Për VKM 808, Doktoratat, Titujt Akademikë dhe Kërkimin Shkencor

January 12, 2020 21:27

Për VKM 808, Doktoratat, Titujt Akademikë dhe Kërkimin Shkencor

Nga Edmond Çata PhD

 

1-VLERA E “VKM 808” PËR DOKTORATAT

VKM 808 e Qeverisë Rama, në 11 Dhjetor 2019, që rihap doktoraturat pas 5 vite bllokimi tregon se sa autonom është universiteti në Shqipëri. Këtu nuk merrem me pseudo-autonominë e universiteteve por pyes: Kjo VKM, a i jep fund fiktivitetit të doktoratave, titujve akademike, dhe në kërkim shkencor?

VKM 808 nuk i jep fund fiktivitetit! Sepse hartuesit, në Ministri apo gjetkë, tregojnë se ose nuk ia kanë haberin, ose nuk duan ti bien në kokë shkakut të vërtetë. “Ilaçi” që ofron VKM as nuk reflekton fare rrënjën katrore të problemit: 1) Modelin e Doktoratave në Shqipëri dhe 2) Pregatitjen Metodologjiko Shkencore. Që kanë qënë dhe mbeten “të paprekshme”. As qeveria Rama, as universitetet, nuk kanë guxuar të përballen me to sepse po ti hiqej kapaku, era kutërbonjëse e fiktivitetit të institucionalizuar në 25 vitet e fundit do të mbyste shumicën dërmuese të pseudo-profesorëve me tituj në Shqipëri!

Vetë VKM 808 është shembulli më tipik i formulimit të politikave publike jo mbi baza shkencore, por mbi urdhëra politikë, praktika empiriciste, zgjidhje voluntariste! Prandaj, pavarësisht kësaj VKM-je, ne prapë do vazhdojmë të shohim plagjiatura, Doktorë Shkencash që nuk ia kanë haberin nga shkencë-bërja apo formulimi korrekt qoftë edhe një hipotezë shkencore le më pastaj të studimeve apo projekteve kërkimore vërtet shkencore!

 

2-FALSITETI I MODELIT TË DOKTORATAVE NË SHQIPËRI

Cili është shkaku i vërtetë i fiktivitetit të doktoratave? Praktikat burokratike? Apo modeli i pregatitjes së doktorantëve? Universiteti nuk e ka bërë këtë pyetje sepse gjithmonë pret urdhëra nga Ministria. Ministria, me zv.ministrin e arsimit të lartë, apo “specialistët” me master “Shkencor”, nuk e ka bërë këtë pyetje ndonjëherë sepse ose bëjnë atë që iu kërkon kryeministri dhe ministri i rradhës ose aq dinë!

Sipas Ministrisë shkaku i gjëndjes ka “natyrë burokratike”: problemet me pranimet, botimet, kontrollin! Doktorantët u përzgjidhkan me konkurs, por nuk u marrkan ata që e meritokërkan! Doktorantët duhet të botojnë por ata botokërkan në pseudo-revista, pa reputacion akademik. Udhëheqësit, në vënd të ishin rigorozë me doktorantët, e paskan bërë baltë duke udhëhequr jo 7 por edhe 17, 27, apo 37 doktorantë!

VKM 808 i vjen rrotull-e-rrotull dhe nuk sheh fare në sy dy të vërteta të natyrës tërësisht akademike. Së pari, që Doktorëve të Shkencave në Shqipëri iu mungon pregatitja dhe njohuritë në metodologji shkencore. Ndaj VKM do vazhdojë të mbajë gjallë prodhimin e pseudo-doktorëve që as nuk maten dot me profesoratin ndërkombëtar, as nuk bëhen dot pjesë aktive në debatin shkencor të komuniteteve shkencor. Së dyti, që vetë modeli i prodhimit të Doktorave të Shkencave në Shqipëri është fals, i bastarduar në përmbajtje, pa ngjashmëri me modelet në USA, UK, apo Evropë!

Dhe natyrisht! Kur refuzon të merresh me rrënjën katrore të problemit, përfundon e merresh me bishtat dhe jo me kokën, me formën dhe jo përmbajtjen; me simptomat dhe jo shkakun!!! Qeveria Rama dështoi në bërjen e ndryshimeve substanciale në arsimin të lartë, universitete, kërkim shkencor jo thjesht se s’kish një kacidhe në xhep. Por sepse tregoi të njëjtën mendësi të qeverive paraardhëse!

 

3- S’KA “DOKTOR SHKENCASH” PA PREGATITJE, NJOHURI, DHE AFTËSI NË METODOLOGJI SHKENCORE!

Doktoratat shqiptare janë dhe do vazhdojnë të jenë false dhe joshkencore sepse “Doktori i Shkencave” që ato nxjerrin i mungon pregatitja, njohuritë me veglat, dhe aftësitë në metodologji shkencore. Të cilat përbëjnë esencën e të qënit “Doktor i Shkencave”, që janë kusht “sine qua non” për të qënë shkencëtar. Është pikërisht metodologjia shkencore ajo që e bën një Doktor të Shkencave ti shohë e analizojë faktet e marrëdhëniet në natyrë e shoqëri ndryshe nga njerzit e thjeshtë. Këta të fundit, mund ti shpjegojnë gjërat me fatin dhe rastësinë. Ndërsa një Doktor i Shkencave i sheh dhe analizon gjërat në lidhje shkak-pasojë! Pa njohuri e aftësi në metodologji shkencore nuk shpjegon dot shkencërisht natyrën apo shoqërinë, nuk bën dot shkencë, nuk mund të jesh “Doktor Shkencash”, le më pastaj të justifikosh titujt akademikë “Profesor i Asociuar” apo “Profesor”.

