Nga Bedri Islami
Botuar në DITA
– Nderi i shkrimtarëve ka të bëjë me të Vertetën”, Moikom Zeqo
As ai vetë nuk e dinte pse është i prirur të jetojë midis gjërave, të cilat janë skajore, të ndërlidhë të pangjashmet, të arsyetojë paradokset, të ndërlikojë të thjeshtat, të gjurmojë enigmën, të jetë asket ndaj joshjes pasurore, të jetë i lënduar dhe të mos lëndojë askënd; nuk e di e ndoshta nuk ka për ta ditur kurrë përse përpiqet të zbulojë atë që ndoshta nuk mund të zbulohet kurrë, të ndërtojë me një ngulm të pashoq koleksione të tilla të përafërta, të cilat , më pas krijojnë fragmente të imazheve të jetësore që lëvizin në këtë peisazh jo vetëm shqiptar, ato copëza të mëdha hapësire dhe dendësi kohërash të pabesueshme; nuk e di përse është i prirur të thyejë veten si rrallë kush e të mendojë gjëra të pamendueshme dhe të ndërtojë një piramidë të pazevendësueshme, të cilën nuk e prish dot as rrëkeja e viteve, as ashpërsimi i moteve, as mëria dhe harresa.
Kam gjithnjë në memorjen time një pamje të shumë kohëve më parë, kur student i vitit të parë, tmerrsisht i dashuruar, ndërsa ecja në rruginat gjithë bar të qytetit të Studentëve, shikoja studentët e vitit të fundit, Moikomin, Sefedin Çelën, Llazar Veron, Vllasova Mustën, Adelina Ginën, që ishte motra e apostullit tim të letërsisë, Shpëtimit, Fatos Kongoli, Bashkim Koçi, më duket Koço Kosta, të gjithë të hajthëm dhe të talentuar, që më pas do të krijonin një elitë të gazetarisë në Shqipëri.
Moikomi do të botonte aso kohe librin e tij të parë poetik,dhe atëherë nuk ishte e lehtë të botoje, nga i cili më kishte mbetur në mendje vargu , “ Dëgjoj një zë kur nata mbyll qepallat” dhe, shumë vite më vonë kam menduar se ky njeri, asket i ndershmërisë dhe mik i përkryer, studjues i një lloji të veçantë që më shumë se me të sotmit ngjan me klasikët e dikurshëm, të cilët merreshin njëkohësisht me disa gjëra, me poezi, artitekturë, muzikë, pikturë, skulpturë, flisnin disa gjuhë të ndryshme, ishin filozofë dhe historianë, zgjidhnin miq dhe prishnin tabu të herëshme, ziheshin me mbretër dhe mbretërit ziheshin për to, ishin kalorës dhe ëndërronin të fluturonin, pra, ky njeri, kishte shpallur kredon e tij të jetës përmes një vargu poetik…” dëgjonte zëra edhe kur nata mbyll qepallat”.
Ashtu si klasikët e dikurshëm, që projektonin dhe realizonin ndërtime kolosale, ai, Moikomi, me një durim të pashoq, thuaj se të pamundur, kishte projektuar dhe kishte filluar ngritjen e një perandorie kolosale, jo thjeshtë si godina masive, shufra hekuri dhe pllaka betoni, por të një stili të veçantë, moikomian; ashtu si klasikët projektonin në studiot e tyre të mëdha të ardhmen urbanistike të qyteteve, urat, rrjedhjet e lumejve përmes qyteteve të mëdha, pritat, digat, ashtu , edhe Moikomi, durimshëm, përditë, që nga mëngjesi i herët e deri në mbylljen e qepallave për t’i bërë vend ëndrrës, në dhomën e tij të punës, ku librat të zënë rrugën e të marrin këmbët, kishte skicuar dhe ngrinte të ardhmen e librave të tij, poezi, gjithnjë e më magjepse dhe kumbuese në vizionin e tyre, prozë e gjithanshme, ku eseistika ishte prijëse, arkitekturë, histori, studime të shumëllojshme, me një rebelizëm kokëshkretë, me një fantazi të çmendur, me shfaqjen e një pikture sui generis, i gjithëditur dhe heretik.
Normalisht , të gjitha këto, do të ishin të pabesueshme për një njeri të vetëm; shumë kush, në vitet e mëpasme do të ishte në të drejtën e tij të besonte se në botën pararendëse do të kishin ekzistuar të paktën Pesë Moikomë;
1.Historiani rebel, i palodhur dhe ngulmues, fushëpamja e studimeve të së cilit rrok një hapësirë aq të gjërë, sa që brenda saj mund të gjesh të gjitha kohrat, që ngarendjet e Solomonit e deri tek zhvillimet marramendëse të ditëve tona, duke pasur një kryetemë: epikën Skenderbeiane, me të gjithë shtrirjet e saj historike, si pararendëse dhe pjesë e historisë europiane, pjesë e së cilës u bë nga gjithë ajo që përmblodhi në vetvete akti i qendresës si akt i mbijetesës.
