Perdja e syrit, nga se shkaktohet dhe si duhet trajtuar

October 30, 2017 15:55

Perdja e syrit, nga se shkaktohet dhe si duhet trajtuar

Kataraktet janë perde që veshin sytë, por që nuk shkaktojnë dhimbje. Për shkak se ato bllokojnë kalimin e dritës, e bëjnë të vështirë të shikuarit qartë dhe madje me kalimin e kohës mund të shkaktojnë edhe verbim. Kataraktet janë progresive, që do të thotë se ato përkeqësohen me kalimin e kohës. Shumica e rasteve ndodhin te të moshuarit, por nganjëherë, ato mund të shfaqen edhe te të rinjtë. Për të diagnostikuar kataraktin, ju duhet të bëni një kontroll të syrit, ku testohet se deri në ç’gjendje mund të jetë dëmtuar shikimi. Në varësi të rezultateve që do të dalin nga vizita, mjeku do të përcaktojë nëse shikimi juaj mund të korrigjohet deri në një nivel të pranueshëm nëpërmjet vendosjes së syzeve, apo nëse do të jetë e nevojshme ndërhyrja me operacion. Në vijim, mjekja Ilda Xhelili, tregon se nga se shkaktohet sëmundja, simptomat dalluese dhe trajtimi që duhet të ndiqni.

Cilat janë simptomat klinike karakteristike të katarakteve?
Normalisht drita futet në sy dhe kalon nëpër lentet natyrale të syrit. Këto lente e fokusojnë dritën në retinë (pjesë përbërëse e syrit), e cila nëpërmjet nervit optik (nervi i të parit) transmeton sinjale vizuale (të pamjes) në tru. Në rastin e katarakteve, rezultojnë mjegullime të imazheve që shohim. Sëmundje të ndryshme me sytë mund të shkaktojnë edhe vizion të paqartë, por kataraktet prodhojnë disa simptoma klinike karakteristike. Siç e theksuam edhe më lart simptoma më e zakonshme e katarakteve është imazhi i paqartë në çdo distancë. Njerëzit mund ta përshkruajnë vegimin e tyre si diçka të errët, me re, ose si film. Një tjetër simptomë është ndjeshmëria ndaj dritës. Për këta persona mund të jetë e vështirë që të shohin rrezet e ndritshme të Diellit. Dritat e brendshme mund të fillojnë të duken si shumë të ndritshme, gjë që i bezdis shumë këta pacientë, veçanërisht me dritat e ndezura gjatë natës. Kur këta pacientë shikojnë me një sy, mund të shfaqet diplopia, ose vizioni i dyfishtë.

Po në lidhje me vizionin e ngjyrave, çfarë shqetësimesh manifestohen tek këta pacientë?
Pacientët që vuajnë nga katarakti kanë gjithashtu probleme me vizionin e ngjyrave. Disa ngjyra mund të duken të zbehta dhe sendet e ndryshme mund t’u duken përgjithësisht në ngjyrë të verdhë ose kafe. Kjo nuk mund të vërehet në fillim të sëmundjes, por theksohet me kalimin e kohës kur sëmundja avancon, duke bërë shumë të vështirë veçanërisht dallimin e ngjyrës blu, nga ajo e purpurt. Fenomeni u njohur si: “shikimi i dytë” është një tjetër karakteristikë e katarakteve. Në këtë situatë katarakti vepron si një lente më e fortë përkohësisht duke përmirësuar aftësinë për të parë gjërat në një distancë më të afërt. Për shembull, njerëzit që më parë kishin nevojë të lexonin me syze, me fillimin e kataraktit mund të mos kenë më nevojë. Sidoqoftë, me kalimin e kohës, ndërsa katarakti përkeqësohet, ky përmirësim i përkohshëm në shikimin e afërt zhduket.

Cilat janë kategoritë më të rrezikuara?
Njerëzit me katarakte, shpesh kanë nevojë për ndryshime të shpeshta të syzeve, ose të lenteve të kontaktit sepse vizioni i tyre përkeqësohet me kalimin e kohës. Shumica e katarakteve ndodhin në njerëz të moshuar sepse lidhet me procesin e plakjes. Mbi gjysma e popullsisë amerikane mbi 65 vjeç vuajnë nga kataraktet. Ndonjëherë foshnjat mund të lindin më katarakte, të njohura këto si katarakte kongenitale. Jo rrallë, fëmijët mund të zhvillojnë katarakte edhe si rezultat i sëmundjeve, ose traumave të ndryshme në sy.

Cilët janë shkaktarët e katarakteve?
Siç e thamë edhe më lart, plakja është një nga faktorët kryesorë të këtij rreziku. Faktorë të tjerë që gjithashtu mund të luajnë një rol në zhvillimin e katarakteve, mund të përmendim pirjen e duhanit, përdorimin e tepërt të alkoolit, diabeti, traumat në sy, përdorimi i tepruar i preparateve kortizonike, si edhe rrezatimet e zgjatura, ose ekspozimi i zgjatur ndaj diellit. Megjithatë, edhe pse faktori moshë njihet si faktori kryesor në shfaqen e kësaj patologjie, ende nuk është plotësisht e qartë se pse zhvillohen kataraktet. Diagnoza e katarakteve është mjaft e thjeshtë për mjekët specialistë, e cila realizohet nëpërmjet testimit të pamjes, si edhe duke përdorur një mikroskop të posaçëm.