Por njohuritë dhe aftësitë në metodologji shkencore nuk fitohen në mënyrë autodidakte! As në mënyrë empirike! Fitohen përmes shkollimit që gërsheton 1) programet e formimit shkencor me 2) dijen për shkencën dhe 3) pjesëmarrjen në komunitete shkencore! Modelet e “doktorimit” mund të jenë të ndryshme, siç është rasti në USA, UK, apo Europë, por ama kanë të përbashkët një gjë: doktoranti përballet me, dhe i nënshtrohet, rigorozitetit shkencor.

Në Shqipëri marrja e titullit “Doktor i Shkencave” barazohet vetëm me dizertacionin. Ku “autori” nuk ka shkollim në metodologji shkencore dhe mungesën e aftësive në metodologji shkencore e kompenson me plagjiaturë!

 

4- S’KA “DOKTOR SHKENCASH” TË VËRTETË ME NJË MODEL DOKTORAL KARIKATURË!

Falsiteti i doktoratave vjen nga modeli që përcakton si dhe kush bëhet doktor. Modeli egzistues viktimizon individin me potencial real shkencëtari dhe prodhon pseudo-doktorë shkencash sepse në vënd të standarteve akademike, shkencore, profesionale ai operon me standarte qokash. Ai është një pseudomodel, një karikaturë e shëmtuar pa azgjë të përbashkët me modelet doktorale në USA, UK, apo Evropë.

Në USA dhe UK doktoratat zhvillohen përmes programeve doktorale. Doktoranti merr lëndë në metodologji shkencore me të cilat përvetëson veglat e bërjes shkencë. Merr lëndë specialiteti që i mësojnë deri ku ka progresuar dija shkencore, cilat janë temat, çështjet, tezat më të debatueshme nga komuniteti shkencor, cilët janë studiuesit apo programet kërkimore kryesore! Jep mësim në nivel Bachelor. Ndihmon profesorët në punën e tyre kërkimore. Jep “comprehensive exam” ku tregon kapacitetin teorik që ka zhvilluar, njohjen që ka për fushën e specialitetit, aftësitë për gjykim kritik në debatin brënda komunitetit shkencor. Zgjedh udhëheqësin dhe temën e dezertacionit, i paraqet Komitetit Shkencor projektin kërkimor. Inkurajohet të marrë pjesë në konferenca, të prezantojë, të botojë vetëm apo në bashkëpunim me të tjerë. Pra në USA dhe UK titulli “Doktor i Shkencave” nuk barazohet me shkruarjen e një dizertacioni por është rezultat i një procesi të tërë impenjimesh akademiko-profesionale.

Në Europë, boshti i doktoratave është profesori me punë kërkimore të konsoliduar e vlerësuar nga komuniteti shkencor. Aspiranti për doktor duhet të gjejë një profesor i cili brënda kuadrit të interesave shkencore dhe punës së tij kërkimore, mban rreth vetes dhe udhëheq disa studentë. Projekti kërkimor i doktorantit duhet të përputhet me punën kërkimore të profesorit. Doktoranti nuk merr lëndë në metodologji shkencore si në USA apo UK por njohuritë, aftësitë, dhe teknikat që nevojiten për kryerjen korrekte të kërkimit shkencor i merr nga instruksionet dhe puna kërkimore e udhëheqësit të tij. Në mbikqyrjen dhe konsulencën e vazhdueshme të udhëheqësit, doktoranti bën kërkimin e vet në funksion të doktoraturës së tij. Doktoranti bashkëpunon gjithashtu për botime jo vetëm me udhëheqësin e vet, por edhe me persona të tjerë që ndajnë të njëjtat interesa dhe punë kërkimore.

Cilësia e Doktorit të Shkencave që këto modele nxjerrin reflektohet jo vetëm në cilësinë e kërkimit shkencor individual por edhe në renditjen e universiteteve. Ku ato amerikane e britanike mbeten superiorë në renditje, iu afrohen fare pak universitete europiane, dhe lënë pas shumë universitete europiane dhe botërore pikërisht se askush nuk del Doktor pa përvetësuar “veglat” e shkencë-bërjes, pa “zdruguar” aftësitë për të bërë shkencë! Doktorët e Shkencave nga universitetet amerikane e britanike janë tamam si macja me shtatë shpirtra: hidhi ku të duash, vëri para çfarëdo realiteti apo faktesh, ata janë në gjëndje që ti vështrojnë e analizojnë në mënyrë shkencore. Kyçi i superioritetit të tyre qëndron tek formimi, metodologjia shkencore, aftësia për të patur një vështrim të gjërë shkencor, familjariteti me veglat e shkencës, dhe përdorimi i metodave të ndryshme analizuese! Ndërsa doktorët e shkencave nga shumica e universiteteve në Europë, duke qënë se dalin jo nga programe studimore doktorale por nga cilësia dhe eksperienca shkencore individuale e një profesori, reflektojnë pikërisht nivelin e njohurive të transferuara tek doktoranti nga profesori udhëheqës. Kjo bën që ata të shfaqin një horizont shkencor më të ngushtë, të jenë të limituar vetëm në programe specifike kërkimi, të jenë më pak fleksibël dhe të mos ua kalojnë dot asnjëherë kolegëve të tyre amerikanë apo britanikë.

