PER ZOTIN STEFAN FULE DHE TE TJERET

Viktor Malaj February 4, 2013 13:22

PER ZOTIN STEFAN FULE DHE TE TJERET

“Ligjet që nuk ndëshkojnë askënd janë si kambanat pa kurrfarë rrumbi brenda”                                                                                     Proverb çek

Ka mbi njëzet vjet që veshët e shqiptarit të thjeshtë bombardohen pa ndërprerje nga propaganda politike dhe ajo e analistëve “asnjanës” mbi “përkatësinë evropiane” të Shqipërisë dhe ndarjen nga kjo “lidhje e lashtë” që i paska bërë regjimi komunist vendit tonë. Për hatër të modës për t’u dukur si antikomunist, thuajse askush nuk dëshiron ta pohojë se, po të qe se ndarja do ishte 40-50 vjeçare problemet do t’i kishim kaluar si çekët, sllovenët etj. Boritë që bien pandalshëm se komunizmi shqiptar ishte më i egër se gjetkë, mundë të përligjin para të huajve pamundësinë e disave për të demonstruar disidencën e munguar, por kurrsesi dallimin e madh të shoqërisë tonë me shoqëritë e vendeve Perëndimore. Në gjithë këto vite nuk kemi vërejtur ndonjë përpjekje të mirëfilltë që t’i shpjegohet popullit se çfarë duhet kuptuar me përkatësinë tonë evropiane dhe si mund të kthehemi “në origjinë”. Përkundër kësaj, propaganda e ditës po godit dhunshëm të ngulitë në mendjet e njerëzve se në origjinë u kthyekemi menjëherë, mjafton që opozita të votojë tre ligjet.

Kur regjimi komunist po kalonte në muze, shqiptarët thërrisnin, “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa”. Nga shumica e politikanëve tanë dhe shërbëtorët e tyre shkrues, kjo thirrje paraqitet si “dashuri e shqiptarëve për vlerat demokratike evropiane”. E vërteta është ndryshe. Shqiptarët e inatosur (me të drejtë) me regjimin e mëparshëm i drejtoheshin Evropës sipas imazhit që kishin krijuar për të nëpërmjet televizorit apo rrugëve të tjera të informimit dhe aspak nga dijet që kishin për mënyrën e funksionimit të sistemit politik dhe shoqëror në pjesën perëndimore të saj. Shkurt, shqiptarët kishin rënë në dashuri me fytyrën e Evropës dhe jo me parimet e saj.

Historia nuk njeh ndonjë rast kur popujt bien në dashuri të menjëhershme me parimet. Këtë të vërtetë e përforcon akoma më shumë fakti se shumica e atyre që u vunë (apo, që i vunë) në krye të Lëvizjes së Dhjetorit, sapo erdhën në pushtet, dëshmuan se nuk i lidhte asgjë me parimet për të cilat pak muaj më parë betoheshin se ishin gati të sakrifikonin gjithçka. Madje, kryesori prej tyre, kryeministri aktual i Shqipërisë është personifikimi i individit që parimet i duhen për fasadë. Në praktikë, në jetën e përditshme, sillet e vepron vetëm në shërbim të pushtetit të tij personal, të një klike rreth tij dhe mjaft dendur në dëm të vendit, të sotmes dhe të ardhmes së shqiptarëve. Po të ishte ndryshe, sot, pas njëzet vjetëve, do të kishim zbatuar me sukses ato norma e rregulla që zbatohen në Evropë dhe do të ishim politikisht pjesë e BE. Ata individë, që i kanë pjesë të vetëdijes së tyre parimet, janë të përkushtuar për t’i jetësuar dhe nuk kanë nevojë për tutorë, as për kushte, as për presione. Ata rendin vullnetarisht pas parimeve dhe sakrifikojnë për hir të tyre. Ndërsa politikanët tanë “evropianë” sakrifikojnë parimet për pushtetin e tyre.

Fatkeqësisht, me qëllimin e mirë por naiv, nga paqartësia apo arsye të tjera subjektive, në krah të biçim politikanëve tanë shohim jo rrallë edhe përfaqësues të Perëndimit.

