Për librin “Arti i reagimit” të poetit Agim Vinca

June 16, 2017 10:07

Për librin “Arti i reagimit” të poetit Agim Vinca

 Nga Sefer Pasha

Në Fushën e Kosovës, në rrafshin e një bjeshke, jam ulur fillikat nën hijen e një lisi të moçëm. Kam ditë që kërkoj një fshat me emrin Mollë e Kuqe nga ku mendohet se janë të parët e një  personazhi nga Tepelena për të cilin po shkruaj një libër. Më thonë se ky fshat është zhdukur.

Vendasit, ku hamendësohet se dikur ka qenë Molla e Kuqe, tani i thërrasin Varret e Shkjaut. Por këtu nuk ka as fshat dhe as varre. Nën hijen e lisit shfletoj librin e shkrimtarit Agim Vinca “Arti i reagimit”. Këtë libër e kam marrë me vete që nga Tirana. Afër meje janë ulur disa mësues, që me sa shoh kanë dalë për të kaluar një të diel siç është kjo e sotmja.

  • Nga jeni? – më pyet një nga mësuesit . – Dukesh që nuk je nga Kosova.

I përgjigjem se kush jam dhe pse kam ardhur në Fushën e Kosovës. Mësuesi u afrua aty ku unë po lexoja librin dhe më tha emrin dhe mbiemrin. Ata ishin nga Prishtina dhe kishin ardhur për të pushuar e për të ngrënë një drekë në këtë bjeshkë të bukur. Kur unë i thashë se jam biografi i Ukshin Hotit, ai më ftoi dhe në drekën që po shtrohej tek burimi mbi rudinë.

Pastaj në folëm për Agim Vincën. E pyeta nëse e njihte Agim Vincën dhe ai m’u përgjigj se njeriun e letrave e njihte e gjithë Kosova, Mali i Zi, Shqipëria, Maqedonia, por ai njihet dhe nëpër botë. Përgjigja e tij m’u duk befasuese. Dhe pikërisht për këtë arsye i bëra dhe shumë pyetje të tjera. Ai kishte njohje me Agim Vincën, por nuk foli për to. Tek po i flisja për temat e trajtuara në librin “Arti i reagimit” mësuesi u mendua një copë herë. Agim Vinca është si ky lisi ku ne jemi ulur, tha ai. Por para se të them ca detaje për autorin e librit që ke në duar, shtoi me emocion, dua të them metaforikisht se si e ndërton jetën lisi. Ka shumë ngjashmëri midis mënyrës sesi e rriti muzën Agim Vinca dhe jetës që bën lisi në bjeshkë si ky ku jemi ulur ne.

Agim Vinca

Çdo lis ka një “kuzhinë”. Dhe kjo “kuzhinë” nuk është në rrënjët e lisit, por lart në kurorë. Në këtë “kuzhinë” përpunohet ushqimi që vjen nga rrënjët me plehra e burime. Dhe brenda kurorës ku ka selinë “kuzhina” fërgohen rrezet e diellit, ajri, pjalmimi, shpendët që janë rojet e “kuzhinës” e pastaj me radhë shiu, bora, breshri, lulet, rrufetë, vesa e mëngjesit, tufanet, erërat dhe “armiqtë” e lisit.

Me “kuzhinën” e lisit mësuesi nga Prishtina e krahasoi dhe kabinetin e Agim Vincës, që ai kishte patur fatin ta vizitonte. Agim Vinca, më tha, ka qysh moti që punon në Kosovë. Nuk doja të mbaronte biseda e rrallë, të cilën nuk e prisja nga mësuesi i panjohur. Unë u ndava shpejt me të. Më duhej të kthehesha në Prishtinë, kurse ai nxitoi për tek dreka në rudinë. Atij i erdhi keq që nuk drekova me miqtë e tij. Kur mësuesi më foli për “kuzhinën” e lisit (unë e dëgjoja për herë të parë), e që e kishte fjalën për punën krijuese të Agim Vincës, në të ikur më kujtoi dy vargjet epike të këngës, “O shumë po vriten bre, s’ka kush me dekw”.

