Për një shoqëri të drejtë (ose “300 milionë eurot e PS”)

Leart Kola November 6, 2012 11:08

Për një shoqëri të drejtë (ose “300 milionë eurot e PS”)

Nuk është aspak e vërtetë që prej 22 vitesh Shqipëria jeton në demokraci. Sigurisht, nuk janë ndaluar regjistrimet e partive politike,s hoqatave apo organizatave të ndryshme, por në thelb rendi ekonomik ka qënë gjithmonë ai i njejti, privatizim, shkatërrim, krijim nëpërmjet kësaj i diferencave të thella shoqërore, pra, NEO-LIBERALIZËM ekonomik. Ne kemi jetuar në një pluralizëm politik, por kurrsesi në një demokraci, e cila është e pakuptimtë, nëse nuk ka diferenca programore mes partive, sidoqoftë zgjedhja, rezultati në terren mbetet i njejtë e ndryshojne vetem “çehret’ e kryeministrave e ministrave.

 

Demokracia jonë ka mbetur vetëm në letër,asnjëherë në Shqipëri nuk ka pasur institucione të pavarura, apo referendume ku populli mund të ndërhynte në mënyrë të drejtpërdrejtë në vendimarrje,m adje dhe në konceptin e makiazhit pluralist nuk kemi kontribuar shumë, sepse në 22 vjet kemi pasur vetëm dy figura dominante politike, të cilat kanë aplikuar të njejtat qasje ekonomike.

 

Kur Berisha erdhi në pushtet në fillim 90-ën, filloi menjëherë me atë që në gjuhën mjekësore quhet “terapia e shokut”. E cila në kuptimin ekonomik është shkaterrim i  gjithçkaje që është publike, e lënia në dorën e lirë të tregut gjithë dinamikës zhvillimore të shtetit. Kjo na prodhoi shumë shpejt firmat piramidale, njerëzit të hedhur në një det informal, në një ekonomi që nuk prodhonte asgjë, sigurisht që do konsumonin veten deri në shkatërrim, siç faktikisht ndodhi në 97-ën. E cila nuk ishte vetëm dëshira e një të çmenduri për të mbajtur pushtetin me të gjitha format,por mbi të gjitha, një radikalizëm ekstrem në mbrojtje të tregut.

 

Fatos Nano,premtoi shpërndarjen e parave të marra nga piramidat në popull, akt të cilin ai nuk e bëri. Shpjegimi zyrtar ishte, që ai nuk kishte ku t’i gjente paratë për ta bërë një gjë të tillë. Por për këdo që ka njohuri jo të mëdha mbi buxhetin dhe ekonominë është e qartë që kjo ishte një farsë. Në atë kohë pengueset më të mëdha të kësaj iniciative nuk ishin mungesat financiare, por qëndrimi i FMN dhe Bankës Botërore, kundra këtij gjesti kaq “socialist” dhe justifikimi zyrtar për mosbërjen e saj ishte që do prishte “tregun”, i cili papritur dhe pse në fillim duhet t’i shërbente pasurimit të qytetarëve, u bë më i rëndësishëm se dhe vetë ata. Në atë kohë, u gjet dhe armiku, e ky ishte “korrupsioni”. Pra sistemi ekonomik, me privatizime të shpejta e diferenca të thella shoqërore nuk ishte problem, mjafton të luftojmë fenomenin e korrupsionit. Kjo teori ju shit si sapuni për djathë shoqerisë shqiptare, dhe ajo e hengri me shumë qejf, duke filluar nga liderat e saj.

 

Por këtu ka dy probleme. Së pari privatizimet e aseteve publike në duar private janë alfa dhe omega e zhvillimit të korrupsionit, e këtë shoqëria jonë e di si fakt historik, shih Gërdec, CEZ, Hidrocentrale etj. Së dyti, kalimi i këtyre aseteve në duar private jo vetëm që nuk e kanë ulur korrupsionin por përkundrazi e kanë thelluar atë, aq shumë sa sot kemi 26 viktima të kësaj forme të ndërtuarit të ekonomisë.

 

Berisha i 2005 nuk ishte një alternativë ndaj Nanos, siç po e tregon edhe sot koha, por thjesht një vazhdimësi logjike e të njëjtës mendësi neo-liberale,ndaj, aso kohe Nano ishte i korruptuar, dhe Berisha i kësaj kohe i ardhur me premtimin e duarve të pastra, i ka deri në shpatulla me korrupsion. Prandaj dhe është e domosdoshme që analiza politiko-ekonomike të dalë nga rrafshi personal mbi karakterin e Berishës dhe Ramës e të zhvendoset në terrenin e alternativës politike.

 

Pikërisht këtë nuk do jo vetëm Berisha por të gjithë ithtarët e kësaj ekonomie. Ata nuk duan që populli të zgjedhë mes alternativash, sepse duan që dhe nëse nesër bien nga pushteti kjo formë të vazhdojë t’u sjellë benefite financiare. Kjo është dhe arsyeja që ai spekulon mbi taksën progresive që sot është në fuqi në të gjithë ekonomitë perendimore, si një taksë marksiste. Prapë, për këdo që njeh fare pak ekonomi, e di që marksizmi nuk është një sistem i bazuar mbi taksa.