Populli shqiptar duhet t’iu jetë mirënjohës të gjithë atyre shteteve dhe individëve që, me mjete dhe mënyra të ndryshme, e kanë ndihmuar gjatë kësaj kohe të bëjë hapa përpara në rrugën e zhvillimit. Por, njëkohësisht, duhet të jetë edhe i vëmendshëm dhe aq dinjitoz sa të mos konsiderojë si të dërguar të Perëndisë cilindo përfaqësues të Perëndimit që zbret në Rinas, për pak ditë, apo për pak vite qëndrimi në vendin tonë. Idhujtaria dhe ksenomania janë veçori të popujve të pazhvilluar dhe që vuajnë nga kompleksi i inferioritetit.

Me gjithë ndihmën e dhënë deri tani, qëndrimet dhe reagimet e shumë diplomatëve perëndimorë ndaj zhvillimeve demokratike në Shqipëri, kanë lënë dhe vijojnë të lënë mjaft për të dëshiruar. Është e vërtetë se janë vetë shqiptarët dhe politikanët e tyre përgjegjësit kryesorë për hapat e ngadaltë të zhvillimit demokratik të vendit dhe për traumat dhe tronditjet jo të pakta politike e sociale të Shqipërisë. Por, është po kaq e vërtetë, se jo pak fajtor është edhe faktori ndërkombëtar, i cili ka qenë e është aktiv në vendin tonë. Nuk mundet që “instruktori” të përjashtohet nga përgjegjësia për aksidentet që kryen “kursanti” gjatë kohës së trajnimit.

Është shenjë e miqësisë së sinqertë t’i thuash tjetrit të vërtetën. Vetëm e vërteta shëron, jo vetëm pacientin, por edhe vetë mjekun. Faji i faktorit ndërkombëtar në zvarritjen tonë politike, sipas mendimit tim, duket qartë në dy drejtime. Së pari, shumë diplomatë dhe politikanë perëndimorë për fajet dhe fajtorët e brendshëm, flasin në përgjithësi, me “diplomaci” , me nënkuptime apo me shumë kuptime. Qëndrime të tilla nuk e ndreqin situatën dhe pengojnë përparimin. Qëndrime të tilla  ngjajnë me ato të mjekut që i thotë pacientit se “Ju jeni i sëmurë, keni probleme shëndetësore etj.”. Ndërkohë që detyra e mjekut është të përcaktojë diagnozën dhe pastaj terapinë për shërimin e të sëmurit.

Së dyti, në jo pak raste, janë vënë re qëndrime aspak dinjitoze dhe, madje, të dëmshme të diplomatëve perëndimorë. Këto qëndrime bëhen akoma më të dëmshme në një vend si Shqipëria ku përfaqësuesit e shteteve perëndimore, në saje të servilizmit të pështirë dhe djallëzor të përfaqësuesve tanë politikë, shihen si të dërguar të Perëndisë nga shumica e popullit. Për pasojë qëndrimet e tyre (edhe kur janë pa vend, të padrejta apo edhe të pamoralshme) konsiderohen si të vërteta hyjnore.

Janë të shumtë qëndrimet e gabuar, por po kujtojmë dy nga më domethënësit: Qëndrimi i diplomacisë perëndimore ndaj grevës së urisë të opozitës në janar 2010 ka qenë destruktiv dhe fyes për të gjithë ata që sinqerisht kanë besuar dhe besojnë në parimësinë perëndimore. Presioni për të ndërprerë grevën me premtimin për zgjidhjen e situatës së krijuar nga zgjedhjet e vjedhura dhe përfundimi i gjithë kësaj “manovre diplomatike” me një darkë në restorant “Krokodili” pa kurrfarë produkti politik, provon faktin se diplomacia perëndimore ka qenë, në rastin më të mirë, naive dhe, në rastin më të keq, hipokrite, ndaj zhvillimeve në Shqipëri. Rasti tjetër, ka qenë qëndrimi i ambasadorëve të dy shteteve më të rëndësishme perëndimore ndaj ngjarjes së 21 janarit 2011. Ndërsa vrapuan të shqetësuar dhe shumë imponues ndaj një demonstrimi të nja pesëdhjetë të rinjve (të manipuluar) të qytetit të Lezhës kundër një homoseksuali të vetëdeklaruar në “Big Brother Albania”, ambasadorët heshtën ose mbajtën qëndrim miratues ndaj kërcënimit që kryetari i qeverisë së Shqipërisë i bëri opozitës legjitime se “Afrohuni edhe një herë tek zyra ime dhe do ua bëj më keq se më 21 janar…”. Nuk  besoj se do të ketë pasur ndonjë antikomunist në 1990 që të ketë besuar se, kufizimi i të drejtës së një individi për të përdorur të prapmen e tij si organ seksual, është më shqetësues dhe më i dëmshëm për shoqërinë shqiptare sesa kërcënimi për t’u marrë jetën mijëra shqiptarëve që protestojnë kundër korrupsionit dhe dhunimit të së drejtës së votës së lirë.