Historia e trajtuar nga Ai nuk ka pasur asnjë tabu dhe asnjë ngarendje inatçore. E ka parë historinë si njëri ndër të dashuruarit pas saj, por ftohtësisht; pa pasur me vete urrejtje dhe mëshirë, por pa e ndarë të vërtetën në dysh.
Megjithëse në rradhë të parë ai është Poet, dhe , duhet pranuar se shtë poeti më i çuditshëm i letrave shqipe dhe pararendës i një kohe tjetër, ai mbetet po kështu edhe si historian i dorës së parë.
Nëse vendosa së pari Një Moikom Historian, më duhet të pranoj se pikërisht duke qenë i tillë ai ka sjellë një letërsi ndryshe, të çmuar dhe të rëndësishme.
Historinë ai e ka trajtuar kurdoherë si një shqiptar i shquar, si një kalorës i Skënderbeut, me të cilin titull u nderua para dy ditësh, por pa rënë një një fobi shqiptaromadhe.
Një herë ai ka shkruar se “ Nderi i shkrimtarëve ka të bëjë me të Vertetën…”, dhe këtë të Vertetë ai e ka sjellë në studimet e tij historike. Dhe, çka është më fatlume, e ka sjellë si historian i dorës së parë , përmes një mendje brilante dhe orëve të tejzgjatura të një studimi rigoroz gjer në stërlodhje.
2. Filozofi i pasionuar pas enigmës dhe të vërtetës, ngulmues dhe kërkues deri në fund, duke skajuar në një qoshe të dijes së tij të vërtetat e padiskutueshme dhe duke kërkuar tabutë që mund të thyheshin. I dashuruar pas Platonit ai bëhet dishepull i filozofëve kinezë, ende të panjohur në kontinentin e vjetër. Gjithçka i intereson nga Zarathustra, Jahovai, Buda, Krishti apo Muhameti, katër ungjijtë e Dhjatës së Re, rrugëtimi i Apostujve apo shumë më përtej tokës së premtuar, në Lindjen e mbuluar nga mjegulla e së paditurës; dëshmon për këtë filozofi pararendëse e paditur e krishtërimit, studion Konfucin, emëri i të cilit u bë emëri i një religjioni, por pa Zot; adhuron dhe studjon teorinë e Platonit me idetë për drejtimin e shtetit; rend më tej në idetë e tashme të filozofisë moderne, duke shpallur kredon e tij të respektimit të njerëzores, e rikthehet në lashtësi, duke afrtuar idenë e filozofit kinez Menci, sipas të cilit, “nëse sundimtari nuk ka cilësi etike. Që duhet t’i ketë një prijës i mirë, njerëzit kanë të drejtën morale të bëjnë revolucion”.
3.Studjues i përmasave apokaliptike. Të pafund, do të thoja dhe të gjithëkund. Ndoshta kjo është hapësira më e madhe që ai vetë ka krijuar me një përkushtim mirënjohës që nuk ka ende shoq dhe që, jem i mendimit, nuk do të ketë për shumë kohë. Ata që janë studjuar nga ai, jashtë tabuve dhe keqardhjes, por mirësisht, herë nga një vizion i vrazhdë, gjithësesi rrëzëllitës, i pashmangshëm në këto raste dhe dlirësues domosdo, pasi e vërteta nuk është fusha moçalore, por ajri i pastër i lartësisë.
Emra të mëdhenj të historisë së botës kanë hyrë në studion e tij dhe kanë kaluar tek ne si nga një paradhomë e dritshme për të qenë pjesë e dritës. Studimet e pafundme për Onufrin, Naim Frasherin, Kukuzelin, Da Vinçin, lëvizjet e mendimit iluminist prmes figurave të ndritura, eposi Kadareian vezëllitës si pak kush në letrat europiane, Lasgush Poradecin – një kryevepër e llojit të vet; Dritëroin, në përmasat e poetit, njeriut dhe menditarit, Erazmin e Roterdamit, Tomas Mor, krijuesin e habitshëm të librit të pazakontë, “Utopia”, Jan Husin çek – pararendës të Martin Luterit, Gjon Buzukun dhe Gazullin, gjuhën shqipe dhe bektashizmin, Edipin dhe Mona Lizën, si dy skaje të një litari; mbi të gjitha për Migjenin, më të dashurin poet të tij; Mjedën, si një univers i papërkthyeshëm ,çka është mëkati i s’ dashtunës botës sonë, De Radën- më njerëzorin të poezisë shqipe dhe të parin poet europian në dheun e përtej detit, Barletin, historian ,poet dhe filozof, Shekspirin, Galileun, Niçen, më pas Frojdi, Bodler…ka afruar të pafrueshmit dhe ka krahasuar të ngjashmit me një saktësi verbuese, Oskar Uajlldin…dhe mëkatet e tij, për Durrësin…, mbi të gjitha Skenderbejada e tij; më shumë se 3 mijë figura historike janë në tabllot studjuese të Moikomit, kaq e gjërë është fusha e studimeve të tij , sa që ngarendja përmes tyre të merr frymën.
4.Poeti i pazakontë, kërkues, i së ardhmes dhe me perandorinë e tij të frikshme të figurave; pak vetë në botën e letrave kanë krijuar një korpus të tillë dhe askush në hapësirën shqiptare.
