Për Kavafin, Konicën dhe Borgesin

June 28, 2018 12:59

Për Kavafin, Konicën dhe Borgesin

Nga Moikom Zeqo

 

PËR KONSTANDIN KAVAFIN

Libri më i ri i autorit Vasil Vasili “Drita(ret) e arsyes si tiran(i)” (Shtëpia botuese “Albin”) më vuri në mendime.

Libri përmbledh 22 tekste, të quajtura sprova ose esse. I kushtohen poetit të madh grek të shekullit XX Konstandin Kavafit.

Një libër studimor ku vizioni i autorit shtjellohet dhe shumëfishohet mbi subjektet dhe detajet e poezisë kavafiane. Vasil Vasili është një shkrimtar i ri, ka botuar prozë, poezi dhe studime.

Punon dhe jeton në Patra të Greqisë sëbashku me gruan dhe fëmijët.

Si të tjerë djem të talentuar shqiptarë që rrethanat ekzistenciale të jetës (emigracioni i detyruar) nuk e lenë të dalë sipër anonimatit të padrejtë Vasil Vasili e bën sfidën e tij krijuese në heshtje por në mënyrë të mençur.

Për mendimin tim ai është ndër më të kulturuarit dhe të spikaturit e gjeneratës së re që shkruan në ditët tona.

Shkrimi im për të tenton një thyerje të rutinës, për të bërë më të njohur një talent të vërtetë, të bishtnuar dhe të papërfillur nga mediat e ditës.

Libri i Vasil Vasilit mbi Kavafin, nuk është thjesht për Kavafin.

Kështu është se kështu duhej të ishte.

Konstandin Kavafi ndryshoi poezinë europiane të viteve 30 të shekullit XX, ashtu si Franc Kafka ndryshoi prozën.

Vasil Vasili shkruan për këto poet: “Mbante për mbiemër (Kavafi) një fjalë turke, a armene, që shënonte një send të domosdoshëm të qytetërimit të njeriut, këpucën, me të cilin shkelim botën, duke fshehur lakuriqësinë dhe mbrojmë brishtësinë e lëkurës…

Ky ishte njeriu që rastësitë i dhanë kaq shumë mundësi, që s’u lidh me të sipërfaqshmen, por që kuptoi se kishte të gjithë periudhën e kujtesës së njeriut në kujtesë.”

Për Kavafin janë shkruar qindra libra studimorë dhe kushtimore.

I zbuluar “me vonesë” nga kritika, Kavafi e vuri në lëvizje mendimin dhe estetikën.

Ajo që të habit (pambarimisht) tek Kavafi janë gjenezat e pagjetura asnjëherë të metaforave dhe ideve.

Ai iluminon kohërat moderne që nga udhëkryqet e qytetërimit helenistik dhe bizantin duke riparë arketipa të përsëritshme të ekzistencës njerëzore.

Arketipa të një ekumenizmi të vijueshëm që ndryshon detajet, por jo substancën.

Disa nga esetë e librit të Vasil Vasilit si “Hollësirat të mëdhenjtë s’i shprehin kurrë” “Duke pritur barbarët”, “E thjeshta si plotëri e vetvetes”, “Natyra krijon vetveten duke u fshehur”, “Pyetja lidh kujtesën me qenien” etj. shoqërohen edhe nga disa “kundëresa», që autori i quan “pasqyra”, ku bëhet një debat elegant dhe ngulmues, për të vërtetat e shprehura si kanonike.

E vë në dukje këtë veçori interesante dhe befasuese të stilit të arrirë të Vasil Vasilit.

Titulli i librit “Drita(ret) e arsyes si tiran(i)” e ka një lojë dhe metaforikë fjalësh.

Drita e arsyes lidhet edhe me ret(ë) e arsyes. Përsëri si një përfundim.

Ky titull lidhet me poezinë e famshme të Kavafit “Muret». Rreth njeriut vetmia ngre muret e saj, por pa dritare.

Muret ngjajnë me retë.

Drita, ose dritaret fusin shkëlqimin e kuptimeve.

Po tirania e mureve veç ngrihet.

Një nënkuptimshmëri e qartë dhe ciklike.

Një meditim për botën.

Libri i Vasil Vasilit është një model shtjellimi zbërthyes i vlerave kavafiane, situatave dhe mbijetesës së fjalëve.

Autori e ka arritur këtë.

Ndaj ky libër lexohet me kënaqësi intelektuale të veçantë.

