Për evgjitët, miqtë tanë të mirë historikë

November 4, 2019 13:26

Për evgjitët, miqtë tanë të mirë historikë

Elmaz Puto

Në këtë shkrim të thjeshtë që i kushtohet njerëzve të thjeshtë dhe të mirë, evgjitët, mund të mos thuhen shumë gjëra, por jam i bindur që nuk mungon respekti, nostalgjia dhe dashuria për shokët tanë të jetës, prej të cilëve shpirtërisht, jo vetëm si person, por të gjithjë ne gjirokastritët  nuk u larguam kurrë.

Që në fëmijëri e në rininë tonë me shokët e mi të lagjes: Elmaz Zani, Hektor Vehbi, Zeqir Mezini, Vangjel Karai, Zihni Sinani etj., u shoqëruam dhe miqësuam me shumë bashkëmoshatarë evgjitë. Në marrëdhëniet tona të pastra nuk njihej përbuzja ndaj tyre. Në atë transformim të jetës asokohe përmbyseshin mentalitete që edhe sot nuk vihen në dyshim. Në këtë kuptim ne të rinjtë ishim, sigurisht,  më të përparuar se prindërit tanë. Edhe vetë përmbysja e sistemit monist shumë vite më vonë do të vinte pas një çiltërsimi të madh të marrdhënieve rinore, të shkollimit masiv, të hapjes së atyre dritareve të vogla siç ishin televizioni dhe letërsia.

“Dervishbej” quhej lagjia ku banonin shumica e tyre në Gjirokastër. “Gropa e Jevgjitëve” dëgjoja të thoshin shpesh të moshuarit. Ekzistonte në fakt  një mentalitet fyes i trashguar ndaj evgjitëvedhe për hir të së vërtetës duhet të theksoj që propaganda e kohës së monizmit e luftoi atë. Ata ishin shtresa më e varfër e shoqërisë. Shtëpitë e vogla përdhese në lagjen e tyre, ishin ngjitur me njera-tjetrën. Ato shtriheshin nga ato buzë xhades automobilistike gjer lart në kodër. Në anë të xhades shiheshin gratë që lanin enët e kuzhinës dhe në disa magje druri teshat. Fëmijët e tyre pa këpucë dhe të veshur keq laheshin aty buzë xhades automobilistike.

Origjinën e këtyre njerëzve nuk e dinim, askush nuk e dinte. Edhe në ditët e sotme mungojnë studimet e mirëfillta shkencore për origjinën e tyre. Ka patur disa shkrime ku thuhej se evgjitët kanë ardhur shekuj më parë nga Egjypti, të tjerë kanë mbrojtur tezën se janë me origjinë indiane etj. E saktë është fakti që ata jetojnë vetëm këtu tek ne në Shqiperi dhe në disa vënde të Ballkanit, janë të integruar plotësisht me vëndasit, flasin mirë gjuhën shqipe dhe e kanë atë të vetmen gjuhë të tyre. Evgjitët janë njerëz punëtorë dhe socialë. Zanatet më të preferuara të tyre kanë qenë kovaç, këpucar, bakërxhi, hamall por edhe bujq, etj. Gratë dalloheshin për nikoqirllëkun dhe pastërtinë. Mjaft prej tyre punonin si shërbyese në familjet e pasura gjirokastrite.

Evgjitët me bijtë e tyre më të mirë ishin pjesë e idealeve të lirisë, iu bashkangjitën formacioneve partizane në luftën e lavdishme ANÇl. Me qindra djem prej tyre morën pjesëaktive në luftën për çlirimin e Atdheut dhe dhjetëra prej tyre ranë dëshmorë në fushën e betejës. Vetëm nga lagjia “Punëtore” dolën partizanë Dalip Dalipaj, Resmi Musta, Gani Osmani, Latif Babeli, Demir Tushe, Shaqo Haxhiu, Xhafer Hadëri, Nezir Sufati, Zia Dalipi. Po nga kjo lagje ranë dëshmorë: Zimbile Sabia, Reshat Sufati, Lulush Xhezo, Çobo Çeno.