Poezia e Moikom Zeqos është njëra ndër shkrepëtimat e zgjatura që kthehen më pas në dritëzim. Në fakt, shpesh herë më ngjajnë me digat e mëdha, ku ujrat e grumbulluara nga urtësia e kohës rikthehen në dritë, çka ndodh shpesh herë në librat e shenjtë të moteve të shkuara.
Poezia e Moikom Zeqos është fisnike, përhapet përmes figurave dhe ngjyrave si nga një pikturë e prekshme, ajo shpsh herë më ngjan me një tempull, tek i cili pa pushim bëhen pelegrinazhe. Poezia e tij është e vështirë të dyzohet, as të zevendësohet, por është e aftë të ndikojë tek të tjerët.
Shpesh herë ajo është një poezi filozofike, nëse mund ta quajë kështu, depëton në brendësi të mendimit dhe t ndjenjës ngulmueshëm, jo për një hop dhe harrueshëm, por duke cikatur tek ndjenja njerëzore qetësisht, dhe ndodh si në puset e lashtë, ku vijzat e litarëve janë thelluar gjithnjë e më shumë, deri sa kanë lënë ato të thelluarat e gurta që duan kohën e pashmangshme të tyre për të qenë të tilla.
Poezia e Moikomit nuk kopjohet dot, ajo imitohet, ndoshta edhe suksesshëm, por brumi i vizionit përthyhet dhe rëndesa lehtësohet.
Nuk kam mundur kurrë të lexoj kurrë i qetë poezitë e tij dhe as të lehtësohem pas një leximi të tillë. Është nga ato poezitë që kërkon rikthim, ashtu si koha kërkon cakun e saj.
Edhe sikur Zeqo të kishte shkruar vetëm poezi ai do të kishte arritur lavdinë e krijuesit. E përkthyer në shumë gjuhë, më së shumti në anglisht, ajo ka nuk ka binjakë, atë edhe mund ta shpjegosh edhe mund të mos e shpjegosh përmes fjalëve, por që , në një mënyrë ose në një tjetër do të meditosh, kjo është e pashamgnshme.
Poezia e Moikomit është njëra nër pikturat moderne të kohës sonë që do të jetë në truallin e saj në shumë kohra. Ajo shtë krijuar të mos vdesë me çastin, çasti i shumë poezive të tij lidhet me amshimin, shumëllojshmërinë, shpesh herë me një magji që zgjat pafundësisht.
Në Durrës është një portret i realizuar 20 shekuj para se të lindte gjeniu Leonardo. Ky mozaik, i quajtur “Bukuroshja e Durrësit”, njëlloj “Xhakonda e Antikitetit”, si e quan Moikomi në njërin nga librat e tij, ka një buzëqeshje të çiltër dhe pa dinakëri, flokët e mbuluar nga një kurorë lulesh kanë sjellë profilin e një vajze të re të mrekullueshme.
Poezia e Moikomit ka bërë po këtë risjellje. Nuk e di se cilat poezi do të kishte bërë Ai nëse nuk do të kishte para vetes detin, dallgët, Currilat, lojrat e shkujdesura të detit, kalanë magjepse si një ëndërr, Zotat e dalë nga dheu i shkrifët, legjendat, të shkuarën e çuditshme të një qyteti ku poezia ishte mijëra vjeçare.., nuk e di. Mund të ishte një poezi tjetër. Ashtu si nuk e di se cila do të ishte bota e madhe e Kadaresë nëse nuk do të kishte lindur në një qytet të gurtë, në të cilin, po të rrotulliseshe në kopështin e shtëpis[ë tënde, mund të përfundoje në çatinë e fqinjit..nuk e di se çfarë do të kishte ndodhur me Migjenin, nëse nuk do të kishte linur në Shkodër e nuk do të kishte vajtur në Pukë, ku “ malcori me brekët legjendare në shtat” do të sillej si lypës për një barë misër…
Moikomi është poeti që merr rugën e detit për të qenë në një lartësi kumbuese.
5.Prozatori i shkëlqyer i fjalës së lirë, shpesh herë lemëritëse, besnik në bindjet e tij, autori që nuk i del vetëm një emër n krijimet e tij, por krijon një përsonazh – autor. Në emër të së cilit shkruan e boton libra, bën sherr me të, bashkohen e ndahen, herë janë shpirtra binjakë e herë kundërshtarë, Makabe Zaharinë; habitet dhe dyshon për gjithçka; tregimet e tij janë sinopse të një romani të ardhshëm, por që kurrë nuk u bënë të tillë.
Moikom Zeqo është eseist i dorës së parë, më i shquari i kësaj fushe të panjohur si duhet deri në fillimin e këtij shekulli; ai është ndërtuesi i një shkolle unitare, shtegtues në kohra dhe si Farëmbjellësi i pikturës së njohur së David Selenicës, ai “ asht si ajo tokë e mirë, e pellshme, ku fara dosido e hedhun, zen rritet dhe ep fryt ma tepër se pritej….. ( Migjeni).
Moikomi si prozator është ndër më të fuqishmit e letrave shqipe, stili i tij është i veçantë dhe i ngarkuar me mendimin e njeriut kërkues deri në holësi dhe marramendës si pak kush tjetër.
