Përgjegjësia e mësuesit për momentin

September 9, 2019 13:05

Përgjegjësia e mësuesit për momentin

Nga Saba Lama

Kalvari i gjatë e viteve në arsim, pozicionet që kam patur ndër vite në këtë sektor, dëshira që ndjejë për të patur një nivel arsimorë cilësor për t’iu përshtatur zhvillimeve të kohës, si dhe dhimbja që unë ndjej për nivelin ku ka rënë ky sektor për momentin, u bë si motiv për mua ta trajtoj  këtë problem në shkrimin e radhës. Figura e mësuesit, ka qenë kurdoherë një figurë e respektuar, e nderuar dhe e vlerësuar nga shoqëria, sepse ka të bëjë me një mision shumë të rëndësishëm. E pikërisht me edukimin dhe arsimimin e fëmijëve dhe të brezit të ri, që nesër pas mbarimit të shkollës të bëhen dikushi në jetë për ti shërbyer vetes së tyre, familjes dhe më pas shoqërisë. Nisur nga ky mision, kjo figurë e tillë duhet të mbetet në çdo kohë. Por mendoj se pavarësisht nga roli që ka, figura dhe përgjegjësia e mësuesit për punën që bën, nisur nga realiteti që ndodh në shkollat tona, parë në shumë aspekte ka rënë dhe është nëpërkëmbur aq shumë sa lë për të dëshiruar. Kjo dukuri pa dyshim është reflektuar edhe ne arritjet e arsimit në nivel kombëtar. Natyrisht cilësinë e shkollës dhe e punës që bëjnë mësuesit në shkollë, do ta quaja ndër treguesit kryesor për matjen e cilësisë së arsimit në një vend. E keqja është se fenomeni  që ndodh, është reflektuar gjatë gjithë tranzicionit të përjetuar. Pra në të gjitha qeverisjet e radhës, pavarësisht se si është propaganduar nga eksponentët kryesorë të qeverive lidhur me arritjet në arsim.

Që të ketë sa më interes për lexuesin dhe të interesuarit problematika e shkrimit që diktojmë, po  japim disa detaje të menduara si më të rëndësishmet lidhur me misionin e mësuesit dhe përgjegjësitë e tij për pozicionin që ka. Mësuesi historikisht në raport me nxënësit, është edhe mësimdhënës edhe edukator. Pra mësuesit krahas dijeve shkencore që u japin nxënësve për lëndët mësimore që u zhvillojnë dhe profilin që kanë mbaruar, i edukojnë ata edhe me sjellje e norma për tu bërë sa më të vlefshëm nesër kur të dalin në jetë, ndërsa për prindërit dhe komunitetin ku ndodhet shkolla, mësuesi është vlerësuar si njeriu më i besueshëm dhe më human lidhur me detyrën si edukator i fëmijëve. Natyrisht për të kryer këtë mision,  është një detyrë dhe një përgjegjësi e madhe edhe për atë që e ushtron ( mësuesi ), edhe për atë që e kontrollon mbarëvajtjen e kësaj detyre ( instancat eprore të arsimit ). E jap këtë mendim, pasi prapa këtij procesi radhiten një sërë treguesish dhe procedurash profesionale. E për të qenë të suksesshëm në këtë drejtim, nevojiten njerëz të aftë dhe të kualifikuar profesionalisht. Le të fokusohemi tani te problemi që na intereson : ku jemi për momentin lidhur me kërkesat dhe përgjegjësit që dikton profesioni i mësuesit ? Vlerësimin e këtij profesioni dhe të kësaj përgjegjësie, mendoj ta analizoj në disa kënd vështrime : 1. Për  vetë mësuesin se ku është ai me detyrën që ushtron dhe se sa e ndjenë ai këtë përgjegjësi. Në këtë drejtim nisur nga vëzhgimet e bëra kur unë isha në pozicionin e inspektorit  të arsimit për rrethin tim, si dhe ato që vazhdoj të dëgjoj nga vetë zëri i prindërve, nxënësve si dhe vetë mësuesve rezulton se : janë të pakët mësuesit, madje shumë pak që e ndjejnë përgjegjësinë e tyre në punën me nxënësit si mësimdhënës dhe edukator.

