Për Umberto Econ dhe historinë e bukurisë

October 2, 2017 12:40

Për Umberto Econ dhe historinë e bukurisë

Moikom Zeqo

Libri Historia e Bukurisë e Umberto Eco-s është botim i ri i Shtëpisë së njohur Botuese DITURIA. Që në fillim dua të theksoj një veçori: ky botim përuron librat në epokën globale si një botim i ndërsjelltë.

Konkretisht DITURIA ka një bashkëpunim tipologjik me atë që quhet standardizim tipografik të një vepre të caktuar që respekton formatimin, ikonografinë e librit dhe bën një shumëfishim sipas gjuhëve të ndryshme të botës.

Para ca vjetësh e kam blerë në Londër Historinë e Bukurisë të Umberto Eco-s, tani kam në dorë të njëjtin libër ku në vend të tekstit anglisht është teksti shqip. Dua të shpall se botime të tilla parakuptojnë një matricë, pavarësisht gjuhëve të ndryshme evropiane ose botërore.

Veçoria e dytë lidhet me përurimin e kësaj vepre para disa kohësh në mjediset e Akademisë së Arteve në Tiranë.

Një veprimtari që mund të realizojë me të njëjtin nivel në çdo metropol ose qytet tjetër evropian.

Shpresoj që botime të tilla të hapin një vazhdë dhe një hulli të caktuar për të ardhmen.

***

Në të vërtetë Historia e Bukurisë  e Ecos pasohet nga Historia e së Shëmtuarës, për të krijuar si epilog librin e tretë që quhet Infiniti i listave. Jam i bindur që DITURIA do ta plotësojë këtë strukturë të plotë.

Por çfarë përfaqëson vepra Historia e Bukurisë e Ecos? Umberto Eco është një personalitet i madh botëror.

Ai është i famshëm si prijetar dhe figurë kryesore e semiologjisë, ai është shkrimtar i famshëm, eseist i jashtëzakonshëm. Ai konsiderohet si një demiurg ose një mag i kulturologjisë në epokën globale ose mondialiste.

Semiologjia Ecos i ka hapur rrugët.

Para shumë vitesh në veprën e tij të njohur Estetika e Thoma Aquinit i dha Ecos një perspektivë.

Kjo ndihet tek romani i përbotshëm Emri i trëndafilit.

Por më shumë është shumëfishuar në studimet e tij për strukturalitetin e gjuhëve, për kodet midis shenjave fonetike dhe universeve të tjerë simbolikë të intelektit, për teorinë ambiguite dhe të vështirë të përkthimit, për projektet e gjuhëve mbinacionale, për analizat e kryeveprave botërore.

Të gjitha këto përbëjnë një lloj kryqëzate kulturore të Ecos. I ditur dhe i informuar si pak kush, i vëmendshëm dhe kapriçioz ai nuk gabon në shijen e përzgjedhjes.

Ai realisht ka guxuar në mënyrë rebele të zgjerojë kufijtë e semiologjisë për të bërë një universalizim të plleshëm dhe për t’iu shmangur një teorie sterile ,që po bën kërdinë sot në botën moderne dhe pasmoderne që lidhet me paradigmën e komenteve, të komenteve, të komenteve.

Eco është diçka tjetër, ndonëse mund të klasifikohet në bashkëkohësinë e Zhak Lakanit, Derridasë, Roland Bartit etj. Eco është i veçantë sepse është i dallueshëm.

Ai është i dallueshëm  për të qenë njëkohësisht edhe bashkëpërfshirës.

Shtëpia Botuese DITURIA e ka pasur një intuitë, jo thjesht intuitë, por një logjikë, jo thjesht një logjikë, por një perspektivë.

Është e vetmja shtëpi botuese në Shqipëri që ka përkthyer disa nga veprat më kryesore të Ecos, duke bërë kështu shëmbëlltyrën e formimit të një korpusi.

Kjo është një meritë sepse është njëkohësisht dhe një mençuri.

Veprat e Ecos mund të krahasohen me një “universitet” sui generis të kulturës së kohës sonë.

Ai që do të mësojë mund të dituroret edhe kur nuk është dakord, edhe kur dyshon, por gjithsesi do të jetë me fat që të kontaktojë me sinteza të mëdha.

Këtë mundësi të shumëfishtë Eco e posedon në personalitetin e tij.

Dhe ja mbas një trashëgimie, për të qenë të drejtë, të mediatizuar, të njohur në glob Eco-ja “guxon” që si kalorës i semiologjisë ta vendosë optikën e tij në artet figurative.

Figurat pikturike, përgjithësisht artet pamore përmbajnë semiologji të shekujve, të traditave dhe të qytetërimeve.

Dituria filologjike kombinon me diturinë pikturike.

