Për Zigmund Bauman dhe Lirinë

February 18, 2020 11:56

Për Zigmund Bauman dhe Lirinë

(Kjo ese i kushtohet kujtimit te mendimtarit te madh Zigmund Bauman dhe librit te tij “Mbi Lirine”)

 

Eshtë e habitshme dhe befasuese (natyrisht për ata që kuptojnë) që tek një pergamenë me lëkurë majmuni vigan (të ashtuquajtur edhe si Njeriu i Dëborës) që ruhet në bibliotekën e manastirit më të vjetër në Tibet, lexohet një paragraf rebel – për lirinë e krijimit kozmogonik, – si liri e mirëfilltë e Perëndisë së paidentifikuar, por të perceptuar gjithkund.

Teksti është i shkruar të paktën dy shekuj para Luftës së Trojës dhe shumë më herët se subjekti ekzistencial i Eposit të Gilgameshit e librat e Fenikasve e Babilonasve.

Kjo lashtësi marramendëse të huton dhe të trishton.

Debati për mendimin e lirë dhe për lirinë e të shprehurit, është i pafund edhe kontradiktor, plot paradokse logjike dhe juridike. Ky debat me mjedisin mitik shqiptaro-ballkanik, ka patur dhe ka karakteristika të veçanta psiko-emocionale, specifike dhe shpesh të kobshme, domethënë edhe unikalë.

Tersiti, demokrati i parë...

Fjala e paturpshme e Tersitit, këtij akeu leckaman kundër aristokratit (Bazileut), Agamemnon (shih: “Iliada” – Kënga e Dytë, Vargjet 271-274) eshtë gjesti i parë i një ardhmërie rebeluese, protesta e parë e paqartë sociale e Demokratit të Parë të Europës.

Goditja e Tersitit, për arrogancën e tij qe shpagimi i lirisë së mendimit, tepër i nxituar, por jo i parakohshëm. Rebeli Tersit u demaskua fuqishëm me përkorje dhe me tallje publike të skajshme.

Homeri e përshkruan Tersitin të shëmtuar, gungaç dhe të shëmtuar, njësoj si shtypi i sotëm grotesk i partive i përshkruan kundërshtarët inoçentë, që synojnë njëkohësisht, simultanisht të jenë në kreun e pushtetit.

Eshtë e vështirë të besohet se ky personazh i karikaturizuar në kuvendin ushtarak të mbretërve Akeas do të ishte prototipi i Sokratit dhe Krishtit, të cilët guxuan intelektualisht njësoj publikisht dhe pësuan të njëjtin fat të turpshëm nga turmat e politizuara, nga tradita agamemnonase e autoritetit absolut të padiskutueshëm.

Sfida estetike e Tersitit, çoi në lindjen e surrealizmit në shekullin XX dhe Salvador Dali-a tërë kryengritjen e vet pikturike e imitoi nga karikatura tersitiane.

Kjo është arsyeja gjenuine dhe supreme që Xhejms Xhojsi e rishkroi subjektin homerik si parodi, duke shkatërruar pa mëshirë monumentalitetin epik si një mbishtresë të panevojshme, ose si një zbukurim të stilit barok të zotërinjve prepotentë të pushtetit dhe të opinioneve njerëzore.

Lavuazje Laforti, historian i filozofisë në Universitetin e Sorbonës botoi në vitin 1965, librin ambicioz dhe erudit “Filozofia para rënies së Bastijës”, ku në mënyrë jo elokuente, të vrazhdë, por plot parashtresë dhe indikacione të vlefshme, bën lidhjen e figurës së Tersitit homerik me Spartakun trakas, Jan Husin, Omar Khajamin, Oliver Kromuellin, Rablenë, duke i shmangur jo pa qëllim filozofët problematikë bashkëkohorë si Zhan Pol Sartri.

Këtij libri i bën reçensione të mprehta me vërejtje metaforike për stilin, por afirmativ për strukturën konceptuale Adorme, Patocka, Malroja, Derrida, Kangerga.

Kapitulli që i kushtohej Pier Alebardit (1079-1142) filozof parizian brilant, që tërë jetën argumentoi në debat të pamëshirëshëm me Bernardin e Klervosë dhe Anselmin e Kenterberrit, se “arsyeja është para autoritetit, qoftë ky i fundit edhe teologjik”, u vlerësua posaçërisht.