Kjo reflektohet në :  përkushtimin që ata tregojnë në përgatitjen e tyre ditore për procesin e mësimdhënies, në shfrytëzimin e kohës që kanë gjatë zhvillimit të orës mësimore etj. Gjithashtu mungesa e kësaj përgjegjësie në procesin e mësimdhënies, vjen edhe për faktin se shumë nga mësuesit nuk janë të aftë për lëndën që zhvillojnë  ( si në rrafshin shkencor ashtu dhe metodik ) pasi janë diplomuar pa merita për profilin që bëhet fjalë. Pra shumë nga diplomat e tyre janë marrë me rrugë abuzive në universitetet ku janë diplomuar (me tarafe, miqësira, ryshfete etj )2. Vlerësimi  i profesionit dhe i përgjegjësisë së punës së mësuesit në shkolla nga  instancat eprore të arsimit ( në qëndër dhe në bazë ).Në këtë drejtim kontrolli nga këto instanca nuk ndjehet. Madje në strukturat arsimore, si në qendër ashtu edhe në bazë, kemi element të paaftë për të kontrolluar punën e mësuesit edhe nëse duan ta ushtrojnë. Një fenomen i tillë spikat në zyrat arsimore në rrethe. Madje zyrave arsimore, ka vite që ua kanë hequr edhe të drejtën e kontrollit ndaj institucioneve të varësisë ( kopshtet dhe shkollat ). Ato vetëm bëjnë vëzhgime për të ditur gjendjen e nivelit arsimor dhe problematikat e arsimit në rrethin ku funksionojnë, me qëllimin për ti informuar instancat eprore të arsimit me anë të e-maileve, sipas problemeve që ata u diktojnë. Gjithashtu në punën e mësuesit vihen re shumë procedura burokratike që u kërkohen nga instancat eprore të arsimit në rastet kur organizojnë kontrolle.

Të tilla janë ato që kanë të bëjnë me vlerësimin e nxënësve. Nisur nga praktika këto nuk a aftësojnë as mësuesin nga ana profesionale, por nuk i shërbejnë as formimit të nxënësit. Kontrolli i mësuesit dhe përgjegjësia e tij për detyrën dhe përgjegjësinë që ka, ka vite që ka mbetur në kompetencën e drejtuesve të shkollave, por këta nuk janë kompetentë dhe të profilit për të gjitha lëndët mësimore e aq më tepër janë persona të diktuar nga partitë. Ata duke qenë të emëruar si militantë të partive,  për rrjedhojë nuk janë efiçientë në kontrollet që u bëjnë mësuesve sepse nuk kanë horizontin e duhur. 3. Përgjegjësia e vetë qeverisë lidhur me mbarëvajtjen e këtij sektori kaq të rëndësishëm. Mendoj se qeveria krahas të tjerave, mban peshën kryesore për përgjegjësinë e punës së mësuesit dhe të mbarëvajtjes së arsimit. Prezantimi i kuadrit drejtues në arsim nisur nga kontributet thjeshtë partiake pa marrë parasysh aftësimin profesional të tyre,  mbetet përgjegjësia kryesore e ç’do qeverie që kemi përjetuar në tranzicion. Gjithashtu një përgjegjësi tjetër e madhe e qeverisë dhe e instancave te larta të arsimit mbetet aftësimi profesional i mësuesve,  kualifikimi i tyre  pasi edhe në këtë drejtim puna ka çaluar mjaftë. Emergjente mbetet edhe miratimi i statusit për mbrojtjen e figurës dhe personalitetit të mësuesit nga shteti, pasi gjithnjë vihet re se kjo figurë sa vjen e denigrohet nga mungesa e këtij statusi.

Nisur nga përgjegjësitë e qeverisë për arsimin dhe mbarëvajtjen e tij, vlen të kujtojmë shprehjen e shkrimtarit të dëgjuar austriak  Franc Kafka. Lidhur me zhvillimin e arsimit në një vend ai shprehet : “Nëse do të varfërosh një vend apo një komb, shkatërroj atij arsimin “. Po ku ka çuar ky vlerësim dhe kjo përgjegjësi lidhur me punën e mësuesit ? Pa dyshim është reflektuar te niveli shumë i ulët i nxënësve në drejtim të formimit që kanë lidhur me dijet dhe njohuritë që marrin në shkollë. Mendoj se  problematika e shkrimit që diktuam, është një mesazh për qeverinë, institucioneve eprore të arsimit,armatën e mësuesve, prindërve, madje dhe për nxënësit dhe studentët, duke u vënë atyre angazhime dhe detyra, ku secili ka pjesën dhe rolin e tij për të ngritur zërin dhe për të thëne fjalën e tij për ndryshime dhe vendimmarrje të nevojshme që të çojnë në përmirësimin e cilësisë së arsimit.

September 9, 2019 13:05
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*