Arti kombiturik i lidhjes së fragmenteve të veçantave në një të tërë është një sekret substancial intelektual.

Eco e ka një gjë të tillë në mënyrë seleksionuese gjë që e çon atë tek klasifikimet aspak dogmatike.

Ai e kupton që duke qenë semiologjik mund të jetë dhe një historian arti, por kjo kërkon që brenda analizës të jetë filozofi dhe esteti.

Pa dyshim dhe shkrimtari.

***

Libri Historia e Bukurisë mëton një sintezë së aventurës së kategorisë estetike të së Bukurës në histori.

Libri është konstruktuar në 17 kapituj, që përmbajnë nënkapituj ku diskutimi i nocioneve dhe ilustrimi pikturim krijojnë një funksionalitet të plotë. Eco është treguar i sigurt por dhe tepër përzgjedhës në këtë strukturë.

Nëse arti pikturik ka lindur në paleolit shumë më përpara shkrimit, pra shumë më përpara letërsisë, Eco e zanafillon librin e tij me artin në Greqinë e Vjetër, për të përfunduar deri në dekadën e parë të shekullit XXI.

Ai interesohet për idealin estetik në Greqinë e Vjetër, për dyzimin e madh dialektik midis artit apoloniat dhe artit dioniziak, për nocionin e bukurisë si përpjesëtim  dhe harmoni, për dritat dhe ngjyrat në Mesjetë, për normëzimin e bukurisë dhe humanizimin e saj në shekujt XV-XVI për arsyen dhe Bukurinë në epokën iluministe, për të madhërishmen dhe rebelen në artin romatik,  për raportin midis Arti Nova  dhe Arti Deco, për sekularizimin e Bukurisë, për bukurinë e makinave si instrumente të modernitetit, për format abstrakte dhe të thelluara të lëndës, deri te bukuria e mjeteve të informacionit.

Ai nuk frikësohet për ta përballuar denjësisht dhe me erudicion tërë këtë histori të papërballueshme.

Libri i Eco-s mbështetet mbi disa parime substanciale.

Parimi i parë është kronologjia, e qytetërimit pikturim (këtu ai bën një kufizim me dashje, domethënë sintetizon  qytetërim pikturik kryesisht evropian dhe anglosakson), për të treguar se sentenca e Gombrixhit “se ekziston arti dhe jo artistët” ka një të vërtetë, një të vërtetë jo për të mohuar emrat e artistëve të mëdhenj, por për të treguar se arti pikturik  është në të vërtetë një organizëm i gjallë nga zanafillat deri në ditët e sotme. Në mbështetje të kronologjisë Eco nuk i harron emrat e artistëve stacionarë, përkundrazi, por ai kërkon logjikën e zhvillimit dhe të vijimësisë.

Ai thekson antropomorfizimin pikturik, çka lidhet me konceptin humanist të arteve pikturike.

Ai citon Klementin e Aleksandrisë, atin e rreptë kishtar,  i cili citon filozofin Ksenofan, i cili ka thënë se në qoftë se kuajt do t’i vizatonin hyjnitë e tyre,  do t’i bënin ata me pamjen e kuajve.

Kështu tërë panteoni i hyjnive jo rastësisht ka fytyrat e njerëzve në art.

Parimi më i çuditshëm dhe më i rezultativ i Eco-s, në këtë libër është parimi sinkretik.

Ai e lidh artin e pikturës me të skulpturës pa harruar asnjëherë arkitekturën dhe pa dyshim dhe gjeometrinë.

Ky sinkretizëm është marramendës, i furnizuar nga idetë e teksteve filozofike dhe eseistike.

 

Ai citon gjithashtu Platoni shumë herë,  për të treguar se koncepti i së Bukurës  është shumë më tepër sesa kufijtë e kësaj kategorie.

E Bukura është dhe e Mrekullueshnja, edhe e Hijshmja, madje dhe e Jashtëzakonshmja. Koncepti grek aristotelian i “Kallokagathia” për të Bukurën është një matrisë në histori.

Poeti Teogniti i shekullit VI para Krishtit, në një nga poezitë e tij për Dasmën e Kadmit ka shkruar:

“O muza, ju bija të Zeusit,

Ju që një ditë në dasmën e Kadmit,

Kënduat atë thënie të bukur:

Ç’është e bukur, ajo është e dashur,

Ç’është jo e bukur, s’është e dashur”,

 

Vargjet e mësipërme të afrojnë tek koncepti utilitar dhe i rëndësisë shoqërore të së Bukurës në histori.

 

***

Që në Parafjalën e librit Eco-ja bën një dallim për të mos bërë një ndarje absolute midis së Bukurës së natyrës dhe së Bukurës së artit.