Alebardi si rrjedhim i tezës kryeneçe të mësipërme, shtroi edhe kërkesën anticipuese, për drejtësi sociale duke i kërcënuar njerëzit e fuqishëm shtetërorë të kohës së vet me dënime të paimagjinueshme dhe me dënime ferri.

Ky teprim sfidues dhe mendjelehtë, i kushtoi shumë.. Koncili i Suasonit vendosi në 1141 të digjeshin në sheshe qytetesh tërë librat e tij të dëmshëm dhe për shkak të dashurisë së tij të fshehtë me murgeshën Eloiza, u rrah nga tre kryepeshkopë dhe … u trodh, (kastrua).

Letrat e mallëngjyera, pasionante të Alebardit për Eloizën, pas këtij akti katastrofal, janë burim sentimentalizmi, plot revoltë intelektuale, asketike deri në blasfemi.

Qeveri pa gazeta apo gazeta pa qeveri

Xhafersoni dhe Medisoni, duke besuar në lirinë natyrore të njeriut, në mënyrë kauzale shtjelluan konceptin esencial të Amendamentit të Parë të Kushtetutës Amerikane, që lirinë e pacënueshme të bindjeve e lidhin me hedhjen poshtë në perspektivë të të tëra ligjeve të mundshme kundër shtypit të lirë.

Xhafersoni i mrekullueshëm formuloi shprehjen tronditëse se “mes një qeverie pa gazeta dhe gazetave pa qeveri”, do të preferonte këtë të fundit, si më demokratikun. Për këtë, e akuzuan si jakobin francez mes amerikanëve, pretencioz dhe kokëshkretë.

Gabimet e gazetarëve, madje edhe ato më të tmerrshmet, Xhafersoni i klasifikoi me një durim shembullor si “monumente të dobësisë njerëzore, të mosnjohjes, anomali të pashmangshme të intelektit”.

Studiuesi i sociologjisë etimologjike, Ulliam Fajteri, i Universitetit të Mançesterit, jo i pandikuar nga shkolla bihoveriste, si edhe nga stili i lartë i Xhorxh Berklit, arriti në përfundimin (në Traktatin “Hierarkia e Ideve”) se ka një antagonizëm të paralindur të kategorive ideore.

Kështu mendimi i lirë është edhe shprehje e lirisë dhe e shtrëngimit, domethënë e së kundërtës, kinse se shtypi i lirë nuk mund të quhet i tillë, nëse nuk do të ekzistonte edhe censura e lirë, ose liria e censurës, një e drejtë natyrore dhe themelore e njeriut (!?).

Racionaliteti apo instiktet

Dr. Gunter Gyt, shefi i Policisë Politike në Berlin gjatë Rajhut III, ka botuar një libër memorialistik të sinqertë ku me këmbëngulje kërkon të vendoset klinikisht një raport i ndryshëm i funksionimit biologjik midis trurit dhe organeve seksuale.

Ai kishte vërejtur se zhvillimi i trurit të njeriut bashkëkohor, ishte më i madh, më efikas, sesa i organeve seksuale, çka çon pashmangshmërisht në triumfin e racionalitetit mbi instiktet, kur duhej të ishte ndryshe, për të përjetuar totalitarizmin subkoshient dhe burokratik të shtetit.

Gyti seriozisht propozonte ndërhyrje kirurgjikale ose hormonale në trurin e njerëzve që në lindje për të shmangur anomalinë, siç e quante ai të parësisë diabolike “të materies së hirtë”.

Nëse në shekullin XVI Paracelsi, mendoi të krijonte njeriun-artificial – Homonculusin, në fund të shekullit XX dhe në fillim të shekullit XXI, inxhinierët genetistë guxuan atë që nuk guxohej kurrë më parë, krijimin e komanduar të “Ajnshtajnëve dhe kryeministrave artificialë”, sipas parametrave të koduar saktësisht dhe me mirëkuptim nga shteti.

Vetëkuptohet se kështu realizohet harmonia e ëndërruar e shtypit, mënjanohen ekseset, sensacionet e panevojshme, streset dhe krimet informative që bëjnë kërdinë sot.

Shqiptari Milo Temesvar, berishistët, rilindasit

Për komunizmin totalitar lindor shtypi i lirë ishte një katrahurë, që kërcënonte doktrinën, mjekrën sibilike të Karl Marksit te “tjetersuar” nga ideologet paranojakë antikomuniste.