Asnjë nga evgjitët nuk iu bashkua koloboriacionistëve, “Ballit Kombëtar” apo “Legalitetit”, bashkëpunëtorë të nazi-fashizmit.

Gjer aty nga viti 1950 kovaçana e Qato Jevgjitit, që ndodhej pranë Qafës së Pazarit, ishte asokohe qendra dhe zona më e populluar e qytetit. Aty grumbulloheshin çdo ditë dhjetëra bujq dhe fshatarë të krahinave të Gjirokastrës, që vinin për të mprehur veglat e punës ose për të blerë të reja. Gjer poshtë sheshit “Çerçiz Topulli” dhe në gjithë pazarin oshëtinin të rrahurat e çekiçit dhe varesë mbi kudhrën ku rrihej hekuri i skuqur gjersa merrte formën e veglës që mjeshtri kërkonte të përgatiste. Qatua dhe Nimeti si mjeshtra dhe ndihmësat e tyre  mezi ia delnin të plotësonin gjithë nevojat për vegla pune. Ne të vegjëlit e asaj kohe nga kërshëria shkonim afër kovaçanës dhe shikonim nga një lartësi aty pranë, si punohej aty brenda. Mjeshtri me një dorë nëpërmjet një dare mbante hekurin e skuqur dhe me dorën tjetër rrihte me çekiç aty ku ndihmësi duhej të godiste me vare. Shkëndijat që lëshonte hekuri i skuqur pas goditjeve nuk u bënin fare përshtypje njerëzve të kalitur të kovaçanës. Veglat aty nuk përgatiteshin duke shtypur një buton, por duke derdhur shumë djersë njerëzore. Ndihmës kovaçët gjatë verës kur visheshin me një kanatjere, i shikonim me zili për muskulaturën e krahëve të tyre dhe ëndërronim që një ditë të bëheshim të fortë si ata, por sigurisht nuk do të na pëlqente të bënim punën e tyre.

Gjatë viteve të socializmit evgjitët u trajtuan njëlloj si të tjerët. Në jo pak raste u vendosën në pozita drejtuese ekonomike dhe politike, si nëpunësa nëpër zyrat administratve, mjaft prej tyre mbaruan shkollën për mësuesi, disa u veshën oficerë në ushtri e polici etj. Nuk munguan të dalin dhe talente në sport e muzikë, njeri prej tyre më i shquari ishte ylli i skuadrës së futbollit “Luftëtari”, Sefedin Braho, që ishte njëkohësisht dhe nga më të mirët e ekipit kombëtar në vitet ‘80 etj. Me emër ishte në Gjirokastër  dhe në të gjithë vendin orkestra e familjes Mastora. Vasili, kryetari i familjes, të tre djemve dhe vajzës, pas disa vitesh punë plot pasion, i mësoi secilit një vegël muzikore. Fama e asaj orkestre u rrit shpejt. Vasili në fillim përdorte klarinetën, pastaj dhe gjer në fund të jetës violinën, kurse klarinetën e trashëgoi Spirua që u bë i njohur jo vetëm në Gjirokastër, por në të gjithë vendin dhe vite më vonë, në shtetin grek ku do të emigronte.

Duke dalë paksa tej Gjirokastrës, nuk mund të mos përmend faktin se Spirua, Myslimi dhe të tjerë klarinetistë të afirmuar e admiruar nga të gjithë, “Perëndinë”e tyre e kishin në Përmet, ku rronin shumë nga vëllezërit e tyre. Ky talent i rrallë ishte Laver Bariu, klarinetisti virtuoz, me timber muzikor të jashtëzakonshëm. Në skenat shqiptare dhe ato të huaja Laveri la mbresa të pashlyshme dhe mbeti në histori si një nga korifejtë e klarinetistëve shqiptarë, në mos më i shquari ndër ta!

