar edhe më parë, do të dëshiroja shumë që qeveria e re, dhe kreu i saj Rama, të lexojë qartë votën e shqiptarëve të 23 qershorit si një mesazh për të mos ndjekur kurrë rrugët e qeverisë së shkuar.

 

*Kastriot Frashëri është studiues, jurist dhe drejtor i Institutit të Çështjeve Kombëtare

 

Nga Kastriot Frashëri* October 22, 2013 15:16
Komento

15 Komente

  1. Moza October 22, 15:21

    Z. Frasheri, ju lutem publikoni emrin e anetareve te bordit te AMSHC.

    Reply to this comment
    • horri bulevardit 2 October 22, 18:06

      Bordi Mbikqyrës i AMSHC-së

      Mira Meksi
      Kryetare e Bordit Mbikqyrës
      Henri Çili
      Anëtar
      Lutfi Dervishi
      Anëtar
      Tea Tahiraj
      Anëtare
      Dorjan Teliti
      Anëtar
      Altin Goxhaj
      Anëtar
      Delina Nano
      Anëtare
      Helena Papa
      Anëtare
      Genta Bektashi
      Anëtare

      Reply to this comment
  2. shqipfolësi October 22, 18:54

    Z. Frashëri, keni ngritur një problem shumë të rëndësishëm, që ka të bëjë direkt me ndërgjegjen qytetare dhe atë profesionale. Siç kuptohet vetvetiu edhe nga emrat e AMSHC-së dhe AKTI, personat janë të punësuar diku ose të vetpunësuar dhe marrin dhe ofiqe të tjera nëpër agjenci, si shpërblim…apo në rastin Pango, si “dëmshpërblim” për bëmat e tij si Ministër!!!
    Pra gjithçka përqëndrohet vetëm në disa duar “të shkathta” që lëvizin gjithë politikat dhe gjithë fondet sipas tarafeve…dhe ne presim të ndryshojnë gjërat?…Ju me të dretjë rekomandoni librin “Përse dështojnë kombet”, po kujt ia rekomandoni???…Atyre që kanë vite e vite që kanë hequr dorë nga ndërgjegja dhe përgjegjësia qytetare? Atyre që xhepat i mbushin me fondet civile? Atyre që nuk duan t’ia dijnë më për të vërtetat, por i thurin lavde vetes dhe luksit personal?

    Reply to this comment
  3. Eno S October 22, 21:42

    Nje shkrim shume i goditur. Une e njoh personalisht z. Frasheri prej pothuajse 20 vitesh dhe mbaj ne memorien time respektin me te larte, sepse eshte ashtu sic e kam njohur qe ne fillim. Nuk ka njeri me te thjeshte, me te mire, me te dashur, me pune mbaruar dhe inteligjent. Njerez si ai vijne ralle ne kete jete. Ju pyesni zotin Frasheri se kujt ia ka rekomanduar librin “Përse dështojnë kombet”??? Mendoj se ai ua ka sugjeruar atyre pushtetmbajtesve, duke u percaktuar edhe fatin e tyre per dobesine e pangopesine ndaj pushtetit, dhe fundi i tyre nuk vonoi te vinte pas disa muaj.

    Reply to this comment
  4. Adelajda October 22, 21:49

    Zoti Frasheri ka te drejte. Eshte nje klase e pangopur pushtetaresh apo te aferm te tyre qe pasurohen pa u hyre gjemb ne kembe dhe Shqiperia vazhdon te qendroje si ne mesjete.. Dje, ambasadori i BE, z. Sequi deklaroj se ne 7 vjet BE ka dhene per mjedisin 140 milion Euro te cilat nuk dihet ku kane perfunduar dhe vendi yne vazhdon te qelbet cdo dite e me shume. Cuditem se cfare prova duhet te jape me shume Kastrioti per veshet apo syte e Sali Berishes, Edi Rames, Ilir Metes, Presidentit apo akuzes shqiptare per keta matrapaze dhe hajdute kaq ordinere.

    Reply to this comment
  5. Entela October 22, 22:00

    Ylli Pango, Henri Cili, Artan Hoxha, Majlinda, Jorida, Laura & co jane te gjithe prerje e Profesor Pangos servirur Berishes dhe pranuar prej tij ne emer te shpetimit, por shkoj vete ne gropen qe i hapi PD me KOP-in e famshem. Nje shkrim i artikuluar qarte, me kurajo dhe dashuri per kete vend nga Kastriot Frasheri. Cudite ne kete vend nuk paskan te sosur!

    Reply to this comment
  6. uran toptani October 22, 23:35

    Me vjen vertet keq qe zoti Frasheri te mbetet jashte insitucione kryesore te shtetit. Per mendimin tim ai e ka merituar qindra here me sherbimet e medha qe ka bere per shoqerine shqiptar dhe mbrojtjen e interesit publik te kete vendin e tij ne historine e shtetit demokratik shqiptar te mbajtur peng nga kjo klase feudalesh. Pershendetje te perzemerta Z. Frasheri per kete artikull kaq te bukur dhe te argumentuar!