Edhe thirrjet e ditëve të fundit për “të rritur besimin e publikut tek procesi zgjedhor” ngjajnë si retorikë shterpë me nuanca hipokrizie. Besimi në procesin e ardhshëm zgjedhor nuk mund të rritet me thirrjet e atyre që ishin dëshmitarë okularë të manipulimeve elektorale dhe mbajtën heshtje “diplomatike”. Kjo i ngjan asaj historisë së vjedhjes së bankës, disa herë nga i njëjti hajdut dhe roja gjithmonë shtinte në ajër, duke premtuar se herën tjetër do të qëllonte në shenjë. Më vonë u mor vesh se hajduti e daroviste edhe rojën. Të dy fituan urrejtjen e bashkësisë, por, gjithsesi, banka u vodh disa herë.

Dhe, tani të vijmë tek zoti Stefan Fyle dhe disa kolegë të tij.

Pavarësisht elozheve dhe interpretimeve që i bëjnë analistët shqiptarë fjalëve që zoti Fyle tha pak  ditë më parë rreth mundësive të Shqipërisë për t’u pranuar si kandidate për anëtare e BE-së, e vërteta është se, nga mënyra si foli, linte të kuptohej (apo keqkuptohej) se pranimin e pengonte vetëm miratimi i nja tri ligjeve apo rregulloreve nga parlamenti shqiptar. Një qëndrim apo mënyrë e tillë shprehjeje është fyes për inteligjencën e shqiptarit mesatar.

Plagët kryesore, nga të cilat ka vuajtur Shqipëria këto vitet e fundit, kanë qenë dhunimi i zgjedhjeve të lira (deri në atë shkallë sa DASH vjet u shpreh se “ishte minuar e drejta e qytetarëve shqiptarë për të ndryshuar qeverinë e tyre në mënyrë të lirë”), korrupsioni shtetëror (përcaktuar si vendi më i korruptuar në Evropë), sistemi i drejtësisë tërësisht i korruptuar (moralisht, por dhe politikisht) etj. Qytetari shqiptar ka të drejtë të pyes:  nëse miratohen këto tri ligje, a shërohen menjëherë këto plagë që kemi?

Nëse dikush beson se po, atëherë qytetari shqiptar, me kujtesë mesatare, do të sjellë ndërmend  se ne nuk i kemi pasur asnjërin prej këtyre ligjeve, madje as kushtetutën që kemi sot, dhe kemi zhvilluar zgjedhje politike të cilat janë pranuar nga opozitat dhe janë përcaktuar si shumë të mira apo të mira (në 1991 dhe 1992) nga faktori ndërkombëtar. Ne nuk i kemi pasur këto ligje dhe opozita, e armatosur me mitraloza dhe hipur mbi tanke (shtator 1998) sulmoi dhe zaptoi kryeministrinë dhe institucionet e tjera qendrore shtetërore (duke deklaruar pastaj në TV se “e  morëm pushtetin”) dhe pushteti nuk pati vrarë asnjë person.

A thua vallë beson vërtetë zoti Fyle dhe ndonjë tjetër në Evropën Perëndimore se, po u miratuan këto ligje, Sali Berisha nuk do të dhunojë më zgjedhjet? A është mungesa e këtyre ligjeve shkaku që e shtyu dhe i mundësoi kryeministrit të Shqipërisë të urdhërojë fshehjen e provave të vrasjeve të 21 janarit 2011 dhe pastaj pengimin e drejtësisë për arrestimin e fajtorëve? A, mos vallë, mungesa e këtyre tri ligjeve, e dërgoi kryeministrin shqiptar në shtëpinë e zëvendësit të vet të akuzuar (në të vërtetë, të provuar) për vjedhjen e buxhetit të shtetit, tri ditë para se të jepej vendimi i gjykatës kundër tij, si mjet presioni ndaj gjyqësorit? Pyetja logjike shtrohet për zotin Fyle dhe përfaqësuesit e tjerë evropian, por kurrsesi për disa njerëz në Parlamentin Evropian që, për arsyet e të qenit ekstremistë apo të korruptuar me tendera nga qeveria aktuale shqiptare, i kanë dalë asaj në krah, edhe kur ka vjedhur votat, edhe kur ka vrarë protestuesit paqësorë.

