Për reformimin e kërkimit shkencor dhe dy akademitë shqiptare

Prof. Fatos Tarifa* May 20, 2016 09:52

Për reformimin e kërkimit shkencor dhe dy akademitë shqiptare

U bënë afro dy vite që flitet për reformimin e kërkimit shkencor, ashtu siç ndodhi me reformën e sistemit të arsimit të lartë. Kjo e fundit, të paktën në koncept, në teori dhe në një kuadër rregullator, u mishërua në Ligjin e ri për Arsimin e Lartë, i cili është në fuqi prej afro tetë muajsh. Implementimi dhe suksesi i kësaj reforme shumë të rëndësishme e të domosdoshme për shoqërinë shqiptare, sidoqoftë, mbeten synime që duan kohën e vet për t’u realizuar.

 

Debati për shkencën dhe për Akademinë

Tashmë vëmendja është kthyer në reformimin e sistemit të kërkimit shkencor. Thuasje në të njëjtën kohë, dhe paralelisht me ekipin që përgatiti platformën e reformës së arsimit të lartë, u krijua edhe një grup, që do të ravijëzonte drejtimet kryesore të reformës në fushën e kërkimit. Për arsye që nuk i di dhe, prandaj, nuk mund të hamendësoj, aktiviteti i këtij grupi pune nuk pati të njëjtën transparencë, të njëjtën mbështetje “nga lart” dhe nuk arriti të prodhojë një platformë reformuese si në rastin e parë.

Sidoqoftë, debati mbi reformën në shkencë vazhdon, por, deri më sot, ai ka mbetur një debat përgjithësisht sektar dhe refraktar, që nuk stimulon ndryshimet e kërkuara në sistem. Për më tepër, vëmendja në këtë debat është përqendruar thuajse tërësisht në një institucion të vetëm, siç është Akademia e Shkencave, në të cilën, për afro një dekadë, qysh nga koha kur prej saj u ndanë institutet kërkimore, që ishin truri, zemra dhe gjymtyrët e saj, nuk kryhet thuajse asnjë kërkim i mirëfilltë shkencor. Është kjo rrethanë që, me të drejtë, ka ndezur debatin shumë të polarizuar mbi të kaluarën, mbi gjendjen aktuale, mbi nevojën për reformism të kësaj Akademie dhe mbi perspektivën e saj. Pjesëtar në debat është bërë vetëm ndonjë anëtar i kësaj Akademie (shumica e anëtarëve të tjerë heshtin, ose qëndrojnë në pritje), disa studiues në institucione kërkimore jashtë Akademisë, por edhe ndonjë personazh kafkian, ose ndonjë “crypto-scientist”, të cilit nuk i dihet “whereabouts”.

Ajo që të bën përshtypje (negative, natyrisht), është se për Akademinë shtetërore dhe për kërkimin e vërtetë shkencor ankohen, vajtojnë ose flasin më shumë ata, të cilët studiojnë, krijojnë dhe botojnë më pak. Disa prej tyre, madje, hiqen si “martirë” të ideve dhe të “shkencës” së tyre dhe janë po ata që anatemojnë studiuesit e vërtetë shqiptarë, disa prej të cilëve, për fatin e tyre të keq ose, ndoshta, për fatin e tyre të mirë, nuk bëjnë pjesë në atë Akademi.

Disa prej individëve të angazhuar në debatin aktual duket se kanë marrë përsipër një detyrë prustiane për ta zgjidhur lëmshin e ngatërruar në të cilin është mbështjellë Akademia e Shkencave dhe vetë shkenca shqiptare. Natyrisht, është hedhur edhe ndonjë ide racionale, por, përgjithësisht, përpjekjet e një pjese të tyre, përveçse të motivuara nga interesa ekstra-akademike dhe të artikuluara me një gjuhë të pakultivuar, denigruese, tepër të rëndomtë dhe, shumë herë, me një gjuhë urrejtjeje, janë edhe të orientuara në një drejtim që nuk të shpie askund.

