Për mjekun që të thotë: Hiq dorë nga seksi dhe shiko shëndetin

February 23, 2018 03:44

Për mjekun që të thotë: Hiq dorë nga seksi dhe shiko shëndetin

Mos u vini veshin mesazheve të gabuara të televizioneve dhe filmave, që e konsiderojnë intimitetin dhe  seksin sikur janë vetëm për të rinjtë. Unë nuk  besoj se ju, ashtu si edhe gjithë të tjerët, të keni parë ndonjë skenë intime me të moshuar në reklama ose në filma! Kjo nuk reflekton të vërtetën.

Shumë të moshuar edhe pse në moshën 80 dhe 90 vjeç, kanë akoma fantazi dhe dëshira seksuale. Natyrisht, seksi nuk do të jetë ashtu siç ishte në 20 vjeç, por intimiteti do të jetë plot kënaqësi.

Burrave të moshuar u duhet më shumë kohë për të arritur ereksionin.  Ereksionet e tyre nuk janë më të forta dhe nuk zgjasin shumë kohë. Shumë burra me humor thonë se, “u duhet një lugë këpucësh, ose u duhen gishtat për të ndihmuar penetrimin e penisit në vaginë.

Kjo është fiziologjia. Por, sot, mjekësia seksuale ka arritur suksese të mëdha. Ajo është e aftë të ndihmojë burrat dhe gratë, që vuajnë pasojat seksuale të moshimit.

Ka rreth pesëmbëdhjetë vjet që Viagra ka hyrë në tregun farmaceutik me shumë sukses. Ajo dhe shoqet e saj Levitra e Cialis, bënë një revolucion të vërtetë në jetën e të moshuarve, ndaj, ato janë barnat më të shitura kudo në botë.

Ato nuk duhet të konsiderohen më si barna luksi, por duhen të përdoren pas vizitës tek doktori dhe me rekomandimin e tij. Në një artikull të botuar në Dita më parë, kam propozuar që sigurimet mjekësore duhet t’i rimbursojnë këto barna të mrekullueshme për të moshuarit, që nuk kanë mundësi financiare t’i blejnë. Këto barna që përmirësojnë shëndetin seksual të të moshuarve, bëjnë që të përmirësohet shumë edhe gjendja e përgjithshme e tyre. Rimbursimi i tyre do të ishte një vlerësim i merituar për të gjithë të moshuarit.

Këto barna përdoren në dy mënyra. Mënyra e parë është kur ato merren përpara aktit seksual. Burri e merr Viagrën 30 minuta para se të fillojë lojën seksuale. Cialis ka efekt 36 orë, ndërsa Levitra ka efekt edhe më të gjatë. Që këto barna të kenë sukses, pas marrjes së tyre duhet patjetër lojë seksuale.

Mënyra e dytë është kur Viagra dhe Cialis merren nga goja me doza më të vogla për ditë, siç merret çdo bar tjetër për sëmundje të zemrës, të vazave të gjakut ose tensionit arterial të lartë. Kjo mënyrë e dytë është më e mire, sepse i mban vazhdimisht të hapura vazat e gjakut që çojnë gjak në penis.

Ka raste kur këto barna nuk të ndihmojnë. Në rastet kur këto barna nuk të ndihmojnë, doktori mund të rekomandojë mënyra të tjera siç janë: injeksionet direkt në penis me prostaglandina, ose barna të tjera më të lira. Pompat vakum të penisit. Kirurgjinë vaskulare në penis. Protezat e penisit e të tjera.

Siç e shihni, mundësitë janë pa fund. Por mentaliteti regresiv, që e konsideron aktivitetin seksual tek të moshuarit të panevojshëm dhe turp, pengon. Të gjithë duhet të kuptojmë se aktiviteti seksual tek të moshuarit është me vlera të mëdha për shëndetin. Në radhë të parë, këtë duhet ta kuptojnë vetë të moshuarit dhe mjekët e tyre. Të moshuarit duhet të shfrytëzojnë çdo mundësi për të përmirësuar jetën seksuale.

Ka edhe një faktor tjetër shumë të rëndësishëm, që pengon jetën seksuale të të moshuarve. Ai është faktori psikologjik.

Aftësia për të bërë seks, varet jo vetëm nga gjendja trupore, por edhe nga gjendja mendore e personit. Mos harroni, truri është organi kryesor seksual tek njerëzit.

Në qoftë se shqetësohesh, ndruhesh dhe të vjen turp që ke akoma ndjenja dhe dëshirë për jetë seksuale, nga që je i moshuar, ky ankth do ta pengojë eksitimin seksual. Këtu nuk ka vend për turp. Jeta seksuale është pjesë me rëndësi e jetës dhe funksion fiziologjik i domosdoshëm. Ai duhet të kryhet gjatë gjithë kohës në përshtatje me kushtet e moshës dhe të shëndetit.

Kur njerëzit moshohen, nuk ka dyshim, që edhe pamja e tyre e jashtme ndryshon. Kjo bën, që disa të moshuar të ndjejnë se emocionalisht nuk janë të papërshtatshëm për t›u përfshirë  në marrëdhënie seksuale. Kur në fytyrë dhe në  trup duken shumë rrudha dhe në kokë duken më shumë flokë të zbardhur, ata ndjejnë se janë më pak tërheqës, seksualisht, për të tjerët.

