Përfundon restaurimi i dy ikonave “Mbledhja e Kryeëngjëjve”. Kumbaro: Punë që mahnit!

February 25, 2018 17:46

Përfundon restaurimi i dy ikonave “Mbledhja e Kryeëngjëjve”. Kumbaro: Punë që mahnit!

Dy ikona të veçanta me emërtimin “Mbledhja e Kryeëngjëjve”, të autorëve  Johan Çetiri dhe Kostandin Zografit janë restauruar dhe Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro duket se e ka vlerësuar këtë punë të Drejtorisë së Kulturës, Berat.

Gjatë një inspektimi të kryer në laboratorin e restaurimit të ikonave, Kumbaro shkruan:

“Punë që mahnit!

Arti i restaurimit të ikonave është punë, pasion, talent që s’të zhgënjen!

Miltiadh Bibo dhe Altin Tabaku janë dy restauratorët duarartë në DRKK Berat që rikthyen në jetë laboratorin e restaurimit të ikonave dhe nxjerrin në dritë thesaret e fshehura të Beratit.

I gjeni në pavijonin e ri të muzeut Onufri.

Mos humbni dy restaurimet e fundit nga veprat e Çetirit dhe Kostandin Zografit”.

Ikona me emërtimin ” Mbledhja e Kryeëngjëjve ” i autorit Johan Çetiri është pjesë e fundit të Ikonave në DRKK Berat, me përmasat 97.5  x 70 cm.

Në disa pjesë të ikonës grundi ka patur çarje dhe shkëputje, ndërsa verniku paraqitej i errësuar dhe me papastërti të ndryshme. Restaurimi i saj kaloi nëpër disa faza si; konsolidimi i grundit, i pelikulit të pikturës dhe konsolidimi i suportit të drurit.

Kjo ikonë është marrë nga Kisha e Shën Thanasit në  Karavasta, Lushnje.

Njëkohësisht me restaurimin e saj, përfundoi edhe restaurimi i ikonës së Kostandin Zografit.

Ikona me autor Kostandin Zografin është marrë nga kisha e “Shën Kollit”, Vanaj në Fier.

Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare Berat ka si qëllim kryesor nxjerrjen e veprave të artit nga faza e degradimit ,duke i ekspozuar në vijimësinë e një procesi që ka si vizion ruajtjen dhe promovimin e Trashëgimisë Kulturore.

s.a/dita

 

February 25, 2018 17:46
Komento

1 Koment

  1. Jimi February 25, 19:07

    Tavolina e punes ne laboratorin e restaurimit te thesareve te artit mesjetar!? A ju duket normal nje disipline e tille shkencore restauruse!? Ne te njejten tavoline ku ndodhet thesari qe do te restaurohet, ndodhen nje mori objektesh, tretesa pastrimi, bojra, verniqe, e gjithfarelloj objektesh!?
    Imagjinoni per nje moment, sikur aksidentalisht te ndodhi qe nje nga keto objekte, aq me keq nese do te derdhej boja e pranishme mbi tavoline , cfare katastrofe do te ishte? Se paku mos na injoroni duke e quajtur laborator shkencor i restaurimit. E shumta munde te quhet nje zdrukthtari apo punishte e qemotit.
    Restauratoret e dine mire se egziston nje disipline e rrepte shkencore per restaurimin e objekteve me vlera te patjetersushme.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*