U trishtova e me sy po kërkoja se ku ishin në këtë bjeshkë “Varret e Shkjaut”. U mahnita me “kuzhinën” e lisit me të cilin mbrohet e bëhet i fortë ai (Legjenda thotë se në Veleshtë aty nga fundi i shekullit të 19-të, në një mëhallë të Veleshtës, një lis qindravjeçar qe rritur aq shumë sa banorët e mëhallës u trembën se mos lisi po thyhej nga stuhitë e rrezikonte të binte mbi gjysmën e shtëpive të mëhallës. Lisi qe me kurorë dhe shumë i bukur. Për të bërë një fotografi aty vinin dhe turistë nga Evropa e më larg. Por kur rreziku i shembjes u bë kërcënues u paguan sharrëtarë nga Gollobërda dhe ata me ndihmën e litarëve e sharruan gjysmën e lisit pa bërë dëme në mëhallë.

Por që atë ditë që u pre lisi Veleshtës iu venit bukuria. Nuk vinin më të huajt për të bërë fotografi. Edhe të ardhurat për tregtarët u paksuan. Ditën që u sharrua lisi ushtria e shpendëve fluturoi lart e acaruar. Veleshtarët i dëgjuan grindjet e zogjve dhe vështrimin e tyre me inat nga lart poshtë. Shpezëria mbeti pa selinë e saj. Qysh atëherë shumë shpendë u arratisën nga lisi i prerë dhe nuk u dukën më. Aty ku dikur ishte lisi edhe sot ndizen qirinj). Edhe drurët kanë mitet e veta, belbëzoj me vete.

Në Mallakastër qarkullon dhe sot  miti i “vedrës” me vaj ulliri. Çdo ulli ka një “vedër” me vaj në zgavrat e rrënjëve. Sa shumë e kam diskutuar mitin e “vedrës” me vaj ulliri me mikun tim nga Bregu, Odise Grillon. Kisha dëgjuar nga një plak i fshatit tim, që i kishte kaluar të njëqind vjetët, se njerëzit që jetojnë pranë lisit dhe ullirit janë zemërbardhë dhe nuk e njohin intrigën. Bletët preferojnë zgavrat e lisave dhe shqiponjat në majat e tyre i ndërtojnë foletë. Lisat e zaptojnë malin, kurse ulliri ka caqe.

Plaku rrëfente se ullirin ti e mbjell dhe atje ku ai nuk do, dhe ai nuk ta prish, por kokrra nuk lëshon. Gjer tek Ullinjtë pa Kokrra fshatarët i ngrinin banesat. I ceka këto gojëdhana se paçka se libri “Arti i reagimit” e hulumton jetën në Kosovë mes dramave dhe tragjedive, gjithsesi eseisti ashtu kalimthi i vizaton personazhet, malet, lumenjtë (Drinin dhe Ibrin), lisat, vendet me histori, ndodhitë, pabesitë e serbëve, përndjekjet, masakrat, hakmarrjet, jetën me kalorës, bëmat nëpër dasma, shkëmbimet e dhuratave, tregimet me ushtarët e UÇK-së, rrëmbimet e çikave nga udbashët, gjurmimet e vëllezërve gjersa thinjeshin në kërkime për motrat, nëmat, fatet e ndërtimit të urave, vendet e shenjta, gjakmarrjet, pajtimet për shkak të luftës për liri, parandjenjat, kuvendet e odave, humori e kënga në hane, bukuria e festave fetare, bëmat e kaçakëve, gjëmat nga rrufetë, kasollet e legjendave, fati i njeriut e të tjera me sens logjik duke marrë me lidhje shkakësore çdo ngjarje që lidhet me fatin e Kosovës.