Modeli doktoratave në Shqipëri nuk ngjan as me atë në USA dhe UK, as me modelin në shumë universitete europiane. Ndryshe nga ç’ndodh në USA apo UK, doktorantët shqiptarë nuk marrin as lëndë në metodologji shkencore as njohuri për shkencën, zhvillimet shkencore, perspektivat, temat, debatet, tezat, studiuesit më në zë të komuniteteve shkencore në fushën e tyre të specialitetit; nuk japin mësim; nuk ndihmojnë ndonjë profesor në punën kërkimore; nuk japin comprehensive exam; botimet e tyre janë pseudobotime. Doktoranti shqiptar “shkruan” dizertacion pa shkruar më parë asnjë “academic paper”, pa përvetësuar veglat e bërjes shkencë, pa patur asnjë ide rreth fazave të procesit kërkimor, metodave analizuese; është i vetmi që nuk kanë haber nga analiza statistikore! UET-i tentoi për ca kohë të aplikonte këtë model. Por materializimi i modelit, me “ditë doktorale”, me kurrikulë doktorale që ofrohej me lëndë të një niveli të diskutueshëm, me trajtim të doktorantëve si turmë bachelori, ishte as më shumë as më pak por një karikaturë e vërtetë. Prandaj, nuk është çudi përse doktoraturat shqiptare gëlojnë nga plagjitura dhe pavlera shkencore!

Por modeli shqiptar i doktoratave nuk ngjan as me modelin doktoral që përdorin shumë universitete në Europë. Nëse në Europë boshti i doktoratave është profesori me eksperiencë akademiko-shkencore dhe program kërkimor aktiv, në Shqipëri ky lloj “profesori” mungon! Tek ne, ka pak ose mungojnë farë profesorët me kërkim shkencor të konsoliduar, konsistent, me vlefshmëri të njohur nga komuniteti shkencor ndërkombëtar në një fushë specifike! Profesorët qe kemi në Shqipëri, titullin “Doktor” e kanë marrë nga një model doktoral karikaturë; titujt “Profesor i Asociuar” apo “Profesor” i kanë marrë me qoka, apo përmes lidhjeve politiko-nepotike. Puna kërkimore në të gjithë nivelet, Doktor i Shkencave, Profesor i Asociuar, Profesor, është ose inegzistente ose pavlerë shkencore. Botimet e tyre janë në revista fantazmë, një-këtu-një-atje. Puna kërkimore e tyre nuk përbëhet nga “blloqe” konsistente, që të përfaqësojnë një program kërkimor, që të rrahin qartësimin shkencor të një dukurie apo fenomeni.

Pikërisht sepse kërkimi është pseudo-shkencor, sakat, pa busull, pa tiparet e një programi kërkimor; pikërisht sepse biografia shkencore e “profesorit” shqiptar është sterrë, nuk mund të thuhet që edhe në Shqipëri egziston ai tip profesori që në Evropë shërben si bosht për modelin doktoral dhe prodhimin e Doktorëve të rinj. Në universitetet shqiptare nuk ka profesorë të tillë që punë kërkimore e të cilëve të ketë tiparet e një program kërkimor dhe të jetë e spikatur. Kësisoj, nuk mund të flitet as për profesorë që krahas punës së tyre kërkimore, dhe brënda këtij kuadri, të udhëheqin edhe grupe doktorantësh! Në Shqipëri ka raste, të vënë në dukje nga media apo edhe VKM 808, që disa profesorë kanë shërbyer si udhëheqës të një numri të lartë doktorantësh por kjo gjë nuk ka qënë se “profesori udhëheqës” ka patur një program kërkimor dhe doktorantët kanë punuar doktoratën me aspekte të këtij programi. Në Shqipëri numri i doktorantëve të udhëhequr nuk ka patur lidhje me programet kërkimore por thjesht me paratë shtesë që merrte “profesori” për çdo doktorant! Në Protestat Studentore të Dhjetorit 2018 u bënë publike jo pak raste të udhëheqjes së doktorantëve nga “profesorë” pa asnjë lidhje me fushën e specialitetit apo punës kërkimore!

Prandaj Doktorat e Shkencave do vazhdojnë të dalin pseudo-doktorë përsakohë që modeli i doktorimit që universitetet shqiptare, publike apo private, do vazhdojë të mos e pajisë doktorantin me veglat e të bërit shkencë, të mos e aftësiojë në metodologji shkencore, dhe të vazhdojë të bazohet në një profesorat pa një punë kërkimore vërtet shkencore, të vlerësuar e njohur nga komunitetet shkencore ndërkombëtare!

 

5- FALSITETI I KËRKIMIT SHKENCOR DHE TITUJVE AKADEMIKË.

14 Universitetet publike punësojnë sot rreth 3060 pedagogë në 56 fakultete, 267 departamente, 10 institute, 17 qëndra kërkimore. 71% e tyre ose 2168 vetë, mbajnë tituj akademikë. 14.3% ose 439 vetë janë “Profesor”, 21.1% ose 645 vetë janë “Profesor i Asociuar,” 35.4% ose 1084 vetë janë “Doktor i Shkencave”. Kërkimi shkencor i këtij stafi është ose inegzistent, ose pavlerë shkencore. Në 2014, Florida Misha analizoi kërkimin shkencor në shkencat teknike për periudhën 2008-2013. Gjeti se në 6 vjet, profesorati i kësaj fushe kish botuar vetëm 120 artikuj, nga të cilët vetëm 2% në revista ndërkombëtare elite; se artikujt mbanin autorësi deri gjashtë personave, dhe se “Indeksi Hirsch” i botimeve ishte zero, dmth ishin të pareferuara nga antarët e komunitetit shkencor ndërkombëtar. Mungesa, ose pavlera, e kërkimit shkencor të profesoratit shqiptar nuk është problem vetëm tek shkencat teknike por edhe në fushat e tjera të shkencës. Ne, në raport me popullsinë, kemi jo vetëm më shumë universitete e profesorë me tituj akademikë sesa shumë vende të tjera, por kemi edhe shkallë më të lartë fiktiviteti në titujt akademikë dhe kërkim shkencor. Pse?

