Sa kushton qejfi në bregdetin shqiptar?

September 3, 2016 12:46

Sa kushton qejfi në bregdetin shqiptar?

Tendencat e argëtimit në verë ndryshojnë kryekëput.  Tani, nuk mjafton vetëm një disko e hapur, e arreduar me stil veror me një DJ që luan muzikë deri në orët e para të mëngjesit. Turma kërkon më shumë që të jetë e gatshme të shpenzojë.

Por, vetë menaxherët e diskove verore (ata që e kanë zhvendosur biznesin e tyre argëtues nga Tirana në bregdet, siç ndodh rëndom në çdo sezon) thonë se tregu shqiptar nuk të lë hapësira të mjaftueshme që të “luash” me gjithçka.

Gushti është muaji më i artë ku dhe konsumi është më i lartë. Por, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, frekuentimi ka shënuar rënie, që mund të llogaritet deri në 20%.

“Gjatë gushtit, dy javët e para frekuentimi i bizneseve të argëtimit është më i lartë, në javën e tretë fillon trendi rënës. Për ta mbyllur përfundimisht më 15 shtator”, thonë drejtuesit e klubeve verore. Ata thonë se edhe gjatë qershorit dhe korrikut, frekuentimi i mjediseve të argëtimit nuk ka qenë i lartë.

Një tendencë që ata kanë vënë re dhe që e shprehin me optimizëm është rritja e numrit të të huajve që zgjedhin Shqipërinë, më së shumti janë italianë, polakë, çekë e shqiptarë të Kosovës. Drejtuesit e këtyre bizneseve në Jug të Shqipërisë, thonë se sidomos numri i turistëve italianë ka qenë në rritje.

Menaxheri i “Folie Marine” në Jalë thotë se frekuentimi ka qenë i ulët gjatë kësaj vere. “Qershori dhe korriku nuk patën fluks.  Dhe që në fillim të javës së tretë të gushtit nisi të ndihej rënia”. Ndërsa drejtuesi artistik i “Havana Club” në Dhërmi thotë se ecuria ka qenë e kënaqshme, si në korrik ashtu edhe në gusht.

Muzika ritmike josh turmën dhe e nxit të shpenzojë më shumë. Nuk ka rëndësi në është muzikë e mirëfilltë apo janë thjesht këngë komerciale. Mjafton që në skenë të ngjiten këngëtare që pavarësisht cilësisë së zërit të kenë pamje joshëse.

Këtë tipar, një pjesë e mirë e këngëtareve shqiptare, e plotësojnë.

Por konkurrenca ndihet dhe është gjithmonë sfida për të kërkuar gjetje të reja. Drejtuesit e diskove verore mundohen që kur sjellin DJ, këta të fundit të jenë të shoqëruar edhe me vokalistë, për të bërë të mundur që spektakli të jetë i plotë dhe i arrirë.

Megjithatë, sipas drejtuesve të agjencive, industria argëtuese në Shqipëri është larg parametrave që kanë fqinjët tanë, veçanërisht Mali i Zi që njihet për jetën e natës të frekuentuar gjerësisht nga europianët me diskoteka që i kalojnë edhe kapacitetet e 4,000 personave. Në Shqipëri, diskotekat kanë kapacitet mesatar nga 1,000 deri në 1,500 persona.

Drejtori artistik i “Havana Club”, thotë se performancat në pjesën më të madhe, janë live. Tregu kosovar ka më shumë emra dhe si rrjedhojë, ata dominojnë në numër.

Ndërsa menaxheri i “Folie Marine” në Jal thotë se performancat live kërkohen më shumë nga moshat më të rritura, që janë të lodhur nga ritmet techno të diskove. Ndërsa performancat me DJ preferohen nga më të rinjtë.

