Për herë të parë një kurs universitar mbi Trafikimin e Grave dhe Vajzave

May 16, 2018 10:10

Për herë të parë një kurs universitar mbi Trafikimin e Grave dhe Vajzave

 Entela Resuli

Ndonjëherë, vetë media, viktimën e dënon edhe më shumë dhe trafikantin e bën hero… kjo gjë ka ndodhur shpesh në vendin tonë, sidomos kur ka qenë fjala për çështjet e Trafikimit të Grave dhe Vajzave.

Çuditërisht, viktima është shpallur fajtore ndërsa trafikanti ka vazhduar rrugën e tij i qetë, pasi ai ka qenë… “bossi”!

Pas viteve ’90 shumë vajza, viktima të trafikimit janë shpallur “prostituta” pa e menduar gjatë se çfarë mund t’i shkaktoi ky etiketim jo vetëm personit në fjalë, por edhe familjes së tyre.

Për të përmirësuar këtë mënyrë të raportuarit në mediat, me gazetarët janë kryer shumë trajnime nga UN Women, por mesa duket u pa e udhës që mësimet bazë të merreshin në bankat e shkollës dhe jo të mësoheshin rishtas në redaksitë e lajmeve.

Ndaj, për herë të parë, në kurrikulën e fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, Departamenti i Gazetarisë është futur një modul mbi Raportimin e Trafikimit të Grave dhe Vajzave.

Studentet e vitit të tretë ditën e djeshme kryen orën e parë të mësimit.

Erisa Çela

Erisa Çela

Ky kurs do të përmbajë materiale trajnimi, module dhe informacione që janë përgatitur pas një procesi të plotë konsultues të UN Women në bashkëpunim me Departamentin e medias në Ministrinë e Brendshme, akademikë, profesorë të universitetit, student dhe gazetarë – pjesë e Forumit Kundër Trafikimit.

Monitorimet e medias që kemi realizuar në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme dhe mbështetjen e BE-së kanë dalë me rekomandime për nisjen e një kursi në degën e gazetarisë për raportimin e trafikimit, për një kuptim më të gjerë të trafikimit nga gazetarët. Media luan një rol të rëndësishëm në luftën kundër trafikimit dhe dhunës me bazë gjinore, sidomos për sa i takon ndërgjegjësimit të popullatës për përmasat e fenomenit, mënyrat e parandalimit të tij si dhe në lidhje me ushtrimin e presionit pozitiv mbi autoritetet përgjegjëse.

Sipas monitorimeve tona, shpesh është e vështirë që të ruhet një ekuilibër midis profesionalizmit dhe kërkesës për të tërhequr audiencën dhe bërë bujë me lajmin. Ka pasur raste të zbulimit të identitetit të të mbijetuarave, gjë që ka shkatërruar besimin mes medias dhe institucioneve përgjegjëse, pasi ka vënë realisht në rrezik jetën e njerëzve. Po sipas monitorimeve, janë vënë re mbulime sipërfaqësore, përdorim i gabuar dhe jo etik i gjuhës në lidhje me viktimat e trafikimit, mos ndjekje të lajmeve pasi ato ndodhin etj.

Ky kurs është rezultat i një pune mjaft të dedikuar të profesorëve të Universitetit, studentëve dhe gazetarëve. Ka 4 vjet që UN Women po bashkëpunon me median në rang kombëtar për ta bërë çështjen e trafikimit të kuptueshme, jo një temë tabu, për t’u përballur me shkaqet dhe pasojat dhe për të informuar dhe edukuar publikun”- thotë për Dita-n Erisa Çela Menaxhere Programi Politikat, Planifikimi dhe Buxhetimi Përgjegjshëm Gjinor pranë UN Women.

Valbona Sulçe, gazetare dhe eksperte e medias do të drejtoi këtë kurs të rëndësishëm për sa i përket studentëve që shumë shpejt do të dalin në punë, në mos një pjesë e mirë e tyre kanë filluar të angazhohen në media.

Ditën e djeshme ajo pati orën e parë të mësimit.

Për Sulçen ky është një modul i rëndësishëm edhe konsiderohet një fillim i ri për të hedhur bazat e një formimi profesional të gazetarëve të rinj që dalin nga Departamenti i Gazetarisë me njohuri solide rreth problematikës së trafikimit të grave dhe vajzave.