ZOGU UNIVERSAL

Në 1906 një erudit zviceran Charles Albert Cingria ka shkruar: “Merrni një zog, hiqjani tërë puplat, hiqjani sytë, në vend të sqepit të tij vërini sqepin e hutinit, apo të shqiponjës, shartoni tek këmbët e tij origjinale këmbët e gjatë të lejlekut, vëreni mbi zgavrat e syve bebëzat e kukumjaçkës, ngjitni mbi shpinën e tij pupla të shkulura nga ibisi, nga pulëbardha dhe nga të gjithë zogjtë e botës; mandej shkruani në flamurët e planetit, duke shqiptuar me zë të lartë këto fjalë: “Ky është Zogu Universal!”

Ahere do të shihni se ndjenjë akullimi ka ngjallur tek të gjithë kjo kasaphanë lemeritëse, ku eksperiment kundërmues me zogj që s’lidhen me njeri tjetrin”.

Zogu Universal!

Profeci e vrazhdë e pamundësisë, dekonstruktim i intelektit. Po ç’është zogu universal?

Gjuha e vetme botërore?

Globalizmi si simulacrum?

Njerëzit, popujt e shndruar në numra, në etiketa ?

Klonime të gjeometrizuara ?

Lëvizje në konvejerë të teknologjisë së lartë ?

Zogu Universal?

Vdekja Universale!

KUR SHKRIMTARËT SHKRUAJNË PËR SHKRIMTARËT

Kur shkrimtarët shkruajnë romane për shkrimtarët kapërcehet trilli për personazhet e panjohur, pra edhe të shpikur. Këtu nis një aventurë mendore e tjetërllojtë.

E vërteta se edhe shkrimtarët adhurojnë shkrimtarët tingëllon si apoteozë, ose idiolatri kulturore.

Në fakt shkrimtarët shkruajnë për shkrimtarët e tjerë, për binjakët shpirtërorë.

Pra një formë inteligjente, dinake dhe e pëlleshme për të shkruar për vetveten.

Narcizisëm estetik.

Në 1907 Gaillaume Apollinaire, poet dhe shkrimtar ikonoklast francez, botoi romanin surreal “La femme assise” (“Gruaja ndenjur»).

Personazhi kryesor i romanit është Pablo Canouris (Kanuri).

Një personazh i kryqëzuar me tipare të shkrimtarit shqiptar Faik Konica dhe të piktorit gjenial Pablo Pikaso, me origjinë spanjolle.

Ky krijim i hibridizuar është ankthi i Apollinaire-it për metamorfoza dhe dyzime në formën e njësimit (sigurisht, edhe për pseudonime).

Apollinaire-i ftillëzon vullnetin e tij për ta riparë botën në të gjitha pamjet, qeniet edhe përballë edhe në profil si në vetë pikturat tronditëse dhe provokuese të Pikasosë.

Personazhi centaur Pablo Kanuri mban si emër emrin e saktë të Pikasosë dhe si mbiemër mbiemrin e virtualizuar të Konicës. E habitshme.

Një dozë hokatare humori, ndoshta dhe ironie.

Apollinaire-i shkruan: “Me origjinë shqiptare, Pablo Kanuri është i lindur në Spanjë, në Malaga, por arti dhe truri i tij, i shënjuar me atë forcë realiste që karakterizon prodhimet dhe mendjet e gadishullit iberik, kanë ruajtur atë dëlirësi dhe atë vërtetësi rebele që i vijnë nga të parët e vet…

Në karakterin e Kanurit përzihej Shqipëria dhe Spanja. Nga pamja ishte siç janë shqiptarët, midis të cilëve ka burra të hijshëm, fisnikë, guximtarë, por që kanë një prirje për vetëvrasje, që të bën të rrëqethesh për racën e tyre sikur vetëtitë e tyre seksuale të mos hiqnin qafe mërzitjen e tyre nga jeta.

Ajo çka qe spanjolle tek Kamuri nuk përjashtonte shijen e kërkuar të vdekjes me dashje dhe ruante për femrat një shije spanjolle tepër të shqiptarizuar”.

Romani flet për rrëmbimin e një gruaje nga shqiptaro-spanjolli, i guximshëm dhe kokëshkretë si Kazanova dhe Kaliostri.

Aventura e epërme dhe paradoksale e dashurisë.

Këtë roman e ka lexuar shkrimtari argjentinas me origjinë shqiptare Ernesto Sabato.

Në një shkrim për shqiptarët Sabato rithekson idenë e prirjes së vetëvrasjes që kanë shqiptarët si metaforë ekzistenciale, ashtu siç edhe e koncepton trishtueshëm dhe filozofikisht edhe Albert Camus-i.