Ata krijojnë imazh të keq për trupin dhe kjo pakëson  dëshirën për seks. Gratë, më shumë nga burrat e  moshuar, ndjejnë se me imazhin trupor që kanë, nuk e meritojnë vëmendjen seksuale të partnerit. Ky është gabim shumë i madh. Në këtë periudhë të jetës, kur burri ka nevojë për më shumë përkëdhelje që të aftësohet seksualisht, gruaja  largohet fare. Për arsye të imazhit trupor, ata i  mohojnë vetes lumturinë seksuale.

Edhe disa probleme mjekësore, nga të cilat zakonisht vuajnë të moshuarit, e prishin jetën e tyre seksuale.

Dhimbjet kronike, operacionet dhe  disa sëmundje mund ta bëjnë më të vështirë dhe të dhimbshëm aktivitetin seksual. Ka disa barna që i  prishin funksionet seksuale. Barnat që merren për të ulur tensionin e lartë të gjakut e ulin dëshirën për seks dhe prishin ereksionin.

Antihistaminikët, antidepresantët dhe barnat acido-bllokuese të stomakut, kanë, gjithashtu, efekte anësore që e prishin funksionin seksual  të burrit. Në qoftë se përdorni nga këto barna, bisedoni  me doktorin tuaj për problemet shëndetësore dhe për barnat që e ulin aftësinë seksuale.

Doktori,  po qe se do të interesohet, do ta gjejë mundësinë që t’i pakësojnë këto efekte negative të sëmundjeve dhe të barnave. Në qoftë se doktori nuk tregon interes për këto shqetësime lidhur me seksin, por të thotë: “Hiq dorë nga seksi dhe shiko shëndetin”, unë të këshilloj ta lësh atë doktor dhe të shkosh tek një tjetër më i mirë.

Dr.Adem Harxhi

February 23, 2018 03:44
Komento

3 Komente

  1. MH February 23, 17:10

    Vetem seksi asht kenaqesia e kesaj bote tek cdo njeri.
    Kenaqesit e tjera jane:Ha,pi dhe dhit.
    Kjo asht per te gjithe,pavarsisht kamjes ekonomike dhe shendetit.Nese,per cfaredu semundjet njeriu kerkon te ndihmohet.Fjala vjen te mbahet per te ecur,per tu ngritur ne kembe.Ne momentin e te berit seks asnji nga keto nuk kerkon ndihmne i ban me forcat e veta me aq sa ka mundesi.E don hisen vetem per veten dhe pike.
    E verteta e kesaj kerkese per seks.Asht se te gjithe jemi burim krijese e keti intimiteti qe nuk ka qenje mbi toke qe nuk e don e ta rrefuzoj.E jo ma njeriu.Qe tregon aktrim improvizues ne vartesi te dashuris dhe eksitimit qe gezon epshi instinktivisht.
    Dhe merreni me mend cfare bahet kur ngrihen me shume guxim e kranari te flasin e ti denojne qiftet pse kryen seks.

    Reply to this comment
  2. Arberia February 24, 00:08

    Adem Harxhi nuk e merr fare ne konsiderate konsumimin e prostates dhe semundjet e saj. Po ashtu nuk ben dallim midis meshkujve, te cilet nuk kane kete te njejte seksuale, pasi kane organizma te ndryshem. Seksi te jep kenaqesi, por te shkurton jeten.

    Reply to this comment
  3. Turi February 24, 22:53

    Nese Dr. Adem Harxhi eshte 50-60 vjec dhe u thote atyre qe jane 80-90 vjec te bejne sekse eshte e gabuar. ne ate moshe ata mezi qendrojne ne kembe. Prodhimi i spermes eshte nje proces fiziologjik qe merr subtancat me te mira nga organizmi, sepse ka te beje me trashegimine tek pasardhesit. Ne moshen 80-90 vjec trupi fizikisht ka plot semundje dhe dhimbje kronike perfshire arttritet, dhimbjet e mesit apo semundje te tjera si semundja e zemres apo diabet. Nuk po permend ketu qe shume prej tyre ne ate moshe kane demenshia. Atehere do te ishte nje idiotizem i madh qe ti rekomandosh ketyre moshave berjen e seksit. Seksi sic meson Taoizmi ne ate moshe mund te behet vetem me puthje dhe dashuri por jo me ajakulim apo orgazma. Orgazma dhe ejakulimi ne ate moshe jane shume te rrezikshme. Per mos permendur qe perdorimi i viagres eshte teper i rrezikshem sepse mund te shkaktoje edhe ndalimin e zemres. Kudo qe e ka lexuar apo e ka perkthyer doktori kete informacion do te thoja qe eshte teper i gabuar dhe ndoshta nje reklame per viagren. Jane kompanite e medha qe duan te bejne para nga te moshuarit. Ne ate moshe kujdesuni per gjendjen shendetsore te trupit dhe harrojeni ejakulimin sepse eshte shkaterrues per organizmin.

    Nje doktor fiziolog.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Click here to cancel reply.

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*