Po mbushen dalëngadalë 50 vjet që studiuesi, historiani i letërsisë, poeti, shkrimtari, kritiku letrar, publicisti, eseisti, pedagogu, polemisti, drejtuesi shkencor, edukatori i papërsëritshëm, veprimtari politiko-shoqëror, hartuesi i teksteve të letërsisë, përkthyesi, lektori, pamfletisti, skenaristi dhe dramaturgu Agim Vinca i ushtron si zanatçi i artit në Prishtinë. Në një ese nuk përmblidhen arritjet e këtij talenti të pashoq. Para disa kohësh kur mbarova një veprimtari për Qazim Bej Vlorën në Strugë u ktheva dhe në Veleshtë, ku ka lindur Agim Vinca.

Veleshtarët më thanë se biri i këtij fshati, Agim Vinca, fillimet letrare i ka qysh në moshën 14 vjeçare. Në vendlindje dëgjoi tregimet e prindërve, përrallat, këngët, vallet, baladat e legjendat. Në Veleshtë u  takua me zanat e me vitat, njohu për herë të parë meloditë e bilbilave dhe të thëllënxave, simfonitë e cikloneve e breshëritë e kallashnikovëve nën dritaret e shtëpisë. Veleshtari i ri aty recitoi vjershat e para, u njoh me çudirat e liqenit të Ohrit dhe të Drinit të Zi. Ashtu siç e thotë edhe vetë në shumë ese të librit “Arti i reagimit”, qysh në Veleshtë pa me sytë e tij pushtuesit. Ai vërtet recitonte, këndonte e vallëzonte, por nuk ishte i lirë. Jeta dhe arti ishin nën pranga. Në të gjithë jetën në Kosovë Agim Vinca do të ndeshet me pushtuesit sllavë.

Vargu epik i këngës “Ç’janë këto gjamë që po i bjen era” do ta ndjekë krijuesin milimetër më milimetër. Arti i tij universal prej mijëra faqesh është shkruar nën kërcënimin e hekurave dhe të shiut të plumbave të UDB-së. Shumë nga krijimet e tij janë rrëmbyer e filmuar fshehtas e janë në arkivat e Beogradit. Profesor Agim Vinca ka shpëtuar në fije të perit. Shumë nga këto ndodhi i gjen tek ky libër në kapitullin, “Ora e historisë”, siç është dhe eseja “Bëje ose vdis”, që ngjan më shumë me një poemë.

Libri “Arti i reagimit” i autorit Agim Vinca andejpari në gati 600 faqe është një rrëfim i shpërpjesëtuar, ku esetë kulmojnë me shkulmet e ankthit në Kosovë sidomos gjatë periudhës së luftës për çlirimin e Kosovës. Në të gjitha shkrimet nuk ka asnjë grimë makiazhi. Vlaga e fjalëve, theksimi i ideve, magjepsja e imagjinatës, tregimet kulmore të njëhopshme, rikujtimet e kthjellta e parandjenjat e kobshme kanë qenë sfida për krijuesin Agim Vinca. Kur e lexon publicistikën  të vjen në mendje thënia e Markesit se “romani dhe reportazhi janë bijtë e një nëne”.

Mjafton që të lexosh tregimin “Sa mali i Shkëlzenit” dhe e kupton dashurinë e autorit në nderim të dëshmorëve Shkëlzen dhe Luan Haradinaj. Të gjitha esetë varg pas vargu të eruditit Agim Vinca e kanë marrë shtysën nga ngjarje reale. Skicat e reportazhet nuk janë trillane. Mjeshtërori Vinca përdor kreativitetin e duke qenë poet i klasit të parë; me kredon e tij di çfarë thotë dhe sesi e thotë atë temë që e frymëzon.

Në çdo ese është portreti i vetë zotit Vinca, që me karakterin e tij të hekurt dora-dorës në gurrën e tij letrare ka plazmuar dramat e tragjeditë e Kosovës duke u dhënë hera-herës dhe një ngjyrim vetjak. Në të gjithë esetë e kapitullit “Lufta, Liria, Pavarësia” autori me empati e me mrekulli letrare nëpërmjet çiltërsisë së fjalëve në të gjitha ngjarjet e Kosovës ai është autentik. Formimi sistematik e ka bërë atë që fund e krye në librin “Arti i reagimit” të japë tablo me një realizëm të tejdukshëm.