Sepse ka një rreth vicioz fiktiviteti të “institucionalizuar”: Modeli pregatitjes doktorale, që supozohet të prodhojë “Doktorë Shkencash” të pregatitur, prodhon pseudo-doktorë. Pseudo-doktorët e prodhuar nga modeli karikaturë duan të bëhen “Profesorë të Asociuar”, apo “Profesorë.” Për tu bërë të tillë, kërkohet produkt shkencor, botime. Por në kushtet kur modeli pregatitjes doktorale nuk i ka pajisur ata me veglat e shkencë-bërjes, ata nuk kanë këllqe të prodhojnë punë shkencore që të “çajë” dhe vlerësohet në komunitetet shkencore ndërkombëtare.  Rruga e vetme për të fituar titull shkencor mbetet: 1) bërja e kërkimit shkencor fiktiv, ose 2) marrja e titullit pavarësisht mosplotësimit të kritereve përmes favorizimit politik, nepotik, klientelist. Fiktiviteti nuk ndalon këtu. Pseudo-profesorët me tituj akademikë të fituar pseudo-meritë, pavarësisht defiçencës së tyre shkencore dhe mospasjes së një pune kërkimore shkencore konsistente dhe të vlerësuar ndërkombëtarisht, bëhen “udhëheqës shkencorë” të doktorantëve të rinj. Fiktiviteti pra, nis me pregatitje doktorale fiktive, vazhdon me tituj akademikë, kërkimi shkencor, dhe udhëheqës shkencorë fiktivë, dhe rifillon ciklin po tek pregatitje doktorale fiktive. Prandaj modeli ynë karikaturë i 25 viteve të fundit, në mënyrë të “institucionalizuar” jo vetëm ka “prodhuar” pseudo-doktorë, por edhe ka “riprodhuar” fiktivitetin në titujt akademikë dhe kërkim shkencor, dhe pseudo-profesorat!

Cila është arsyeja e fiktivitetit të titujve akademikë dhe kërkimit shkencor? Kriteret ligjore? Apo modeli i vlerësimit të kërkimit shkencor dhe titujve akademikë? VKM 808 ia vë fajin kritereve ligjore. Po kërthiza e problemit është modeli aktual i vlerësimit të profesoratit. Me VKM 808 qeveria Rama përsërit të njëjtin gabim të qeverive të mëparshme kur mendon fiktiviteti me titujt akademikë e kërkimin shkencor zgjidhet me VKM e kritere ligjore. Fiktiviteti nuk zgjidhet me ligj apo kritere ligjore. Nuk e ka zgjidhur problemin në këto 25 vite, nuk ka për ta zgjidhur as edhe 25 vitet e ardhshme. Po të shohësh fitimin e titujve akademikë, një numër i madh i pseudo-profesorëve janë bërë “Profesor” apo “Profesor i Asociuar” në 10-15 vitet e fundit. Edhe pse kërkimi shkencor i tyre ka qënë ose inegzistent, ose pavlerë shkencore. Disa janë bërë me qoka apo përmes lidhjeve politike e nepotike. Ka raste kur është kaluar nga “Doktor i Shkencave” në “Profesor i Asociuar,” apo nga ky i fundit në “Profesor” në kohë rekord, edhe brënda 2 vjetësh, pavarësisht sasisë dhe cilësisë së punës kërkimore-shkencore.

Fiktiviteti në titujt akademikë dhe kërkim shkencor është çështje akademike që “përballet” vetëm me instrumenteve akademikë. Një instrument është ndryshimi i modelit aktual karikaturë të pregatitjes metodologjike;  futja e modelit që përdorin universitetet në USA dhe UK. Pa përvetësuar “veglat” dhe metodologjinë e bërjes shkencë, nuk mund të ketë as profesorë, as kërkim shkencor të vërtetë. Instrumenti i dytë është bërja kusht e vlerësimit të punës kërkimore për mbajtjen e vendit të punës si pedagog. Në USA dhe UK ky element njihet si parimi “tenure” ose “publish or perish”, dmth pa publikime në revista serioze ndërkombëtare nuk mban dot vendin e punës si pedagog. Në Shqipëri, e gjithë lufta është sa të futet dikush pedagog, pastaj, nuk ka zot ta shkulë më nga pedagogllëku. Instrumenti i tretë është vlerësimi i cilësisë së punës kërkimore. Deri tani ky vlerësim ka qënë lënë në dorën e mikut, familjar apo nepotik, politik apo klanor; ose të pseudo-konferencave shkencore, pseudo-botimeve shkencore, pseudo-revistave shkencore. Me VKM 808 Ministria e Arsimit merr përsipër të përcaktojë edhe “vendet” e botimit. Jo më në Tompson Reuters (se nuk “bëka”) por në “Journal Citation Reports” ose Scopus” (hahahaha, c’kam qeshur me këtë budallallëk; por kjo tregon innjorancën e hartuesve). Ndryshimi i vërtetë në vlerësim është që si metër matës vlerësues të përdoret botimet në revista ndërkombëtare “peer review”, që njihen nga komuniteti shkencor i një fushe specifike si revista serioze dhe ku botohen punime vetëm nëse kanë vërtet vlerë shkencore dhe jo prej bërjes favore njërit apo tjetrit.

 

6- PËRSE QEVERIA RAMA E ADRESON FIKTIVITETIN ME VKM 808 DHE JO ME MËNYRA TË TJERA?

