Përballë pasqyrës së një mbreti

Entela Resuli September 30, 2014 09:40

Përballë pasqyrës së një mbreti

Për dhjetë vite më radhë Ahmet Zogu ka ngjitur e zbritur shkallët e kësaj ndërtese, ka marrë vendime të rëndësishme për vendin dhe jetën e tij. Në këtë godinë ka lindur edhe Leka Zogu I, këtu është martuar Geraldina e po ashtu edhe motra e Zogut. Ambientet e Akademisë së Shkencave (sot) kanë shërbyer për 10 vite si Pallat Mbretëror. Ditën e djeshme, me rastin e Ditës Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore këto ambiente e janë hapur për publikun e gjerë. Me këtë rast, në ballinë të saj është vendosur pllakati “Monument Kulture”. Në korridore ishte organizuar një ekspozitë me foto historike të ish- “Parlamentit shqiptar” dhe më pas të ish-“Pallatit Mbretëror” në mjediset e katit e parë. Mes imazheve ka edhe shkrepje pak të njohura, ashtu sikundër nuk mungojnë fotografitë historike. Mandej, në dhomën ku Zogu bënte biseda të hapura, ku priste dhe dëgjonte njerëzit ishte vendosur një ekspozitë librash e periodikësh shkencorë. Në këtë dhomë gjendet oxhaku, i paprekur gjatë viteve, po ashtu tavani ka të njëjtin dizajn ku, së bashku me llambadarët, me përjashtim të ndonjë restaurimi nuk kanë ndryshuar.

Të gjitha këto u shoqëruan me shfaqje filmash të shkurtër historikë mbi funksionet e godinës “Monument Kulture” në vitet 1920- 1940, në sallën “Aleks Buda” të ASH-së. Ajo që ishte e paprekur nga restaurimet dhe origjinale ishte pasqyra ku shihej Mbreti Zog.

Ndërtesa është pronë e Zija Toptanit, deputet i parlamentit shqiptar. Kjo strukturë, bashkë me vilën e banimit, ka qenë pjesë e sarajeve të Toptanëve. Godina u ndërtua në kohën kur familja Toptani u shpërngul nga Kruja për në Tiranë dhe vetë ndërtesa përdorej kryesisht për pritje familjare dhe zyrtare.

Godina

Ndërtesa ndodhet në sheshin “Fan Noli”, në krah të ndërtesës ku zhvillohen sot seancat plenare të Kuvendit të Shqipërisë. Ndërtesa e Akademisë së Shkencave është një objekt dykatësh, fasada e të cilit është me pamje nga perëndimi dhe është i rrethuar nga gjelbërimi. Ka një sipërfaqe ndërtimi rreth 600 m2 dhe lartësi kati rreth 4.5 m. Ajo bashkë me 4 ndërtesa të tjera rreth e rrotull, përbëjnë kompleksin e ndërtesave të shpallura “Monument Kulture” të kategorisë së dytë, të Qendrës Historike të Tiranës, të shpallura me Urdhër të Ministrit të Kulturës. Objekti i përket tipologjisë së banesës shqiptare të gjysmës së dytë të shek. XIX në funksion të shtresave më të pasura të shoqërisë të asaj kohe. Si tipologji ngjan me banesat me çardak të mbyllur qendror, të cilat ishin të përhapura edhe në vende të tjera të Ballkanit. Godina ka një planimetri thuajse drejtkëndore të rregullt. Të dyja katet e godinës janë të banueshme. Godina ka një sallë qendrore dhe anash saj vendoseshin sipas kateve dy ose katër mjedise, kurse në katin e dytë, salloni në pjesën ballore përfundonte me një qoshk të dalë, që më vonë kthehet në ballkon. Godina, si në pamjen e jashtme, ashtu dhe në brendësi të saj, karakterizohet nga një trajtim i thjeshtë i elementëve arkitektonikë. Themelet e saj pjesërisht janë mbështetur mbi murin rrethues të “Kalasë së Tiranës”. Së jashtmi të bien në sy, volumi i saj i madh dhe format e thjeshta volumore. Si një nga banesat e përdorura nga aristokracia feudale, ajo ishte e pozicionuar thuajse në qendër të qytetit, brenda mureve të cilat formojnë kalanë e qytetit.

Funksioni

Destinacioni i përdorimit të ndërtesës gjatë viteve 1920 e deri në ditët e sotme ka qenë i ndryshëm. Më 11.02.1920, në këtë godinë u vendos “Regjenca-Parlamenti” (Këshilli i Naltë) i qeverisë së Sulejman Delvinës, të dalë nga Kongresi i Lushnjës. Me gjithë ndryshimet e shumta të qeverive, Regjenca qëndroi në këtë godinë deri më 1925. Në vitet 1925-1926 ndërtesa ka shërbyer si seli e qeverisë së presidentit Ahmet Zogu. Në vitet 1926-1929 nuk ka informacione për përdorimin e ndërtesës. Në vitet 1929-1939 ka shërbyer si “Pallat mbretëror” i mbretit Ahmet Zogu I. Në vitin 1939, godina u dogj pjesërisht nga zjarri. Në vitet 1944-1946 ka qenë vendosur Kryesia e Këshillit Nacionalçlirimtar. Në vitet 1946-1962 ka qenë selia e Presidiumit të Kuvendit Popullor. Në vitet 1961-1972 ndërtesa u përdor për funksione të ndryshme shtetërore. Në vitin 1972 e deri në ditët e sotme përdoret si godinë në funksion të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

Entela Resuli September 30, 2014 09:40
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*