Me teknikën e të rrëfyerit, ai, me një pasion gati ungjillor përfshihet në debate artistike e sociale, ku shkencëtari nuk lëshon pe. Me artin e tij magjik ky libër i Vincës eklipson shumë botime në Tiranë dhe Prishtinë. Agim Vinca nuk u bishtnon ngjarjeve të vrullshme në Kosovë. Esetë e tij janë kode, përgjigje parabolike e epigrafw nderimi. Publicistika e tij ngërthen fuqinë e fshehtë krijuese dhe mitin e dinjitetit, të cilat jepen në vepër me një vrull të përtërirë.

Agim Vinca siç është në të gjithë veprën e tij letrare edhe në këtë libër është i deshifrueshëm e me një frytshmëri të egër. Vështruar nga ky kënd në fushën e fiksionit Agim Vinca sidomos në kapitullin “Përvjetorë e libra” si me një rrebesh biblik e epshmëri të paparë flatron tek personazhet e librit, që lexuesi e ka në duar.

Me një domethënie simbolike analizon risitë letrare, të cilat i sjellin autorët e tij të preferuar. Megjithëse nuk merret me gjithfarë zhbirimesh ndalet tek poezitë e dorës së parë. Kur ai analizon duhmën e athët të veprës së Adem Demaçit kritiku i artit Agim Vinca analizon prerazi vargjet: –  “Jo atyre që janë trima/ /me ngrehë gishtin e krimit/ /po atyre që janë trima/ /me shtri dorën e pajtimit/”. Edhe kur është i detyruar të polemizojë Vinca nuk tregon kurrë grimca ligësie.

Jetën në Kosovë publicisti Agim Vinca e kundron esëll. “Vetëm qetësia është madhështi, çdo gjë tjetër është dobësi”, thotë Alfred de Vigny. Me patosin e këngëve të veta si poet e publicist narcisti Vinca është marrë gjithë jetën me Qosen, Agollin, Kadarenë, Din Mehmetin, Hivzi Sulejmanin, Esad Mekulin, Konicën, Nolin, Kutelin, Migjenin, Eskilin, Shekspirin, Tagorën, Gogolin, Cvajgun, Kamynë, Markesin, Sabaton e të tjerë.

Poeti Agim Vinca qysh kur botoi vëllimin e parë poetik “Feniksi” në vitin 1972 e gjer tek “Muza e Mëmëdheut” në vitin 2012 (ky është libri i fundit që kam në bibliotekë) shquhet për pasurinë e fjalorit, për zgjedhjen e temave (ka qenë mik i heronjve Fehmi e Xhevë Lladrovci), ku të bie në sy aftësia e mistershme.

Në dramat e Kosovës i bën sfidë boshësisë e hiçësisë. Në poezinë me titull: – “Letër Ukshin Hotit në burgun e Nishit” autori shkruan: “/Nuk e kanë të vështirë të të burgosin/ /As të të vrasin nuk e kanë të vështirë/ /Vështirë e kanë të të lënë të lirë/. Si polemist Agim Vinca është i pamëshirshëm me cinikët, snobët, klyshët hipokritë, me personazhët e dalëkohe e me njerëzit asocialë. Në të gjitha esetë publicisti dëftehet inteligjent. Me autorësinë e shprehjes edhe kur operon me dhunti mistike nga oazi i shpirtit të tij asnjë ngjarje nuk trajtohet si sajim apo me timbër didaktik.

Vinca zdrukon me ndjenjën e të veçantës, pa bërbëlitje e çikërima, natyrisht me mirëdashje e përpikmëri estetike, të gjitha ato ngjarje historike të cilat i ka jetuar në Kosovë, ku ka provuar përndjekjet, bastisjet familjare dhe burgun nga regjimi i Millosheviçit. Duke e ndjekur fatin e tij krijues nga e para e të parave pa dyshim të cimbis temperamenti artistik i Agim Vincës e nervi estetik. Kurrë nuk ka qenë në periferi të artit e ka pasur armë elementin lirik të fjalës dhe pika më e fortë e tij është gjuha e kajshme dhe mujshitë e tjera, ku thith energji dhe kundron shoqërinë në Kosovë me mirësinë dhe sharmin kundër UDB-së së djeshme dhe hëpërhë kundër ambientit me të korruptuar, perversë e kriminelë.