E Bukura e artit e ka elementin e krijimit artificial, por të kuptuar më mirë të bukurën e natyrës.

Megjithatë, struktura e natyrës e gjeometrizuar e saktëson harmoninë e artit.

Ideja e Platonit për përpjesëtimet e domosdoshme në art, apo numerologjia e harmonisë së Pitagorës, kanë çuar tek kanoni i “Prerjes së Artë”, apo tek ideja e “Nomosit” në muzikë.

Libri i Eco-s bën apoteozën e Bukurisë së trupit të njeriut, të nudizmit antik, dhe atë të artit rilindas evropian.

Një risi e këtij libri është rikonceptimi i Eco-s së artit mesjetar. Eco është kundër dogmës që e konsideronte skajshmërisht mesjetën si një “errësirë gotike”.

Ai tregon që Mesjeta ka fillesat e artit modern, madje dhe të romantizmit dhe të konceptit të avancuar surrealist.

Është e vërtetë që artet në mesjetë janë arte të programuara dhe ikonografia është një çështje e madhe teologjike.

Por liria e të shprehurit nuk ka munguar, mjafton të shihen pikturat e vëllezërve Limbur të shekullit XV që kanë një pasuri fantazmagorike ngjyrash për të kuptuar pse mund të lindte më vonë një Van Gog, një Gogen, ose një Mone.

Për më tepër strukturat kompozicionale të artit mesjetar qoftë ato me karakter rrëfimor, qoftë ato me karakter simulant kanë qenë bazore për artin modern.

Kështu pikturat e Peter Brygelit, ato të Hieronim Boshit, ose dhe të Fra Angjelikos mund të bëjnë një ndërlidhje të çuditshme midis artit të  Pikasosë, të  Salvador Dalisë, të Magritit, të Klimtit, të Francis Beconit.

Eco i saktëson nocionet duke i parë si dialektikë.

Ai flet për teologjizimin e së bukurës së koduar, për të rrëfyer bukurinë mbindijore, ose të mistikës së bukurisë tek Sandro Botiçelli, për të analizuar ciklin e Venerave të Belinit, Ticianit, Velaskezit, për të bërë një tjetër udhëtim tek Bukuria e shqetësuar dhe manierizmi të shekullit XVI (Xhorxhone, Dyrreri) tek nocionizmi (mendjehollësia) i së Bukurës si absolutizim dhe dialektikë, deri tek simbolizmi e pikturës romantike, tek surrealizmi pikturik, deri tek konceptualizimi i arteve moderne në shekullin XX.

Eco eksploron dhe gjykon.

Është i lirë, e urren dogmën, arsyeton për të demiurguar botën e artit si një fakt i epërm dhe i patjetërsueshëm i ekzistencës.

Ai flet dhe për Bukurinë e makinave, për kibernetikën artistike, për funksionalitetin e detajeve në një kontekst pikturim pamor, për artet e avangardës si provokim të bukurisë shoqërore dhe mendore.

Të gjitha këto orbitizohen  së bashku ku e dallueshmja plotëson.

Por libri i Eco-s e ka një përparësi të jashtëzakonshme: ai shoqëron koleksionet figurative në një antologji të citimeve fragmentare por të qëlluara të filozofëve dhe estetëve që nga lashtësia deri më sot, pra kemi në fakt një ligjërim shkrimor të referencave që plotësojnë imazhet e përzgjedhura.

Pikëprisht në këto citime duket më qartë kultura universale e Eco-s. Fjala vjen ai e përmend Platonin dhe thënien e Platonit “se arti imitues është larg të vërtetës”, pa harruar të theksojë se termi mimesis i Aristotelit e ka një të vërtetë të ngjashmërisë së artit me natyrën, por më të sofistikuar dhe abstraguar.

Eco-ja e përmend gjithashtu thënien e Vinkelmanit (babait të estetikës evropiane së artit antik) se: “Ashtu si njerëzit dhe artet kanë rininë, fillimet e tyre, por dhe pleqërinë”.

Kjo do të thotë se sisteme të caktuara artistike lindin, zhvillohen, përmbyllen për t’u mos përsëritur më, pra për të shmangur autologjinë.

Nudizmi grek përmbyllet me fillimin e krishterimit, që hedh mbi statujat prej mermeri  të Afërditave lakuriqe rrobën e errët të murgeshave të krishtera.

Por gjatë rilindjes italiane dhe evropiane të artit, rishfaqet nudizmi i trupave njerëzorë (kryesisht i femrave), për të ringjallur në një formë të re idenë e një Magna Mater, e cila ka plotfuqishmërinë e fertilitetit, të pjellorisë së jetës në të gjitha aspektet kundër konceptit të asketizmit ndjesor.