Qeveria Rama mund ta kishte adresuar problemin e fiktivitetit me disa mënyra. Të identifikuara dhe bërë publike më shumë se një herë që prej protestave studentore të Dhjetorit 2018. Nga vetingu akademik e deri tek kontraktimi i organizmave apo profesoratit ndërkombëtar dhe shqiptar të shkolluar jashtë për të bërë gjënë e duhur. Që qeveria nuk e bën dot, dhe universitetet nuk duan ta bëjnë.

Por Qeveria Rama nuk ka para për të bërë gjënë e duhur. Nëse PPP-të e famshme e nënkuptonin indirekt, tërmetet e 21 Shtatorit dhe 26 Nëntorit treguan se Qeveria Rama është qeveri me arkë bosh, pa para, për tu angazhuar seriozisht në përballjen me një problem dhe ndryshimin e gjëndjes. Nëse Qeveria Rama do ta kishte megjithë mend përballjen me fiktivitetin, do ti duhej të shpenzonte para të cilat ajo as nuk i shkon në mënd të shpenzojë, as edhe nuk i ka! VKM 808 është për Qeverinë Rama një “marrje” pa shpenzime, pa kosto financiare, me fiktivitetin në universitete, pregatitjen shkencore, profesorat, apo kërkim shkencor. Në fakt, është e “vetmja” rrugë për të treguar që qeveria po “bën” diçka, meqë problemet në universitete, arsimin e lartë, profesorat, dhe kërkimin shkencor nuk PPP-oen dot!

Qeverisë Rama i mungon gjithashtu edhe vullneti për të bërë gjënë e duhur. Që Qeverisë Rama i mungon vullneti të angazhohet seriozisht në përballjen me fiktivitetin, kjo u duk edhe në mënyrën sesi ajo destinoi fondin prej 200-300 milionë lekë të vjetër që ajo shpalli në 2018 se vinte në dispozicion të projekteve shkencore me impakt. Qeveria Rama kishte në tryezë të paktën 3 projekte se si mund të përballej me fiktivitetin dhe mungesën e cilësisë në universitete, profesorat, kërkimin shkencor. Në vënd të orientimit të parave drejt këtyre projekteve me impakt të drejtëpërdrejtë mbi universitetet dhe arsimin e lartë në Shqipëri, Qeveria Rama financoi projekte që vetëm me arsimin e lartë cilësor nuk kishin të bënin.

 

 

January 12, 2020 21:27
Komento

13 Komente

  1. Buda January 12, 21:34

    Nuk duhet te miratohet nje Doktorature pa u botuar si liber dhe pa u analizuar nga opinioni publik.

    Reply to this comment
  2. Dija January 12, 23:15

    Po e lexojn kete shkrim ti Shezai Rrokaj, Mark Marku, Dhurata Shehri, Agron Tufa, Erion Kristo? Po ti moj zusha Godole po e lexon?

    Reply to this comment
  3. Doktoratura me qoka!? January 13, 01:02

    Analize e shkelqyer, i lumte autorit! Cata nder te tjera shkruan se:

    “Modeli egzistues … prodhon pseudo-doktorë shkencash sepse në vënd të standarteve akademike, shkencore, profesionale ai operon me standarte qokash. Ai është një pseudomodel, një karikaturë e shëmtuar pa azgjë të përbashkët me modelet doktorale në USA, UK, apo Evropë.”

    Nje shembull “qokash” te kombinuara me plagjiature ka dhene Gazeta Dita me gazetarine investiguese te Ilir Mborjes.

    Mborja zbuloi se “doktoratura” e Tufes jo vetem ishte mbi baze plagjiature, por edhe se ishte dhene me mashtrim, mbi bazen e miqesive, qokave, shkurt mbi bazen e mafias akademike ne Departamentin e Leteresise te Fakultetit Histori-Filologji te Universitetit te TIranes.

    Nje nga “doktoreshat” me “antikomuniste” te tranzicionit shqiptar eshte edhe “Dr” Jonida Godole, pedagoge ne Fakultetin HIstori Filologji (Departamenti i Gaztarise dhe i Komunikimit), Drejtore e IDMC-se, Institut i mirefinancuar nga fondacioni Adenauer, si dhe antare aktive e Bordit te Institutit te Studimit te Krimeve dhe Pasojave tem Komunizmit, krahu i djathte dhe mbrojtese e flakte e ish-drejtorit Tufa.

    E pra, hidhini nje sy “doktoratures” se Godoles te vitit 2013.

    http://www.doktoratura.unitir.edu.al/wp-content/uploads/2014/02/Doktoratura-Jonila-Godole-Fakulteti-i-Histori-Filologjise-Departamenti-i-Gazetarise.pdf

    Udhëheqës shkencor i saj eshte “shishegjuajtesi” “Prof. Dr.” Mark Marku.

    A ka dijeni Gazeta Dita dhe Levizja Dija per kete gje?

    Reply to this comment
  4. h January 13, 07:38

    Ju jeni injorantë të prapambetur në kuptimin akademik por beni sikur reformoheni me
    injoranca akoma më të mëdhaja se ato që ekzistonin.
    Zgjidhja qëndron tek mbyllja e menjëhershme e atyre kjoskave që ju quani universitete
    dhe dërgoni vetëm një numer të vogël në universitetet evropiame të subvencionuara me
    bursa shtetërore për ata pak që meritojnë dhe nuk kanë mundësi ekonomike.
    Ashtu siç ndodhte në kohën e Zogut.
    Mos krijoni iluzione të rrema rinisë duke i vjedhur lekët,duke i lënë injorantë,
    dhe krijuar ushtri të rinjsh të komplesuar dhe pashpresë.