Inteligjenca e shqiptarit të arsyeshëm nuk mund të pranojë se shkak i mosarritjes së standardeve evropiano-perëndimore të jetës politike në vendin tonë është mungesa e tri ligjeve. Po të ishte ashtu, ky “defekt” do të ishte ndrequr shumë lehtë, me kohë, ose do të rregullohej shumë shpejt. Mirëpo, e vërteta është krejt ndryshe. Nuk është mungesa e ligjeve që dhunon shqiptarët, por ekzistenca e dhunuesve të ligjeve që besojnë (dhe ia kanë arritur) se ligjet janë për të sunduarit, kurse sunduesit duhet të kenë pushtet të pakufizuar nga ligjet dhe mbi të sunduarit. Është uria e pashuar e ujkut që shfaros tufën e dhenve dhe jo mungesa e shenjave paralajmëruese rreth kasolles. Kush do që t’i ruaj dhentë, duhet të marrë në shenjë ujkun. Ujqërit politikë shmangen politikisht. Por ata nuk shmangen duke iu dalë në krah kur dëmtojnë “tufën” dhe as duke “fërshëllyer”. Thjesht, shmangia arrihet duke i treguar tufës se kush është ujku.

Prandaj, zoti Stefan Fyle dhe të tjerë si ai, kur vijnë në Shqipëri, duhet t’i tregojnë popullit shqiptar ujkun dhe jo gjurmët. Me ujkun duhet të sillen siç duhet të sillemi me të gjitha egërsirat. Grabitqarët nuk ledhatohen.

Viktor Malaj February 4, 2013 13:22
Komento

8 Komente

  1. Dhori February 4, 10:37

    Zoti Viktor Malaj edhe ne kete shkrim i thote troc te vertetat.
    A te besojme se z. Fyle nuk do ta ledhatoje egersiren sot?
    Te presim, por pak shprese kam.

    Reply to this comment
  2. Lex Rex February 4, 12:21

    Pergezime, shkrim shume i mire. Verej me kenaqesi se Dita brenda pak muajsh eshte bere nje gazete interesante ndonese ka cmimin me te ulet ne treg.

    Reply to this comment
  3. Chris February 4, 12:35

    Shqiptaret nuk dine te qeverisen?! Kjo ndodhi per 500 vjet me otomanet u riprovua me sjelljen e Vidit ,sjellja e Zogut nga serbet,50 vjet komunizem dhe tani I madhi Sala po na e riprovon se shqiptaret nuk mund te krijojne shtet,se shqiptaret vetem duan te bejne para ne rruge te pista dhe shembulli me i mire eshte Berisha dhe familja e tij dhe klani i tij.Te gjithe nderkombetaret i ka zene per gryke Berisha ne forma me te ndryshme.”Naiviteti” i nderkombetareve edhte sa i cuditshem aq dhe kriminal.Ne shqiperi po vendoset nje rregjim policor.Pse shqiptaret nuk protestojne ?!!Sepse Berisha te vret,te ben fajtor pa faj,te dergon policine te te arrestoje ose te te rrahe ne rruge apo komisariat dhe fajtori eshte ….?! Dhe e gjithe kjo behet e ligjshme kur miratohet nga keta nderkombetare te korruptuar ose qe nuk kane guximin te kundershtojne Berishen se ndryshe shpallen “non grata”.Apo Fyle..??!! A ka lidhje Fyle me CEZ-in ?!A e ka futur Berisha ne thes si shume te tjere..??!!Po nuk u largua Berisha Shqiperia nuk fillon te behet!Nderkombetaret dhe shqiptaret do t’ia shohin Berishes inatin e malesorit shume shpejt!