Më 1926, fill mbas vdekjes së Franc Kafkës, miku i tij i ngushtë Max Brod-i boton romanin “Mbretëria e lumtur e lumturisë ».

Në këtë roman Brod-i ka si personazh Kafkën, por me emrin Garta, dhe veten me emrin Nowy-i.

Veten e paraqet si seksoman të suksesshëm, kurse Kafkën – Garta, e paraqet si “një shenjtor të dëlirësisë kozmike, që donte pastërtinë absolute, nuk mund të donte gjithëfarësendi tjetër… “

Milan Kundera me nervozizëm neurotik e quan këtë roman “një shkarravinë, karikaturë romaneske që estetikisht është në polin e kundërt me artin e vetë Kafkës”.

Kështu biografinë e Kafkës Brodi e shndërron në hagjiografi dhe krijon një mitologji të rreme.

E vërteta është krejt ndryshe : edhe Kafka ka qenë një aventurier i jetës seksuale dhe nuk kishte asnjë atribut shenjtërie fetare dhe morale. Post coitum omne animal triste.

Çdo zbulim i një kotësie dhe gënjeshtre është burimi i komikes.

Brod-i mistifikon.

Revolta e Kunderës është e saktë. Por edhe romani i Apollinaire-it dhe ai i Brod-it janë një kundërshti këlthitëse.

Si personazh romani Konica është me më tepër fat.

Ai nuk u bë shkrimtar botëror si Kafka por kjo nuk ka asnjë rëndësi. Si shkrimtar shqiptar qe i vetëmjaftueshëm, por ndoshta edhe më i çuditshëm, më sqimatar dhe shumë herë më i ditur se sa Kafka. Konica shpiku figurën e Doktor Gjilpërës, që është ai vetë.

Kërkoi metamorfozën e Eskulapit mitik.

Brenda Kafkës së Eskulapit vuri trurin e tij ku dituritë, sarkazmat, alegoritë shpërthenin.

Ja një dialog i hatashëm: -“S’mbaj mend mirë seç thotë Hipokrati për duhanin, tha Dr. Protogora Dhalla. – Duhet kënduar korrespondenca e Hipokratit me inglizin Sir Walter Ralligh-in, që pruri i pari duhanin në Europë, këshilloi Dr. Gjilpëra. – Nuk e kam kënduar, tha Dr. Dhalla. – Po gjëja më interesante, shtoi Dr. Gjilpëra, është korrespondenca e Herodotit me Abraham Linkolnin.”

Franc Kafka skaliti makthin e pakuptimshmërisë.

Tek romani i tij “Kështjella”, i zoti kont i kështjellës u jep urdhra të gjithëve por nuk e ka parë askush, as nuk e ka takuar fizikisht asnjeri. Moskuptim absurd, kozmik.

Tek Konica dialogët janë gjithashtu kafkiane në shumë raste, por për fat Konica nuk është aspak kafkian, shenjë kjo e përkores dhe pavarësisë së tij intelektuale.

Ata që çmenden mbas Kafkës nuk e njohin Konicën. Realiteti arnohet nga rastësitë.

Si personazh i Apollinaire-it Konica është më i vërtetë, se sa Kafka-Gerta tek romani i harruar dhe apologjik i Max Brod-it.

Të jesh i panjohur nuk është as sakrilegj dhe as fatkeqësi e pariparueshme.

Faik Konica nuk e çan kokën për këtë dilemë.

Nuk i intereson fama, as lekturat shkollore, as simpoziumet akademike europiane për emrat e mëdhenj të letrave.

Ai kishte një talent të jashtëzakonshëm, mahniti Apollinaire-in dhe Remy De Gourmont-in.

Dhe kjo qe, e ritheksoj krejt e vetëmjaftueshme.

Gjithçka që vjen më pas është heshtje, siç thotë Hamleti.

SHPIRTI I NJEJTË: KONICA DHE BORGESI

Faik Konica dhe Jorge Luis Borgesi nuk e kanë njohur kurrë njëri-tjetrin.

Tek kjo frazë pohuese (ose mohuese, – që janë e njëjta gjë) fjala “kurrë”ka diçka prej infiniti të vrazhdë, ose të një kaosi dhe boshllëku mizor, kundërshti dhe fatalitet.