    Reply to this comment
  7. Mblesi October 23, 02:29

    Kontrolli i larte i shtetit duhet të vejë menjeheré ne keto dy organizma te krijuara per hajdutet dhe jesmenët e pushtetit! Nderime z. Frasheri!

    Reply to this comment
  8. patrioti October 23, 08:23

    z.Frasheri eshte vertet me zotesi dhe integritet te larte personal. E keqja qendron te vet e “keqja” qe eshte sunduese ne vend. Prandaj duhet realisht ” Rilindje” te pakten per femijet dhe pasarrdhesit tane. Tamam si ne kohen e ” Frasherve te pare”. U befte me mire?!.

    Reply to this comment
  9. Pëllumb zaimi October 23, 08:40

    Nje shkrim i bazuar ne fakte dhe i shkruar me vërtetësi. Ne këto dy agjensi te korruptuara dhe me përbërje servilet dhe jesmenët e pushtetit duhet te shkoje menjeherë auditi i brëndshëm i kryeministrisë, kontrolli i larte i shtetit dhe ndoshta edhe struktura te tjera kontrolluese. Publiku kërkon transparencë!

    Reply to this comment
  10. vezhguesi October 23, 14:13

    Ky drejtori Bobrati paska probleme serioze me vehten 🙂 Ajo qe thote shkruesi i artikullit eshte e vertete. Ki drejtori ka futur ne raportin vjetor te veprimtarise se AMSHC nje interviste qe jo vetem ska lidhje me objektin e kesisoj raporti, por edhe e trajtuar ne menyre te vecnate do mund te etketoj thjesht deziluzioniste

    Reply to this comment
  11. Laura October 23, 14:57

    Si ka mundesi o Zot, qe vetem sharlatanet dhe hajdutet bejne prokopi ne kete vend te mjere, Kudo i vene te paret. Eshte skandaloze ajo qe thote Z. Kastriot, nga vezhgimi i tij i holle ne kete analize brilante, qe injoranca eshte ulur kembekryq ne zemer te nje agjencie kryeministrore, qe Raporti zyrtar i ketij institucioni te mbushet me intervistat e Rudit dhe bordi i Mires te duartrokase…!!? Ky vend nuk behet me keta horra.

    Reply to this comment
  12. Dritan October 23, 23:22

    Te vjen keq teksa njihesh me probleme te tilla kaq te renda per shoqerine shqiptare, me reagime dinjitoze qe pak njeres kane guximin te thone te verteten, por per cudi per keto fakte skandaloze asnje jehone apo publicitet, si dje ashtu dhe sot, nga mediat e tjera. Si ka mundesi qe keto drama korruptive i fshihen shoqerise nga ai pushtet i katert qe ka per mision transparencen dhe informimin? Me ka bere shume pwershtypje ky fakt. Madje pame dje ne nje televizion te ftuar ne emisionin informativ ne studio nje studente siriane, e cila me disa shoqe te tjera kishin protestuar perpara ambasades Ruse per mbeshtetjen ndaj Sirise, dhe nuk pame te ftohej ne studio, nje intelejtual dhe publicist i njohur, drejtuesi i nje nga institucioneve me te rendesishme te shoqerise civile ne Shqiperi, si zoti Frasheri, i cili edhe pse ka komunikuar ne menyre korrekte me publikun, duke demaskuar jo vetem korrupsionin, por edhe injorancen ne agjencite shteterore duhet te harrohet!!

    Reply to this comment
  13. LBS October 23, 23:48

    OJQ apo Shoqëri Civile
    Në artikullin “Për AMSHC-në, AKTI-n dhe shoqërinë civile” problemi ekonomikisht ka dalë i qartë, veçse në vend të “rikompozimit” të AMSHC-s do të thoja që Qeveria nuk ka fare nevojë për bedela si kjo agjenci për shpërndarje parash për organizatat OJF (ish-OJQ) që mbushën vendet tona me ardhjen e demokracisë. Si lexues na intereson të mësojmë edhe për dy aspekte të tjera të këtij problemi. I pari është roli që luajnë OJF-t që financohen nga shteti apo të huaj. Ka vende që kanë përvoja të hidhura nga ndonjë OJF jo vetëm për larje parashë, por edhe për misione të tjera nën rrogoz. Si është gjendja tek ne?! I dyti është pozita shoqërore e OJF-ve. Nga artikulli duket sikur ato janë shoqëria civile kur në të vërtetë ato vetëm shfaqen si shoqëri civile ose përpiqen të jenë pjesë e saj. Në fakt nuk janë e njejta gjë. Individë ose organizata të shoqërisë civile (lëvizje shoqërore) nuk kanë lidhje me pushtetin, nuk financohen nga askush, nuk kanë mjete ekonomike, ose burime të tjera të mjaftueshme për të ushtruar aktivitet në kurriz të tjerëve dhe nuk bëjnë pjesë tek organizatat bamirëse. Ato ngrihen mbi baza vullnetare dhe nuk synojnë pushtetin, por e kontestojnë atë për korrigjimin e padrejtësive…. Shoqëria civile është zë i pavarur në mbrojtje të interesave të popullit, të zhvillimit të vendit e të forcimit të kombit. LBS, 23 tetor, 2013.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*