Për Faik Konicën e njohur e të panjohur

Nasho Jorgaqi May 3, 2015 09:51

Për Faik Konicën e njohur e të panjohur

Me që viti i sivjetëm jubilar i lindjes së Faik Konicës po kalon përshqitas, e ndjeva si nevojë e brendshme t’i kthehem rishtazi për të botuar diçka në nderim dhe në kujtim të tij. Me këtë rast dua t’u sjell lexuesve disa prej konsideratave të dhëna për të nga disa personalitete të letërsisë e të kulturës. Janë këto vlerësime që koha jo vetëm nuk i ka rrëzuar, por përkundrazi i ka vërtetuar e lartësuar më tej. Një poet i madh si G. Apolliner do të shprehej: “Çfarë shpirti fin e të kulturuar kishte Faik Konica.” Kurse Fan Noli shkon më tej kur e quan nga “Campionët më të mëdhenj të indipendencës kombëtare dhe kryekalorësin e gjuhës shqipe.” Gjergj Fishta do ta cilësonte: “Gjykatësi më elegant i letërsisë shqipe.” Vangjel Koça tregohet më realist kur shkruan: “Figurë vigane … [që] natyra e kish pajisur me virtytet më të mëdha, por dhe me të metat më të mëdha.” “Një kryqtar i vetmisë”, e quan Qerim Panariti. Arshi Pipa i qaset ndryshe: “Të tjerët dhanë punën, ai dha tonin.” Kurse studieuesi Luan Rama pohon një të vërtetë kur shkruan “Faik Konica qëndron në rrjedhat e integrimit dhe qytetërimit evropian.” “Model i gjallë i shqipes jo vetëm nga pikëpamja estetike, por dhe e përpunimit të saj”, shkruan Namik Resuli. Kurse Luan Starova kostaton se “Faik Konica, sado që ka qenë i kapluar prej imperativave të Rilindjes shqiptare, i pranonte edhe nxitjet e estetizmit evropian.” Për Janet Byron-in “Faik Konica është i rëndësishëm sot si shembull i jashtëzakonshëm i një njeriu që mundi t’i bashkonte aftësitë letrare me aftësitë gjuhësore.”

Autori i këtyre radhëve i takon atyre punëtorëve të përkushtuar që përpiqet të gjurmojë e të hetoje jetën e Faik Konicës në dritat dhe hijet e saj, por dhe të hulumtojë e të mbledhë trashëgiminë e tij. Sigurisht një punë tepër e vështirë, sado e nderuar dhe e pritshme nga opinioni, që kërkon angazhim serioz dhe përgatitje të denjë për t’iu qasur. Dy janë shtyllat e personalitetit të Konicës që shfaqen para studiuesit: intelektuali dhe njeriu. Për të parin studimet shqiptare kanë hedhur dritë të qartë dhe kanë evidentuar shkencërisht vlerat e tij, kurse për të dytin ndeshen dhe me mjegullina, me të dhëna e gjykime kontradiktore, me kontraste flagrante, me njeriun e jashtëzakonshëm e të rëndomtë, me objektivitet të lartë e subjektivizëm të nivelit të ulët, me njeriun më kompleks të botës intelektuale shqiptare.

Kështu, për studiuesin është relativisht më lehtë të vihet në rolin e gjykatësit të raporteve të Konicës me historinë, por shumë më e vështirë për ta vështruar e gjykuar qenien e tij si njeri. Zbulimi dhe qëndrimi ndaj njeriut Konica paraqitet mjaft problematik. Është fjala për natyrën dhe karakterin, për botën shpirtërore e temperamentin, për raportet njerëzore e për formimin psiko-intelektual, për njeriun si individ dhe atë social. Studimi dhe gjykimi i tyre lypin patjetër psikologun, sociologun, psikoanalistin, që akoma qëndrojnë disi larg ose thuajse nuk arrijjnë të shkelin në këtë fushë djerrë.

auto_F.-Konica1427620269Janë këto vetëm disa mendime modeste që hedh në këtë vit jubilar, për të ngacmur e çuar më tej studimet koniciane në rrafshe të ndryshme. Sa për shkrimet e Konicës që shoqërojnë këtë shënim, janë një takim kalimtar me autorin, me fjalën e tij të mençur e magjike që tingëllon aq e bukur e bashkëkohore edhe sot e kësaj dite.