    Reply to this comment
  5. Bureto January 13, 14:32

    Në protestat e studentëve në dhjetor 2017 u ngrit edhe ky problem. Pra cilësia e profesoratit mësimor (pedagogë, dr. prof etj). Nga qeveria Rama në Platformën për Universitetin u premtua që do bëhej një “veting” edhe për doktoraturat dhe titujt akademikë të fituara deri atëhere, mbasi më shtyp u ekspozuan disa plagjiatura për persona publikë. Kështu procesi i doktoratueave të reja ppr ca kohë u ndërpre për të mundësuar reformimin e procesit. Atëhere pyesim: 1) A filloi investigimi për titujt e dhënë deri në dhjetor 2017 dhe 2) Nga puna që u krye a u arrit në konkluzion sesi duhet përmirësuar procesi dhe si do rritet cilësia për marrjen e titujve akademikë dhe shkencorë? Për të parën ka një heshtje si psh. ç’u bë ma plagjiaturat e përfolura për dr. Kryemadhin, dr. Ballën, dr. Tufën etj. Dhe për të dytën, Vkm nr. 808 e ka adresuar psh, gjithë problematikën e trajtuar në shkrim-analizën e Edmond Çatës Phd? Druaj se jo! Më falni po, pa dashur të fyej vlerat e atyre që i kanë merituar ato tituj, më duket se në Shqipëri nga statistika e dhënë në shkrim paskemi më shumë persona me tituj akademikë sesa gomerë. Ky fiktivitet kaq i lartë, përveç kostove në financat publike kompronenton rëndë cilësinë e të diplomuarve nga universitetrt tona, se për shkencë as që bëhet fjalë.

    Reply to this comment
  6. illi January 13, 14:35

    Analiza duket te jete e njeanshem. Po ta vesh re me kujdes autori e gjen te keqen thjesht te qeveria Rama, duke na kujtur pergjithsimin popullor “po ai qe e vodhi nuk ka faj?”. Pra faji kryesor eshte ne rradhe te pare te shkolla e larte, te profesorati por edhe te studentet. Sigurisht me pergjegjesi mund te ngarkohet edhe qeveria Rama, por nderkohe qe flitet per mosnderhyrje te qeverise ne punet e arsimit te larte, anashkalohet edhe nje rrethane e vecante e Shqiperise tone ne keto 30 vitet e fundit: mos valle miseabiliteti i universiteteve tona, i profesoratit po pse jo edhe i nje pjese te studenteve per t`ja “u hedhur detyrimeve” e shtyjne qeverine te fus hundet ne autonomin e arsimit te larte?!
    Megjithate duhet pranuar se ne thelb ligji i arsimit te larte nuk u dha pergjigje ligjore problemeve te tij, ashtu sikunder segmente politike jane ne “prite”, per ta nxitur miletin studentor kunder masave te arsyeshme shternguese, te domosdodshme per shendoshjen e tij?!

    Reply to this comment
  7. e January 13, 17:43

    illi, para se ta gjeje shkrimin si te “njeanshem” mbase kishe patur nevoje te lexoje kete: https://konica.al/2019/01/rithemelimi-i-universitetit-te-tiranes-eshte-imperativ/

    Reply to this comment
  8. Gaqo January 13, 20:30

    O Zot! A do vije ndonjehere dita te mos ia shohim bojen ne universitete si Agron Tufes ketyre palacove qe quhen Jonila Godole, Mark Marku, Dhurata Shehri, Shezai Rrokaj?