Për hir të së vërtetës, duhet vënë në reliev fakti që semiologu dyshimtar, i shumë kritikuari dhe i admiruari Umberto Eko me esenë e tij heretike “Tregtarët e Apokalipsit” e ka parashikuar trishtueshëm këtë dukuri, sepse pikërisht këtë ese ai ia kushton shqiptarit Milo Temesvari, i larguar dhunshëm nga atdheu në 1947, pas akuzës për devijacion të majtë.

Milo, tepër inteligjent, pasi ndenji disa kohë si lektor i gjuhëve të rralla kaukaziane në universitetin Rutgest në SHBA, përfundoi si asistent në bibliotekën kabalistike të Buenos-Ajresit, ku u njoh edhe me Jorge Luis Borgesin, që e infektoi me silogjizmat e teologut mesjetar Thoma Akuini, i quajtur ndryshe edhe Aristoteli me tonsur i Kishës Katolike.

Në shkrimet dhe librat e tij kontradiktorë, shqiptari Milo Temesvar e quajti të pavërtetuar antologjikisht kategorinë e lirisë, duke shtuar se liria e mendimit dhe për më tepër shtypi i lirë, është kundër simetrisë dhe kristalogjisë moderne.

Këto materiale u futën ilegalisht në Shqipëri ndërmjet një ish-ambasadori të shtetit komunist sot republikan i djathtë dhe u bënë objekt reflektimi nga dijetarët e punësuar në shërbimet sekrete dhe juristët me kurse 5-mujore të parlamentit Berishian, me pas te parlamentit Rilindas, të cilët pozitivizmin juridik e kanë vënë në dyshim si edhe teori të tjera të pavërtetuara.

Po ç’është liria?

Liria (gr. Eleutheria – lat. Libertas), është enigma më e madhe e njeriut. Determinizmi teologjik e bën Shën-Agustinin të thotë se liria është e paracaktuar. Edhe filozofët e antikitetit para tij, kësaj teze i dhanë një lustër kozmogonike.

Viklifi thotë “njeriu është shërbëtor jo i lirë i Zotit”. Martin Luteri shprehet më skajshëm: “Djalli e ka gjetur fjalën – liri”. Piko de la Mirandola vë në gojën e Zotit: “Të kam krijuar vetëm me një qëllim, që të jesh ndërtues dhe zotërues i lirë i vetvetes”. (De dignitate hominis).

Bekoni dhe Hobsi e identifikuan lirinë me fuqinë e njeriut, sa dimë, aq mundemi; sa mundemi, aq jemi të lirë.

Hobsi: “Njeriu (liria e tij) u nënshtrohet po atyre ligjeve, sikurse edhe natyra.” Spinoza thekson: “Në sytë e mi, liria nuk konsiston në dekretin e lirë, por në domosdoshmërinë e lirë”. Kanti bën fjalë për të ashtuquajturën “liri trascedentale”, liria nuk është e mundur në botën empirike ku sundon kuazaliteti. Hegeli: “Liria është domosdoshmëria e njohur, e kuptuar”.

Madje dhe Marksi i ri: “Njeriu është qënia e lirë, pra qënia universale – Liria është aristokracia e amëshueshme e natyrës së njeriut”, tezë që u keqkuptua tragjikisht nga historia e njerëzimit. Hajdeger: “Liria, ndjenjë fundamentale e qënies, është ndjenja e frikës nga mundësia që të mos jemi, të jemi nga qënie në joqënie”. Satri: “Liria nuk është veti e njeriut, por substanca e tij, njeriu është i dënuar që të jetë i lirë”.

Kështu liria ndodhet midis dy poleve: determinizmit dhe indeterminizmit.

A ekziston liria e vullnetit?

Kalvini: “Vullneti i njeriut është si një kalorës që gjendet midis të dyve: Nëse në shalë hipën Zoti, atëherë njeriu do të shkojë si të dojë Zoti. Nëse në shalë hipën Djalli, atëherë njeriu do të shkojë nga të dojë Djalli.”

Teza heretike e paraqet njeriun “Farkëtar të fatit të vet “-(“Fortuna suae ipse faber”. Indeterminizmi, e ndan njeriun, lirinë nga domosdoshmëria. Epikuri, i kundërvihet fatalizmit që është thelbi i maksimalizuar i rastësive, kërkon që njeriu të synojë lumturinë (e drejta e tij natyrore) pra drejt një “atarksia” si gjendje e paturbullueshmërisë shpirtërore.

