PËR HERË TË PARË / Zbulohet arsyeja e vërtetë e sherrit turko-grek!
Nga Arkiva
ATHINË, STAMBOLL, BANJA LLUKA – Të gjitha vendet e Mesdheut, sidomos atij Lindor, u zunë pa mendje nga lajmi se tani e tutje, rajoni do të kishte uraganet e veta dhe nuk do t’ja kishte aspak zili Karaibeve, Gjirit të Meksikës, tajfunëve të ishujve të Paqësorit apo cikloneve të Oqeanit Indian. Pavarësisht nëse arsyeja është ngrohja globale apo dënglat lokale, ky është fakt i pakundërshtueshëm.
Burimet për Gojët e Liga bëjnë me dije se pikërisht kjo kapriçio e natyrës është në rrënjë të konfliktit të rindezur turko-grek.
Njerëzimi modern i ka rrahur veshët me emra normalë uraganësh si Katrina, Çarli, Uillma, Sendi etj. Por këto emra të shpëlarë anglo-saksonë kuptohet që nuk kanë vend në pellgun e lashtë mesdhetar.
***
Duke qenë se ishin meteorologët e ngeshëm grekë ata që e vunë re të parët uraganin mesdhetar që sapo formohej, ata zunë rradhën dhe e quajtën fenomenin e frikshëm, Janaq.
“Homologët turq kontaktuan me Athinën në kanale jopublike, për të gjetur një të mesme mbi emërtimin konsensual të uraganit,” thonë burimet, “duke sugjeruar që të paktën mbiemri i Janaqit të ishte mysliman. U hodhën opsione si psh Janaq Gokturk, Janaq Çakmak, Janaq Parvaz etj”.
Por grekët nuk kishin pranuar. Arsyetimi i tyre ishte se përderisa uragani do të krijohej dhe do kalonte vetëm në territorin grek, pagëzimi u takonte atyre.
“Kur të prodhoni uraganet tuaj, vëruani emrat si të doni,” ua prenë grekët, “ne atyre tanëve ua kemi caktuar që tani. Pas Janaqit do vijnë uraganet Qirjako, Ksanthipi, Aristidh, Theofil dhe Sotir. Më tej shohim e bëjmë”.
***
Dhe kaq u desh. Për hir të së vërtetës, më vonë u mësua se Ankaraja e nxorri në det anijen kërkimore Oruç Reis jo për të zbuluar hidrokarbure në fund të detit, por për të kërkuar uraganë. Lista e emrave ishte bërë gati: Uragani i parë, ose uragan-bashi do quhej Rexhep, pastaj do vinin me rradhë Omeri, Jusufi, Hiranuri, Zehraja dhe Kosemi.
Ndërkaq, për t’i kthyer Athinës kusurin, turqit vendosën që nëse ndonjë uragan zevzek kalonte edhe nga Qiproja greke, ata nuk do t’i njoftonin fare fqinjët dhe do merrnin Ekskluzivitetin e Zonës Uraganore Detare vetëm për vete.
“Sakën se kalon ndonjë uragan nga Qiproja,” mësohet se deklaroi presidenti Erdogan, “mos më thënçin Rexhep Tahip po nuk e quajta Ertogrul!”
***
Edhe pse me potenciale modeste kërkimore-shkencore dhe me stafe meteorologësh që e mësojnë motin nga celulari, edhe vendet e tjera të pellgut kanë nisur të bëjnë përçapjet e tyre në këtë fushë të zorshme që ta sjell mendjen vërdallë.
Gojët e Liga pohojnë se Shqipëria ka kryer disa punë përgatitore, duke caktuar dhe emrat e parë të uraganëve të mundshëm, nëse u bie rruga këtej. Uraganët e parë do kenë emrat e bukur autoktonë shqiptarë: Jurgen, Françeska dhe Xhesika. Por Komiteti ndërqeveritar i Uraganëve ka vendosur që nëse dukuria insiston, atëherë emërtimi do vijojë duke respektuar besimet fetare në vend: Kështu uragani Bektash do pasohet nga uragani Njac dhe ai Llambi.
P.S. Pak para përfundimit të këtij studimi, mësojmë se Republika autonome e Serbëve të Bosnjës ka vendosur, fshehtas Federatës së Bosnjë-Hercegovinës, që uraganin e saj të parë ta quajë Momçillo…
SHËNIM / Gojët e Liga është rubrikë satirike. Uraganët jo.
PO VJEN ERDOGANI PO VJEN ERDOGANI !!
Kacidhiar greke / Mos mbuloni koken me Jorgani.
Per rolin e tij te drejtperdrejt ne humbjen e autoqefalise shqiptare te kishes ortodokse.
Per rolin e tij te faktueshem ne prishjen e harmonise, ne nxitjen e perçarjes fetare ne Shqiperi.
Neqoftese vjen ndonje uragan tjeter armik ne Trojet Shqiptare, duhet t’i veme emrin Janu-Llatos-2.
INJORANT
@(“Albani” në thonjëza)
INJORANT mentori yt Janu-Llatos-1 poligllot “i famshem”,
qe megjithe instalimin e tij prej 30 vjetesh ne Shqiperi,
me zor ka mesuar te shqiptoj vetem 300 rrokje shqip.
Keshille per kryeredaktorin: Ky seksioni i “gojet e liga” eshte jashtezakonisht i rendomte per nga permbajtja dhe forme dhe e ul nivelin pergjitesisht te larte te gazetes Dita
Ha ha ha ha ha LOL
Shkrim shume i bukur.
Madje aktual, jo vetem per ardhjen e cikloneve te vjeshtes, por edhe per ndarjet e rindarjet ne detin Mesdhe.
Hahaha o Niko, po pse te mbeti hatri. Ketu ironia duket se eshte njesoj si per grekun dhe per turkun, madje dhe per shqiptarin. Pse o Nikollaq me kaq inat
Llagar, zeher, sagllem jane urahan turq
Malaka, pocaqi dhe dhimosi jane grek
Mbahu ,pirdh dhe shtyp jane shqiptare