 

Sigurisht që është një takse e majtë, e që kërkon të themelojë një shoqëri të drejtë, aq sa praktikohet sot, madje më radikalisht se vetë propozimi i PS, nga Obama, i cili drejton kombin që e shpiku “tregun” dhe iniciativën e lirë.

 

Taksimi progresiv i krijon frymëmarrjen e domosdoshme shtresës së mesme dhe të varfër. Patjeter që të pasurve do u mohohet të blenë makinën e katërt luksoze që ta mbajnë në garazh, por a është kjo një shoqëri e drejtë? Nderkohe kur roja i garazhit të po asaj makine paguan njësoj taksa sa pronari i tij? A mos ndoshta është pikërisht kjo arsyeja e varfërimit? A mos është kjo arsyeja e depresionit që po detyron burra e gra të vrasin veten sepse nuk shohin asnjë të ardhme në këtë vend? Sa mund të vazhdojë kjo shoqëri të rezistojë mbi këto parime?

 

300 milionë eurot që propozon sot PS të rikthehen në duart e konsumatorit, janë një jaht i munguar i Taçit, por në të njejtën kohë janë gjallëria e mijëra familjeve shqiptare që duan të bëjnë një jetë të ndershme e të jetojnë ndershmërisht me fitimin e tyre.

 

Taksimi progresiv dhe mbështetja e shtresës së mesme, duke promovuar ekonominë vendase prodhuese si alternativë ndaj privatizimit, shkon bashkangjitur me konceptin e shtet-ndërtimit nga poshtë lart. Asnjë vend në historinë e njerëzimit nuk ka arritur të zhvillohet kështu si e koncepton Berisha dhe PD, pra nga lart-poshtë.

 

Kjo lloj ekonomie ka sjellë që sot  shumica e pasurisë së shqiptarëve të zotërohet nga vetëm 4 % e shoqërisë. Ky deformim aspak natyror është dhe pasoja kryesore për rritjen e tensionit shoqëror, për shtimin e numrit të vjedhjeve ndaj personit dhe pronës. Madje edhe institucione si Banka Botërore dhe FMN, të cilat kurrsesi nuk mund të quhen socialiste, sot e kundërshtojnë me forcë pozicionin e qeverisë shqiptare, duke promovuar një shtet më të drejte në shpërndarjen e të ardhurave.

 

Tamam këtu qëndron dhe ankthi i Berishës, alternativa ekonomike e prezantuar nga Edi Rama dhe PS po krijon një  imagjinatë të re në shoqëri, e cila ishte kastruar prej dy dekadash nën terrorin e vetëm një forme zhvillimi. Ai i druhet këtij debati, sepse për herë të parë populli nuk duhet të zgjedhë mes dy karakteresh, por mes dy botëvështrimesh, mes dy programesh, pra mes dy alternativash. Ky program alternativ i PS ka ringjallur dhe demokracinë, që ne e kemi përfolur shumë por aplikuar asnjëherë.

 

Në qershorin e ardhshëm, ne si shoqëri nuk do kemi vetëm mundësinë e zgjedhjes, por mbi të gjitha të zgjidhjes një herë e përgjithmone me këto fije të padukshme mafioze që sot drejtojnë nëpërmjet këtij sistemi ekonomik vendin tonë.

 

Sot më e rendësishme se integrimi në institucionet europiane, është integrimi i shqiptarëve me vetveten dhe me shtetin që i përfaqëson. E kjo mund të realizohet vetëm nëpërmjet ndërtimit të një shoqërie të drejtë me të gjithë subjektet e veta. Nuk mund të ketë një shoqëri të drejtë kur 96% punojnë për të majmur 4 %, nuk mund të ketë një shoqëri të drejtë kur disa blenë jahtin e dytë e shumica nuk ka bukë. Nuk ka shoqëri të drejtë kur shteti nuk e ve ujin në zjarr për punësimin, arsimin apo shëndetësinë, e keto shtylla ja le në dorë disa xhambazëve servilë me kryeministrin.

 

100 vjetori na jep mundësinë më shumë se të festës, dhe të një reflektimi kolektiv, për ç’ka ishim, ç’ka jemi e mbi të gjitha çfarë duam të jemi. Ka ardhur koha që zhvillimin mos ta shohim në terma individual kafshëror, por si një bashkësi shoqërore, që do ndërtojë të ardhmen edhe për ata që do vijnë.

 

Ka ardhur koha që në 100-vjetorin e shtetit, të ndërtojmë edhe shoqërinë. Prandaj dhe rrugen drejt 200-vjetorit duhet ta nisim duke zgjedhur alternativën për një shoqëri të drejtë e të qëndrueshme.

Leart Kola November 6, 2012 11:08
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*