Për mjeshtrin e madh të penës Fadil Kraja

November 28, 2019 10:34

Për mjeshtrin e madh të penës Fadil Kraja

Vepra e shkrimtarit Fadil Kraja do të mbetet në fondin e artë të letërsisë dhe në veçanti të dramaturgjisë shqiptare

Nga RAMAZAN ÇEKA

Fadil Kraja me krijimtarinë e tij ka bërë epokë në letërsinë shqiptare, e në mënyrë të veçantë në atë dramaturgjike. Fadil Kraja dhe Teatri “Migjeni” janë një binom i pandarë që kanë udhëtuar së bashku në një rrugë të gjatë afër 60-vjeçare, duke plotësuar njëri-tjetrin.

Fadil Kraja mbasi mbaroi gjimnazin e Shkodrës, ku spikati talenti i tij për letërsinë, u diplomua në Universitetin e Tiranës në fakultetin e filologjisë gjuhë-letërsi, dhe vazhdoi me pasion profesionin e mësuesit të cilin e trashëgonte dhe nga familja e tij.Ai kontribuoi për vite me radhë si një mësues i nderuar në fshat e qytet duke nxjerrë nga duart e tij nxënës e studentë që kanë shkëlqyer në fusha të ndryshme e në mënyrë të veçantë, në fushën e letërsisë dhe të artit.

Në vitin 1950, filloi punën për herë të parë si mësues në fshatin Mjedë në shtëpinë e Hasan Metit, pasi në atë kohë nuk kishte shkollë në këtë fshat. Mësimi aty filloi me rreth 50 nxënës të ardhur nga 8 fshatra: Shelqet, Spathar, Laç, Qyrsaq, Hajmel, Ganjoll, Kaç, Naraç, me 4 mësues; Isak Ramadani, Fadil Kraja, Rifat Barbullushi, Gita Shani.

Fadil Kraja ka luajtur një rol të madh edhe në gjallërimin e Gjimnazit të Shkodrës.Më pas punoi si pedagog i letërsisë në Universitetin “Luigj Gurakuqi”. Mbi 20 vjet Kryetar i Degës së Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve për Shkodrën, shkrimtar në profesion të lirë dhe sot gëzon pension të posaçëm, ku nuk e ka kursyer asnjëherë punën e tij duke i dhënë një ndihmesë të madhe edhe dramaturgëve të rinj.

Për disa kohë ka drejtuar Klubin e Rinisë dhe më vonë anëtar i përhershëm i këshillit artistik në Teatrin “Migjeni”.

Fillimet e para në krijimtari datojnë që në moshë të re. Vëllimi i parë poetik “Kanga ima” (1954) fitoi çmimin e parë në Konkursin Kombëtar të Letërsisë. Pastaj me radhë ka botuar vëllimet poetike “Melodi malësore”, “Jehona malesh” etj., vëllimet me tregime “Kandidatja e fundit”, “Ndodhitë e Nereidës”, romanet: “Britma e një gruaje”, “Pengu i diellit”, “Balada e nënës”. Skenare filmash dhe librete operash.

Këto janë një pjesë e krijimtarisë së tij.

Është autor i mbi 50 dramave dhe komedive të suksesshme, të shfaqura në të gjithë teatrot profesioniste të Shqipërisë si dhe në Kosovë, Mal i Zi, Maqedoni dhe në SHBA, ku mund të veçojmë: “Fisheku në pajë” 1967, e cila mbanë rekordin se u shfaq vetëm në Shkodër 500 herë, duke vijuar me “Gjaku i Arbërit”, “Baca i Gjetajve”, “Djem të mbarë”, “Çështja e Blertës”, “Njerëz të ditëve tona”, “Shpartallimi”, “Flamur në dasëm”, “Rozafa”, “Luani i shtëpisë”, “Mos më shkim hisen e diellit”, “Jorgani”, “Ditari i një mësuesi”, “Dopio gjashta”, “Dy jetë”, “Midis dy dhimbjeve”, “Surpriza”, “Martesë me internet”, “Nata e fundit”, e dhjetra të tjera, si dhe shumë drama për fëmijë.

Fadil Kraja është fitues i dhjetra çmimeve letrare e sidomos në dramaturgji.

Është Laureat i Çmimit të Republikës, duke u bërë kështu një shkrimtar që ka ndërtuar identitetin e tij shumë planesh.

Personaliteti i Fadil Krajës rrezaton mirësi dhe popullaritet, është i njohur jo vetëm në Shkodër e Shqipëri, por edhe në të gjitha trevat ku banojnë shqiptarë. Në një bisedë të lirë me Prof. Fadil Krajën mësuam se nga penda e tij e artë, Teatri i Gjakovës për herë të parë është inaguruar me dramën “Fisheku në pajë” dhe në vitin 2000, kur Gjakova po digjej, në këtë teatër po jepej drama “Dasma e trojeve tona”.Teatri i Strugës me dramen “Hisja e diellit”, Teatri i Tuzit me dramen “Tronditje” dhe i shqiptarëve në Detroit të SHBA me dramen “Jorgani”.Dramat shquhen për patetizem dhe dashurinë për atdheun e popullin.

Aktorët e shquar të Teatrit “Migjeni” të shkodrës shprehen për Fadil Krajën: “Kudo qe jemi ne, kudo që është pena e Fadil Krajës ne jemi krijesat e tij”. Fadil Kraja i dha jetë krijimeve të tij falë bashkëpunimit me një trupë aktorësh virtuozë siç ishte trupa e teatrit të Shkodrës.