Secili nga këto “Moikomë” është i veçantë, ka ndërtuar botën e tij dhe përmes tyre mund të hyhet gjithnjë me mendimin se do e kesh të vështirë të kthehesh pas.
Ai bëri një jetë të trazuar, të cilës i ka shërbyer sa ka mundur denjësisht, por që edhe i ka shërbyer atij për të ndërtuar një korpus veprash që nuk ka ngjarë deri tani në letrat shqipe dhe, jam i bindur se nuk do të ngjajë edhe paskëtaj.
Ndenjat me Moikomin janë ndër ngjarjet e veçanta. Nuk e di me saktësi se sa shumë vite kemi miqësi, ashtu si nuk e di se kur e pashë për herë të parë detin.
Ai, Deti dhe Moikomi, ngjajnë me njëri tjetrin.
Tani, pas kaq shumë viteve, kur ai ka lënë mjekrrën e tij të bardhë, herë – herë më ngjan me Poseidonin dhe pres me padurim se kur, me sfurkun e tij pesëdhëmbësh, thamë se kemi pesë Moikomë në një, do të trazojë detrat.
Çdi libër i tij është frymë, dallgë dhe trazim i paskajshëm oqeanik.
Të shkruash do të thotë të vdesësh në liri
I lindur në vitin 551 para Krishtit, në shtetin Lu, me një inteligjencë të jashtëzakonshme, njëri ndër filozofët më të mëdhenj të të gjitha kohrave, Konfuci do të shkruante se, “Mendimtarët janë të lirë nga dyshimet , të virtytshmit nga lakmia, të guximshmit nga frika”.
Ndoshta asgjë më shumë se kjo sentencë tejet e lashtë nuk ka lidhje me atë çka karakterizon Moikom Zeqon.
Ai është njëri ndër mendimtarët më të lirë të kohës sonë, i virtytshëm deri në skajim dhe i guximshëm me të gjithë atë që shfaq.
Shpesh herë Ai është vizioni që përplaset në shkëmbnjtë e të pamundurës.
Njëri ndër pararendësit e idesë së në të ardhmen, njeriu në vend të religjionit do të ketë filozofinë dhe se mendimtarët do të jenë njëjtë si shenjtorët në religjionin e krishterë .
Kryengritës i poezisë, sidomos asaj postmoderniste, profet i Kryengritjes së re Poetike, eseist i një lloji të veçantë, sui generis, ai ka hapur aq shumë ujdhesa dhe pjesë kontinentale të një letërsie frymëmarrëse, sa që , nga bashkimi i tyre mund të formohet një kontinent i tërë.
Si thotë Rexhep Qosja, “Kërshëria mendore e Moikomit është e jashtëzakonshme: letërsi, metologji, pikturë, histori, arkitekturë, arkeologji, politikë, gjuhësi. Është eseist me dhunti të gjithanshme, erudit i madh. Di shumë dhe shkruan shumë. Di shumë dhe dijen e përhap dhe gjatë bisedës dhe jo vetëm në libra”.
Jam matur shpesh herë të futem në këtë ngrehinë babilonase, por që nuk do të mund të shembet, e jam kthyer përsëri. Shkallaret e saj ishin të rrezikshme për mua dhe mund të rrëshqisja në secilin çast.
I thoja vetes se denjësia është e përkorë, por mundësitë janë të pakta. Ndjehesha si një njeri i etuar në shkretëtirë , por që ka droje t’i afrohet oazit. Dyshom se e gjitha mund të jetë një mirazh, por, edhe kur e di se gjithçka është e prekshme, atëherë përsëri qëndron në çragun e hyrjes, duke i thënë vetes, “ Oh, zot, bëje ëndërr!”.
Dy herë jam ndjerë në këtë dyzim të vetvetes: në punimin e një libri për Perandorinë Kaderiane dhe diktaturën, dhe, tani, në një tjetër mister perandorak të botës së letrave.
Një ditë, ndërsa po rrinim me Moikomin në kafenenë e tij të zakonshme mëngjesore dhe po matesha t’i thoja se më grish endimi për të shkruar rreth botës që Ai kishte krijuar, më pyeti befas: “Çfarë mendon për poezinë time, është e kuptueshme?”
Ndërsa po i thoja mendimin tim, që e kisha bluar gjatë në vete, sa më ishte bërë bindje, mendova nipërit e mi të ardhshëm me librat e tij dhe isha i sigurtë se ata do e ndjenin edhe më të afërt se ne, do e kishin, si të thuash, më të tyrin dhe më të prekshëm.
Këto shënime nuk kanë asnjë lidhje me miqësinë tonë më shumë se 30 vjeçare. As me rënësinë e tij në familjen tonnë.
Nëna ime, tash 95 vjeçare, ndoshta më shpesh se për këdo tjetër më pyeste për dy njerëz , Moikomin dhe Ramushin. Njëri i letrave dhe tjetri i luftës. Dy njerëz që , kur takohen, i puthin duart dhe që ajo i puth si bijtë e saj.