    Reply to this comment
  9. Sadik January 13, 21:01

    Shkrimi është shumë interesant por shumë i gjatë dhe Jo shumë realistik. Në Shqipëri, përgjithësisht e keqia nuk kanë qënë ligjet ose VKM-të. E KEQ-ja e këtij VËNDI ka qënë dhe është MOSZBATIMI i ligjit dhe konkretisht.
    Në ligjin e mëparshëm të titujve dhe gradave (me ministër M. Tafaj) ishte e shkruajtur e bardha mbi të zeze 3-artikuj shkencore, 2-prej të cilëve jashtë. Ishte e shkrojtur që për të marrë titujt Prof. assoc. dhe Profesor duhej që kandidati të kishte botuar në revista me Impakt Faktor (IF). Realisht deri një vit më parë IF ishte rankimi i revistave në bazë të disa standartve cilësore të cilën e realizon kompania e licensuar Thomson Reuters. Sot Thomson Reuters është bërë Clarivate analytics. Në vetvete IF është produkt i cili identifikon Revistën ku është botuar një punim, identifikon revistën në krahasim me simotrat e saj dhe statusin e revistës ku është realizuar botimi. Në të gjitha vendimet (VKM-të) e mëparshme përfshirë edhe këtë të fundit (VKM 808. Dt.11.12.2019) kriteret janë të pastra, biles me VKM e fundit edhe më të forta sepse detyron që doktoranti të këtë një botim në kuadër të Doktoraturës të listuar në JCR (Journal Citation Report), e cila nuk është gjë tjetër veçse renditja e revistës sipas cilësisë dhe fushave të kërkimit. Çdo kush e di vlerën e produktit të doktoraturës së vet dhe zgjedh një ndër revistatme IF më të lartë për ta bërë atë të përdorshme nga të tjerët, gjithmonë brënda fushës së studimit.
    Deri këtu nuk ka azgjë JO NORMALE.
    Anormaliteti qëndron se si është zbatuar ligji dhe VKM-të deri më tani.
    Në rrastin e titujve gjithshka është e verifikueshme. Mjafton të hapësh kartat dhe të kontrollosh se a janë përmbushur kriteret?
    Ju zoti XX tashmë i graduar Prof. dhe Prof. i asoosc ku i keni artikujt e detyrueshëm me IF sipas VKM-ve përkatëse? (I cili deri dje llogaritej nga Kompania Thomso Reuters, tashmë artikujt e listuar në JCR list).
    Në realitet, një pjesë e pakët e tituj marrësve i përmbushin këto kritere dhe zhvillojnë një kërkim shkencor real dhe konstant, megjithë kushtet e vështira të vendit tonë, por shumica Jo, sepse kanë mashtuar me IF dhe zëvëndësuar atë me JIF, GIF etj., shumica të botuara nga revista fallco (Fake journals), kryesisht në INDI por edhe në shumë vende Evropiane, përfshirë edhe perëndimin.
    Sa persona nxierr jashtë një verifikim i tillëdhe kush duhet ta bëjë këtë?
    Me këtë mashtrim, injorantët u bënë intelektualë dhe drejtues në institucionet tona të arsimit të lartë. Tashmë janë në drejtim dhe nuk mund të bëjnë vetvrasje, pra nuk e bëjnë dot verifikimin, pavarësisht se këshillat e prodesorëve u bën tituj dhënës, kryetarët e tyre dhe firmosësit ligjorë si Dekanë dhe Rektorë janë përgjegjësit direkt të këtij mashtrimi moral, professional por edhe financiar.
    Me ligjin e ri të Arsimit të lartë,u propogandua se do të realizohej renditja dhe financimi i Universitetve në bazë të meritës dhe cilësisë. A ka sot, pas 5-viteve një metodologji për të llogaritur dhe realizuar renditjen në bazë të cilësisë dhe meritës?
    Jo nuk ka, sepse nuk ka standartet e llogaritjes dhe për pasojë edhe kritere të matjes së punës së pedagogëve. Zgjedhjet dhe votimet nxierrin në krye jo ata që kërkojnë cilësi por të paaftët, sepse në se kërkohet punë nuk mund të marrësh vota. Për më keq, edhe përgjegjësat e grupeve të lëndëve të përafërta, si bazë e kërkimit shkencor, tashmë nuk zgjidhen më me dosje aftësie por me dosje vjetërsie (pra pa-aftësie). Me ligjin aktual është ngritur edhe një drejtori që siguron cilësinë në Arsimin e lartë, por a ka siguruar gjë kjo drejtori?
    Azgjë, përkundrazi, të aftët tashmë po ikin nga vendi, duke mos duruar dhunën e injorancës drejtuese.
    Në lidhje me doktoraturat,arsyetimi i mësipërme tregon se verifikimi i plagjiaturës nuk mund të bëhet nga institucionet që i dhanë ato në mynyrë abusive.
    Por edhe në këtë rrast, në rrugë formale mund të gjenden doktoraturat fallco, nëpërmjet verifikimit të përmbushjes së kritereve formale si pjesmarrje në konferenca, botimet në proceedings dhe artikujt e botuar. Thjesht mund te verifikohen në se botimi i artikujve është bërë në revistat që mbulon grup seksioni ose jo.
    Prandaj verifikimi i titujve dhe gradave fiktive është shumë i lehtë duke verifikuar vetëm plotësimin e standarteve formale ose numrave, pa hyrë farë në aspektin shkencor të tyre.
    Produkti Shkencor i Doktoraturave, sigurisht qëlë shumë për të diskutuar, pavarësisht se në disa rraste në kemi kritere dhe produkte doktorale edhe më të mira se jashtë vendit. Pavarësisht kësaj në disa drejtime ne jemi vite drite larg jo vetëm SHBA-së, UK dhe Evropës, por edhe me fqinjët tanë.
    Pse?
    Sepse po të shohësh udhëheqësit me më shumë doktoratura deri tani, ata janë te kategorisë “Intelektualë Injorantë” gjë qëështë lehtësisht e verifikuëshme nga një përllogaritje e thjeshtë numrash dhe konkretisht, në se dikush ka udhëhequr deri më tani 10-doktoratura, në motorrin e kërkimit GOOGLE, pas klikimit në të do tëduhej të kishte emrini tij në të paktën mbi 30-punime (2-procedingje dhe 2-artikuj jashtë vëndit), sepse të gjitha revistat dhe konferencat jashtë vendit janë të hedhura nëWEB. Vetëm nga ky kërkim i thjeshtë rrëzohet egjithë piramida e fallsitetit.
    Dalja nga gjendje.
    Ministria e Arsimit, Rinisë dhe Sporteve, si përgjegjëse për cilësinë e edukimit mund të detyrojë agjencinë e sigurimit të cilësisë (ASCAL) që të zbatojë Ligjin e Arsimit të Lartë, duke siguruar renditjen dhe dhënien e fondeve në bazë të cilësisë. Universitetet dhe stafet e tyre nuk janë të interesuara që gjendia të ndryshojë, por paratë e taksapaguesëve duhet të shkojnë tek ato institucione që e meritojnë. Në bazë të vlerësimit të performancës individuale tëçdo pedagogu, të realizohet performanca e strukturave të tjera si Departamente, Fakultete dhe Universitete.
    Për këtë duhet të përcaktohen standartet shtetërore të cilësisë nga ana e Ministrisë, thjesht duke marrë standarted e një prej kompanive vlerësuse ndërkombëtare ku vlerësimi përfshin së pari çmime Nobel, Patenta ose Inovacione të tjera, së dyti sasia dhe cilësia e publikimeve shkencore dhe së treti infrastrukturën që ofrojnë Universitetet.
    Përgatitja shkencore e stafit mësidhënës, e vlerësuar në bazë të standarteve të mësipërme shërben si bazë e cilësisë së Universiteteve, Ajo përfshin të gjitha nivelet, Doktor, Prof. Asocc. dhe Profesor. Nuk mund të transmetohet dhe aplikohen njohuri tek studentët nga stafe pedagogjike të paafta.
    Në çdo Universitet në perëndim, UK ose SHBA, stafi paguhet në bazë të punës së normuar, ku publikimet shkencore janë kriteri bazë për të qëndruar ose larguar nga puna. Në se standartet nuk plotësohen, largimi nga puna është detyrim, kursepër ata që kanë abuzuar me marrjen e titujve ose gradave aplikohen edhe penalitete të tjera përveç largimit nga puna.Në bazë të cilësisë në çdo vend të Evropës shpërndahet edhe fondi ose financimi shtetëror i Universiteteve, dhe njëkohësisht mbylljen e Universiteteve. Vendi ynë nuk ka pse mban në këmbë ende “shkollë plepash”, dhe prindërit ska pse paguajnë më për të blerë kartona.
    Cilësia e doktoraturave do të rritet kur të ketëprodukt real shkencor dhe të vazhdueshëm. Udhëheqësi shkencor përbën lokomotivën e kërkimit, prandaj cilësia ose fama e udhëheqësit është mjaft e rëndësishme. Cilësia e produktit shkencor është gjithashtu në vartësi të instrumenteve të analizës dhe përdorimit të teknologjisë. Në Evropë, UK dhe SHBA është udhëheqësi si ideator, organizator dhe drejtues i kërkimit me zbatues “skllevërit” e doktoraturave. Fondet në perëndim shkojnë tek ata kërkues shkencorë që kanë arritje të mëparshme në kërkim dhe që garantojnë një produkt të mirëfilltë shkencor në projektet e kërkimit.
    Për sa më sipër, I dashur Edmond, nuk është faji i VKM-ve, por i zbatimit të tyre. Nuk është faji i doktorantëve por është faji i sistemit të karrierës në UNIVERSITET, ku të paftët të bëjnë gjëmën nëpërmjet sistemit të votave. Sot në Universitet drejtuesi punëson votues dhe jo punonjës edukimi në arsimin e lartë, ose sic ndryshe populli i konsideron si INTELEKTUALË. Është ky system, pa standarte që prodhon INTELEKTUALUCË, dhe persona drejtues që ndrrojnë karriget çdo 4-vjet, pavarësisht se janë injorantë në kërkim dhe aftësi.
    Pranndaj duhet ndryshuar Ligji i Arsimit të Lartë në drejtim që të sigurojë karrerë meritokratike në drejtim. Në asnjë vend të botës, përgjegjësi i Departamentit nuk zgjidhet me votim por me DOSJE. Prandaj kur ky pozicion është i lirë, për të mund të konkurojnë me dosje gjithkush që mendon se produkti i tij është më konkurues.
    Faji është i PARTIVE që punësojnë injorantë për të prodhuar injorantë. Në perëndim Profesori është INTELEKTUAL sepse i nënshtrohet standarteve, dhe njëkohësisht paguhet për punën që bën.