Fadil Kraja është një nga penat më të ndritura të dramaturgjisë tonë  kombëtare. Askush më mirë se miku dhe bashkëpunëtori i tij më i mirë, regjisori Serafin Fanko nuk mund të bënte një përmbledhje të asaj që solli bashkëpunimi i tij me Fadil Krajën. Të dy i bashkoi puna,  gëzimet dhe emocionet, përkushtimet dhe suksestet e skenës. Drama e parë që vuri në skenë pas studimeve, regjisori Serafin Fanko ishte “Fisheku në pajë” që i garantoi një sukses të madh të dyve.

Fadil Kraja i dha skenës shqiptare vepra të mrekullueshme të interpretuara nga aktorët e mrekullueshëm si: Ndrekë Luca, Tinka Kurti, Ndrekë Prela, Lec Bushati, Vitore Nino, Bep Shiroka, Ymer Bala, Elez Kadrija, Rikard Ljarja, Bruno Shllaku e Paskualina Gruda (një çift i mrekullueshëm, që drama “Gjaku i Arbërit” i bashkoi për jetë), si dhe shumë aktorë të trupave profesioniste të Tiranës, Korçës, Elbasanit, Fierit, Vlorës dhe trupës prestigjoze të Prishtinës.

Rreth katër vite më parë në qytetin shqiptar të Tuzit, në Mal të Zi, u ftua në një simpozium nga shoqata joqeveritare rinore “Koha e re”, ku me kumtesen e tij i bëri një pasqyrim të thellë shkencor historisë shumë shekullore të Malësisë, lidhjes së saj me qytetin e Shkodrës, kontributit të kësaj krahine të madhe në mbrojtjen e trojeve shqiptare, por u ndal edhe në evidentimin e vlerave kulturore e shpirtërore, si një pasuri e madhe e kulturës kombëtare.

Në Klinë të Kosovës u bë një promovim i librit “Dhuna” me autor Lekë Imeraj, një libër shkencor-filozofik, ku i ftuar nderi ishte prof. Fadil Kraja. Ky promovim siç tregon profesori, do të mbetej për të një aktivitet krejtësisht i veçantë.

Dyzet vite më parë edhe në këtë qytet të Kosovës u shfaq drama “Baca i Gjetajve” që përveç ndikimit në ndërgjegjen kombëtare të banorëve të kësaj ane, solli edhe raprezalje nga pushteti sllavo-komunist i Beogradit.Disa nga drejtuesit e kulturës të asaj kohe u burgosën.Surpriza që ata i bënë shkrimtarit të shquar Fadil Kraja ishte një dhuratë krejtësisht e veçantë.Ky ishte një album me fotografi të bëra para 35 viteve gjatë shfaqjes së dramës “Baca i Gjetajve” në këtë qytet. Prof. Fadil Kraja e cilësoi këtë si dhuratën më të veçantë që kishte marrë ndonjëherë në jetën e tij artistike.

Pena dhe mendja e këtij artisti të shquar, janë të mprehta edhe në këtë moshë, të cilat tregojnë se krijimtaria e Fadil Krajës është vitale dhe e pashterrshme.

Mund të ju duket e çuditshme, por kjo penë edhe sot e kësaj dite, është e mprehtë dhe e mbushur me bojë dhe mbi letër, i madhi Fadil Kraja, vazhdon të hedh, për çudi, jo kujtime, por vepra të reja.

Imagjinoni një moshë të tillë me plane krijuese dhe gati paradoksale: Nga dora dhe mendja e Fadil Krajës, para pak javësh trupa profesioniste e Teatrit “Migjeni” vuri në skenë komedinë “Një krismë armiqësore” e cila korri sukses jo vetëm në qytetin e Shkodrës, por fitoi çmim të parë dhe flamurin e festivalit mbarëkombëtar të Komedisë shqiptare në Mitrovicë, Kosovë.

Kjo veprimtari, ky burim i pashterrshëm e ngritën këtë kollos në pjedestalin e një kalorësi prijës e një legjendari që në Shkodrën e lashtë, në gjithë Shqipërinë e në të gjitha trevat shqiptare bëri që të dëgjohej troku i kulturës, artit dhe civilizimit. Krijimtaria e tij ishte kali i tij fluturues, ishte Pegaso me flatrat poetike, ndërsa flamuri kuqezi ishte muza e frymëzimi i këtij “Kalorësi të Urdhrit të Flamurit”

Pikërisht me këtë titull të lartë nderi e dekoroi Mjeshtrin e madh të Penës, shkrimtarin dhe dramaturgun Fadil Kraja, Presidenti i Republikës, z.Ilir Meta me rastin e 70 vjetorit të themelimit të trupës profesioniste të Teatrit “Migjeni” në Shkodër.

Profesori i nderuar Fadil Kraja nuk i fshehu emocionet. Ai iu drejtua publikut të pranishëm dhe qytetit të tij të dashur me këto fjalë: “Është një kështjellë e madhe sasia e vlerave që Shkodra i ka dhënë Atdheut si popull dhe si komb në të gjitha fushat, por sidomos në fushën e artit e kulturës. Në këtë kështjelë të madhe në qoftë se unë në themelet e saj kam vënë një gur të vogël jam i kënaqur dhe ju falenderoj të gjithëve”.

November 28, 2019 10:34
Komento

3 Komente

  1. MH November 28, 21:22

    Dhe gjithemon,ne gjithe jeten e Tije, njeri teper i thjeshte.

    Reply to this comment
  2. Buda November 29, 21:49

    Fenomen nderkombetar, kandidat per Cmimin Nobel.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*