Pra, nuk ka lidhje me këtë miqësi. Është diçka që më ka munduar dhe duke patur këtë peng, edhe nëse nuk bëj atëqë do të doja, i thashë vetes, të paktën do të lirosh shpirtin.
*****
Është shumë e vështirë të shkruash për Moikomin, ndoshta duket e pamundur. Përmes shumë shkaqeve, mendoj se njëri është më përcaktues: ai është njëkohsisht në një kohë tejet të shkuar, po aq sa edhe përtej kohës sonë dhe vështirë i arritshëm.
Të merresh me studimin e Korpusit moikomian është një punë sizifiane, nëpërmjet së cilës mendon disa herë se je ngjitur në majë dhe, rishtas, duhet të ia rinisësh nga fillimi. Kjo nuk ka të bëjë me shumësinë e jashtëzakonshme të botimeve të tij, të cilat në më shumë se 110 librat e botuar përbëjnë thuajse 35 mijë faqe, por edhe nga publikimi i jashtëzakonshëm, tejet erudit i gjithçkaje që ka të bëjë me Jetën dhe Vdekjen, të Mirën dhe të Keqen, Orientin dhe Perëndimin, të Shkuarën dhe të Tashmen, Poezinë dhe Mendimin, Vizionin dhe Ëndrrën, Universialitetin abstrakt dhe Alternativat e Historisë, Njerëzoren dhe Marramendjen e Pasjetës, Iluminizmin dhe Fatalitetin, Gjuhën e sotme shqipe dhe hieroglifet e lashta, Ikonografinë dhe Postmodernen, Lëvizjet Sokratike të mendimit dhe Përceptimet Konfuçiane , Botën e Fjalëve dhe Heshtjen e dosmodoshme…të cilat, po ashtu, përbëjnë një korpus tjetër të pamatë, nga të cilat do të ngrihej edhe një vargmal tjetër marramendës, në majën e të cilit e ke të vështirë, në mos të pamundur të ngjitesh. Por, nga rrugëtimi drejt të cilit, nuk mund të shkëputesh. Mund të jesh i lodhur, mund të të ndjellë pushimin në çastin e tij, por , që do të kthehesh e rikthehesh, kjo është e sigurtë.
Moikomi është një krijues i çuditshëm dhe vështirë i përsëritshëm. Ndoshta është më i çuditshmi i letrave shqipe. Jo vetëm të kohës sonë. Në fakt, është përtej kohrave, në një botë mitike, përmes së cilës ai shfaqet si profetët e lashtë dhe shpresëdhënësit e rinj. Kalimi i tij nga njëra kohë në tjetrën nuk e bën atë më pak njerëzor, e bën të gjithëkohshëm dhe njëkohsisht shumë të prekshëm.
Ai është, pa dyshim, mistifikimi i një bote në ngjizje me të ardhmen dhe dëshmues i fuqisë së fjalës përmes së vërtetës. “Asgjë nuk është e bukur vep së vërtetës, shkruante Bualo, vetëm e vërteta është e bukur”.
Kryeqyteti i Moikom Zeqos është e Vërteta. Aty ka ngritur fillimisht kasollen e tij të habitshme përmes poezive të para; pastaj tullë pas tulle, si në Babiloinë e Lashtë, ka gatitur një banesë modeste për të shkuar drejt arketipit të tij, një piramidë veprash dhe mendimi, që zor se i gjendet shoqja në truallin ballkanik e, duhet thënë, shumë përtej tij.
Armik i së zakonshmes dhe mik i të çuditshmëve, si Frederik Reshpjes dhe Lagushit, të mohuarve të mëdhenj të letrave shqipe, ai , si një e vërtetë natyrore e gjen veten në dialogun e pamohueshëm dhe njerëzor me ata që e duan të vërtetën, që e ndjejnë atë dhe nuk kanë asgjë më të shenjtë.
Me Moikomin do të ndodhë diçka e çuditshme. Brezi që do të vijë pas nesh do e njohë atë shumë më mirë se sa bashkëkohësit. Mes fjalëve të tij dhe konceptimit poetik të brezit që do të vijë nuk do të ketë asnjë ndarje; koha e sotme është e pazonja të studjojë si duhet atë, të nxjerrë përfitimet dhe përjetimet e poetit dhe dijetarit, ashtu si ka qenë e pamundur për shumë nga artistët e mëdhenj të kohrave. Ai bën pjesë në këtë plejadë me natyrshmërinë e artistit që nuk është thjeshtë vizionar; në rastin e Moikomit gjithçka është kaq e gjallë, moderne, e prekshme dhe enigmë njëkohsisht, ai ka arritur që në Veprën e tij shumë- shumë të gjërë, të ketë edhe unin e tij, pra të jetë i pranishëm, i konceptueshëm, ndonëse e gjithë kjo mund të ketë qenë e pavetdijshme. Korpusi i tij, më shumë se 100 vepra madhore, është aq i gjërë sa që mendja e njeriut të vetëm duhet të jetë tej së zakonshmes së një gjeniu; ai do të rrokë kaq shumë tema dhe përsonazhe, sa që prej tyre mund të kemi një bibliotekë të pazakontë ose edhe një enciklopedi; ai e bën veten pjesë të dhimbjes duke e ndjerë atë dhe kjo, e gjitha, e bën të duket e pamundura vështirë e arritshme, por ja që është arritur.