Përtej konstatimeve dhe vlerësimeve të mësipërme nuk dëshiroj të merrem më tej me debatin dhe debatuesit në fjalë. Publiku i informuar i ka ndjekur ata dhe di të gjykojë e të vlerësojë mençurisht. Këtu mjaftohem të përmend vetëm një fakt, atë se, studentëve të mi 20-vjeçarë sot u bën një përshtypje mjaft të keqe kur shohin e lexojnë në media fyerje, sharje e denoncime “intelektualësh” që, një çerekshekulli pas përmbysjes së komunizmit, fjalë të parë dhe të fundit kanë “antikomunizmin”. Kjo nuk dëshmon gjë tjetër veçse horizontin e ngushtë dhe shterpësinë e mendimit të tyre.

 

Akademia Shqiptare e Arteve dhe Shkencave

Më poshtë dëshiroj të risjell në vëmendjen e publikut dhe të autoriteteve shtetërore një fakt të rëndësishëm për jetën kulturore, shkencore e shoqërore në vendin tonë dhe në trojet shqiptare në Ballkan.Në dhjetor të këtij viti bëhen pesë vite nga koha kur është krijuar dhe funksionon Akademia Shqiptare e Arteve dhe Shkencave. Një tjetër Akademi shqiptare, që i ka dhënë dhe i jep më shumë permbajtje, më shumë vlera, larmi, risi dhe dinamizëm jetës kulturore e shkencore në vend.

Kjo Akademi ka në radhët e saj disa prej personaliteteve më të njohura të shkencës e të kulturës shqiptare (në shkencat natyrore: Mina Naqo, Përparim Fuga, Alajdin Abazi, Alqi Çullaj, Marenglen Spiro, Llukan Puka, Anila Paparisto, Dhimitër Dhora; në shkencat dhe në praktikën mjekësore: Panajot Boga, Isuf Kalo, Pandeli Çina, Arben Baboçi; në ekonomi, në shkencat inxhinierike dhe ato agronomike: Abdylmenaf Bexheti, Luljeta Bozo, Aleksandër Xhuvani, Evan Rroço; në shkencat sociale, në jurisprudencë dhe në disiplinat humanistike: Ksenofon Krisafi, Sokol Sadushi, Pëllumb Xhufi, Romeo Gurakuqi, Skënder Riza, Xhevat Lloshi, Emil Lafe, Gëzim Hoxha; në artet muzikore, skenike dhe ato figurative: Inva Mula, Ermonela Jaho, Tedi Papavrami, Limos Dizdari, Eno Koço, Rafet Rudi, Sali Shijaku, Bashkim Ahmeti; në letërsi: Ismail Kadare, Helena Kadare dhe Basri Çapriqi).

Akademia Shqiptare e Arteve dhe Shkencave nuk është një institucion shtetëror, por një komunitet dhe një organizim vullnetar artistësh, studiuesish, shkencëtarësh dhe shkrimtarësh shqiptarë, që jetojnë në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoni dhe në diasporën shqiptare këtej e përtej Atlantikut.Kjo Akademi u krijua qysh nga fillimi nën shembullin dhe sipas modelit të Akademisë Amerikane të Arteve dhe Shkencave (American Academy of Arts and Sciences) dhe adoptoi jo vetëm emrin dhe misionin e saj, por edhe filozofinë, normat dhe rregullat demokratike të organizimit, të funksionimit e të zgjedhjes së anëtarëve të rinj e të drejtuesve të akademisë në bazë rotacioni. Pa pasur asnjë lidhje varësie me shtetin, pa marrë deri më sot asnjë qindarkë nga buxheti i shtetit dhe pa njohur grindje e fraksione në radhët e saj.

 

Misioni i Akademisë së re

Për ata që s’kanë pasur rast ose mundësi të njihen me misionin e kësaj Akademie dhe nuk e kanë ndjekur nga afër veprimtërinë e saj, dëshiroj të bëj me dije sa më poshtë.