Si trajtohen kataraktet?
Rruga më e zakonshme e trajtimit të katarakteve mbetet kirurgjia për heqjen e perdes, e lidhur ngushtë kjo me stadin e zhvillimit të sëmundjes dhe nëse humbja e shikimit nuk mund të korrigjohet me syze, ose me lentet e kontaktit. Kirurgjia e kataraktit është një procedurë shumë e sigurt dhe efektive. Natyrisht që për momentin e ndërhyrjes kirurgjikale do të vendosë mjeku specialist në varësi të stadit të sëmundjes. Kirurgjia e kataraktit në sajë të zhvillimeve të reja lejon që procedurat të korrigjojnë vizionin e afërt dhe atë të distancës, duke zvogëluar, ose madje edhe duke eliminuar nevojën për syze pas operacionit. Kirurgjia e sotme e avancuar realizohet nëpërmjet rrezeve lazer. Mbas operacionit sytë mund të kruhen dhe të jenë të ndjeshëm ndaj dritës për disa ditë. Kështu që është e nevojshme të mbani syze të errëta për t’i mbrojtur sytë. Duhen rreth tetë javë që syri të shërohet plotësisht edhe pse ndryshimet në pamje shfaqen menjëherë pas operacionit. Pacientët mund të kenë nevojë për syze për shikimin në distancë, ose për leximin pas operacionit dhe ka të ngjarë që të kenë nevojë për një recetë të re nga mjeku specialist, pasi syri të jetë shëruar. Njerëzit, të cilët nuk e ndjejnë se kataraktet po shkaktojnë probleme të rëndësishme me shikimin mund të zgjedhin që të shtyjnë ose të mos kryejnë menjëherë ndërhyrje kirurgjikale. Në përgjithësi kataraktet nuk kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme, kështu që së bashku me mjekun specialist, pacientët mund të kenë kohë për të vendosur saktësisht datën e operacionit.

A mund të parandalohet katarakti?
Edhe pse shkaktarët e kësaj patologjie nuk janë të studiuara akoma plotësisht, disa këshilla ndihmojnë për të ulur rrezikun e shfaqjes së kataraktit. Konkretisht, katër këshillat parandaluese që jepen në këto raste janë: hiqni dorë nga duhani, kufizoni konsumin e alkoolit, përdorni mjete të tilla mbrojtëse siç janë kapelet dhe syzet gjatë kohës që qëndroni në diell, si dhe mbani nën monitorim të vazhdueshëm sëmundjen e diabetit, e cila është përgjegjëse për dëmtimet masive të syrit. p.k/dita

 

 

October 30, 2017 15:55
Komento

2 Komente

  1. anticensurë25642654 October 31, 15:57

    një shpjegim fantastik si i
    p.k të ditës po ashtu dhe mjekes Ilda Xhelili
    “Kataraktet janë perde që veshin sytë”
    pra sipas tërë shpjegimit del që ne lindim pa katarakt,pra pa perde,dhe kjo perde krijohet me kalimin e kohës!!
    pra në trupin tonë krijohet një diçka e re!?gati gati një tumor??
    nuk ma merr mëndja aspak!!
    mjekja ka filluar ta shpjegojë funksionin e syrit por diku humbet dhe vazhdon me ” Në rastin e katarakteve, rezultojnë mjegullime të imazheve që shohim.”,që do të thotë nuk tregon se çfar ndryshon,por thjeshtë çfar ndodh!!
    pra me dy fjalë katarrakti, nuk është një perde si e ka dëgjuar p.k/dita nga gjyshja e saj,por humbje progresive e trasparencës së kristalinit(lentes që thotë mjekja),pra kristalini nuk është më i tejdukshëm!ai me kalimin e kohës fillon e humbet tejdukshmërinë!!
    “Si trajtohen kataraktet?”
    prapë një lesh e li e shkruar nga një mjeeeeeeeeke!!
    nuk e di ku ka mbaruar kjo mjeke,por qënka për të qarë hallin!!në kirurgjinë e kataraktit lazeri përdoret vetëm në dy raste:
    1-zëvëndëson bisturinë,ose skalpelin për çpimin e syrit
    2-në rastin e rishfaqes së “kataraktit”pas operacionit,kuptohet shumë kohë më pas!ndodh që të krijohet një “perde” e re,pra të humbë tejdukshmërinë një pjesë e tejdukshme e syrit!kjo shkatërrohet nga jashtë me lazer dhe nuk ka nevojë për ndërhyrje direkte!!
    me teknikën e sotme,operacioni është ambulator dhe nuk zgjat,maksimumi 30 minuta!nuk ka nevojë për syze djelli dhe 8 javët janë mbajtje nën kontroll dhe mjekimi me antibiotik,pika,kundër ndonjë infeksioni të mundëshëm!!
    normalisht me operacionin bëhet dhe korigjimi i pamjes larg!!kuptohet ka një farë tolerance të vogël +-0.5 dioptri!!
    gjithashtu me teknikën e sotme,dhe me koston shumë të ulët të operacionit,mund të përdoret dhe për korigjimin përfundimtar të shikimit!!
    kushton më lirë se ndërrimi i shpeshtë i syzeve!!

    Reply to this comment
  2. jacklumi August 25, 09:55

    kjo perdja e syrit i doli nje shokut tim e pas 2 ditesh u largua pa mar asnje ilac e asgje,e sot pas 4 vitesh nuk i esht perseritur dhe ska probleme fare me shikimin —doktoret leke duan e per leke te nxjerrin jo vec syrin po gjith trupin ta bejn pjes pjes ju qr…

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*