Më së pari në publicistikën e gjerë profesor Agim Vinca ka belbëritur e ka zbrazur tallazet e shpirtit. Pikë për pikë në të gjitha esetë autori i librit “Arti i reagimit” me frymëzim dantesk e me shprehje poetike rrok për një kohë të gjatë përmes parashtrimeve me një pohore të pastër dramat dhe tragjeditë e Kosovës, ku nuk mungojnë fatthëniet, metodat e gjykimit, ofshamat e me muzë të epërme nëm makthin kaotik, që për dreq vazhdon edhe sot e kësaj dite në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni (Kryetari i Bashkisë së Strugës, Ziadin Sela, që është zgjedhur dhe deputet, u gjakos brenda Parlamentit të Maqedonisë). Veleshta e Agim Vincës është mëhallë e Strugës. Në shkollën e mesme në Strugë nxënësi i shkëlqyer në letërsi Agim Vinca do të recitonte vargjet e Lasgush Poradecit :  “Duke nisur udhëtimin mes-për-mes nër Shqipëri//Drini plak e i përrallshëm po mburon prej Shëndaumi…/”.

Universalisti Agim Vinca ka shkruar vepra me okë. Mesa di gjer tani ai ka botuar rreth tridhjetë tituj librash. Natyrisht që shigjeta e gravitetit anon nga poezia. Por duke qenë produktiv e kreativ në rrafshin letrar ai në librin “Arti i reagimit”, ku ka ese kulmore, dhe ku shquhet për shprehjen e mendimit të lirë, Vinca, e ka ndjekur trillin e fatit pa vello etike.

Ai ka gdhendur asi personazhesh, që edhe kur janë në tendosje të skajshme, nuk kuturisen e u ka hije shëndeti shpirtëror. Nuk ka tallaz zbulimesh. Në thelb arti i tij është i thjeshtë. Ja sa ëmbël e sa shkoqur shkruan poeti. /Do të vij tek ti/ /të zhytem kryehutas në Dri’/ / të kridhem thellë në ujërat e tij/ /të notoj syçelë pas fëmijërisë/ / si pas gurëve të bardhë dikur/. Studiuesi i thellë e shpenzoi jetën në kuptimin më të gjerë në shërbim të popullit të tij. Kur e mbarova së lexuari librin “Arti i reagimit” solla në mendje thënien e Dostojevskit:  “Dënojeni njeriun të jetojë në një vend ku qëndron me një këmbë buzë një gremine të kobshme; ai jeton në shi, në borë, në ngricë, mes dhimbjeve dhe urisë, por nuk dëshiron të vdesë, reziston duke vazhduar jetën”. Kështu është dhe jeta e Agim Vincës. Fenomenologjia e artit që ai skalit prej një gjysmë shekulli qysh atë mot me formëzimin e gjuhës, artisti e ka fokusuar artin e vet asëll-asëll kulturalisht me kumte simbolike të cilat i përmbledh tek eseja “Veleshta si metaforë”. Dhe në disa rrafshe ia ka arritur qëllimit. Edhe në përditësi profesori është në luftë me primitizmin bajraktarik. Shumatorja e opinioneve për një zinxhir ngjarjesh me kriza e intriga (siç qe dhe ndalimi i Ramush Haradinajt në Francë) hedh dritë mbi të vërtetat duke mos lejuar baltosjen e imazhit të Kosovës.