Akademia Shqiptare e Arteve dhe Shkencave (Albanian Academy of Arts and Sciences, siç është emri zyrtar i saj në marrëdhëniet me institucione dhe personalitete të huaja), u themelua më 17 dhjetor 2011, në Tiranë, nga një grup nismëtar personalitetesh të njohura në fushën e shkencës, të kulturës e të artit. Ajo u krijua me dëshirën, vullnetin dhe synimin për të përmbushur pesë objektiva bazë, që janë:

(1) Të promovojë krijimtarinë më të mirë kulturore, shkencore, artistike dhe letrare të realizuar në Shqipëri, në trojet shqiptare dhe në Diasporë;

(2) Të shërbejë si një forcë pozitive për gjallërimin e jetës kulturore e shkencore në Shqipëri dhe t’i ndihmojë krijimit të një sfere publike, në të cilën shoqëria civile të konsolidohet si një institucion demokratik;

(3) Të shërbejë si një forum intelektual serioz, duke bashkuar preokupimet për dijen teorike dhe rekomandimet praktike në të mirë të zgjidhjeve racionale të problemeve të shumta e të rëndësishme, me të cilat përballet shoqëria e sotme shqiptare;

(4) Të shërbejë si një katalizator për ngritjen e vazhdueshme të standarteve akademike dhe artistike në çdo fushë të krijimtarisë intelektuale;

(5) Të popullarizojë në tregun global të vlerave dhe ideve arritjet më të mira të artit, të letërsisë, të kulturës dhe të shkencës shqiptare.

Këto dëshira dhe synime kanë udhëhequr deri më sot veprimtarinë e Akademisë Shqiptare të Arteve dhe Shkencave si dhe përmbajtjen e organit zyrtartë saj, revistës Akademe. Për motivet e mësipërme dhe me vullnetin e mirë për t’i kontribuar shkencës shqiptare e për të bashkëpunuar me studiuesit shqiptarë, kësaj Akademie i janë bashkuar, si anëtarë të saj, një numur personalitetesh nga më të shquarat në shkencëne sotme botërore, si Anthony Giddens, Amitai Etzioni, Claus Offe, Craig Calhoun, Victor Friedman, Pierre Hassner, Bryan Turner etj.

 

Ç’bën Akademia e re?

Në më pak se pesë vite nga krijimi i saj, Akademia Shqiptare e Arteve dhe Shkencave ka diskutuar në forumet e shpeshta të saj dhe është shprehur publikisht me zë të lartëpër disa prej çështjeve më të rëndësishme që preokuptojnë shoqërinë shqiptare dhe për sfidat që Shqipërisë i duhet të përballojë. Të tilla kanë qenë e janë debatet dhe sugjerimet e kësaj Akademie për reformat në fushën e arsimit të lartë e të kërkimit shkencor, për reformën në fushën e shëndetsisë, në fushën e drejtësisë, për politikën e jashtme të vendit dhe për çështje të sigurisë kombëtare, për një zhvillim ekonomik e shoqëror të qendrueshëm, për rishkrimin e historisë së kombit shqiptar, për gjuhën shqipe dhe drejtshkrimin e saj, për problemet e mbrojtjes së mjedisit, të zhvillimit të kulturës e të artit etj.

E gjithë kjo punë disavjeçare është bërë e mundur në saje të njohurive, përvojës dhe ekspertizës më të mirë të anëtarëve të Akademisë Shqiptare të Arteve dhe Shkencave dhe bashkëpunvtorëve të saj dhe, siç vura në dukje më sipër, me resurset financiare tepër modeste të vetë kësaj Akademie, të cilat mblidhen kryesisht nga kuotizacionet vullnetare të anëtarëve të saj. Përvoja dhe shembulli i kësaj Akademie, edhe në këtë drejtim, janë kuptimplote për cilindo njeri skeptik ose nihilist, dhe për të gjithë ata studiues që, edhe pse paguhen për “t’u marrë me shkencë”, nuk prodhojnë “produktin” e kërkuar.

 

Ç’mund të bëhet në kushtet e sotme?

Në kuadër të debatit për reformimin e kërkimit shkencor dhe të Akademisë së Shkencave që, deri më sot, padrejtësisht, është konsideruar se ka monopolin mbi shkencën shqiptare, sugjeroj sa më poshtë:

(1) Akademia Shqiptare e Arteve dhe Shkencave, si një institucion akademik i mirëfilltë, tërësisht legjitim, me një profil të spikatur perëndimor dhe si një ndër aktorët më të informuar e më të interesuar për këtë proces reformimi, të ketë vendin e saj në çdo tryezë debati akademik e shtetëror mbi këtë çështje.