Disa vite pas çlirimit të Atdheut, lagjes së evgjitëve iu dha emëri “Lagjia Punëtore”. Shtëpitë kasolle e antihigjenike të dikurshme u zëvëndësuan me aparamente të reja, ku u strehuan mjaft prej tyre, ndërsa shumë të tjerë u ndihmuan për të ndërtuar shtëpi të reja. Të gjithë njerëzit e aftë për punë burra dhe gra gradualisht, u sistemuan të gjithë në fabrikat dhe ndërmarjet ekonomike që u ngritën në Gjirokastër. E vërteta është që askush më parë nuk ishte interesuar për ta si shteti socialist!

Në lagjen Pllakë, ku banoja, që shtrihet mbi “Lagjen Punëtore” kishim pranë disa familje evgjitësh. Shtëpia jonë ishte nga më të mëdhatë e qytetit. Ajo ndahej midis familjes sonë dhe asaj Hajro. Ngjitur ishte shtëpia e familjes Kuçi. Ishim pranë njeri tjetrit në gëzime e hidhërime. Marrëdhëniet me ta ishin nga më të mirat. Jepnim e merrnim me njeri-tjetrin, shkëmbenim me ta edhe një filxhan vaj, një kokërr qepë, apo një lugë kafe. Asnjëherë nuk pati acarim në marrëdhëniet tona.Vite përpara, në kohën e Zogut, një nga djemtë e familjes Hajro goditi me gurë dhe e qorroi nga njeri sy një fëmijë të familjes Kuçi, Qemalin, djalin e madh të gjitonëve. Edhe pas kësaj ngjarje të dhimbshme marrëdhëniet tona te mira nuk u prishën. Konflikti u zgjith pa gjykatë dhe me mirëkuptim. Shemsho Hajro, një burrë autoritar, i njohur si patriot dhe antizogist, shkoi në familjen e Kuçëve u kërkoi falje dhe u ofroi dëmshpërblim, u dha zarfin me napolona, që u pranua prej tyre, por Qemali atë aksident e vuajti gjithë jetën.

Djali tjetër ishte Shefqeti, që kur u rrit u bë një burrë serioz, vishej shik, gjithmonë me rroba të hekurosura dhe këmishë të bardhë, pasditeve pas pune shihej me violinë në dorë, ishte gjithmonë i kërkuar nëpër dasma e ahengje, si mjeshtër për atë vegël muzikore. Vëllai i tretë, Selimi i binte kitarës, ndërsa më i vogli, Hiqmeti, bashkëmoshatari im, kishte filluar të përdorte fisarmoniken dhe për moshën kishte përparuar jo keq. Në shkollë me Hiqmetin ishim në një klasë. Ishte dhe ai një nxënës i mirë. Pasi mbaronim detyrat e shtëpisë dilnim në oborr ose në kopsht për të luajtur. Shpesh i kërkoja të merrte me vete dhe fisarmonikën. Një here i kërkova që të më mësonte dhe mua diçka me veglën e tij magjike. Filluam, por nuk vazhduam gjatë. E kuptova që “s’ia thoshja” dhe hoqa dorë. Por nuk ishte vetëm Hiqmeti shok i imi. Myslimi, kushëriri i Hiqmetit, që do bëhej mjeshtër i klarinetës, Halimi, Fejziu, ishin gjithashtu shokë të mi. Sidomos ditët e shtuna e të dielave ose ditët e rrogave tek gjitonët me orë të tëra gjëmonte orkestra. Ne nuk bezdiseshim aspak sepse muzika ishte e këndshme. Ata dëfrenin për vete por na sillnin edhe neve kënaqësi, aq sa kur kalonin ditë dhe tek gjitonët kishte qetësi, merakoseshim se çfarë mund të kishte ndodhur.