Arti shpërthen të gjithë kufizimet dhe rregullat e eremitëve të përkushtuar ndaj ideve fikse qoftë teologjisë, qoftë teozofisë.

Arti pra ndërlidh duke kundërshtuar.

Por sidoqoftë ka gjithmonë një histori të ikonografisë artistike në të gjitha kohërat.

Ikonografia e artit pagan ka një lirshmëri humanistike të pashembullt.

Ikonografia e artit të teologjizuar të mesjetës së krishterë bën një përjashtim të detajeve  “të panevojshme” të jetësores së rëndomtë, për shkak të absolutizmit mistik.

Arti rilindas krijon një tjetër ikonografia madhështore ku spikat madhështia e personaliteti njerëzor, e epikurizmit madje dhe e divizës “carpe diem”.

Të gjitha format e artikuluara si manierizëm që çojnë në konceptin e Barokut, të artit gotik dhe përgjithësisht të arteve kanonike që lidheshin me pushtetet e mëdha perandorake ose të shteteve metropolitan, përfshin diçka nga traditat e mëparshme, duke krijuar sintoni madje dhe një arkivë universale të arteve paraardhëse. Humanizimi i artit është gjithmonë një përleshje midis pabarazisë midis njerëzve dhe pushteteve.

Ai shfrytëzon dhe humanizimin e barazisë së përgjithshme përpara Zotit, të krishterimit të hershëm që feudalizmi kishtar e kishte tjetërsuar. Në këtë pikë të mos harrojmë dhe inkuizicionin i cili jo vetëm përcaktonte rregullat kanonike të sjelljeve por deri edhe mospranimin e librave me ide të kundërta, madje edhe një lloj ikonoklastie të kundërt të pikturave humanistike rilindëse.

***

Libri i Eco-s e përmban një filozofi të ilustrimeve: një përzgjedhje të kryeveprave të artit pikturik, por shpesh edhe të miniaturave të kodikëve dhe të librave mesjetarë të cilat nuk kanë emër autori.

Pra bibliografia tek Eco-ja nuk është thjesht një numerologji citimi por një konceptualitet.

Nuk mund të rri pa theksuar se një nga vlerat e gjithëmbarshme të librit Historia e Bukurisë është se libri në fjalë nuk është thjesht një diskutim i një specialisti për specialistët, pra thjesht një sfidë profesionale e rrafshit të thugët akademik, por parakupton një publik shumë të gjerë, shumë etnik dhe shumëgjuhësh.

Ky synim është kryesor.

Në të vërtetë piktura ashtu siç e ka thënë Leonardo Da Vinçi  nuk ka nevojë për përkthim si fjala vjen letërsia.

Por pa dyshim, që libri i Eco-s përfaqëson një metodikë të një didaktike, të një niveli të epërm të intelektit njerëzor.

Kjo didaktikë është mbresëlënëse dhe aspak rutinore, është në përpjesëtim të plotë dhe të harmonishëm me interesat dhe ambiciet më të larta të lexuesve, qoftë atyre në dukje profanë, qoftë dhe atyre tepër të kualifikuar.

Libri Historia e Bukurisë i ofrohet lexuesit shqiptar sipas kërkesave globale si gjithë lexuesve të botës.

Kjo krijon një nivel të ri të leximit, kaq etik për kohën tonë. Cilësia e sendërtimit në këtë libër është pa dyshim nga më të lartat e botimeve që janë bërë deri më sot.

Ky libër i autorit Eco, qe  ka  vdekur, por mbeti dhe mbetet pambarimisht dijetar i madh, është për të gjithë, por sidomos është për artistët e ardhshëm, krijuesit e rinj të Shqipërisë.

Është gati një aksiomë thënia, se nuk mund të ketë kulturë universale pa kulturën e qytetërimit pikturik.

October 2, 2017 12:40
Komento

3 Komente

  1. Lira October 3, 10:12

    Mendimi per te bukuren
    na tradhetoi gjithnje…
    Në gjithe dimensionet
    Mbeti vec mburrje e shqises….

    Reply to this comment
  2. Loni October 3, 20:59

    Ne se ky idiot, me emrin M. Zeqo, paguhet ne baze te nr. te rreshtave, atehere botojani te gjitha budallalleqet qe shkruan. Edhe ai duhet te mbijetoje!
    Loni

    Reply to this comment
    • s'jam "Loni" por mazllumi tinzar October 5, 10:52

      si ngjan asaj soje qe mbajn emra te tille si “Loni” ti
      idiot i nervozuar .Duket qarte ne ate qe shpreh ,qe do jesh noj mbeturine tinzaresh anadolli ,qe fshihesh mes tufes idioteve e pseudoidioteve qe zbriten nga malet ne qytete

      Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*