    Reply to this comment
  4. xhimi February 4, 14:57

    Artikull real dhe me vlere. Keto artikuj duhen botuar edhe ne ndonje gazete Evropiane si p.sh ne Belgjike etj.

    Reply to this comment
  5. Tani February 4, 16:12

    Nje nga analizat me te mira politike qe kam lexuar nder vite. Bravo analistit qe e lexoj per here te pare. Ka ardhur koha te flitet dhe veprohet vetem troc, ndryshe eshte kurveri.

    Reply to this comment
  6. arben duka February 4, 17:31

    Me zulm e me bujë,
    Po gjëmon vatani,
    Se do vijë Fyleja,
    Domethënë Stefani!

    Do vijë Fyleja,
    Për të gjetur shtigje,
    Për të miratuar,
    Tre të shkreta ligje!

    Pyes, ky nxitim
    Ku e ka sekretin
    Ti po vjen o mik,
    Të ndihmosh pushtetin?

    Të ndihmosh Saliun,
    Që ka rënë në gropë?
    Se kush është Saliu,
    E di dhe një lopë!

    E di dhe një lopë,
    Është ai që vret,
    Për ju Shqipëria,
    Është kuriozitet

    Një kuriozitet,
    Për të gjithë ju,
    S’e kini idenë,
    Çfarë bëhet këtu!

    I gjithë ky pushtet,
    Është kapur nga krimi,
    Ju vini çuditshwm,
    Shenja barazimi…

    Nuk mungojnë ligjet,
    Në Atdheun tonë,
    Dhe ato që kemi,
    Askush s’i zbaton!

    Një curril i vogël,
    Nuk shton gjë në lumë,
    Ç’bëri tre më pak,
    Ç’bëri tre më shumë!

    Nuk duhet ndihmuar,
    Kurrë ky pushtet,
    S’patët kaq shqetësim,
    Kur vranë katër vetë!

    Nuk i vrava unë,
    Nuk i vrave ti,
    I vrau pushteti,
    I shokut Sali!

    Diçka di dhe unë,
    Kot s’ia fut katundit,
    Tre ligjet që thua,
    Janë pikë e fundit!

    Në këtë kaos,
    Në këtë humnerë,
    Tri ligjet që thua,
    Nuk kanë asnjë vlerë!

    I dashur Stefan,
    Miku ynë i shquar,
    Për vizitë ke zgjedhur,
    Kohën e gabuar!

    I them opozitës,
    Të rrijë e patundur,
    Po votuat kot,
    Jini krejt të humbur!

    Oksigjen të ri,
    S’mund t’i jepni horrit,
    Pa shkuar një herë,
    Zgjedhjet e qershorit!

    Reply to this comment
  7. Korabi,France February 4, 18:44

    Une nuk ndiej asnje lloj optimizmi nga vizita e Fules ne Shqiperi.Ai nuk ka ardhur per te rregulluar asnje pune per shqiptaret por per t’i kujtuar Berishes ne largim premtimet qe i ka ba per ndonje “dhurate” te majme ,para se te largohet duhet ta bejne realitet.Nuk ka si te jete ndryshe se po te duan Europjanet,jo vetem ligjet miratohen e do te ishin miratuar,por edhe bisha diktator Berisha do te ishte çdukur nga jeta politike e do te ishte çliruar ai popull i varfer qe ka disa shekuj qe vuan nga maskarejt qe e drejtojne.Ata nuk duan,ju duhen vatra te nxehta ne Ballkan per t’u pasuruar per vehten.Kur populli te bahet i ndergjegjshem(mos kjofte vone) atehere do ta fitojne,gomarin e nxjerre i zoti nga balta !

    Reply to this comment
  8. albani February 6, 17:16

    Nuk e teproj aspak nese them se ky mut komunist si edhe Sali Berisha, nuk ka asgje te perbashket me demokracine. Mut njeri, kake tjetri. Fatkeqesia eshte per Shqiperine dhe shqiptaret. Per me shume ne artikujt e tjere. Persa kohe eshte gjalle Sali Berisha dhe keta servilet dhe vasalet e Evropes, ne Shqiperi nuk do te kete kurre as liri dhe as demokraci.
    Te tjerat jane bla, bla, bla!

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Click here to cancel reply.

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*