Miqësi të veçantë kisha me Drago Jaupin. Së bashku me të dhe 15 të tjerë nga qyteti shkuam për tre muaj rresht gjatë dy ose tre viteve, për të jetuar në “Preventoriumin” e Sarandës. As atëherë e as më vonë nuk e kuptuam pse u quajt kështu. Me një makinë të seksionit të shëndetësisë dhe shofer Koço Papazisin, makinë që kishte formën e ambulancës, por që kishte brenda vetëm disa stola të fiksuara, shkonim në Sarandë. Gjatë gjithë rrugës këndonim këngë polifonike gjirokastriçe, mundoheshim të imitonim sadopak më të rriturit. Kushtet e jetesës në godinën ku do jetonim, ishin për ne të varfërit një mrekulli. Pa dyshim ato muaj kanë qënë më të bukurat e vegjëlisë. Ushqimi nuk kish të krahasuar me atë që kishim në shtëpitë tona. Aty vazhdonim dhe shkollën, shijonim klimën detare, mësonim dhe të vallzonim. Në strehën tonë të Sarandës, kishim dy kujdestare, ishin dy vajza të rritura. Ato banonin në një nga dhomat pranë nesh. Në kohën e lire na organizonin aktivitete çlodhëse të ndryshme. Një nga këto ishte dhe mësime vallzimi. Me një gramafon, ku viheshin pllaka me muzikë vallzimi, kujdestaret na dhanë mësimet e para. Në Sarandë asokohe ekzistonte një spital, në mos gabohem antituberkular, ku kryesisht kuroheshin të rinj në moshë. Ditët e shtuna në mbrëmje aty organizoheshin mbrëmje vallzimi. Kujdestaret tona kurdoherë ishin aty të pranishme. Meqenëse nga aktiviteti do të ktheheshin vonë natën, për të shmangur gojët e liga u duhej dikush si shoqërus. Ky fat më takoi mua. Në atë kohë isha rreth 14 vjeç. Në një nga këto mbrëmje më tërhoqi vëmëndjen një vajzë zeshkane. Ishte evgjitkë. Krijesë më të përsosur në Gjirokastër dhe Sarandë, gjer atëherë, nuk më kishin zënë sytë. Duhej të ishte rreth 16 ose 17 vjeçe. Doja shumë të vallzoja me të, por nuk kisha kurajo të shkoja ta kërkoja. Mbas shumë hezitimeve, me nxitjen e kujdestares, sa filloi muzika e vallzimit u nisa drejt saj, por dikush tjetër e “rrëmbeu” para meje. U ktheva tek vendi im duarbosh, i mërzitur, dhe ndiqja vallzimin e saj. Vajza e bukur nuk do kalonte shumë kohë, duke parë ndoshta mërzitjen time, erdhi vetë dhe më kërkoi. Isha si i dehur dhe nuk doja që ai vallzim të mbaronte kurrë. Gjatë gjithë javës mezi prisja të kalonin ditët qëtë vinte e shtuna për të vallzuar me evgjitkën e bukur. Por një të shtunë nuk e gjetëm aty. Mesa duket ishte shëruar dhe ishte kthyer në shtëpinë e saj. Më mbeti në kujtesë bukuria e asaj vajze, por edhe debati gjer në grindje i vajzave kujdestare. Për njerën nga ato, vajza interesante që na u largua, sado e bukur, “jevgë ishte”, kurse për tjetrën, ngjyra e lëkurës dhe raca nuk donin të thonë gjë. Nuk dija asokohe çfarë ishte racizmi, por nisur nga bukuria e vajzës isha me mendimin e kujdestares më të përparuar në mendime.