Por me këtë rast kam nderin dhe kënaqësinë e veçantë t’i bëj të ditur opinionit shqiptar një zbulim historik të dy librave të panjohur të Faik Konicës. Është fjala për dy romane të tij me tema shqiptare, të shkruar në frëngjisht dhe të botuar në Paris në vitin 1911, siç janë romani “Martesa e Lejlës” dhe romani tjetër “Sotiri dhe Mitka”. Ato u nxorën në dritë pas afër 100 vjetësh nga studiuesi i njohur frankofon Fotaq Andrea falë punës së gjatë kërkimore e mbi të gjitha përkushtimit atdhetar dhe formimit serioz shkencor. Ai jo vetëm i zbuloi, por edhe i shqipëroi në gjuhën amtare të autorit me një nivel të lavdërueshëm, duke i shoqëruar dhe me një studim shkoqitës të dokumentuar e të thelluar, dhe tani presin të botohen, por akoma flenë në sirtarin e tij për shkak të pengesave tona burokratike. Por jemi të bindur se Ministria jonë e Kulturës, e cila është vënë në dijeni të këtij zbulimi shumë të rëndësishëm, do të bëjë të mundur botimin e dy romaneve të klasikut tonë të madh për të fituar kohën e humbur e për të shkuar sa më parë në dorën e lexuesve.

 

MOZAIK KONICIAN

Mendime të vogla

(Disa këshilla një djali në Misir që dëshiron të botojë një gazetë shqipe)

I dashur mik,

Në bëfsh gazetën me shkronja të mëdha, shqiptarët do të thonë se s’fshihet dot lehtë; në e bëfsh me fletë të vogla, do të thonë se s’është gazetë, po libër; në e shtypsh me letra [germa-N.J] të holla do të thonë se s’këndohen dhe prishen sytë; në e shtypsh me letra të trasha, do të thonë se je “hamall” e kërkon të mbushësh vende.

Në shkrofsh toskërisht, do të thonë se s’është gazetë për gjithë shqiptarët; në shkrofsh gegërisht, prapë ashtu; në shkrofsh një gjuhë të përzierë me të dyja, do të thonë se s’di shqip; në shkrofsh gjysëm gegërisht, gjysëm toskërisht, do të thonë se është “çervish”.

Në mos shkrofsh për politikë, do të thonë se s’është koha të punojnë për leteraturë kur vendi ndodhet në rrezik; në shkrofsh për politikë, do të thonë se prish punë duke egërsuar qeverinë. Në folsh butë për Turqinë, je i paguar prej Sulltanit; në shkrofsh rreptë kundër Turqisë, kërkon të të japë Sulltani të holla që të pushosh gazetën. Në mos gjetsh të holla që të mbash gazetën, do të thotë se s’je i zoti, me qenë që aq njerëz duan zgjimin e kombit shqiptar. Në folsh për çlirimin e Shqipërisë, do të thonë je djalë e kërkon gjëra që duheshin gatitur një qind vjet më parë; në folsh për nevojën të përpiqemi të shpëtojmë gjuhën dhe kombësinë tonë, duke e vënë vendin nën hije të një fuqie të madhe, s’qënka shqiptar i vërtetë. Në folsh mirë për shqiptarët e vërtetë, hidhërohen shqiptarët muhamedanë; në folsh mirë për muhamedanët, hidhërohen të krishterët; në folsh mirë për të krishterët e për muhamedanët që janë shqiptarë të mirë e ligsht për të ligët, atëherë do të hidhëroheshin të gjithë. Aq për sot, se kam frikë mos të zerë gjumi.

Faik Konica

1901

 

Letër shkrimtarit M.S. Gurra

Më 26 mars 1919

I dashur Milto,

Dy fjalë me vrap të pendës. Letrat tënde i mora, të parën me një vonim mjaft të madh. Më falë që s’u përgjigja gjer më tani: më duket sikur më është mpirë edhe dora, edhe vullneti. Por kujtimi im për mikun e larkmë s’përton: është përditë me ty atje në mes të pyllit…

S’di a ke haber nga ndryshimet e mëdha që janë bërë që kur ike? Bolshevizmi i proklamuar zyrtarisht në Hungari, këtu paratë e huaja dhe ari të zëna nga qeveria, marrëdheniet diplomatike të prera …etj. Me frikë të madhe i prisha paratë e tua.