(2) Me ndryshimin e peisazhit akademik në vend, pas krijimit të Akademisë Shqiptare të Arteve dhe Shkencave, pra në kushtet kur në Shqipëri ekzistojnë e veprojnë jo një, por dy akademi shkencash (njëra shtetërore, e financuar nga buxheti publik, dhe tjetra joshtetërore, por një akademi panshqiptare dhe jo vetëm e shkencave, por edhe e arteve), si dhe në kushtet kur Akademia e Shkencave nuk ka më nën “çatinë” e saj institucionet kërkimore të dikurshme dhe ato të sotme, ka ardhur koha që, për t’u dhënë fund formave parazitare të përfitimit nga buxheti publik dhe për të stimuluar kërkimin e njëmendtë shkencor, të dyja akademitë dhe çdo institucion tjetër kërkimor, publik ose privat, të vihen në kushte pariteti dhe konkurrence të ndershme vlerash, të cilat të maten e gjykohen nga produktet e tyre shkencore e kulturore. Kjo do të thotë që grupe studimore, ose studiues të veçantë nga të gjitha këto institucione, të konkurrojnë me projektet e tyre për financime publike, përmes grantesh kërkimore.

(3) Veprimtaria kërkimore e tyre (mbi bazën e prioriteve kombëtare për fusha kërkimore dhe mbi bazën emeritave), do të mbështetej financiarisht nga Agjencia Kombëtare e Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit (AKKSHI),e cila krijohet pikërisht për këtë qëllim sipas Ligjt për Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor në Institucionet e Arsimit të Lartë.

 

*President i Akademisë Shqiptare të Arteve dhe Shkencave

Prof. Fatos Tarifa* May 20, 2016 09:52
Komento

9 Komente

  1. Claus May 20, 10:53

    Fatos Tarifa u be i njohur per te gjithe,me skandalin e turpshem korruptiv si ambasador ne kohen e qeverise Nano,ne USA.
    Ministri i Jashtem i kohes,zoti Kastriot Islami e shkarkoi urgjentisht,me te plasur skandali.
    Per ata qe akoma nuk e dine bemen gjemen e ketij akademiku,mund ta gjeni fare lehte ne internet,ne formen e nje regjistrimi ,vetem duke klikuar emrin e tij.
    Pse i them keto?!
    I them ,sepse,si ka mundesi,qe nje njeri si ky qe kerkon pare si te ishte nje alabak rrugesh nga biznesmene,te jete akademik,e per me teper,per me turpshem,President i ASHASH?!!
    Nuk po flas per sharlatanizmin e tij te gerditshem,por per nje afere te shemtuar korruptive.Te regjistruar.Me ze,me transkipt.Qe e kane lexuar miliona shqiptar.E kane lexuar edhe ata qe e quajne koleg.E kane lexuar edhe ata qe e quajne profesor.
    Si ka mundesi,qe ky sharlatan i kapur ne krimin e korrupsionit, te drejtoje nje akademi???…
    Te jem i sinqerte,nuk kisha degjuar me pare per te.Zaten,sharlatanet e mediokrit behen te njohur vetem nga skandalet.
    Ca kohe me pare,pasi po flisja me nje mik per nje debat televiziv ku ishte i ftuar edhe ky, me thote te lexoja ne internet per sociologun Tarifa.
    Hap internetin,dhe c’te lexoj…! Nje profesor,nje palo profesor,nje ambasador nje turp ambasador,qe i kerkon pare nje biznesmeni si te ishte lamash pazari!I kerkonte pare,si ambasador,per nje pune qe do te duhej te bente ne ambasade biznesmeni!
    Ishte e veshtire ta besoja,se deri ku mund te katandisej njeriu!
    Perhere kur e shoh kete surrat ne tv,me rendet shume!Sinqeristh e kam.
    Stundentet e tij,duhet ta lexojne ne internet transkiptin e bisedes korruptive te Fatos Tarifes,ku i kerkon pare biznesmenit.
    Ta lexojne e te kuptojne,se c’edepsez u jep mesim.

    Reply to this comment
  2. Xha Koli May 20, 14:54

    O te .jefsha Akademine e Henri Çilit, s’ju vjen turp xhanem? Ju jeni vetem per para dhe per asgje tjeter. Plehra, e shkaterruat fare shkencen shqiptare.