Indianët, budistët në veçanti, besojnë në një numur të pafund lindjesh dhe jetësh të mëparshme. Pak e njoh historinë e një princi të Nepalit, i quajtur Siddhartha Gautama, i cili u bë Buddha, ose i Zgjuari, por, nëse sado pak të ishte e vërtetë kjo histori, mund të mendoja se pararendësit e Moikomit kanë qenë të shumtë, që nga Gazulli, Budi,Gjon Buzuku- më i përndritshmi mes meshtarëve të kombit, De Rada, Bogdani më shumë luftëtar e dijetar i madh se sa predikues, i varrosur si peshkop në një kishë të Prizrenit, trupi i së cilit, si mund të kishte ndodhur vetëm në lashtësi me tragjedianin e madh, Euripidin, iu shpërnda qenëve; më tej – Bardhi,Serembe,kronistët e Kastriotit, Mjedja, Migjeni…të cilëve u ka kushtuar trajtime të tëra studimesh dhe për të cilët ka krijuar panteonin e tij.
Arti i Moikomit është si të thepisurat e malit Ararat, maja e të cilit nuk u zhyt nga përmbytja e Noes. Nuk do të ketë kurrë zhytje. Do të ndodhë e kundërta. Vitet duke ikur, si ujrat që zbresin, do të dëshmojnë magjinë e fjalës dhe të një përceptimi ndryshe, shumë përtej kohës sonë dhe krejt afër me kohën që do të vijë. Ndoshta paraprirës i saj, një kasnec i çuditshëm, kurrë ëndërthyer, me aftësinë për të parë tej larg kohës së tejdukshme, reformator i fjalës dhe dashuronjës i pashoq i meditimit.
Moikomi nuk ka një sozi në kulturën shqipe. Mund të ketë shumë të tillë, por kurrë vetëm një. I shpërndarë në shumë fusha, , kudo vështirë i arritshëm, i përcjellë nga tradita magjike e fjalës dhe këndvështrimi enigmatik i njeriut fisnik, i saktë në të vërtetën e tij dhe i vërtetë në të saktën që ka përcjellur, i pasionuar ndaj qytetërimit njerëzor dhe gërmues i së shkuarës – atë është e vështirë ta përcaktosh se çfarë bart në vete. Arkeolog, studjues i nënujrave, biograf, poet, meditues, historian, shkrimtar, përkthyes, gërmues i arkivave, i gjithëdijshëm, të gjitha sëbashku në një njeri janë si shumë, por edhe kjo nuk është e mjaftueshme.
Ai është ndër njerëzit e paktë, specie n zhdukje, që bart mendimin e shumë shkeujve, dhe këtë do ia përcjell edhe brezave të tjerë. I pangjashëm nga të tjerë, në një mjedis të vetmisë së pasjegueshme, ai, edhe pa qenë në një luftë të ditur, është luftëtari që ekziston. Armik i varfërimit mendor të shtetit në vetvete – ai shpall kredon e tij, lirinë e të menduarit dhe dijen si mundësi ekzistence; shkencën si domosdoshmëri dhe poezinë si arti më i lartë i së mundshmes.
Moikomi e ka trajtuar atdheun më shumë se një akt besimi , përkushtimi dhe malli. Ai e ka ndjerë vendin e tij në çdo qosh, në të gjithë përbërsit e tij dhe në të gjitha këndvështrimet. I zakontë apo i pazakontë të ketë qenë një vend; e zakontë apo e pazakontë koha e tij, kjo nuk ka qenë e rëndësishme. Për të, si për krijuesit e kohës, ai, mbi të gjitha, fillimisht është ndjerë shpirtërisht i lidhur me vendin e tij, me ujrat, lumejtë, lartësitë e maleve, me kreshtat, luginat dhe tokën; e ka ndjerë veten të shumëlindshëm njëkohsisht; shkodran, durrsak, tepelenas, sarandiot, drenicak, llapjan, dukagjinas, lab, pogradecar, mitrovicas. Shikimi i tillë do e bëjë atë një ndër studjuesit dhe publicistët më të angazhuar në luftën për çlirimin e Kosovës, duke botuar dhjetra e dhjetra shkrime në mbështetje të UÇK-së, duke polemizuar dhe argumentuar luftën si shansin e fundit për kombin, dhe, të gjithë këtë, pa kërkuar asnjëherë shpërblimin sado modest. Dhe, si për të bërëgjithçka që ishte e mundur, një ditë washingtoniane, ai niset dhe i shkruan Presidentit Amerikan, Klinton, për atë që mund të ndodhë në Kosovë, si një parathënës i mahnitshëm i asaj që ndodhi. Disa ditë më pas presidenti Klinton i përgjigjet, “ I dashur Moikom…”.
E njëjta gjë dhe i njëjti letërkombim që kishte ndodhur më heret e do të ndodhë edhe më pas, mes Ismail Kadaresë dhe disa nga figurat më të shquara politike të shekullit që shkoi.