Ajo që më ka bërë më shumë përshtypje, ishte fakti që evgjitët nuk mundoheshin të shfrytëzonin marrëdhëniet shoqërore për të përfituar diçka, siç mund të bënin shumë të tjerë. Binte në sy thjeshtësia dhe sinqeriteti i tyre. Nuk bëheshin të bezdisur në kërkesat e tyre kur shikonin që mundësitë për t’i ndihmuar nuk i kishe. Nuk flas për tipa të veçantë, se të tillë gjen kudo. Më ngeli gjithë jetën në kujtesë një ndodhi me një mikun tim evgjit O. S! Më erdhi një ditë në zyrë dhe më kërkoi ta ndihmoja për një hall familjar. Ishte shumë i shqetësuar, në vështirësi ekonomike ndër më të varfrit dhe me katër fëmijë. Mu dhimbs dhe i premtova se do të bëja çmos për ta ndihmuar… Por sado që u mundova, nuk “katranosa” gjë, por vazhdoja të mendoja se më vonë diçka mund të bëhej. Kishin kaluar disa muaj dhe një ditë prej ditësh e takoj atë në rrethana jo të zakonshme…

Në institucionin ku punoja në fillim të viteve ‘70, meqënëse isha më i riu në moshë, në disa raste nuk tepëronte mjet për të lëvizur dhe detyrohesha të merrja autobozin e linjës, për të shkuar diku që më kërkohej. Në një nga këto raste pasi kisha mbaruar punë në Derviçan, një fshat i Dropullit afër qytetit të Gjirokastrës, dola në xhaden kryesore të prisja ndonjë mjet të rastit për t’u kthyer në qytet. Një makine transpoti mallrash që po afrohej i ngrita dorën. Ndaloi para këmbëve të mia.

Hip, dëgjova zërin e shoferit! Vura duart tek spondi i karrocerisë, këmbën tek goma e “ Zisit” dhe u ngjita. Makina ishte mbushur me gurë për ndërtim. Në krye të karrocerisë ishte një spond prej drrase ku ishte ulur njeri nga punëtorët e ngarkim shkarkimit, dy të tjerët ishin në kabinë me shoferin. Pasi zura vend, vura re që njeriu i karrocerisë ishte pikërisht hallexhiu që priste nga unë ta ndihmoja. Pasi u përshëndetëm më vështroi me habi. Të kanë shkarkuar më pyeti? Kjo ide me siguri i erdhi sepse e dinte mirë që në karrocerinë e makinës të ngarkuar me gurë, nuk do denjonte të hipte as brigadieri i gurores e jo më një sekretar partie, siç isha unë asokohe. Kur i thashë që nuk më kishin shkarkuar, u bë gati t’i fliste shoferit të shkoja në kabinën e tij, por sigurisht që nuk mund të pranoja.

“Do më falësh, i them që nuk e mbajta premtimin për hallin që ke. Të besoj që përpjekje ke bërë, por të paktën të më kishe thirrur qoftë edhe për përgjigje negative, për korrektësi”-  m’u përgjigj ay qetë-qetë!

Isha i zënë në faj dhe një mësim nga njeriu i thjeshtë i punës e kisha marrë.

Gjirokastra e atyre kohërave, kishte të paushqyer mirë, të keq strehuar,  të keqveshur, por lypsa nuk kishte. Asnjë evgjit nuk shikoje të lypte. Nëpunësit e shtetit, si ata të kohës së Zogut dhe më pas, zyrtarë të administrates, mësuesit, mjekët etj. nuk kishin vetëm kulturë profesionale, kishin dhe edukatë qytetare. Mbizotëronte mendimi se të gjithë janë njerëz dhe duhet të rrojnë si të tillë. Përbuzja ndaj evgjitëve, racizmi, kur ngrinte kokë nuk përkrahej nga opinioni. Tregonin që 50 vjet më parë, një grua evgjite lindi një fëmijë në papajtushmëri me jetën, pesha e tij mund të ishte 600 ose 700 gram. Personeli i spitalit çuditej me optimizmin e doktorit për ta bërë njeri atë “copë mish”, siç karakterizohej, por doktor Vasil Jorgji, themeluesi i shërbimit pediatrik në Gjirokastër dhe shefii saj për 32 vjet, atë fëmijë e mbajti në spital tre vjet, pastaj ia dorëzoi familjes. Për çudi vocërraku kur ishte akoma në spital e ndjente veten më mirë dhe shpesh e zinte gjumi në xhepin e përparëses së doktorit!