    Reply to this comment
  3. Deti May 20, 18:50

    Eshte per te ardhur keq qe nderkoihe diskutohet per te reformuar dhe fuqizuar kerkimin shkencor banalizohet debati duke hedhur balte intringash qe hidhen mbi autorin e shkrimit . Po flitet per nje akademi te re qe prej pese vjetsh po prodhon me kontribut vullnetar duke krijuar nje model te integritetit intelektual dhe perkushtimit shkencor Nuk po flitet per Fatos Tarifen as per Clausin apo per Kastriot Islamin .Me banalitete nuk nxihen as nuk cbehen dot risite qe ka sjelle ne shkencen dhe aktivizmin shoqeror intelektual me modeline saj Akademia Shqiptare e Arteve dhe e
    Shkeneces ne keta pese vjet .Ato nuk jane produkt vetem e i nje antari te saj kushdo ai qofte .Shpresoj qe dikush ne nivel vendimares te larte te kethej syte edhe ndaj saj dhe te mbaj shenim.Reforma fillon se pari me reflektim

    Reply to this comment
  4. blendi ...ziu May 20, 19:22

    Kini shume akademike si …ROMEO GURAKUQI ?!!!

    Reply to this comment
  5. Arber May 20, 22:51

    Bravo, Fatos Tarifa! Akademite e Shkencave duhet te jene honorifike dhe jo buxhetore. Ne do te nderojme autoret e veprave dhe jo mjeshtrat e perfitimit te gradave shkencore nga Dr. e deri ne Akademik. Veprat mbesin, nese kane vlere, njerezit, akademiket, perandoret, mbreterit vdesin dhe nuk marin me vete me teper se dy metra vall.

    Reply to this comment
    • XHIXHI May 21, 17:34

      Eh mo Arber, tamam e ke ti, po keta kane ne akademi dhe nje fare Romeo Gurakuqi, historian i ballisteve, edhe nje Ksenofon Kristafi, historian i grekerve, edhe nje Pedhum XHUFI (Omari), historian i pordheve te Kreshnik Spahiut. Arber, e kane me hile keta, se jane kelyshet e Sevos, komunistit te fundit ne kete dynja.

      Reply to this comment
  6. vasili May 21, 12:32

    Te flasesh per shkence,ne cep Europe,katandisur ne nje mocalishte ere qelbur te mesjetes orientale,ku vazhdon te sundoje dhe kundermoje si me pare sali-haleja,eshte si te thuash,qe kulla me vrima dhe e erret e Saliut eshte vila me e bukur,ne bote.
    Nuk do shume mend per te kuptuar,karagjozlleqet banale qe shkruhen me siper,kur lexon qe autori eshte president i akademise se ´´shkences´´ .
    Ka vjet qe ´´funksionon´´pa pasur asnje produkt efefektiv konkret.ku me minimalja dhe domethensja do te ish botimi i nje reviste shkencore (ku dhe ne kohen e komunizmit egzistonte nje e tille dhe ish cilesore)dhe per me tej ´´akademija´´permban dhe emra bagatele si psh matematecieni medioker Naqo,apo seksioni i letersise vetem .nga cifti Kadare dhe nje kosovar.,
    Cdo fjale tjeter eshte kohe e humbur.

    Reply to this comment
  7. Onkezmi May 22, 18:20

    Fatos Tarifa,eshte intelektuali me plotkuptimin latin te fjales.Fisnik,i ditur,i edukusr,dhe i palodhur.Ai sherben ne nje akademi pa marre taksen e popullit,ndersa akademia e shtetit,rrjep popullin.Ky eshte ndryshim i madh apo jo !.Persa i perket liliputeve te mesiperm qe merren me Sevon,tregojne se jane bosh…,se Sevo , autor i 33 librave dhe mendjendritur,qe ne te tere jeten e tij ka qene ne llogoren e atdhedashurise…

    Reply to this comment
  8. Shaban Marina May 23, 03:43

    Kjo Akademi AShASh e politikanit (ish ambassador) Fatos Tarifa – s’eshte gje tjeter, veçse nje ngrehine ne imazhin e vet Fatosit, Edhe sikur kjo ngrehine te behet realitet do te jete thjeshte nje shoqate e shkenctareve, shkrimtareve piktoreve dhe ambasadoreve te plakur me ne krye plakun e ri pelivanin Fatos.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*