Ndonëse të papërputhshëm dot, pa asnjë “rendes vous”shqiptari sqimatar dhe argjentinasi erudit kanë patur të përbashkët “të tretët”, kanë lexuar të njëjtët shkrimtarë dhe kanë shkruar për ta, për Homerin, Virgjilin, Danten, Servantesin, Shekspirin, poezinë moderne, sagat atike dhe mesjetare. Formula: A e njeh C, por edhe B e njeh C, ahere A dhe B edhe pa e njohur njëri-tjetrin, prap janë me një binjakëri misterioze, ndonëse jo gjenetike, është një hulli e sigurtë shpjegimi dhe mbase argumentimi hipotetik.

Kjo hap rrugë dhe hapësira të reja përsiatjesh dhe na siguron një metodë konceptuale dhe të plleshme rindërtimesh të biografive të panjohura (ose të pjesëve të zhdukura të biografive të njohura).

Midis Konicës dhe Borgesit ka disa përkime të hatashme (a thua të rastësishme?), një afrim enigmatik dhe substancial të shijeve estetike dhe idesh të epërme, delikate dhe të stërholluara. Borgesi e ka bërë një studim “Për një varg të Apolineri”(“Sur un vers d’Apollinaires”) ndërkohë që miqësia intelektuale e Konicës me Apolineri ka qenë proverbiale.

Një miqësi e pashembullt. Nëse Konica është më i përmbajtur, Apolineri e adhuron pa asnjë drojë, apo skepticizëm ironik.

Apolineri e quan Konicën një “Pierre Bayle të dytë”. Apolineri ka shkruar kujtime për Konicën, dhe kur Konica nuk ishte as 31 vjeçar e bën edhe personazh bizar në një roman të tij. Konica i shkruan letra Apolinerit me një kaligrafi të huazuar nga shkrimi i Petrarkës, me pseudonimin Beniamin De Casseres, një lloj poezie në prozë, mbushur me fraza filozofike dhe imazhe biblike, ku përmendet Gëtja dhe Bethoveni etj.

Konica ka lindur në 1876. Borgesi në 1899 (Konica ahere qe 26 vjeç).

Jetë të ndryshme.

Çuditërisht të dy patën pasione deri dhe konceptime gati të njëjta. Studimi kriticist filologjik dhe estetik i Konicës për përkthimet e Homerit ka ngjashmëri me esenë e çmuar të Borgesit për “Përkthimet e Homerit”.

Argumentet dhe sqima tek të dy tingëllon e një rendi të inteligjencës, të krahasimtarisë elegante dhe ironisë erudite.

Të dy shkruajnë për Carlyle-it, Shelley-in, Thomas de Quincey-in, Danten Xavier de Moistre-in, Servantesin, Shekspirin, Shopenhaurin, Edgar Allan Po-en, Arthur Rimbaud-in, Giambatisto Vico-n.

Të dy adhurojnë përrallat arabe të “Njëmijë e Një Netëve”. Konica bën diçka më konkrete: i përkthen në shqip. Xavier de Moistre-i e mbiquan Konicën “enciklopedi lëvizëse”.

Borgesi është i tillë gjithashtu.

Ndoshta edhe më i çuditshëm, por një sfidant krenar me një modesti të pabesueshme, – një formë e një përkorje dinake. Të dy kanë nderim të brendshëm dhe elitar për Remy De Gourmont-in.

Secili e mban portretin e Gourmontit në studion e vet. Gourmonti nuk ka shkruar asnjë rresht për Borgesin (nuk pati mundësi ta njihte) por për Konicën ka bërë një esse të epërme. Gourmont-i e quan Konicën si “dijetar shqiptar që duket se është familjarizuar me shumicën e gjuhëve të mëdha të Europës dhe të Azisë, afro me 200 gjuhë të gjalla dhe të vdekura”. Dhe Apolineri shton “ky shqiptar i ditur është në llojin e vet, dy herë më i përbindshëm se Argusi dhe Briareu”. (Argusi qe heroi mitik me 100 sy dhe Briaren një tjetër hero miti me 100 duar.) Le të më lejohet skepticizmi në këtë rast.

Shijet e njëjta, njohuritë paralele nuk janë ende argumente përcaktues ashtu siç janë edhe rastësitë e mistershme dhe kaotike.

Konicologu Luan Starova ka meritën e një vështrimi me përputhshëm, të një ideje më të pabesueshme por edhe unike. E bën një përqasje më tronditëse.

Përmend prozën e Borgesit “Studimi i veprës së Herbert Kvejnit”, botuar në 1941. Proza është tipike (emblematike) borgesiane. Herbert Kvejni është një shkrimtar i shpikur, që s’ka ekzistuar kurrë, por kinse për të kanë shkruar emra të shquar dhe realë të kohës.