Me gjithë këto, s’hoqa dorë nga muzika dhe kam shkuar në 14 koncerte që kur ike nga Vjena. Dëgjova ca soneta për piano të Scarlattit, të lozura nga Moriz Rosenthalit; katër simfoni të Mahlerit, të 5-n nën Bruno Walteri-n, të 4-n nën Konorath-in, të 3-n nën Waingarter-in, të 1-n nën Nedbal-in (e para dhe e katërta më pëlqyen më tepër; fundi i së katërtës që përshkruanin muzikën që dëgjohet në parajsë është me të vërtetë i perëndishëm); oratorion e Haydn-it “Krimi” (më pëlqeu aq shumë mënyra me të cilën u këndua sa u kthyesh pas ca ditë dhe e dëgjova për së dyti; stapin e kish në dorë prof Hans Vagner); Sonatën e Kreutzerit (violinist i binte Aubermani, pianos Backhaus-i) të I-n e Bethovenit nën Weingartner-in edhe Erotikën nën Sporin; variacionet simfonike për piano dhe orqestrë të Çezar Franku-t dhe më në funt, po mi krye e sipër një kantatë të qiellëshme të Bach-ut e këndoi baritoni i ngrohtë Pal Bender në stapin e magjepsur të Nedbal-it.

Ecco la fine del Cataloge

Yti me zemër

Faik Konica

 

Mendime të F. Konicës

“Idealizmi mund të dalë vetëm nga dy burime: nga një kulturë e lartë e nga një vuajtje e përbuzshme.

            … Le të mos flasim kundër trimërisë, ajo ka fituar liritë që gëzon sot bota dhe ajo prapë është e zonja të shpëtoj popujt e mposhtur nën zgjedhë.

Shija e gjuhës shtohet me përdorjen e fjalëve të popullit. Këto fjalë fjeshtë shqipe i japin një kripë të veçantë gjuhës dhe do të jetë vërtetë ligsht po të humbasin.

            Në kombin tonë, duket se tërë hollësia e mendjes dhe e zemrës, tërë bukuria e karakterit dhe e sjelljes i kanë rënë për miras gruas.

1915

Luigj Gurakuqi

  U hidhërova shumë duke marrë vesh vdekjen tragjike të Luigj Gurakuqit. Njeri papatriotizëm dhe pa ndërgjegje, armik i bashkimit kombëtar dhe kuptimit modern të shtetit, intrigan, prapanik dhe i errët Luigj Gurakuqi qe tipi më i mbaruar i politikanit ballkanik të shtrembër dhe nuk meritonte aspak nderin dhe famën e një dëshmonjësi. Ai, kushdoqoftë, i cili vuri dhe e vranë Luigj Gurakuqi është pa fjalë një budalla: se duke e kallur në varr n’atë mënyrë dhe në atë rast, varrin e një njeriu të dënushmë dhe pa ndonjë vlerë e ngre në shkallën e monumentit të një martiri.

1925

 

Faik Konica për veten:

   Jam njeri me natyrë emocionale. Mendimi, ndjenja e çastit bëhen fare të zotët e vetes sime…

1906

 

 

Drit’ e shpirtit t’im

(Muzikë e G. Giordanit)

 

Drit’ e shpirtit t’im

Ki pakëz besim

Se pa ty s’rroj dot

Jeta është kot

 

Unë i mjeri heq

Zemra më rënkon

Si s’të vjen keq

Pse më mundon?

 

Fitova moj zembër

 

Fitova, fitova, fitova, fitova moj zembër

Ah mos derdh me lot, ah mos derdh më lot

Nga zgjedh’ e dashurisë shpëtova sot.

 

I flaktë i verbër gjer sot un’ i mjeri

E desha djallushen lumi ment më mori,

Remës marësisht i shkoj tani koha

Zjari i dashurisë mu shua shpëtova.

 

Kur buz’ e saj qeshte zembra më ndizej

Vështronja mpsherëtinja nga malli dot s’flisja

Tani ësht’ i thyer zinxhiri i mërzitshmë

Qeë më mbante lidhur posi skllav i frikshmë.

 

 

Flet Faik Konica

 

Në një silan të Vienës, duke pirë nga një kupë të tretë “Gumbold Skirchnor” po bisedonim me F.K. mbi Partitë Politike të Inglisë, në prill të motit 1915.

            Nga Inglia ishim hedhur në Shqipëri, kur servitori na solli kupën e katërt dhe atëherë unë e pyeta Faikun, a duhet ta kopjojmë në Shqipëri sistemin e qeverimit me anë dy Partish, një konservatore dhe tjetra liberale të cilat hipin në fuqi njëra pas tjetrës sipas votës së popullit. “Jo – tha Faiku – s’është punë që bëhet. S’mund të kemi një parti konservatore në Shqipëri, se konservator do me thënë ay që konservon një trashëgimi të vyer politike. P.sh inglizi është konservator se dëshëron të konservojë Perandorinë inglize, pasurinë inglize dhe institutet inglize që krijuan këtë perandori. Po ne shqiptarët ç’kemi trashëguar dhe ç’të konservojmë? Feudalizmin e bejlerëve, Patriarkalizmin e Malësorëve apo Banditizmin e Fshatarëve?”