Edhe konsumi i alkoolit është më i ulët kur zhvillohen performanca me DJ. “Konsumi mesatar i një tavoline është një shishe pije alkoolike. Çmimet nuk kanë ndryshuar me një sezon më parë. Kam dëgjuar shpesh ‘legjenda urbane’ për çmime pijesh që shkojnë deri në 100,000 lekë, por nuk janë të vërteta. Mesatarisht konsumi i një tavoline llogaritet në rreth 11,500 lekë”, thotë drejtuesi i këtij resorti.

Këngëtarët shqiptarë paguhen më pak se ata nga Kosova. Ndërsa grupet hyjnë pak në preferencat e diskove verore, e këtu përjashtim bën vetëm legjenda “Elita 5”. Pagesat e tyre llogariten nga 3,000-4,000 euro në natë.

Këngëtarët shqiptarë paguhen mesatarisht 2,000 deri në 5,000 euro në natë për performancat që shpesh janë edhe me “play back”. Ndër këngëtarët shqiptarë më të preferuar janë: Alban Skënderaj, Flori Mumajesi, Elvana Gjata, Noizy, Enca, etj.

Më të mirëpaguar janë këngëtarët nga Kosova, tarifat për të cilët shpesh i kalojnë 4,000 euro në natë. Ghetto Geasy, Capital T, Agon Amiga, Nora Istrefi, Dafina Zeqiri, Genta Ismaili, etj., janë ndër emrat që pëlqehen më shumë. Për shembull: Dafina Zeqiri paguhet 5,000 euro në natë, ndërsa Capital T rreth 4,000.

DJ paguhen më pak se këngëtarët, por janë më të kërkuar në diskot verore dhe tarifat e tyre në krahasim me një vit më parë kanë shënuar rreth 20% rritje.

Menaxheri i “Folie Marine” në Jal thotë se tendenca vazhdon të jetë muzika komerciale. “Tregu shqiptar ka një natyrë të veçantë dhe të kushtëzon në zgjedhje, por ajo që vihet re është po pëlqehet gjithnjë e më shumë muzika shqiptare dhe DJ shqiptarë. Muzika mbahet gjithnjë në nivele të pranueshme. E kjo padyshim na ka ndihmuar shumë”.

“Luajtësit” shqiptarë të disqeve gjatë këtij sezoni, sikundër tregojnë edhe menaxherët, janë paguar nga 300-700 euro. Shifra rritet nëse performohet jashtë Tirane. Për artistët këto janë para që shkojnë direkt në xhepa, pasi të gjitha shpenzimet e tjera, si akomodimi e ushqimi mbulohen nga drejtuesit e lokaleve.

Një tjetër avantazh është edhe mospagimi i taksave, edhe pse për artistët, ligji njeh detyrimin për të paguar tatim mbi fitimin.

DJ me famë botërore, si DJ Tiesto, David Guetta në Shqipëri janë paguar nga 50,000 deri në 70,000 euro, ndërsa një DJ i huaj i nivelit mesatar paguhet deri në 5,000 euro në natë. DJ shqiptar më i paguar në natë fiton 1,000 deri në 1,500 euro.

Nëse performancës do t’i shtohen edhe balerinat, qofshin të huaja apo shqiptare, kostot janë ekstra. Një balerinë e huaj paguhet deri në 500 euro, ndërsa një shqiptare nga 100-150 euro.

Monitor

September 3, 2016 12:46
Komento

1 Koment

  1. alphade September 4, 01:45

    CMENDURI ! NE NJE VEND KU 630 MIJE PENSIONISTE
    MARRIN MEZATARISHT 160 -170 MIJE LEKE TE VJET-
    RA NE MUAJ
    EDI ,GRIJE NE TAKSA KETE MAFIE KRIMINELE E GJAK-
    PIRESE ….!!! KY NUK ESHTE ART ,THJESHTE ESHTE
    DEGJENERIM TOTAL QE E MBOLLI QOFTELARGU I LU-
    GUT TE ZI ” !!!

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*