Më 5 qershor 1904, në revistën “Festin d’Esope”të Apolinerit Konica boton në frëngjisht prozën “La plus colossale mystification de l’histoire de l’espéce humaine”(“Mistifikimi më kolosal në historinë e racës njerëzore”).

Proza koniciane është e pazakontë.

Është edhe trill edhe shkencë. Flet për filologët e shastisur si dijetarët ëndërrimtarë të ishullit Laputa të Swiftit.

Përshkruan orjentalistët e shumëditur dhe të marrë, të cilin shpikin gramatika të gjuhëve që nuk ekzistojnë dhe që kanë në dorë “një farë çelësi diturak, që duke zhvendosur frazat dhe fjalët i shndërrojnë gramatikat në traktate pornografike”.

Debatet imagjinare janë këlthitëse dhe të zymta.

Ka një episod surrealist: një orientalist i ndërkryer mori në dorë një libër të një farë Bujhrakap-i, botuar në Benore, më 1884 me titullin “Santalis Reading Book”.

Me një lëvizje të gjallë e flaku librin duke thirrur: “Çfarë? Një libër santali? Nga na mbiu një gjuhë e re? A s’keni turp të gjithë? Pos idiomës santali do të na pillni padyshim dhe gjuhën e zhivës!”

Një tjetër dijetar flet për mënyrën se si te një gramatikë e sanskrishtes të zbulosh (pa kabalë, pa optikë gnostike) si një përkthim të librave me pervesitete seksuale të Markezit Sad. Maniera e perceptimit konician ngjan me atë borgesian.

Le të kujtojmë dhe kryeveprën e Borgesit “Tlon Uqbar Orbis Tertius”, ku meditimet skandaloze për gjuhën tlonase ngjajnë me shpotitë lemeritëse të Konicës.

Borgesi ngre lart Marsel Schwob-in, librin e tij “Jetë imagjinare”të cilin e pati model imitimi.

Konica i përgjigjet kërkesës së Apolinerit për të shkruar diçka për Schwob-in “nga vepra e tij shumë e këndshme ka shumë njohuri tejet të copëzuara ndaj s’marr përsipër për të shkruar për të.”Konica ka diçka të përbashkët me Schwob-in, por dihet që është dembel dhe mospërfillës krenar.

Tani le të përqendrohemi.

Borgesi u bë shkrimtar botëror pa një të dytë. Konica nuk u bë shkrimtar botëror.

Por në llojin e vet ai është pa një të dytë. Konica është përherë fragmentar, ka shkëndija gjeniu, por nuk strukturohet (ndoshta me qëllim) si i tillë.

Ai i kishte kuptuar letërsinë si palimpsest. Borgesi e ktheu gati në një doktrinë letrare palimpsestin.

Konica vdiq në 1942. Borgesi në 1992.

Por kishin aftësi perceptuese të përbashkëta. Edhe pa njohje konkrete me njëri-tjetrin midis tyre ka ndërlidhje të padukshme enigmash dhe identitetesh.

Diçka të Konicës mund ta rizbulosh tek Borgesi. Diçka e Borgesit paraprihet tek Konica.

Janë të një race të rrallë të njerëzimit monoton dhe të pafund.

Secili në fatin e vet.

Borgesi mes aurës magjike të famës, Konica në errësirën e një kinse harrese.

Por në këtë raport dritë-hije e konceptojmë një grafike të pavdekshme: atë krijuesit të madh, i cili arrin në lartësitë marramendëse, ku s’kanë asnjë rëndësi më emrat, fytyrat, biografitë, gjuhët madje dhe fatet vetjakë.

Dikur Paul Valery-a (në 1938) shkroi: “Historia e letërsisë s’duhet të jetë historia e autorëve dhe e të papriturave të karrierave të tyre a e karrierave të veprave të tyre, por Historia e Shpirtit si prodhues dhe konsumues i letërsisë.

Një histori e tillë mund të hartohet pa përmendur as edhe një shkrimtar. ”E mrekullueshme! S’kemi nevojë për katalogë ku pranë germës B të vihet edhe germa K.

Në Historinë e Shpirtit Konica dhe Borgesi i shkatërrojnë pengesat, tabutë.

Janë i njëjti Shpirt i Botës.

Sub aeternitas!

June 28, 2018 12:59
Komento

1 Koment

  1. Arben June 28, 23:44

    Strategjia shoku komi =

    fol me fjale te medha dhe boshe,

    sepse njerezit, po nuk te kuptuan, te vletesojne

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*