Idetë e mësipërme janë të nevojshme të njihen nga pushtetarët, por edhe nga opozitarët. Vizionarizmi e bën politikanin të lirë, kriticist. Njëshi partiak dhe njëkohësisht Njëshi Ekzekutiv, i modelon të tjerët sipas vehtes. Një parti që nuk ka liri brenda saj, kur vjen në pushtet mungesën e lirisë e kthen në thagmë për të dhunuar mbi njerëzit që e duan lirinë, mbi intelektualët, personalitete të vërteta të kulturës.

Deputetët dhe ministrat pushtetarë bëhen kështu vegla të verbëta, celulizmi bëhet katastrofik, duke mos qenë të lirë për vehte, mëtojnë të prekin edhe lirinë e të tjerëve dhe në përgjithësi.

Për politikanë të tillë të pushtetit, duhet përmendur epigrama e shkruar në 1901, nga Faik Konica:

– More Dudum, kokëkungull / gojëbuall, e barkrrumbull / thuamë të rëntë pika / ç’të duhet ty politika? Hiq, mor Dudum dorë adje / të kllasëm në një kade / plot me mjaltë e me reçel / ha e pi e kurrë mos del…

Politika shqiptare, militantët dhe liria

Nuk kam artikuluar më kot, çka kam thënë më sipër. Liria ka dialektikën e vet, të cilën nuk mund ta quajmë “një shkarravitje arabeske”. Politika shqiptare në përgjithësi, nuk e ka idenë e lirisë.

Militantët e partive kur vijnë në pushtet, janë manikenj,- koncepti i tyre propagandistik është si lufta antagoniste midis të Mirës (ata e identifikojnë paturpësisht, subjektivisht veten e tyre me të mirën) me të Keqen, që janë përherë të tjerët, kundërshtarët, opozitarët.

Ky thjeshtëzim, është fatal, buron konfliktualitetin antagonist, mitik, pra vetëshkatërrues. Syzet bardhë e zi, janë optika e tmerrshme e shoqërisë së sotme. Kjo margjinalizon sende, njerëz, idetë.

Një rrugë shtëpimi për të gjetur lirinë që nuk e njohin dot, është shtypi dhe masmedia. Po a janë shtypi dhe masmedia të lirë? Pas shkatërrimit të ortodoksisë moniste, të shtypit të saj të komanduar, kanë ndodhur ndryshime të mëdha.

Shteti totalitar sipas Anah Harendit kishte një shtyp totalitar, kjo na kushtoi tragjikisht. Për fat të keq, shtypi postkomunist është plot infektime dhe reminishenca të rënda nga e kaluara. Kështu ndodh që mëditësit shkrimorë janë shërbëtorët e politikës, sepse nuk u intereson liria e vërtetë. Ky mercenarizëm, është i frikshëm.

Por megjithatë, nuk duhet të jemi fatalistë. Duhet të shpresojmë për të ndërtuar opinionin publik të shoqërisë civile. Ky pushtet i fjalës së lirë duhet të përfillet nga qeveritarët. Ndryshe, shtypi dhe masmediat, nuk do të gëzojnë autoritetin, atë autoritet të padiskutueshëm dhe patjetërsueshëm që të jep liria.

Opinionbërësit, ndonëse të paguar shumë shtrenjtë, kësisoj tepër komodë, kanë mllefe me emra të caktuara politikanësh dhe janë larg të kuptuarit të dukurive të vërteta që shqetësojnë Shqipërinë sot. Kështu nuk arrijnë dot të konstruktojnë opinionin publik, të vërtetë.

Nuk mund të ketë opinion publik, pa ide dhe pa dituri, nuk mund të ketë opinion publik nëse nuk beson dhe nuk sakrifikon asgjë për lirinë, jo për lirinë e keqkuptuar dhe të shpërdoruar të vetvetes, por për lirinë e të gjithëve.

Kjo do të thotë që shtypi dhe masmediat, nuk duhet t’i kontrollojnë grupet e interesit,ose te klonohen nga pushtetaret “triumfaliste” – siç ndodh në Shqipëri.

Opinioni publik duhet të jetë substanca e të gjithëve së bashku. Nuk mund të ketë liri të disave dhe njëkohësisht mungesë të lirisë për të tjerët. Liria u takon të gjithëve. Në këtë apoteozë, shtypi i lirë dhe masmediat, kanë një mision të shenjtë.

 

****

Botuar në Dita. Ndalohet ribotimi i plotë ose i pjesshëm pa lejen me shkrim të redaksisë

February 18, 2020 11:56

Njoftim

Njoftim