Askush nuk u tha atyre ta bënin këtë. E bënë, sepse e ndjenë. Kur, çak muaj më parë, në një bisedë me Kadarenë, i thashëse qëndrimi i tij ndaj luftës në Kosovë kishte pasur më shumë rëndësi nga gjithë qëndrimet e shtetasve shqiptarë dhe se thënia e tij, “UÇK-ja është dalzotëse e Kosovës”, më është përgjegjur kaq shumë natyrshëm, se “ kështu e kam ndjerë, askush nuk më tha”.
Moikomi si mik është një veçanti e pazakontë e së tashmes, por normale e brezit të tij. Në fakt, nga i njëjti auditor dolën edhe disa nga figurat më të njohura të letrave shqipe, gazetarë, publicistë, autorë të njohur, por edhe njerëz të sipërores së veçantë. Ai studjoi me një elitë njerëzore të pashoqe, të cilët edhe sot e kësaj dite shquhen për vlerat njerëzore.
Nuk ka ngurruar kurrë të jetë kundër rrymës në miqësitë e tij dhe i habitshëm në shfaqjen e saj.
Do të ishte e mjaftueshme vetëm miqësia e tij , më shumë se gjysëm shekullore,me Frederik Reshpjen, të leçiturin e madh të sistemit, dy herë të burgosurin dhe të ndaluarin e pazakontë, për të krijuar një filesë mendimi.
Por kjo është një temë e gjërë, tek e cila mund ta ndalesh për një çast. Dhe, nëse rifillon, nuk do të ndalesh më.
– Perandoria e Moikomit
Ka qenë jashtëzakonisht e mundimshme krijimi i një perandorie të tillë, që, për më tepër, është dy krerëshe.
Nga njëra anë ajo që ai vetë ka krijuar, siu generis, e tija dhe vetëm e tija, asgjë e njëjtë me idhujt e tij si Migjeni, Mjeda, Reshpja, Poradeci,Noli, Borges, Kafka, Xhojs, Shekspir, Dante, Gëte, e përsëri e njëmendtë me krijimet e tyre.
E veçantë në përceptimin e botës, në stilin krijues, në të papriturën e vargut, në figuracionin rrënqethës, në shumëllojshmërinë e botimit, në rrokjen e hapësirës universale shqiptare, ndoshta që nga krijimi i botës dhe deri në shekujt që do të kenë shumë gjëra të përbashkta me perandorinë e tij.
Nga ana tjetër është shumë dimensionaliteti i krijimit, ku janë të gjitha, që nga shkrimet e shenjta, agimet kumbuese dhe të arta të Babilonisë, bronxi i shpatave të Kretës dhe të Mikenës, thellësia e hierogliefeve të Egjiptit, enigma e shkronjave fonetike të fenikasve, komentarët e lashtë, tragjeditë e humbura të Eskilit, ibrat e panjohur të Tacidit,Marin Barletius dhe “De obsesione Scodrensis, ( Rrethimi i Shkodrës), vdekja e heretikut Savonarola në turrën e zjarrit, ku kishte shkuar me këmbët e tij; djegia e dorëshkrimeve të Kafkës, mungesa e krijimeve të fundme të Migjenit, mrekullia e profetit që shkroi LIBRI I JODIT, një pararendës shekspirian; më tej Niçe, Shopenhauer, Shiler, Dante, Magna Karta, Makabe Zaharia, Solomoni, madhështia e Shën Sofisë në Konstandinopojën e krishterë, Anatol Frans, Balzak…bota e Hadit dhe Askundi…Uitmani si shfaqje e shenjtërisë poetike, Jezusi, predikuesi më i njohur i botës, i cili, vetëm një herë shkroi një varg në rërë dhe e fshiu, bota e Orientit si një enigmë e mistershme dhe ndjellëse deri në sublimen e panjohur..skicat e Da Vinçit dhe miti i Dedalit dhe Ikarit, si shkëndijime poetike, sfiksi i Tebës në përballimin e të panjohurës njerëzore, bora që bie mbi një qytet të njohur, Washington D.C, që i kujton rrugët dimrore të Migjenit dhe De Radën në bardhësinë e moshës së tij…peisazhet në flakë të Salvator Dalit dhe Guernikën e Pikassos, Volterin e përkulur mbi Kandidin e tij, Makiavelin, Du Fu-në, …
Është një botë e tërë, e studjuar, e eseizuar, e rikthyer në mit, e poetizuar, e ringjallur, e përlindur, e afruar bujarisht, e bartur mbi shpindën e mendimit, e gdhendur dashurisht dhe e dyshuar njerëzisht.
Kjo perandori letrare, ngritur mundimshëm dhe përmes studimit të njëmendshëm, e dhënë bujarisht për të tjerët, pa asnj gardh pengues apo mohues, është e në të njëjtën kohë e lëvizshme, por e qëndrueshme.