            Këtu erdhi servitori dhe solli kupën e pestë, Faiku e zbrazi dhe vazhdoi: “Nga ana tjetër s’mund të kemi as parti liberale, se liberalizmi ingliz i bëri reformat me ngadalë, e zë lepurin me araba, me urt’ e butë e plot tiganin dhe gjersa t’i bëjmë ne reformat si inglizët na piu morri e na hëngri greku e serbi dhe italiani.”

            Servitori, i cili na përgjonte, na solli menjëherë kupën e gjashtë:

            “Jo, or jo, – konkludoi Faiku – nuk duhet të kemi as Parti Konservatore, as Liberale pas mënyrës inglize, se as njëra as tjetra nuk na hyjnë në punë në Shqipëri. Neve nuk na duhen dy partira, por vetëm një, njëzë dhe njëckë Parti revolucionare. Shqipëria është si një shtëpi e vjetër që duhet rrëxuar dhe duhet rindërtuar që nga themelet.”

            Kur ua tregoj miqve këtë bashkëfjalim, të gjithë më shikojnë me dyshim, duke kujtuar që tallem me ta, se të gjithë e dinë Faikun si konservator edhe pak a shumë revolucionare. Po kjo nuk është e vërtetë. Faiku në djalëri kishte kaluar nëpër të gjithë ideologjitë reaksionare dhe jo përcipë e shkel e shko, po kishte hyrë thellë dhe e kishte studiuar me zjarr e pasion Karl Marxin, e dinte në majë të gishtërinjve dhe gjithnjë fliste për atë me respekt si për ndonjë dhaskal të vjetër të djalërisë nga i cili kishte mësuar dhe gjëra mohuese që nuk i besonte që të gjitha. Jo, Faiku nuk ka qenë kurrë konservator a reaksionar. Po ta kruanje pak menjëherë çfaqej revolucionari i vjetër.

Fan Noli

1945

Nasho Jorgaqi May 3, 2015 09:51
Komento

10 Komente

  1. beni May 3, 10:23

    Evolimi i ktij shqiptari mendje ndritur ne kulturat e civilizuara,na nderon te gjithve,pavarsish kohes qe ka jetuar dhe mundimet brenda shpirtit e gjendjes se tij te brendshme ne emigracion!
    Esht shum e veshtire te kuptosh,njerun qe kupton sfidat e integrimit te nje kultere tek tjetra dhe ate qe vazhdon te fleje ose i pergjumur tek e vjetra,qe dashur pa dashur fillon e te armiqsoj kombin duke i bere te evoluarit shejtane te europes apo te civilizimit!

    Reply to this comment
    • ateist May 3, 15:29

      Meso shqip perpara se te shkruash!

      Reply to this comment
      • roberto May 3, 16:19

        Mos ju ligshto “beni-t” se do jete amerikan pe Korce,qe ka mesuar vetem fjalen “evolim” dhe e trajton ne te gjitha rasat!
        Konica mund te kete qene i MADH,o Nasho Jorgaqi,por perderisa ka shkruar ne menyren me te POSHTER per Luigj Gurakuqin,AI ESHTE NJE ZERO ME XHUFKE!!!

        Reply to this comment
      • beni May 3, 16:27

        Ku jemi ne kongresin e drejtshkrimit e profesori kerkon te korrigjoi nxensin?
        Po qe gabim,le ti korrigjojn moderatoret,meqese kan me teper shkolle per gazetari e letersi ose po te duan le ti fshijn fare,po qe se jan ne interes te tyre,por nuk e besoj se keshtu i do mushka drute!
        Shkodranet shkruajn,,,,, asht toskerisht esht ,,,,,,,e ne fund nuk theksohet nga te gjithe tosket?

        Reply to this comment
  2. Endri May 3, 10:43

    Gjenial ne kuptimin e psikologjise se masave dhe te atyre shqiptare ne vecanti.

    Reply to this comment
  3. faikonica May 3, 11:13

    Po me Gurakuqin c`pata

    Reply to this comment
  4. Lalushi May 3, 14:28

    Sa aktuale ,keto fjale te Konices….
    “Shqipëria është si një shtëpi e vjetër që duhet rrëxuar dhe duhet rindërtuar që nga themelet.”

    Reply to this comment
  5. Bardha May 3, 17:12

    Respekt per vepren profesionale, atdhetare dhe qytetare te Fotaq Andres.

    Reply to this comment
  6. demo May 4, 17:02

    Me Konicen fillon shqipja letrare,elegant,aristokrat me nje popull sherretesh,qe ate qe nuk e kupton,e peger,i dhjeri popull bashibozuk,qe respekton dhunen.Lum kush e dhunoi kete popull,se mori urime e lavderime,

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*