I vetmi qytet ku hamejtë përdornin samar në Shqipëri, ishte Gjirokastra! Nuk kishim dëgjuar që të përdorej diku gjekët dhe jashtë vendit. Terreni i thyer, mungesa e mjeteve të transportit dhe e rrugëve të përshtatshme për lëvizjen e tyre, transporti i mallrave me peshë të rëndë, aq sa mund të mbante në kurriz një burrë i fuqishëm, impononte mbajtjen e samarit. Të gjithë hamejt ishin evgjitë. Më shumë para çlirimit, por edhe më pas, transporti me krahë ushqente dhjetëra familje. Sidomos kur nga Tirana mbërrinte në sheshin e Çerçizit, “Sata”, kështu quhej autobuzi italian i trashguar nga periudha e paraluftës, fillonte dhe konkurrenca e hamejve kush do mund të siguronte ngarkesë. Pasi bëhej një marrëveshje për pagesën, ngarkohej malli mbi samar dhe fillonte udhëtimi. Sidomos kur destinacioni i klientëve ishin lagjet e largëta si Dunavati, Manalati apo Palortoja, lodhja e hamallit ishte e jashtëzakonëshme. Të ardhurat e siguruara nga ky lloj transporti ishin shumë herë i vetmi burim jetese për ata njerëz. Kur hamalli nuk mund të siguronte të ardhura ishte më shumë se dramë për familjen e tij.

Një nga hamejtë që më ka bërë më shumë përshtypje ishte Ymeri. Ky kish banuar në lagjen Palorto. Më kujtohet që puna e tij ishte transporti i bukës nga furra tek “ Kroi i Premtos” nëpër dyqanet e shitjes. Ky njeri si në verë dhe në dimër, në kohë me shi apo edhe me dëborë, ecte pa këpucë, zbathur. Këmbët e tij ishin bërë si shollë, ishin rregjur. Pas çlirimit, kur Enveri kish ardhur për herë të parë në Gjirokastër dhe takonte qytetarë në Qafën e Pazarit, njohu Ymerin, i foli dhe u përqafua me të. Ishin bashkëmoshatarë, bashkëlagjas dhe njheshin mirë me njeri-tjetrin. “Ndihmojeni këtë njeri”, porositi titullarin e rrethit u komentua atë kohë, të ketë thënë Enveri!

***

Megjithë marrëdhëniet e mira me jevgjitët, martesa të të bardhëve me ta, para çlirimit nuk kishte patur. Në vitet ‘60- filloi të thyhet akulli. Disa vajza të shkathëta të bardha u dashuruan dhe u martuan me djem evgjitë si sportistë, muzikantë etj, në kundërshtim me dëshirën e pjesëtarëve te familjes të vajzës. Do të kalonin vite kohë që të rivendoseshin marrëdhënie të mira midis krushqve. Kur vajza dashuronte dhe martohej një djalë evgjit do të ishte fatkeqësia më e madhe që mund t’u ndodhte për familjen e bardhë. Në një rast një pensionist ish-kuadër me përgjegjësi shtetërore, më kërkoi të thërrisja dhe t’i bëja presion një sportisti që të hiqte dorë nga vajza e tij. Kur e pa që nuk u tregova shumë i gatshëm, m’u kthye: “ Sikur të ishte vajza jote, si do veproje?” “Po ta donte vajza, të paktën nuk do kërkoja t’i bëhej presion djalit”, ia ktheva. Ai nuk la gur pa lëvizur gjer sa e hoqi vajzën me forcë duke e dërguar diku në Tiranë.