Në këtë intervistë për Dita-n, Valbona Sulçe tregon se cilat kanë qenë problematikat e raportimet në media gjatë këtyre viteve dhe cilat janë rregullat bazë që duhet të mësojnë gazetarët në lidhje me këtë tematikë.

-Valbona, ju do të drejtoni një modul mbi Trafikimin e Grave dhe Vajzave në degën e gazetarisë. Si e mendoni si eksperiencë?

E konsideroj si vendmbërritjen e një përpjekjeje dhe investimi profesional të gjatë që ka nisur që në vitin 2014 me nismën e UN Women dhe mbështetjen e BE-së, fillimisht me monitorimin e medias së shkruar mbi trafikimin, për të vazhduar një vit më vonë me median televizive, shoqëruar me një Udhëzues për raportimin e trafikimit dhe një paketë ndihmëse për gazetarët, ku jam bashkëautore bashkë me eksperten ndërkombëtare Bistra Netkova. Moduli për studentët e gazetarisë është pjesa e fundit e këtij mozaiku përpjekjesh që synonte të prekte të gjitha hallkat përbërëse që kanë ndikim në skenën mediatike shqiptare për raportimin e trafikimit. Megjithatë, po aq sa është vendmbërritje, është edhe një fillim i ri për të hedhur bazat e një formimi profesional të gazetarëve të rinj që dalin nga Departamenti i Gazetarisë me njohuri solide rreth kësaj problematike. Unë jam vetëm një pjesë e vogël e këtij grupi të madh njerëzish që kanë bërë të mundur këtë ndryshim dhe ndihem e nderuar që m’u besua drejtimi i kursit të parë universitar me këtë tematikë.

-Ju jeni gazetare me eksperiencë, keni vite që punoni, por edhe që monitoroni mediat në lidhje me formën se si raportojnë mbi këtë çështje delikate për shoqërinë tonë. Çfarë ka ndodhur gjithë këto vite me raportimet e kësaj fushe?

Nga monitorimet e kryera për dy vite radhazi, vërehet se raportimi për trafikimin reflekton të njëjtat mangësi që vërehen në përgjithësi në gazetarinë profesionale në Shqipëri. Do të thotë, konsultohen pak burime nga gazetarët, mungojnë analizat e thelluara, mungon konteksti i lajmeve mbi trafikimin si dhe ka probleme të rënda etike lidhur me të dhënat personale të të mbijetuarave nga trafikimi dhe etiketimi i tyre. Në disa raste vërehet edhe një kuptim jo i mirë i trafikimit duke e ngatërruar me kalimin e paligjshëm të kufirit apo kontrabandimin e personave si dhe përdorimi i pavend i termave ofendues për viktimat e trafikimit si prostituta. Nga ana tjetër, vërehet një përqendrim i pavend tek historitë e viktimave duke lënë jashtë raportimit keqbërësit ose trafikantët, të cilët janë shkaktarët kryesorë të kësaj dukurie.

Më tej, mungon ndjekja e historive që lidhen me trafikimin përtej ditës së lajmit. Megjithatë, nga monitorimi i parë në të dytin vërehen përmirësime të vogla, sidomos përsa i takon etikës, çka dëshmon se kur punohet me gazetarët dhe ata e marrin seriozisht detyrën e tyre, gjërat shkojnë në vend.

Valbona Sulçe

-Ku ka qëndruar problemi dhe pse nuk është raportuar korrekt?

Nga bisedat që kemi patur me gazetarët në kuadër të këtij projekti, kemi mësuar që redaksitë e mediave në Shqipëri po rendin gjithnjë e më shumë ndaj lajmeve sensacionale, të cilat nuk lejojnë raportime të thelluara. Shumë prej tyre nuk kanë burime të mjaftueshme në dispozicion për të mbuluar një dukuri komplekse si trafikimi. Nga ana tjetër, vetë gazetarët që raportojnë për trafikimin janë kryesisht gazetarë të kronikës që mbulojnë probleme të rendit dhe sigurisë publike, ndërkohë që trafikimi është një problem social me shumë përmasa. Proceset e trafikimit zgjasin në gjykatë dhe humbet interesi për ta raportuar atë. Edhe mungesa e zbatimit të kodit të etikës ka peshën e vet në këtë panoramë.