    Reply to this comment
    • Ti thua qe shkrimi eshte i gjate January 13, 23:01

      Ti thua qe shkrimi eshte i gjate, po komenti jot o Sadik eshte shume me i gjate se shkrimi. Nuk e thoje dot me dy fjale qe ne Shqiperi e ka marre ferra uraten qe kur futen hunet partitia Demokratike dhe sidomos LSI. Shiko Filologjikun. Gjithe horrat e LSI jane: Dhori Kule, Shezai Rrikaj Dhurata Shehri,

      Reply to this comment
    • E January 13, 23:10

      Sadik, reagimi yt tregon se njeh shume gjera te brendeshme per universitetet. Do te ishe i gatshem ti te beheshe pjese e nje grupi qe do marre persiper te beje shume gjera nga ato qe ti sugjeron te behen???

      Reply to this comment
      • Sadik January 14, 14:01

        sigurisht, per kete luftuam nje vit me pare por me kot.

        Eshte shteti, ne kete rrast Ministria e Arsimit dhe Parlamenti qe duhet te beje ndryshimet, gje qe mendoj se nuk kane as me te voglin impenjim per ta bere.

        Reply to this comment
  10. Partneriteti PPSH & SPS January 15, 11:33

    Perderisa akoma ne Shqiperi presin djemte, nipat dhe bastardet e aferave seksuale te Partise se Punes, qe te shprblehen me Master dhe Doktorature, pa shkuar asnje dite as ne godinen e universitetit Shqiperina ka shkuar per lesh. Ne kete menyre jane dhene dhe njoh njerez qe me padurim po e presin kete VKM 808 per te marre titull, sepse ashtu u kane premtuar “shoket dhe shoqet” qe dikur kane qene pedagoge bashke e bile edhe partnere ne afera seksuale. Prandaj ftoje shoqerine civile t’i monitoroje te gjitha fazat e ketij “tenderi te hapur publik” te tipit PPP te Partise se Punes se Shqiperise per marrjen e titujve, te shikohen kriteret e “tenderit”, kushteve te pranimit, regjistrimit, vijueshmerise, e deri ne mbrojtjen publike te “ofertes’ se kandidatit, apo ato pas VKM vetem do te PRINTOHEN sepse “shoket dhe shoqet” tashme jane pranuar, sepse nuk munden t’i marin titujt se nuk i lejonte Berisha!!!??? Do te habiteni qfare biznesi eshte pergaditur te zhvillohet!!!!

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim

Njoftim