Pas hapjes së Shqipërisë me botën, martesat me evgjitë, zezakë, arabë, etj. janë bërë një gjë më se e zakonshme, megjithatë mentaliteti i ka rrënjët e thella, akoma ka njerëz, që martesat e të bardhëve me djem ose vajza të racës së zezë, i konsiderojnë si fatkeqësi!

Edhe sot e kësaj dite evgjitët kanë mbetur nga më të varfërit, por si ata të varfër janë më shumë se gjysma e popullsisë. Ka ardhur një kohë që sa më i ndershëm dhe i rregullt me ligjet e shtetit të jesh, aq më i varfër je. Politikanë mashtrus, dredharakë e marifetçinj, pasi i vunë zjarin këtij vendi, përvehtësuan djersën e shqiptarëve, pasuritë e akumuluara nga sistemi socialist në 40 vjet, janë sot nga më të pasurit dhe nuk duan t’ia dine për fukarallëkun e qytetarëve, gjykatës, prokurorë, që abuzuan hapur me postin zyrtar, pa folur për hordhinë e kusarëve banditë që u lejuan nga shteti të grabisin dhe që sot e komandojnë atë.

Urtësia e popullit na mëson se, pa u pastruar më parë organizmat e shtetit nga rrjetat e merimangës që i kanë kapluar ato, nga ata që i kanë hipur në qafë popullit dhe hiqen si shpëtimtarë të tij, pa u pastruar shushunjat që i pinë gjakun fukarenjve hallexhinj, nuk mund të ketë mirëqënie për të varfërit, nuk mund të ketë të drejta të barabarta dhe progres në këtë vend.

November 4, 2019 13:26
Komento

9 Komente

  1. Tartufi November 4, 16:47

    Gjeja me e bukur e ketij shkrimi ,qe nuk eshte shkruar ,por kuptohet thjeshte ,,,, eshte,,, ky evgjit I bardhe I Gjirokastres na flet me nostalxhi per evgjitet e ketij qyteti,,,
    pa koment, Te ishe Puto a te jeshe Puto nuk ka shum ndrishim nga nje race inferiore.,qe nuk kane faj dhe nuk ka vend per sharje dhe perbuzje.

    Reply to this comment
  2. Ylli November 4, 20:17

    O autor i shkrimit qe medemek lufton racizmin duke nostalgjuar kohen e Enverit ….fjala “evgjit” eshte fjale raciste .Duhet shkruar ose shqiptuar “egjiptiane” ,sepse nga Egjipti kane ardhur ne kohen e Perandorise Osmane !
    E verteta eshte qe egjiptianet e Shqiperise jane njerez paqesore e punetore dhe shoqerise shqiptare si kane shkaktuar kurre probleme .
    Kuptohet qe mbas kaq qindra viteve ne Shqiperi ata jane shqiptare e shkuar shqiptarit .
    Une personalisht nder shoket dhe miqte e mi me te mire i kam nga ky komunitet i nderuar .
    Sa per racizem….racizmi eshte produkt i injorances !!

    Reply to this comment
  3. Miron Goliku November 5, 13:29

    Pergjigje per z. Ylli.
    Sapo e lexova shkrimin e z. Elmaz Puto. Nuk jam i befasuar. Sepse shkrimet e tij ngerthejne natyrshem dashurine per njerzit e thjeshte, respektin e pafund per ta. Kjo dashuri e sinqerte, sot e pleksur me nostalgjine per shoket, miqte, per te gjithe te njohurit, me sa dime, ka qene pasaporte e zakonshme e autorit te shkrimit qysh para viteve ’90. Ata qe e kane njohur,kudo ku ka punuar, jane deshmitare te ketij realiteti.
    Edhe ky shkrim eshte gurre e asaj dashurie per njerzit, ne kete rast per evgjitet. Nje himn per ta, qe deri me sot, nuk kam lexuar nje te tille,
    Ndaj te drejtohem z.Ylli. Lexoje dhe nje here, duke lene menjane mllefet, paragjykimet dhe jam i sigurt se do te kesh mendim tjeter.
    Sa per termin “evgjite”, ai eshte perdorur kurrsesi ne menyre fyese, sepse nga fillimi ne fund te shkrimit, per ta flitet me simpati, si shok e miq, njerez te respektuar, qe zoti Puto nuk i ndan nga jeta e tij.
    – Sa per nostalgjine per kohen e Enverit, nuk e di ku e sheh ti Ylli, por me sa duket, ngarkesat politike na ngarkojne kaq shume, sa te bardhes t’i themi e zeze.
    Urime per z. Puto.
    Me shume mirekuptim per ty, Ylli.

