Gruaja qëllon burrin me thikë ndërsa hanin drekë në piceri

Mariglen Mullai May 26, 2014 08:27

Gruaja qëllon burrin me thikë ndërsa hanin drekë në piceri

Për një xhelozi të momentit, por edhe pas disa zënkave të njëpasnjëshme, gruaja qëllon të shoqin me thikë në mes të picerisë. Burimet policore thanë për gazetën “Dita” se një konflikt i çastit mes dy bashkëshortëve, në një piceri në qytetin e Durrësit është mbyllur me plagosjen me thikë të burrit nga ana e bashkëshortes. Gjithnjë nga ana e policisë është mësuar se çifti Aliraj ndodhej në një piceri në lagjen nr.6, të qytetit të Durrësit, pasditen e djeshme, rreth orës 18.30, duke darkuar.

Por ndërsa po konsumonin ushqimin, mes çiftit ka nisur një debat i ashpër, gjatë të cilit bashkëshortja ka goditur me thikë burrin e saj duke i shkaktuar dëmtime serioze për jetën. Policia e Durrësit bën të ditur se 25-vjeçarja Vanesa Aliraj ka qëlluar bashkëshortin e saj 27-vjeçar, një herë me thikë, pas një konflikti të çastit. I dëmtuari është transportuar drejt Spitalit Rajonal të Durrësit, ku edhe ka marrë ndihmën e parë e ndodhet aktualisht nën trajtim mjekësor. Policia, e cila është njoftuar menjëherë nga personeli i picerisë ka prangosur në flagrancë 25-vjeçaren Vanesa Aliraj, ndërkohë që ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale armën e krimit. Ndërkaq, mësohet se çifti Aliraj ishin banorë të lagjes nr.6, ku dhe u konsumua krimi. Sipas policisë, 25 vjeçarja akuzohet për veprën penale të “Plagosjes së rëndë me dashje ”, të parashikuar nga neni 88\1 i Kodit Penal.

 

Hetimet për shkakun

Nga hetimet e para rezultoi se ngjarja në fjalë ka ndodhur për shkak të konflikteve të çastit, por policia ka mbledhur edhe dëshmitë e disa personave të tjerë të pranishëm në piceri, për të grumbulluar të gjitha provat dhe rrethanat që kanë çuar në këtë ngjarje. Ndërkaq, edhe dëshmitë e familjarëve të çiftit do të ndihmojnë në përcaktimin e pistës së mundshme, ku do të përqendrohen hetimet për shkaqet e kësaj ngjarjeje. Paraprakisht, dyshohet se çifti kishte probleme të herëpashershme, për shkaqe xhelozie, ndërsa disa e djeshme kulmoi me goditjen me thikë. Nga ana e saj, policia ka sekuestruar armën e krimit, pra thikën e picerisë, me të cilën 25-vjeçarja goditi të shoqin, pikërisht në momentin kur po darkonin. Të pranishmit i thanë policisë se që në momentin e parë kur ndodhi ngjarja, ata janë përpjekur për t’i dhënë të plagosurit ndihmën e parë mjekësore. Me mjete të rastit e kanë dërguar në spital, nga ku mjekët deklarojnë se gjendja shëndetësore e 27-vjeçarit është tepër e rënduar, pasi nga goditja i janë prekur organet jetësore. Pas përmirësimit të shëndetit të të plagosurit pritet edhe administrimi i dëshmisë së tij, ku pas ballafaqimit të rrethanave të ngjarjes dhe grumbullimit të provave, do të formulohet akuza e plotë ndaj autores, e cila paraprakisht është mbyllur prapa hekurave për “plagosje të rëndë me dashje”.

Mariglen Mullai May 26, 2014 08:27
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*