Në jetën e tij të sekëlldishme krijuese Agim Vinca, edhe pse nën pushtimin e Serbisë, nuk e ndaloi kurrë artin virtuoz edhe kur i është rrezikuar jeta (për këtë bën fjalë ditari i shkrimtarit “Ditë ankthi e shprese”). Në çdo rrethanë Vinca shkroi. Kam marrë pjesë në luftën e Koshares dhe jam çuditur që mes gjëmimeve të topave dhe mortajave gjinkallat nuk e ndalnin këngën (kam parë gjinkalla duke kënduar dy metra larg tytës së topit kur zbrazeshin predhat. Kënga e gjinkallës nuk soste. Po kështu dhe kënga e bilbilave. Nuk kishte gjë më të bukur kur korit të këngës së bilbilave u bënin iso dhe gjëmimet e topave). Kështu është dhe jeta e poetit Agim Vinca. Krijimtarinë artistike, si ata bilbilat e Koshares, nuk e ndërpreu as nën kërcënimin e hekurave dhe të plumbave të kallashnikovit.

Profesor Agim Vinca paçka se ende nuk e ka marrë medaljen “Nderi i Kombit” emri i tij artikulohet në të gjithë gjeografinë ku banojnë shqiptarët. Ai ka mbërritur deri këtu jo nëpërmjet udhëve të kollajta, por përmes impulseve e vetëdijes së brendshme se është në shërbim të popullit që e ka lindur. Agim Vinca ka ecur me hapa të fisme veleshtari e ka folur me gjuhë të kadifenjtë. UDB-ja dhe intrigantët kanë kërkuar grimca në biografinë e tij.

Pusitë kanë qenë të rrezikshme. Por ai nuk u tundua. Ferrin ekzistencial e përballoi me stuhi nervash dhe në këtë udhëtim dramatik pati si shok kulturor artin. Po të lexosh esenë kushtuar librit të Rexhep Qoses “Paqja e përgjakshme” nxjerr në sipërfaqe ndjenjat e autorit, tipologjinë e rrëfimit e kinse qasja kritike e Vincës çon në fushën e mejdanit provën traumatike të popullit të Kosovës në luftën për liri. Autori është marrë me demonët e me kopallat, të cilët për fat të keq e ironikisht iu bënë pengesë elitës së Kosovës në kalvarin e gjatë të vuajtjeve në luftën kundër pushtuesit serb. “Më jepni një dhimbje, t’u jap një kryevepër”, thotë Dostojevski.

Dhe Agim Vinca me shpirtin kreativ, siç është me pamje dardani, nuk e ka shkruar veprën e tij voluminoze në mënyrë rastësore. Përkundrazi ai ka qenë i stërmunduar nga ankthet e luftës me pushtuesit dhe me ziliqarët. Termometri shpirtëror dhe universi i simboleve asisoj ka kundruar fatin e Kosovës. Këtë e këndellin fluturimet e pashtershme poetike, ndonjëherë dhe misterioze, të cilat i janë përcjellë lexuesit me një shumëllojshmëri rrëfimesh interesante si këto të përmbledhura në volumin “Arti i reagimit”.

Në Prishtinë nuk munda ta takoj Agim Vincën. Një pirg me telashe m’u bën havale. Por në hotel, në kafene, në udhëtim për në Krushën e Madhe e nëpër bjeshkë, kur kisha kohë, rilexoja pjesë nga libri “Arti i reagimit”. Dhe natyrisht që shkëmbeja ndonjë mendim imagjinar me autorin. Ishim bashkë. Brenda librit është Veleshta, Prishtina, Tirana dhe e gjithë Shqipëria. Njeriu i letrave Agim Vinca me mendjen esëll vazhdon të shkruajë me vërtetësi skrupuloze.

Fjalë pas fjale, fjali pas fjalie, poezi pas poezie, ese pas eseje e me radhë, ai, me artin e tij ka krijuar një fuqi të madhe. Nuk e teproj po të them se është ngjitur në majë. Këtë e di dhe vetë autori i librit “Arti i reagimit” Agim Vinca, ashtu siç e di gjithashtu mirë, atë që thoshte dikur gjyshi i tij në Veleshtë: “Kur të dalësh në majë kujto hapin e parë”.

 

June 16, 2017 10:07
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*