-Duket se u futën disa terma dhe vështirë të ndryshonin… kaq e vështirë është?

Është e vështirë, sepse ndryshimi kërkon një vetëdije të qartë të gazetarëve për gjërat që janë bërë gabim dhe kanë pasoja në cilësinë e raportimit. Askush deri në monitorimin e parë nuk i kishte kushtuar rëndësi përdorimit të termave. Gazetarët duhet të kuptojnë që përdorimi i termave të duhur është kyç për një raportim profesional dhe korrekt. P.sh për trafikimin, përdoren terma si “trafik”, “trafik prostitucioni”, etj. Kjo nuk e lejon publikun të krijojë një perceptim për përmasat e dukurisë, pasi trafikimi mund të ndodhë për qëllime të ndryshme, ka trafikim për prostitucion, trafikim për punë të detyruar, trafikim për transplantin e organeve, etj. Kemi trafikim të brendshëm , por edhe të jashtëm. Kemi trafikim të të miturve. Ndërsa për viktimat e trafikimit, përdoren terma të papërshtatshëm si “prostituta”. Ndonjëherë vështirësia qëndron në të kuptuarit e rëndësisë që kanë termat, ndonjëherë është e lidhur me rrethana teknike si psh në titrat e lajmeve, pasi siç na tha një gazetar “viktimë trafikimi” është shumë e gjatë, ndaj redaktorët vendosin të përdorin një fjalë më të shkurtër si “prostitutë” (!) duke ia ndryshuar tërësisht thelbin asaj që raportojnë.

-Mendoni se duke e futur si lëndë në fakultet diçka do të ndryshojë?

Sigurisht dhe ky është një besim që mbështetet në radhë të parë në konsultimin paraprak që kemi patur me drejtuesit e Departamentit, në mënyrë të veçantë me Prof. Mark Markun. Ka qenë i gjithë Departamenti që në maj të vitit të kaluar ka diskutuar me shumë përgjegjësi kurrikulën e propozuar për këtë modul, duke marrë për bazë modelin e UNESCO-s, po edhe të vendeve fqinjë si Maqedonia. Një brez i ri gazetarësh që e fillon profesionin me njohuri solide për këtë dukuri është një premisë e mirë për të sfiduar kulturën e kalcifikuar të redaksive që ecin me parimin “ajo që shet, është lajm”.

-Cilat janë ato rregulla bazë që do u mësoni gazetarëve të rinj?

Rregullat bazë që do të mësohen janë mbështetur në praktikat më të mira botërore, duke nisur nga raportimi i trafikimit në kontekst, duke kuptuar faktorët shkakësorë, grupet që e mundësojnë, cilat janë mekanizmat për ta luftuar si dhe një ndarje e qartë midis viktimave dhe trafikantëve. Rregulli bazë është raportimi me ndjeshmëri për trafikimin, duke konsultuar sa më shumë burime, duke verifikuar faktet, duke respektuar të drejtat dhe dinjitetin e personave të prekur nga trafikimi, përdorimi i saktë i gjuhës dhe tonit të raportimit. Më e rëndësishmja, do të mësojnë që trafikimi nuk është një marrëdhënie mes dy personave, por një dukuri më komplekse ku ndërthuren që nga varfëria dhe ekonomia deri tek pozita e gruas në shoqëri, dhuna në familje, etj. Unë hyj në radhën e njerëzve që besojnë fort se një gazetari e mirë është një ndihmesë e madhe në ekspozimin e krimeve të tilla dhe ndërgjegjësimin e shoqërisë për masat që duhen marrë për të mos rënë pre e tyre.

-Na trego për raportimin më të çuditshëm në lidhje me këtë temë, që e keni hasur gjatë punës suaj?

Nuk ka raportime të çuditshme për këtë temë, ka raportime joprofesionale. Meqenëse jemi në prag të hapjes së një kapitulli të ri për raportimin e trafikimit, do të parapëlqeja që raportimet e çuditshme t’i linim tek monitorimet dhe te shohim përpara duke pritur raportime sa më të mira rreth kësaj dukurie.

May 16, 2018 10:10
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*