Duke qenë një shkrimtar i madh, ai është i prekshëm si njeri. Çka nuk ndodh zakonisht. Perandoria që ka ngritur e ka zbrapsur ndërlikimin e tij, sepse ka hapur portat. Nëse ndonjëherë do të krijohet mbretëria shqiptare e letrave, Moikomi do të jetë pa dyshim princi më i njohur i bukurisë së shpirtit dhe i hulumtimit të papërsëritshëm, vezullues, lëvizës, përcjellës imazhesh dhe ëndrrash, i koncentruar dhe i heshtur, që, sa më shumë koha të kalojë, aq më modern do të bëhet. Ai luan me kohën në atë perandori që ka krijuar, jetues i dy shekujve që përgatit veprën e tij edhe për shekuj të tjerë,. Ai ka arkitekturën e veçantë të kësaj perandorie, që, sa shtë e ngjashme me perandorinë Kadareiane, aq është edhe e ndryshme. E ka ngritur këtë si një mbret dhe skllav i fjalës, por duke qenë i lirë. Ka robëruar kohën për të çliruar shpirtin. Filozof i prognozave të mëdha dhe gërmues i matemorfozës së së sistemit, ai ka bërë vend për studimin e religjioneve të mëdha, dhe perandoria e tij e ka pranuar këtë , sepse është e pamatë, e lirshme dhe e hapur.
Në këtë perandori mund të futesh në një ditë apo orë të caktuar, por, si në të gjithë labirinthet e mëdha, nuk e di kohën e daljes dhe as mënyrën e shkëputjes prej saj.
Moikomi si filozof, më shumë se gjithçka tjetër, është udhëtar i gjithësisë, qytetar i saj dhe dishepull njëkohsisht. Studimi i filozofisë nuk është profesioni i tij, por lëvizja e ideve, që nga paralashtësia e deri në momentet e tashme, është bërë pasioni i tij i padukshëm, si ato Urtësitë e Brendshme të filozofëve kinezë, të cilat, për vetë atë nuk kanë njohur kufi dhe nuk janë mbyllur në gardhin e një shkolle të vetme. Ai është njëkohsisht pitagorian dhe sokratian, adhuron Platonin dhe bën dëshifrimin e jetës dhe të vdekjes së tij, ndjekës i Senekës, Aristotelit dhe i Konfuçit, budist dhe i krishterë, i lidhur pas Shopenhauerit dhe Niçes, gjen ngjashmëritë mes Platonit dhe toistëve të lashtë, ndjek udhën e reformatorëve të mëdhenj të Kishës, Jan Husin dhe Luterin, e gjen këtë shenjë hyjnore tek Gjon Buzuku ynë, shkapërcen pa asnjë ngurrimi kohrat dhe rikthehet tek Koncilet e Trentit, po aq natyrshëm sa edhe në bisedat e Virgjilit me Danten në një parajsë nënqiellore; dyshues për gjithçka dhe kërkues në gjithçka, të afron mendimin e Tomas Mor-it, – ah “Utopia” e tij, një histori e përkryer që zhbën historinë banale, historia e njeriut në luftë me historinë e anti-njeriut, shpresa e projektuar dhe grishja e mendimit; dhe Erazmit të Roderdamit, njëlloj si edhe mendimin filozofik të De Radës; mendimi i tij filozofik i ngjan më tepër se gjithshka tjetër koraleve të qëndrueshme mbi shkëmb, sepse në të gjithë këto thellime, përsiatje, “kolonizime “ vetjake, kapërcime kohrash për të zbuluar mendimet brahmane dhe budiste, njëjtë si shkrimet e shenjta, të lashta sa rifillesa e botës. Buda, Solomoni, Krishti, Muhameti; Uilltman dhe Borges, si poetë mendimtarë, skllevërit zezakë që krijuan profetin e tyre të lëvizjes paqësore, Martin Luter Kingun, njëjtë si kishin krijuar mendësitë filozofike indiane tek një burrë i shkurtër, mbështjellë me çarçafë të bardhë, si përmes reve, hyjnorin e tyre, Gandin..
Për Moikomin unë do të shkruaj ritash e rishtas. E kisha të vështirë të hapja një brazdë dhe të mbjell disa fjalë.
Më duhet ende më shumë kohë për të shkruar për artin e tij të veçantë, për poezinë dhe prozën, për të cilën Dritëroi do të skruante se “Proza e Moikom Zeqos, është një prozë e madhe, i nivelit të Umberto Eco-s”, për idhujt e tij të qëndrueshëm, bashkëbisedimet e habitshme me ata që nuk janë më dhe kredon e tij filozofike, për të veçantën e një libri shterrues, për Lasgush Poradecin; kam hapur vetëm një deriçkë, perandoria e tij ka dhjetra , e ndoshta, qindra të tilla.
“Deriçkën” time të sotme desha ta mbyll me një shënim.
Në Shkodër, me 28 nëntor të katër viteve më parë, Moikomi ishte i ftuar i veçantë në ditëlinden e 90-të të nënës sime.
Moikomi, më dhuroi librin e tij “Lasgushi i panjohur”, në faqen e parë të së cilës shkroi “ Bedriut tim të dashur, për të treguar se poetët e mëdhenj janë më univers krijues se sa fëlliqësirat mediokre të politikës. Me dashuri, Moikom Z.”
Poetët ndërtojnë një botë.
Nganjëherë ata ndërtojnë botën e tyre, krejt të veçantë.
Ai krijoi botën e tij, botën moikomiane!