Përfundon testimi i infermierëve për Tiranën, Manastirliu: Procesi transparent

March 31, 2018 19:40

Përfundon testimi i infermierëve për Tiranën, Manastirliu: Procesi transparent

Përfundoi me sukses konkursi i infermierëve në qarkun e Tiranës, ku u testuan kandidatët të cilët kaluan fazën e parë pas aplikimit në platformën www.infermierepershqiperine.al

Ministrja Manastirliu ndoqi nga afër procesin e testimit në ambjentet e Universitetit Mjekësor, ku vetëm për Tiranën u testuan 526 kandidatë, infermierë, fizioterapistë dhe teknikëve të imazherisë.

“Të gjithë hapat e konkursit kanë qenë transparente dhe me kënaqësi konstatoj se procesi sot ka shkuar shumë mirë. Rezultatet përfundimtare do të dalin nga mbledhja e pikëve të dosjes së gjithësecilit kandidat, të cilat tashmë janë të shpallura, me pikët e grumbulluara nga rezultati i testit me shkrim”.

Teza u hartua nga një komision i përbërë me pedagogë të fakultetit të infermierisë që e kanë elaboruar në orët e para të mëngjesit të ditës së sotme.

Pas përfundimit të testimit, duke ndjekur procedurën transparente nëpër të cilën ka kaluar ky proces prej fillimit, u bënë publike përgjigjet e tezës së infermierëve, në mënyrë që secili kandidat të ketë mundësi të shohë përgjigjet për të kuptuar menjëherë pikët e marra.

Testi ishte “i verbër” dhe vetëm pas korigjimit, në prezencë të komisionit, teza çlirohet nga barkodi dhe rezultatet e sakta janë online.

Ecuria e procesit

Menjëherë pas shpalljes së platformës www.infermierepershqiperine.al kandidatët e interesuar aplikuan online dhe cdo hap i procesit ka patur transparencë maksimale.

Janë 2450 aplikues që konkurojnë për 416 vende të lira pune në pozicionet infermierë, fizioterapeut dhe teknikë imazherie në qendrat shëndetësore dhe spitalet publike në të gjithë vendin.

Fazën e parë e kaluan 1706 kandidatë, të cilët u renditën sipas vlerësimit të dosjeve të gjithsecilit.

U ndoqën të gjitha procedurat e ankimimit dhe verifikimit të dokumentacionit dhe komisionet e ngritura nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale verifikuan çdo ankesë. Në përfundim të procesit, para fillimit të testimit të parë të Tiranës, nga 1706 kandidatë ankesat kanë qenë zero!

Pas Tiranës, testimi do të kryhet në Shkodër me datë 3 Prill për qarqet: Shkodër, Durrës, Lezhë, Dibër dhe Kukës.

Testimi tjetër do të jetë në Elbasan me datë 4 Prill për qarqet Elbasan, Korçë dhe Berat.

Me datë 5 Prill përmbyllen testimet në Vlorë, për qarqet Fier, Vlorë dhe Gjirokastër.

“Ne synojmë që në përfundim të këtij procesi, kandidatët më të mirë do të punësohen në strukturat tona publike, për herë të parë përmes një konkursi transparent, me bazë merite për dijet dhe formimin e secilit kandidat”, tha Ministrja Manastirliu.

s.a/dita

March 31, 2018 19:40
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*