    Reply to this comment
  4. Anti-Rryma November 5, 18:57

    Na trego edhe per evgjitet me te tilet u rrit edhe enveri – ahere do ta besoj se shkrimi esht i sinqert dhe autentik.

    Reply to this comment
  5. demo November 6, 19:04

    Enveri nuk donte kerrkend vec vetes.
    Nipin e baba Cenos,Abaz Omarin, qe e rriti,e shkolloi e veshi e furnizoi,,,edhe ne France e mbajti kur i mbroheshin parate qe linte ne kumar,,ky e vrau,i hoqi koken dhe e varrosi pa koke..Te gjithe kushurinjte i vrau..Nuk flas per keta shoket e idealeve,qe i qeroi te gjithe.
    Me ata jevgjitet qe puthej me mall ne Gjirokaster,jepte cfaqje,aktronte.
    Edhe kafsha me e eger ka dhimbsuri per te afermit.
    Por,jo enveri.
    I la femijet te ndare e te percare dhe kenaqej kur grate e tyre kapeshin per flokesh per nje vaske banjo.
    Te shoqes ja ruajti deri ne fund Dokumentin e anetarsimit ne Partine Fashiste,deri sa e zbuloi Sali Berisha kur sekuestroi kasaforten personale.

    Reply to this comment
  6. Dn November 6, 19:28

    U promovuan aq shume sa sot i kemi ne krye te qeverise edhe punet i kemi mut!

    Reply to this comment
  7. I. Emiri November 7, 12:49

    Shkrimi i Elmas Putos “Për evgjitët, miqtë tanë të mirë historikë” mendoj se pershkohet jo vetem nga nostalgjia per vendlindjen e femijerine, por edhe nga dhemshuria njerezore per familjet e thjeshta evgjite te Gjirokastres. Autori shkruan me respekt per ato familje, qe donse kishin lekuren me ngjyre, kishin zemren te bardhe, donse ishin te varfera e mbijetonin me shume sakrifica, kishin dinjitet njerezor e kurre nuk e shtrinin doren per te lypur. Elmazi kujton me nostalgji shoket e miqte e tij evgjite, duke i permendur me emra, qysh nga femijeria, si dhe vlereson me respekt talentet e vecanta ne muzike e sport, ku ata jane shquar. E pergezoj autorin per shkrimin, qe pershkohet teresisht nga thjeshtesia dhe sinqeriteti.

    Reply to this comment
  8. Guri Naimit D.(Dh Xh) November 7, 19:39

    Gjithe te mirat zoti.apo shoku Elmaz Puto,sa keni shkruajtur per bashkeatdhetaret tane,pavareresisht origjina,nje jete me ta, si vellezer. Nje lagje kemi pasur ne Zavalan te Dangellise Maimjane,me sakte 5 shtepi, me lagjen ne mes te fshatit. Qe te tera do ti harroj, po NENE NEKON; M A M IA e fshatit,qe ne kohen e luftes,nuk do ta harroj. VO. Ma botote ai qe survejon kete faqe,ky, nje vetevuloses te DITA”,qe nuk ma botone disa komente..Ju prite e mira…
    Guri Naimit D.(Dh Xh)

    Reply to this comment
  9. Arben November 9, 10:24

    Qenkan te mire sepse mbeshteten per sllavo-komunizmin ne shqiperi.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*